Në Shkodër po kremtohet Mesha solemne me ritin e Lumnimit të 38 martirëve të Kishës katolike të periudhës së regjimit diktatorial ateist të komunizmit.
Mesha solemne, në Katedralen e Shkodrës, kryesohet nga Kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Cështjen e Shenjtorëve, në bashkëkremtim me Presidentin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra e tërë episkopatin e Shqipërisë, ipeshkvijtë tjerë nga Kosova, Mali Zi, Italia, Kroacia e shumë vende tjera. Në Meshën dhe ritin e Lumnimit të 38 Martirëve në Katedralen dhe sheshin para këtij Tempulli të Zotit, janë të pranishëm me dhjetëra mijëra besimtarë e qytetarë nga mbarë Shqipëria, Kosova, Mali Zi, diaspora e vendet tjera. Po kështu në Meshë janë të pranishme autoritetet e larta Shtetërore e qeveritare të Shqipërisë, Kosovës si dhe kryetarë të komuniteteve fetare të vendit.
Prekëse fjala e kryeipeshkvit imzot Massafrës në fillimin e Meshës, kur përmendi një nga një të gjithë emrat e Martirëve, të cilët shpallen të Lumë gjatë këtij kremtimi liturgji. E pas këngës së Meshës, Arqipeshkvi Angelo Massafra e falënderoi Papën:
“Shumë e nderuar Eminencë, si Metropolitë e Arqidioqezës së Shkodër-Pultit, me përvujtëri kam kërkuar prej Atit të Shenjtë Françesk që të shruajë në numrin e të Lumëve Shërbëtorët e Hyjit Vinçenc Prenushi, ipeshkëv, dhe Shokët, Martirë”.
“Eminenca shumë e nderuar, në emrin tim personal, e të Arqidioqezës sonë dhe të Postulacionit për Çështjen e Lumnimit, duke falënderuar Hyjin i cili, nëpërmjet martirëve tanë, na dha shembull e qëndrimit të fortë në fe deri në vdekje, Ju lutem t’i paraqisni Shenjtërisë së Tij Papë Françeskut mirënjohjen tone për dhuratën që i fali tokës Shqiptare duke pranuar t’i numërojë ndër të Lumet edhe Shërbëtorët e Hyjit Ipeshkvin Vinçenc dhe Shokët e tij, Martirë”.
Lutja e hyrjes së Meshës së Lumnimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti ke mbushur me Shpirtin e forcës sate të lumët Vinçenc, ipeshkëv, e Shokët, martirë që t’i jepnin popullit shqiptar dëshminë e besnikërisë ndaj Krishtit dhe të dashurisë së pakushte ndaj vëllezërve.
Me ndërmjetësimin e tyre të përbashkët, jepi Kishës sate të përhapur në gjithë botën të njëjtin Shpirt që të përmbushet mbretëria e dashurisë, e drejtësisë dhe e paqes që solli Krishti Zot. Ai jeton e mbretëron me ty në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
LITURGJIA E FJALËS
Leximi i Parë (1 Mak 1, 41-50; 56-63)
Prej Librit të Parë të Makabenjve
Në ato ditë mbreti Antiok shkroi një shpallje për mbarë mbretërinë që të gjithë të trajtonin një popull të vetëm e t’i lënë doket e veta.Të gjitha kombet e pranuan urdhrin e mbretit Antiok.Shumë edhe prej izraelitëve pranuan hyjnderimin e tij, u flijuan idhujve dhe e prishën të shtunën. Mbreti dërgoi në Jerusalem e në qytetet e Judesë me anë të të dërguarve të vet letra që t’u përshtaten dokeve të paganëve vendës, të mos kushtojnë fli shkrumbimi, therore, fli kushti në Tempullin e Hyjit, të mos kremtohen më të shtunat e të kremtet, të dhunohet Shenjtërorja e gjithçka është e shenjtë, të ndërtohen lterë, tempuj e idhuj, të flijohen thi e kafshë të papastra, t’i lënë fëmijët pa rrethprerë, të bëhen të papastër me çdo lloj papastërtie e irie, kështu që ta harrojnë Ligjin e t’i ndërrojnë të gjitha doket e shenjtërimit. Kush të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje.
Librat e Ligjit që i gjetën, pasi i shqyenin, i digjnin në zjarr. Nëse te ndokush gjendej ndonjë libër i besëlidhjes ose që e pranonte Ligjin, vritej me urdhrin e mbretit. Pasi fuqinë e kishin në dorë, bënin kështu kundër Izraelit, kundër atyre që i zbulonin muaj për muaj në qytete.Më njëzet e pesë të muajit flijonin mbi lterin që e kishin ndërtuar mbi lterin e flive të shkrumbimit.Gratë që i kishin rrethprerë fëmijët e vet, i vritnin në bazë të shpalljes ‑ ua varnin fëmijët për qafe ‑ i vritnin edhe anëtarët e familjes së tyre si dhe ata që i kishin rrethprerë.
Megjithëkëtë, një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastra: më parë zgjodhën vdekjen se të ndoten me ushqime të papastra e ta prishin Besëlidhjen e shenjtë: bënin vdekjen! Fjala e Zotit.
Psalmi (Krhs Ps 65, 1-4; 8-12)
Qoftë bekuar Hyji në mëshirën e tij
Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuajini Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!
Pse je tejet i fuqishëm,
armiqtë e tu të përkëdhelin.
Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd”!
Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë
dhe shpalleni lavdinë e tij!
Ai i dha shpirtit tonë jetën,
këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.
Ti vetë, o Hyj, na vure në provë,
porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.
Ti vetë na nxorre në leqe,
barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.
Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit,
na përshkove nëpër zjarr e ujë,
por më vonë na dhe pushim.
Leximi i Dytë (Zb 7,9-17)
Prej Librit të Zbulesës së Shën Gjonit Apostull
Atëherë pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund ta numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!” Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallesave, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin.Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”
Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!”
Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit.
Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t’i shtijë nën tendën e vet. Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij.Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhedo t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre”.Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Aleluja, aleluja.
Kush qëndron deri në fund do të shpëtohet, thotë Zoti.
Aleluja.
Ungjilli (Mt 10, 16-22; 26-33)
Leximi prej Ungjillit të shenjtë sipas Mateut.
Në atë kohë Jezusi tha: “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.
Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.
“Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!
Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.” Fjala e Zotit! Lavdi ty, o Krisht.
O Zot Jezus,Ti bëre që të Lumët e tu Vinçenc dhe Shokët të vuajnë për ty; forcoje ligështinë tonë me ndihmën tënde hyjnore,që sikurse ata nuk ngurruan të vdesin për ty,ashtu ne të qëndrojmë të fortë duke të dëshmuar ty, qëjeton e mbretëron në shekujt e shekujve.
Tani kardinali Amato është duke mbajtur homelinë e kësaj Meshe historike për Kishën shqiptare, duke folur mbi martiret, jetën e tyre, qëndresën e tyre, mesazhin e tyre.
Komentet