Nën organizimin e shoqërisë civile, edhe sot në Prishtinë po zhvillohet një marsh protestues me moton: “Drejtësi për Astritin”. Marshi protestues i kushtohet aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari i cili vdiq në burgun e Prizrenit më 5 nëntor.
Sipas raportit të fundit të Mjekësisë Ligjore të prezantuar nga Kryeprokurori i Gjykatës Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, vdekja e Deharit erdhi si pasojë e asfiskisë (bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes) nga një mjet i fortë dhe nga lëndimet e vet-shkaktuara.
Astrit Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimet se kishte marrë pjesë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.
Por, këtë raport e ka hedhur poshtë familja Dehari e cila po kërkon zbardhjen e rrethanave të vdekjes së aktivistit Dehari. Ngjashëm, edhe përfaqësues të shoqërisë civile, përmes marsheve protestuese po kërkojnë zbardhjen e këtij rasti.
Në protestën e sotme është kërkuar që ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha dhe ai i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni të japin dorëheqje, kurse përgjegjësit e Shërbimit Korrektues të japin përgjegjësi. (RFE)
Kjo është protesta e dytë e organizuar në Prishtinë me të njëjtën moto, ndërkaq të ngjashme janë organizuar edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.
Komentet