Zotni Joyce
Unë e di se ti ke qenë një Uliks
Siç e di se çdo njeri
I denjë për atributin shkrimtar
Është kipci i Uliksit
Zotni Joyce
Dua të të bëj një pyetje të thjeshtë:
A ke mbërritur në Itakën tënde ?
A ekziston vërtet një Itakë
Për shkrimtarin e njëmendtë ?
Unë besoj se Itaka e vërtetë
E një shkrimtari
Janë librat që ka shkruar ai
Qysh nga fëmijëria
Një shkrimtar lundron
Duke u rënë kryq e tërthor deteve
Për të mbërritur në portin që quhet
Libri i tij i jetës
I rrethuar nga vëllime të trasha
Të botuara në të katër anët e botës
Unë kam dëshirë të trokas
Në ballinat e tyre
Si në kanatin e një porte
Dhe të thërras:
A je këtu, James Joyce?
Mbi raftet e mbushura me librat e tu
Ndodhen disa shishe:
A mos vallë do të na japësh nga një gotë
Për të festuar me ty ditëlindjen tënde?1
Me thënë të drejtën ti lind
Sa herë që dikush merr në dorë
Ndonjë nga veprat e tua
Dhe përkulet mbi fletë
Siç përkulej Uliksi i lashtë
Mbi detin ngjyrë vere…
Duke vështruar një derë të mbyllur para meje
Kam përshtypjen se papritmas
Ti do të futesh në këtë kthinë
Për të përshëndetur vizitorët që kanë ardhur
Në rezidencën tënde në Zyrih
E falënderoj këtë qytet
Plot katedrale e pallate të madhërishme
Që rezidencën tënde të mbushur
Me dorëshkrime me fotografi me botime
E ka shndërruar
Në një tempull të letërsisë
Duke u larguar nga rezidenca jote
Do të marr me vete dy fraza
Që ti i ke pasur për zemër
Dy fraza të afishuara në mure:
« Nulla dies sine linea »
« Joyciens, ju përbuz »…
1.James Joyce ka lindur më 2 shkurt 1882
Komentet