Voal – Në prag të dasmës të shekullit, si konsiderohet dasma e Princit Leka Zogu me zonjushën Elia Zaharia, ku do të marrin pjesë familjet mbretërore nga Europa dhe bota, oborri mbretëror bashkë me njërin prej organizatorëve kryesorë të ceremonisë z.Beniamin Bakalli që është edhe kryetari i PLL për Tiranën organizuan mbrëmë në mjediset e Sky Tower Hoten në Tiranë një darkë me pinjollë të Familjeve të Mëdha shqiptare që janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe, që është e dyta në rradhë pas dasmës të Mbretit Zog. Kësaj herë, rreth 80 vite më vonë, martohet nipi i tij, princi Leka i cili bashkë me Elian gëzojnë një simpati të madhe në oborret mbretërore dhe dinastitë europiane, përfqësues të të cilave do të jenë të pranishëm në ceremoninë e dasmës.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste e Gjermania naziste dhe prej nëntorit 1944, vendosja në Shqipëri e një diktature të egër, shënoi fatin e keq për shqiptarët dhe për familjen mbretërore, sepse diktatori Enver Hoxha e shpalli Mbretin Zog armik të regjimit sikur e shpalli armike edhe gjithë elitën shqiptare.
Ajo pjesë e elitës, ajka e vendit, që diktatori Hoxha nuk arriti ta burgosë dhe eleminojë barbarisht, emigroi jashtë vendit.
Diktatura e egër hoxhiste bëri genocid ndaj kundërshtarëve. Regjimi komunist ndoqi e persekutoi gjithë emrat dhe emblemën e familjeve të mëdha shqiptare, ata që e kishin bërë Shqipërinë, e cila deri në vendosjen e diktaturës, nën kurorën mbretërore, ishte një vend i pasur dhe i integruar në Europë, ndërsa inteligjencia e saj ishte e gjitha e shkolluar dhe formuar në Universitetet më të famshme në vendet e Perëndimit.
Diktatura ishte tragjedi për vendin mbarë, sepse Shqipërisë iu ndërpre zhvillimi dhe prej asaj kohe, paçka se thuhet se diktatura është rrëzuar prej çerek shekulli plagët nuk janë shëruar ende, as të vendit dhe as të shqiptarëve.
Dasma e Princit Leka, që ka profilin e një të riu brilant të edukuar e shkolluar në Perëndim, e risjell rishtas Shqipërinë në qendër të vemendjes të Europës dhe shtypit botëror. Janë qindra gazetarë të huaj që do të ndjekin ngjarjen.
Në kuadër dhe në prag të dasmës janë zhvilluar një seri aktivitetesh të organizuara nga Oborri Mbretëror.
Edhe darka e mikpritjes, me disa nga pinjollët e Familjeve të Mëdha shqiptare, që janë pjesë e historisë të Shqipërisë, e organizuar nga Beniamin Bakalli në emrin e Pallatit Mbretëror, ishte në kuadrin e kremtimeve në prag të dasmës.
Midis emrave të ftuar ishin zotërinjtë Skënder Zogu, Darling Vlora, Avni Delvina, Tanush Frashëri, Tomor Alizoti etj.
Ata janë pasardhësit e ajkës të Familjeve të Mëdha shqiptare të cilat diktatura i masakroi duke i ndjekur brez pas brezi.
Skënder Zogu është djali i vëllait i Mbretit Zog, Darling Vlora është nipi i Ismail Qemalit, familjen e të cilit Enver Hoxha e persekutoi pa pikë mëshire.
Tomor Alizoti është stërnipi i Fejzi Alizotit, ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe nipi i Riza Alizotit që regjimi kriminal e vari në mes të Qytetit Stalin.
Piktori i njohur Avni Delvina, është nipi i firmëtarit të pavarësisë të Shqipërisë, Avni Bej Delvinës, i cili ishte kushëri i parë me Sulejman Delvinën, kryeministrin e qeverisë të Shqipërisë gjatë periudhës të Kongresit të Lushnjes.. Ftesat e dasmës mbretërore janë shkruar me dorë nga Avniu.
Ndërsa Tanush Frashëri është historian i mirënjohur, ish i burgosur politik në burgun e Spaçit.
Regjimi barbar i Enver Hoxhës përmes diktaturës të proletariatit e proletarizoi elitën e vet, ajkën e vrau ose e detyroi të ikte nga vendi, ndërsa e zëvendësoi me llumin, llum që vijon edhe sot çerekshekulli pas rrëzimit të regjimit kriminal.
Sot më tepër se kurrë vendit i duhen Shqiptarët e vërtetë, ajka e kombit, sikur thuhet.
Dhe darka e organizuar me pinjollët e Familjeve të Mëdha ishte një jehonë e bukur e kërkesës të kohës tonë.





Komentet