Pjesë e ceremonisë ishin edhe drejtues të lartë të shtetit shqiptar, si kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, deputetë dhe zyrtarë të ndryshëm, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend
TIRANË – Në të gjithë Shqipërinë sot kremtohet me disa aktivitete Dita e Nevruzit. Në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë është organizuar ceremonia tradicionale, ku merrnin pjesë përveç besimtarëve dhe klerikëve bektashinj, edhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, etj. raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërkohë pjesë e ceremonisë ishin edhe drejtues të lartë të shtetit shqiptar, si kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, deputetë, zyrtarë të ndryshëm, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend.
Fillimisht është mbajtur një koncert me këngë dhe valle të ndryshme popullore nga zonat e ndryshme të vendit, ndërsa më pas kanë mbajtur fjalët e tyre përshëndetëse kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, etj.
Në fjalën e tij kreu i bektashinjve iu ka uruar festën të gjithë besimtarëve, ndërsa ai ka theksuar se festimet për Ditën e Nevruzit do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme, përmes aktiviteteve të ndryshme.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Shqipërisë u shpreh gjatë fjalës së tij përshëndetëse se “Sulltan Nevruzi është festa tradicionale e së djeshmes që vjen në të sotmen e secilit prej nesh si një triumf i ringjalljes dhe i ripërtëritjes së jetës. Është një ditë e veçantë që ofron mundësi të veçantë dhe të shkëlqyer për të reflektuar. Reflektim për nevojën e jashtëzakonshme që kemi si individ dhe si popull për më shumë dashuri e qetësi dhe mirësi.”
Për komunitetin bektashi kjo festë simbolizon ditën e shpresës dhe ripërtëritjes që përkon edhe me ardhjen e stinës së pranverës. Festa e Nevruzit përveç Shqipërisë, kremtohet edhe në vende të tjera si në Kosovë, Turqi, Iran, Afganistan, Irak, etj.
Komentet