Pesë poezi nga libri “Të vizatosh një zog në mur”
TË VIZATOSH NJË ZOG NË MUR
Nuk më pëlqejnë njerëzit
Që mendojnë shumë
Të mendosh
Nuk do të thotë se je i mençur
I urti s’mendon por vepron.
Të ecësh në një lartësi
Prej njëqind metra
Nëpër një tel bakri që dridhet
Si ajri i tymosur i qytetit
S’do të thotë se je i mençur
Për të qenë i tillë
Nuk ka nevojë të jesh akrobat
Por një njeri tejet modest
Që i përngjan zogjve
Dhe fluturave
Që dashurojnë shpirtin e zjarrit.
Për të qenë i mençur
Duhet të kesh vetëm pak durim
Të vizatosh një zog në mur
Dhe të fluturosh hapësirave
Me teknikën
E shpirtit dhe të menduarit.
KY DIMËR NË KËTË STINË
Një dorë e gjatë ma zë frymën
Në anën tjetër të lumit
Nuk shoh asnjë njeri
Vetëm një mizë e bezdisshme
Fluturon mbi një letër të bardhë.
Ajri është ngrirë
Më ngrihet edhe frymëmarrja
Perdet gri nuk lëvizin
Më duket kam hyrë në varr
Kurse kjo dhomë
I paska shtatë dritare të bardha.
Nuk më kujtohet tani
Se kush ka banuar këtu
Ajri i acartë tregon se as ariu i murrmë
Nuk mund të jetojë
Më shumë se njëzetë e katër orë
Nëpër xhamat e thyera të dritareve
Kolonë pas kolone
Largohen bubuzhelet e kaltra
Duke ikur pas stinëve të verdha
Ky dimër në këtë stinë
Të vonshme
Trokiti papritur në portat e erës
Hyri në gjumin e rrapit
Që kurrë nuk pati çaste të lumtura.
ISHTE NJË TJETËR PRANVERË
Kur më erdhe në ëndërr
I kishe përgatitur
Valixhet e tua prej kartoni
Dhe u trete diku
Si flluska e sapunit.
Ishte dimër atë natë
Dhe kurrë nuk besova
Se do mbërrij në pranverë
Kur mu mbyllën të gjitha portat
Pas shpine
Dikush e hapi deriçkën e bardhë.
Ndoshta trokita në kohën
Dhe çastin e duhur
Brenda mureve
Ishte një tjetër pranverë
Kur laheshin dhe pastroheshin zogjtë
Nga mëkatet e njerëzve
ISHTE NJË TJETËR KOHË
Nëse më hapen sytë për herë të dytë
S’do të thotë se unë u linda
Edhe njëherë
Duhet të vdesësh për të dytën herë
Për të lindur mes baladave.
Nuk më pëlqejnë parathëniet e mjegullave
Ka kohë që në qytetin tim
Nuk kanë ardhë shirat
Ishte një kohë e acartë
Mbi flokët e trishtimeve reshnin malet
Me gurtë e murrmë.
Ishte një tjetër kohë
Kur ne s’dukeshim siç jemi sot
Ecnim rrugëve me nga një brengë
E cila në çdo hap peshonte
Disa herë më rëndë se vet dhembja.
NËPËR TË ÇARAT E DRURËVE
Pse nuk bëzan moj bjeshkë
Zëri vajtues i erës
Shumë larg dëgjohet përtej rrahut
Kurse lumi i çmendur i mendimeve
Sonte nuk paska të ndalur.
Mbrëmë kuptova se si qanin drurët
Ishte një natë e trentë
Mes rrapeve dhe rapsodive të thinjura
S’pushonin pushkët
Një yll lindte
E pesë të tjerë vdisnin.
Nëpër të çarat e drurëve
Frynte një tjetër murrlan
Frynte me zë njeriu
Një zjarr i zi shuhej në sqepin e korbit
Një tjetër zjarr lirie
Lindte në krahët e pëllumbit të bardhë.
Pse po bëzan moj bjeshkë e mirë
Sonte është koha të këndosh
Nga një vdekje e madhe
Po lindin fëmijët e tu
Në shpirtin e bardhë të atdheut.
Komentet