Sot violonçelisti Gjergj Antoniu, muzikanti par excellence do të festonte 75 vjetorin.
Koncertist karriere me një intensitet befasues koncertesh për kohën, ngriti peshë zemrat e spektatorit dhe u bë legjenda e jetës muzikore shqiptare. Për 35 vite rresht interpretoi në 91 koncerte, krye-vepra të literaturës muzikore botërore dhe pothuajse gjithë veprat e kompozitorëve shqiptarë.
Por…
Në një ditë shtatori të vitit 2012, trupi i tij s’mundi dot t’i rezistonte më sëmundjes fatale, që e mori në një moshë relativisht të re, 63 vjeç.
Sa shumë projekte koncertesh mbetën pezull, sa ëndrra i mbetën pa u realizuar, sa vepra bashkëkohore të blera kohët e fundit edhe pse kurohej për disa vite në Greqi, Ai nuk mundi dot t’i jepte zë me talentin e tij të përveçëm e të pazakontë në mjedisin shqiptar por dhe jo vetëm.
I admiruar nga muzikantët dhe publiku, i vlerësuar me superlativa prej kritikës profesionale në shumicën e rasteve, me të njëjtin respekt edhe u përcoll në banesën e fundtit në atë 29 shtator…
Kur arkëmorti la prapa derën e Universitetit të Arteve, kortezhi instiktivisht e vuri në mes të dy rreshtave dhe po aq instiktivisht heshtja e rëndë u thye nga një duartrokitje e ndrojtur, që vetëm pas disa sekondave u shumëfishua nga të gjithë, me të njëjtin zell të përherëshëm. Për dijen time ishte rasti i parë i një reagimi të tillë dhe s’kish si të ndodhte ndryshe.
Ishin këto duartrokitjet e fundit që i dhanë kolegët instrumentist, të cilët s’linin rast pa u shprehur në media për vlerat e tij, ishin kompozitorët që shumicën e krijimeve për violonçel ia dedikuan Atij e njëkohshëm e konsideruan frymëzues e konsulent profesional, ishin duartrokitjet e fundit të studentëve që do ju mungonte dashamirësia e urtësia e sugjerimeve profesionale, por dhe rreptësia në plotësimin e kërkesave dhe jo vetëm violonçelistët, por të gjithë studentët e tjerë, që përfituan nga kultura e tij dhe që me përkushtim dhe pasion kurrë nuk ia kurseu bashkëbisedimet për faktorët që siguronin cilësinë e interpretimeve. Ishin duartrokitjet e familjarëve të pakët, që koha i kishte rralluar, të cilët për dekada, madje që fëmijë i kishte bërë krenar.
Nga talenti i tij kanë marrë jetë 75 vepra të letërsisë botërore muzikore, 52 vepra të kompozitorëve shqiptarë, 14 vepra të transkriptuara, 9 vepra të muzikës së dhomës. Gjithësej150, prej të cilave një numër i konsiderueshëm i përcolli në skenat tona për herë të parë duke dhënë modelin e perceptimit dhe interpretimit artistik si Ai.
Muzikant i sojmë me fantazi krijuese dhe imagjinate të pasur që pas procesit rigoroz të njohjes, duke realizuar ekzekutime perfekte tekniko-profesionale ndjente misionin t’i përcillte vlerat estetike të veprës përmes prizmit të tij shpirtëror e intelektual.
“Çdo harresë është e dëmshme, por ajo mbi artin, tempujt e tij dhe dishepujt, është e pafalshme” (P. Kabo)
I paharruar kontributi.
(Të dhënat faktike janë nxjerrë nga studimi monografik “ Gjergj Antoniu Një jetë me violonçel”).nga ku po shkëpusim një fragment të karakteristikave të individualitetit.
Qendrimi krijues
Vepra artistike në të në cilën merr trajtë objektive vullneti krijues i kompozitorit, talenti dhe ndjeshmëria subjektive e tij ndaj ideve muzikore , imponohet si një skemë e përgjithshme për muzikantin interpret. Mbajtja e qendrimit realist dhe shprehja me vërtetësi realizon korrektësinë e ekzekutimit , domosdoshmëri edhe kjo e përgjithshme. Vetëm mënyra e përjetimit intelektual dhe shpirtëror të instrumentistit e bën atë variant të përveçëm. Në këtë kuptim, termi interpretim e presupozon , ekzekutimin ndërkohë ai sa është i dallueshëm aq mban edhe varësi lidhjesh me ekzekutimin, si simbiozë e vërtetësisë me individualitetin. Zbatimi me korrektësi i partiturës shfaqet si tipar i ekzekutimit të pastër, interpretimi është mëvetësi e qenësishme, është bazim i shpirtit drejtuar nga intelekti, është përveç sakësisë një vetdhurim plot pasion. Në të gjendet hapësira për të shprehur interpreti qendrimin subjektiv krijues. Në bashkëveprim me lirinë e shprehjes, ky qendrim ndihet në trajtat e ndjeshmërisë e nuancimet shpirtërore individuale, në perceptimin intelektual e artistik, e bëhet i dukshëm në karakterin improvizativ të lojës.
Improvizimi, kur plekset me rreptësinë e formës të çdo detaji e të parashtruar në veprën konkrete krijon në intepretim variantin e përveçm indivdual.
Në librin “Poetika Muzikore” në kapitullin mbi ekzekutimin Stravisnky pohon: “Eshtë e drejtë dhe e natyrshme t’i kërkojmë edhe interpretit nënshkrimin dhe kulturën që i kërkojmë krijuesit. Sepse që të dy do të gjejnë në to lirinë në plotësinë e saj të skajshme dhe në fund të fundit edhe nëse jo përnjëherej , suksesin e vërtetë, shpërblimin e ligjshëm të interpretëve, të cilët në shpalosjen e virtuzitetit të tyre më të shkëlqyer ruajnë atë modesti dhe atë vet përmbajtje të shprehjes që është vula e artistëve të sojmë” (fq. 87)
Natyrisht së bashku me lexuesin e vëmendshëm, biem në sintoni tek pranojmë që në këtë përkufizim të Stravinskit përfaqësohet më së miri edhe Gjergj Antoniu….
Tërë hapësira tingëlluese e veprës në interpretimin e tij vjen te dëgjuesi si refleks i vetëndjerë artistik, në lirinë e shprehjes e qendrimin krijues, dhe kjo padyshim ndihet jo vetëm në raport me literaturën shqiptare, por dhe me atë botërore ………
I.Dema ,12 Prill 2024