Barometri diplomatik
*** Të gjithë ata njerëz, kudo qoftë në botë, që nuk e mbështesin drejtësinë, kurrë mos e gëzofshin lirinë.
(M.Hyseni, 2023)
*** Ngritja e shtatores HEROIT GJITHËKOMBËTAR SHQIPTAR, Adem Demaçi në Podujevë simbolizon epilogun e falsifikimit të historisë së pavarësisë së Kosovës (1990-2023).
Ndaj, pa asnjë dilemë, meritën historike e kombëtare për ngritjen e shtatores së Adem Demaçit në Podujevë, më 26 nëntor 2023 e ka kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi me bashkëmendimtarët dhe me bashkëveprimtarët e tij si në nivelin komunal, ashtu edhe në atë republikan me Albin Kurtin në krye, kryeministër i Qeverisë së Kosovës.
-Iu lumtë për ringjaljen dhe për rikthimin e Bacës Adem në faqet e ndritshsme të historisë së Kosovës së pavarur dhe sovrane (17 shkurt 2008). Si DISIDENT, si I BURGOSUR (28 vjet). si HERO, si KRYEIDEOLOG, si KRYEARKITEKT dhe si BABA i saj, jo më pak se gjysmë shekulli (1958-2018).
Fjala e rastit e Shpejtim Bulliqit për Bacën Adem :
““Jam i lumtur që Podujeva është qyteti i parë që do ta ketë shtatoren e bacës Adem, për arsye se ashtu i takon Podujevës dhe Llapit. Llapi nuk është thjesht vendlindja e bacës Adem, por edhe vendi e familja e tij e madhe. Baca sot po skalitet këtu si një hero i një populli që aq shumë e deshi dhe gjithçka sakrifikoi për të .Podujeva dhe Llapi janë të nderuar që tashmë ne zemër të qytetetit të tyre, në bulevardin e qytetit ka personalitet dhe një figurë kaq madhështore”.(Burimi: :https://www.kosova-sot.info/lajme/697681/bulliqi-adem-demaci-sot-po-skalitet-si-nje-hero-i-nje-populli-qe-aq-shume-e-deshi/ ).
Ashtu si Shpejtim Bulliqi i LVV-së, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi dhe e vlerësoi lart domosdoshmërinë, rëndësinë, peshën historike, politike e kombëtare dhe atdhetare shqiptare të emrit dhe të veprës jetësore patriotike të Tribunit të Lëvizjes së Rezistencës gjithëpopullore dhe të disidentit mendar dhe largpamës, Adem Demaçi, i cili për çudi dhe për habi iu “pati shpëtuar kamerave televizive” të Komitetit Nobel në Suedi, vlerësuesit e të cilit Nelson Mandelen e shpërblyen me Çmimin Nobel për paqe (për vuajtjen e burgut 30-vjeçar nga aparteidi ), ndërkaq, i anashkaluan në heshtje vlerat demokratike dhe paqësore gjysmëshekullore të Adem Demaçit!
Mesazhi homazh i Albin Kurtit për Bacën Adem
“…Sot jemi mbledhur për një homazh më shumë e për një imazh më të ngurtë të njeriut tonë të madh politik, Adem Demaçit, shkrimtarit, Adem Demës, njeriut të popullit, bacës Adem. Personalitet unik, në veprimin dhe me gjuhën e tij, në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur.
Na nevojitet pra një homazh i thellë për një shpirt kaq gjithëpërfshirës, ngase u desh një guxim i madh për ta mbajtur një shpirt kaq të lirë. Lipset një vetëdije pa skaje për ta mbajtur një dije të paepur.
Për ne, si ndjekës të përpjekjeve të tij, do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitete të kësaj përmase. Por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë e në gur, sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë. Mbi vargun dhe kullën. Ne urojmë që monumenti ynë kushtuar heroit tonë të mendimit të lirisë, të jetë edhe kullë edhe gjuhë, sipas kërkesës së furishme të vetë Adem Demës drejtuar kryekomandantit Adem dhe Jasharajve…”(https://shqip.com/zbulohet-shtatorja-e-adem-demacit-ne-podujeve/)
Ngritja e shtatores HEROIT Adem Demaçi, simbolizon epilogun e flsifikimit të historisë së pavarësisë së Kosovës
– Përmendorja e Bacës Adem Demaçi, krenari për çdo shqiptar bir shqiptari, jo vetëm për Podujevën, për Kosovën, por edhe për mbarë Shqipërinë Etnike.
S’ka dyshim se, ngritja e shtatores së Bacës Adem Demaçi në Podujevë, është vërejtja e parë dhe e fundit e popullit liridashës të Llapit dhe Gollakut kundër falsifikimit të historisë nga skribomanët e pacifizmit primitiv sllavo-bizantin, të cilët jo më pak se 30 vjet luftuan dhe propaganduan, shpifën, spekuluan, mashtruan, dezinformuan, çorientuan, indoktrinuan dhe helmatisën popullin, se gjoja Adem Demaçi në liri-jashtë burgut në Kosovë (1990-2018) “nuk kishte fuqi të mjaftueshme psiko-fizike për të bërë politikë dhe për të udhëhequr Kosovën”(!?).
Kjo ishte rrena më e madhe e kurdisur nga armiqtë e brendshëm të Kosovës, e cila pati ndikuar negativisht në prishjen dhe në zhveshjen e bindjeve politike dhe kombëtare të shumë njerëzëve të strukturave të politikës “pluraliste”, të cilët pa të drejtë krijuan dyshim, dilema, lëkundje, aversion dhe urrejtje ndaj kryefigurës kombëtare shqiptare të Kosovës, Adem Demaçi, i cili për lirinë e popullit dhe të Kosovës vuajti jo më pak se 28 vjet burg nëpër kazamatet famëkeqe të ish-Jugosllavisë (1958-1990).
Ndaj, nga zemra i përshëndes të gjithë ata, që kanë kontribuar për ngritjen e shtatores së Bacës Adem në vendlindjen e tij, Podujevë, më 26 nëntor 2023, që dëshmon se historia e pavarësisë së Kosovës, nuk mund të falsifikohet sipas prosisë së “karkalecëve” të kohës njerkë.
Çfarë idiotizmi dhe padrejtësie ?!
-Duhej të prisnim jo më pak se 20 vjet në liri e në paqe, e së fundi, më 26 nëntor 2023 në Podujevë, të ngrihej PËRMENDORJA E PARË E HEROIT ADEM DEMAÇI!?
Këtë falsifikat , këtë turp dhe këtë padrejtësi nuk ka shkencë, as politikë, as diplomaci e as drejtësi, që e justifikon, në asnjë kuptim.
Të lumtë Shpejtim Bulliqi, që ngrite në këmbë të gjallë Bacën Adem me librin e tij profetik e vizionar për lirinë dhe për pavarësimin e Kosovës së Shqipërisë Etnike !
Përmendorja e parë e Demaçit në Podujevë, apelon popullin për rindërgjegjësim dhe bashkim kombëtar kundër falsifikimit të derisotëm të historisë dhe të politikës së pavarësimit të Kosovës.
-Po, pse mos të thuhet, se ngritja e parë e shtatores së disidentit, të kryeideologut, të kryetribunit, të kryepaqësorit, të kryedemokratit, të kryerevolucionarit dhe Mandeles së Evropës, Adem Demaçi, është akt i lartë i ndërgjegjës, i drejtësusë dhe vepër e guximshme njerëzore dhe kombëtare shqiptare e Shpëtim Bulliqit (kryetar i komunës së Podujevës) me bashkëpunëtorët e tij qeveritarë në nivel komune dhe në nivel republike.
Kjo shtatore thërret kundër falsifikimit të historisë së pavarësisë së Kosovës !
Së pari, logjika normale e thotë se, ai që ka përfunduar në përqafimin e kryekriminelit Slobodan Milosheviq në Beograd (maj 1999), dhe, ai që ia ka kthyer pushkën Slobodan Milosheviqit (5,6,7 mars 1998), assesi nuk mund të konsiderohen heronj simetrikë të pavarësisë së Kosovës, pavarësisht se si janë zhvilluar ngjarjet politike e luftarake në terren në atë kohë, kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia agresore dhe gjenocidale (1989-1999).
Pra, shtatorja e Bacës Adem Demaçi është një argument i pakundërshtueshëm historik, politik, kombëtar dhe atdhetar shqiptar, që APELON ASHAK-un në Prishtinë, ASHSH-në Tiranë dhe ASHASHA-në Nju-Jork, që të rindërgjegjësohen dhe të fillojnë të shkruajnë historinë e vërtetë për pavarësinë e Kosovës (17 shkurt 2008), jo të heshtin historinë dhe politikën e falsifikuar histerike të disa skribomanëve të parapaguar nga partitë e ndryshme politike dhe nga bizneset e shantazhuara me protagonistët e këtyre politikave, të cilat sipas interesave të ngushta personale. grupore, partiake, nahijore, ideologjike, ekonomike, tregtare e financiare kanë përçarë popullin sipas kryeliderëve të tyre në pushtet dhe jashtë pushteti.