Kur mërgata festonte 93 vjetorin e lindjes së Akademik Mark Krasniqit
Në pasditën e 18 tetorit, në aeroportin e Prishtinës, takova akademik Mark Krasniqin, të shoqëruar nga veprimtarja e mërgatës të Amerikës, dr. Rita Salihu. – Jeni më të mirët e kësaj bote, – u them unë. Akademik Marku bëri një lëvizje koke dyshuese, ndërsa zonja Ritë u shkreh në të qeshur. Për në Mynih, fluturuam me të njëjtën fluturake. Shoqata zëmadhe “Sali Çekaj” priste mysafirin e madh, njeriun e adhuruar të Shqiptarisë, akademik Mark Krasniqin dhe shoqëruesen e tij, dr. Rita Salihun.
Një ditëlindje sa masive, aq intime
Pfaffenhofen-i, një qytezë gjithë bukuri e sharm e Bavarisë gjermane. Këtu jetojnë e punojnë një komunitet mërgimtarësh shqiptarë, kryesisht, të pas viteve `90-a. Dobësimi i militantizmit partiak i ka bashkuar në një shoqatë të përbashkët, ku shumë punohet dhe pak politizohet. Një sallë sportive, nga ato që dijnë të bëjnë vetëm gjermanët, e zbukuruar shqiptarçe. Në sfond 19 tetor 1920 – 19 tetor 2013. Ky datim shënon lindjen dhe 93 vitet e jetuara të akademik Mark Krasniqit. Në ballore portreti i heroit tonë tokësor dhe hyjnor, dr. Ibrahim Rugova, së bashku me meritorët tjerë kombëtarë. Salla ishte mbushur me mërgimtarë, për ta festuar ditëlindjen e 93-të të akademik Mark Krasniqit.
Djemtë veprimtarë, kështu më pëlqen t`i quaj burrat e mirë të mërgatës tonë, disa syrësh kishin rrugëtuar më shumë se 500 (pesëqind) kilometra, për ardhje dhe kthimi e dyfishon këtë shifër, për të qenë të pranishëm në mbremjen festive, në nderim të njeriut fort të respektuar, akademik Mark Krasniqit, me rastin e 93 vjetorit të lindjes. Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, dega në Gjermani, Sebastian Nuiqi, gazetari dhe mjeshtri i kamerës Halil Rrustemaj, kryetari i Nëndegës të LDK-së për Hessen, Agim Aliçkaj, oficeri dhe veprimtari Naser Kuliqi, kishin ardhur nga Frankfurti; kryetari i Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, Fazli Hajdaraj, i shoqëruar nga nënkryetari Lush Cana dhe veprimtarët Fazli Ahmetaj, Ibrahim Rexha, Shaban Nikçi; kryetari i Nëndegës të LDK-së për Baden Wirtemberg, Smajl Çekaj, me anëtarët e kryesisë Halil Zemaj, Tahir Buqolli; kryetari i Shoqatës “Dardania” Naser Hoxha, së bashku me nënkryetarin Vehap Zuka, ish- të burgosurin politik të djeshëm dhe veprimtarin e sotëm, Tefik Ramadani; përfaqësuesit e Shoqatës të Krijuesëve dhe Artistëve në Gjermani: Fran Tanushi, Neki Lulaj, Sylejman Syla, Halil Kqiku.
Në mënyrë organizuar kishin ardhur edhe aktivistë dhe anëtarë të Shoqatës “Rilindja” nga Mynihu, me kryetarin Bekim Gërvalla, anëtarët e Kryesisë Idriz Zeqiraj, Afrim Mulaj dhe aktivistë të tjerë; Aktivi i LDK-së të Starnbergut, me kryetar Gani Batatina; Aktivi i LDK-së të Mynihut, me kryetar Xhevdet Muriqin, me veprimtarët veteranë Mehmet Koka, Ahmet Kolgeci me vëlla dhe gra; nga Shoqata “Rrufeja” e Mosburgut, me kryetar Shaip Buleshkaj, me shokë; nga Unioni i studentëve shqiptarë në Gjermani, i kryesuar nga Eduard Gashi; punonjësi juridik Fran Krasniqi me bashkëshortën Drita, bijë e Gecajve kristianë të Janoshit, e cila thotë se “jemi kushërinj të afërt me Gecajt e Llaushës, edhepse të besimit islam, miq të Profesor Markut; veprimtarët e mërgatës nga Landau Tefik Jaha dhe Muhamet Berisha; aktivisti Rexhep Syla me tërë familjen, përfshi edhe nipin njëvjeçar Arjanin, i cili i dhuroi lule xhaxhit Mark, nga Ingolstad-i; mërgimtarë të shumtë me familje nga Bavaria dhe qytete të tjera.
Moderatori Hajriz Mamaj
Nga Berlini i largët kishte ardhur, enkas për moderim, gazetari i Radio Televizionit të Prishtinës të viteve `80-a dhe `90-a, Hajriz Mamaj. Ishte ajo plejadë stoikësh, të guximshëm, të cilët aprovuan, madje pa asnjë rezervë, përcaktimet kombëtare të dr. Ibrahim Rugovës, duke i kontribuar shumë masivizimit të Lëvizjes Kombëtare, të pagëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Banda staliniste, e maskuar me emërtesën e UÇK-së, në nismë të lirisë, do ta emitonte bandën serbo-sllave, duke pushtuar RTP, largimin e dhunshëm të kuadrit profesional, për t`i zëvendësuar me injorantë e militantë partiakë, për ta shkatërruar përfundimisht këtë institucion të shenjtë informativ.
“Shumë urime për ditëlindje”
Hyrja në sallën e mbushur me mërgimtarë e akadamik Mark Krasniqit dhe e shoqëruesës së tij, dr. Rita Salihu, u prit me entusiazëm dhe duratrokitje, ndërkohë që ecja drejt tribunës shoqërohej me korin e fëmijëve shkollarë, me këngën klasike “Shumë urime për ditëlndje”. Ceremoninë festive, në shënim të 93 – vjetorit të lindjes të akademik Mark Krasniqit, e hapi moderatori Hajriz Mamaj. “Shumë i respektuari profesor Mark Krasniqi, sonte kemi privilegjin, fatin dhe nderin e madh të jemi pjesë e jetës, të botës tuaj kaq të pasur shpirtërore dhe intelektuale. E ruajmë, si oqeani perlën në thellësitë e veta, konsideratën dhe vlerat që ju keni dhe ato që na jipni neve, gjakut tënd, dashurinë prindërore, me të cilën njomin shpirtërat tanë.
Proifesor Mark Krasniqi ka lindur në familjen e Çun Sokolit, në Gllaviçicë të Pejës. Derë fisnike e bujare; malësorë të urtë, të mençur; trima, të pashëm; të drejtë e të aftë për pleqërim të punëve e të ngjarjeve në shtëpi të vet, në katund e më gjerë. Me nam e zë për besë e burrëri, por edhe për gisht. Edhe nëna e tij, Pulë Delija, vjen nga një familje fisnike. Ajo ishte një malësore me tipare tradicionale shqiptare, e cila posedonte bujarinë, moralin, bukurinë; punëtore e urtë, me edukatë dhe e përkushtuar për burrin dhe fëmijtë. Kjo nënë, me atë zellin e saj, ishte e para në punë fushe, por edhe për t`i gëzuar fëmijtë e saj për Pashkë e festa tjera.
Shkollimi, lufta, punësimi
Siç tregojnë shokët e tij, që në bankat e shkollës, Mark Krasniqi shquhej për zgjuarësi, shkathtësi, mprehtësi dhe kurajo të madhe. “Ishte i thjeshtë, i sinqertë dhe i dashur me shokët. Këto veti të mira i ruajti dhe i zhvilloi më tej në vite”, – rrëfen plaku, rreth të 90-ve, Tahir Berisha, njeriu me të cilin Mark Krasniqi kalon një pjesë të mirë të pleqërisë.
Shkollën fillore 4-klasëshe e ka kryer në fshatin e tij të lindjes. Ndërsa, gjimnarin real shtetëror 8-klasësh në Prizren. Nga viti 1941 – 43 ka studiuar letërsi në Universitetin e Padovës, në Itali. Më 1950, në Beograd, ka kryer Fakultetin e gjeografi – etnologji. Dhe, më 1960 ka përfunduar doktoraturën në Lubjanë të Sllovenisë.
Profesor Mark Krasniqi, ky burrë 93 – vjeçar, i cili mishëron tiparet e hijshme fizike dhe morale të një shqiptari të vërtetë, më 1941 ka qenë kryetar i komunës të Serbicës, në Prizren. Më 1943 sekretar i Komunës të Strellcit, Deçan. Më 1944 ushtar partizan në Batalionin e Rakoshit të Istogut dhe në Brigadën e Parë Kosovare. Në vitet 1944 – 45, sekretar i Komunës të Kliçinës. Më 1946, gazetar – redaktor në gazetën “Rilindja”, në Prizren. Nga viti 1947 deri në vitin 1949, Mark Krasniqin e gjejmë gazetar – redaktor në “Radio Beograd, në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe. Për 11 vite me radhë, nga viti 1950 deri në vitin 1961, asistent dhe bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd.
Studiusi dhe pedagogu i përkushtuar
Është ky studius i zellshëm që hodhi dritë për të panjohurat e shumta të kombit tonë, duke dhënë kontributin e tij: Në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd; në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës; në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe si anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë. Gjatë viteve 1990 – 91, profesor Markun e gjejmë në Këshillin për Pajtim Gjaqesh, duke realizuar pajtimin e rreth 2.000 gjaqeve. Për 16 vjet radhazi e udhëhoqi Partinë Shqiptare Demokristiane, duke qenë aleat solid dhe besnik i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mik i sinqertë i dr. Ibrahim Rugovës.
Moderatori Mamaj tha se është në traditën shqiptare që nikoqiri i kësaj mbremjeje, zotëri Osman Ferizi, me një fjalë rasti, t’i uron mirëseardhje mysafirit të respektuar akademik Mark Krasniqit, në këtë datë të veçantë, në ditëlindjen e 93-të si dhe të gjithë juve, që sonte keni ardhur të nderoni njeriun e pendës, të shkencës dhe të guximit qytetar.
Fjala përshëndetëse e Osman Ferizit
Kryetari i Shoqatë “Sali Çekaj”, Osman Ferizi dhe moderatori Hajriz Mamaj
“Kam nderin e veçantë që në emër të Shoqatës Kulturore Artistike “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, t’i shpreh falenderimin dhe mirënjohjen e thellë, për rrugëtimin e gjatë që ka bërë akademik Mark Krasniqi, për të qenë në mesin e bashkëkombasëve të vetë. Njëherit, nga zemra i urojmë 93-vjetorin e lindjes, duke i dëshiruar shëndet dhe pleqëri të mbarë. Sot, nesër dhe në vazhdimësi, sa do që flasim për akademikun Mark Krasniqin, është e pakët, sepse vepra e tij jetësore dhe krijimtaria shkencore dhe intelektuale është e gjerë dhe e gjithanshme.
Sot ne kemi kënaqsinë që në mesin tonë gjendet ideologu, veprimtari, veterani i arsimit, rilindasi i shekullit XX-të, ky burrë i madh i fjalës, i besës, traditës, guximit, simbolin e unitetit, pajtimit dhe të bashkimit, ai që asnjëherë nuk ishte as servis e as servil i pushtetit okupator serbo-sllav. Profesor Marku është zbatuesi më besnik i thënieve të Apostujve të Kombit, Naimit, Fishtës, Pashko Vasë Shkodranit me shokë se “Feja e Shqiptarit është Shqiptaria”, bashkëpunëtorin më besnik të Presidentit Historik dr.Ibrahim Rugova dhe dr.Sali Berisha. Urime dhe fafeminderit për shërbimin e madh që i keni bërë Kombit. Ndihemi krenarë që ju kemi”, – tha, në mes tjerash, në përshëndetjen e tij kryetari Osman Ferizi.
PROFESOR MARK KRASNIQI I DHA SHPIRT KOMBIT
Gazetari profesionist, publicisti i zëshëm Maxhun Smajli foli për jetën dhe veprën shumë dimensionale të profesor Mark Krasniqit.
“Të flasësh për profesor Mark Krasniqin dhe veprën e tij, është gjë e vështirë, e aq më tepër për një njeri që ka gjysmën e moshës së tij. Dhe, lind pyetja: Ku mbetët gjysma tjetër e jetës? Duhet të hedhësh vështrimin larg në vite. Atje përtej viteve tua. Atje tek vitet e gatimit të burrërisë dhe të mençurisë të njeriut të madh. Do të thotë të kthehemi për 93 vjet prapa, tek 19 tetori 1920.
Djali ynë i ditëlindjes, Marku i vogël, nisi jetën në një kohë krejt ndryshe nga kjo që kanë fëmijtë tanë sot. Me opinga të punuara nga lëkura e lopës, bile, siç rrëfen në librin “Kujtime dhe përjetime”, gjatë verës edhe pa opinga. Pra, personazhi kryesor i kësaj nate, Mark Krasniqi , nis jetën e tij pa kushte më elementare për jetë; pa veshmbathje, pa të drejtë shkollimi në gjuhën amtare e shumë vështirësi të tjera.
Populli shqiptar nuk mund ta harrojë kurrë dukurinë më të qenësishme dhe më pozitive, se ne, pa përjashtim, jemi përgaditur nga një staf i shkëlqyer pedagogësh të mrekullueshëm të famës botërore, që kanë dhënë rezultate të shkëlqyera në përgaditjen dhe edukimin e kombit, për të ecur në rrugë drejt horizonteve njerëzore, humane e intelektuale. Një ndër ta është edhe Profesori ynë i nderuar, Mark Krasniqi, i cili për dy dekada ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, nga viti 1961 deri në vitin 1981.
Tek kuvendon me Të dhe tek e vëzhgon me vëmendje, të duket kaq i bëshëm dhe kaq i shtruar, sa të tërheqë që në fjalët e para. Një Shën Alban apo Shën Mark, është një epitet që një pedagog dhe njeri i përmasave botërore sot e tutje do ta bartë. Kjo do të thotë se, vërtet, diçka shumë e madhe, cilësore ndodhet brenda mendjes, shpirtit dhe zemrës të këtij personi kaq të veçantë. Prandaj, jemi përpara Njeriut që i dha shpirt kombit dhe ende vazhdon të na mbajë shpirtërat peshë. T’i urojmë ditëlindjen e 93-të, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë e të lumtur. Urime!
Pra, ne, shqiptarët, kudo që jemi, kemi arsye të plota të jemi krenarë, të gjithë pa përjashtim, që profesor Marku i takon sojit të shqiptarit. Emrin ia vunë të tjerët, prindërit biologjikë i dhanë emrin Mark, të cilin emër Marku ynë e nderoi. Përmes përflakjesh me punë stërmunduese, duke e ngritur atë me veprat e tij, në majat më të larta të Osës, në Zenit.
Puna shkencore
Profesor Mark Krasniqi i dha shpirt kombit. Bibliografia e krijimtarisë së tij përbëhet nga veprat shkencore, tekstet shkollore, publicistikë, vepra dhe përkthime letrare, ku përfshihen në 44 libra të shkruara. Shtypi dhe mjedisi akademik ballkanas e shikojnë me lakmi këtë plak vital, këtë asht të fortë shqiptari. Edhe vet bota ballkanase do të peshonte më pak, do të ishte më e varfër, më e mjerë, pa pasur në fondin e saj veprat e profesor Mark Krasniqit.
Me veprat tuaja të çmuara nuk tregove vetëm diturinë tënde, por edhe lartësinë e mendimit të kombit tonë në botën intelektuale. Kjo mjafton për ju, që emri i juaj të mbetët i paharruar në historinë e ardhme të racës sonë.
Andaj, në emër të SHKA “Sali Çekaj” si dhe të shoqatave të tjera simotra, pjesëmarrëse në këtë mbremje festive, Ju, akademik Mark Krasniqi, ju urojmë jetë të gjatë, shëndet të mirë si dhe gjallëri, si në ditët e rinisë”, – e përmbylli fjalën e tij gazetari, publicisti, veprimtari në luftë dhe paqe, Maxhun Smajli.
Fëmijtë e Mërgatës, pjesë e kremtës së madhe
Fëmijtë shkollarë të Shoqatës “Sali Çekaj”
Edhe fëmijtë mërgimtarë, të stolisur me kostumet kombëtare shumëngjyrëshe, ishin pjesë e kremtimit të ditëlindjes të profesor Mark Krasniqit. Në përgaditjen e tyre artistike dhe organizative kishin punuar me përkushtim Gazmend Dashi dhe Shemsi Haziri, përkatësisht, nënkryetar dhe anëtar kryesie të Shoqatës “Sali Çekaj”.
Fëmijtë recituan poezi nga krijimtaria e hershme poetike e Mark Krasniqit, të botuara në librin “Posta e porositur”. Poezinë “Pranvera në katund” e recitoi Era Kolgeci. “I dashur gjyshi Mark, unë jam fëmijë që po rritëm në Gjermani. Babi më ka folur shumë për ty. Më ka thënë se jeni ndër burrat më të mirë që ka Kosova. Ai më ka thënë se Ti ke qenë edhe mik i ngushtë i Presidentit Rugova. Unë jam e vogël, por betohem se në kujtesën time do ta mbaj mend përgjithmonë këtë mbremje. Unë kam zgjedhur vjershën tënde “Bukuroshja e fushës”, se ndoshta e keni harruar”, – tha vogëlushja Kolesa Hysenaj, përballë xhaxhi Markut.
Një buqetë lulësh për xhaxhin Mark nga fëmijtë, të cilën ia dhuron Floris Shala. Vallëzon grupi i vajzave, për t’u pasuar nga një potpuri vallësh autoktone të luajtura nga djem dhe vajza. “Shotën” tadicionale e luajnë Adisa Daka dhe Egzon Mehmeti. Më pas, vallja e vajzave, arritja e nuses, Lediona Daka dhe heqja e vellos nga “dhëndrri” Egzon Mehmeti, shkëputja e dy vajzave nga grupi, për të vallëzuar një valle dyshe nga Viola Bunjaku dhe Adisa Daka, duke përfunduar me “Vallën e Rugovës”, përkatësisht, “Loja me shpata”, të luajtur nga dy “burra”, Agron Cakiqi dhe Vionit Bunjaku.
Moderatori i talentuar Hajriz Mamaj fton në skenë historianin, veprimtarin e njohur institucional në Mërgatë, kryetarin e Lidhjes Shqiptare në Botë, dega në Gjermani, zotëri Sebastian Nuiqin, për të folur për krjimtarinë letrare, shkencore dhe politike të akademik Mark Krasniqit.
Fjala e Sebastian Nuiqit
“Sot jemi këtu, për të festuar, së bashku me legjendën e gjallë, me arkivin e gjallë, me bibliotekën e gjallë, me historinë e shkruar dhe të pashkruar 100- vjeçare; me poetin, me prozatorin, me pedagogun dhe edukatorin e urtë, me shkencëtarin e një spektri të gjërë; me gjeografin, me etnologun dhe etnografin, po pse jo edhe me sociologun dhe hitorianin; e, më në fund, me patriotin e flaktë të atdhedashurisë, me luftëtarin e pa kursyer për lirinë e popullit të vet dhe për bashkimin e trojeve shqiptare, akademik Mark Krasniqin.
Pra, ndiej kënaqësi që në emër të të gjithë juve dhe në emërin tim personal, ta përshëndes dhe t’i dëshiroj ndejë të këndshme, në mesin tonë sot dhe dhashtë Zoti edhe shumë e shumë mote të tjera. Profesor, mirë se na keni ardhë në manifestimin e ditëlindjes tuaj të 93-vjetorit.
Me folë për Profesorin e nderuar është shumë lehtë, sepse ka aq shumë material të vlefshëm dhe të bollshëm. Por, në anën tjetër është shumë vështirë ta përmbledhësh tërë atë thesar, në disa faqe dhe të gjejsh fjalë meritore për gjithë ato vlera, të cilat na i ka dhuruar e lënë në trashëgimi neve dhe gjeneratave pas nesh.
Profesori i nderuar, para lufte dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruante vjersha patriotike, që ishin nxitje, thirrje dhe kushtrim, që ngjallnin emocione për vetëdijen kombëtare. Shkruente poezi me vlera të larta, që angazhohej për njeriun tonë dhe liritë e tij. Por, në fushën e letërsisë ishte poet subtil dhe shumë i dashur i poezisë për fëmijë. Kështu Profesori u dhuroi fëmijëve tanë: “Prrallat e gjyshit”, “Dritën e parë”, “Postën e porositur”, „Lepurin analfabet“, „Postjerin e maleve“, „Kullën e bubërrecit“ e shumë e shumë vjersha të tjera.
Profesori i nderuar, pos lamisë së vet profesionale e shkencore, që ishte preokupim profesional i tij, ai boton edhe tekste universitare dhe shkollore. Ai mirret edhe me historinë, kulturën e letërsinë e shqiptarëve, me lashtësinë e prejardhjes së tyre, me zakonet, doket, vlerat, mitologjinë, traditën dhe kulturën e popullit shqiptar. Ai është i angazhuar edhe me fatin shekullor të popullit të tij për liri dhe pavarësi.
Janë të shumta punimet dhe fjalimet e tij lidhur me këtë problematikë si: ai në Senatin e Belgjikës, i cili u shtyp në gjuhën shqipe në Prishtinë, në gjuhën gjermane u shtyp në Frankfurt si dhe në gjuhën angleze në Nju Jork. Ai ishte shumë i guximshëm dhe me kompetencë e ka thënë të vërtetën atëherë dhe aty ku duhet. Për këtë guxim dhe realitet të tij, Profesori ishte një ndër të parët e të ndjekurëve nga regjimi serbo-sllav.
Fragmenti i nxjerrë nga libri “Kujtime e përjetime” dëshmon përgjimin në vijimësi të profesor Markut: “Mbaj në mend se këtë Markun e gjorë, tërë jetën e përcjellë Shërbimi i Sigurimit Shtetëror si njeri të dyshimtë, por ai, në të vërtetë, është njeri dhe shqiptar i mirë, e do popullin e vet dhe Kosovën si vetvetën. Prandaj, Markun duhet ruajtur dhe mbrojtur sa të jetë e mundur, sepse është i dobishëm për kauzën tonë kombëtare. Një është siç e thotë policia, e tjetër se ç’është ai në të vërtetë”, – tha Fadil Hoxha.
Edhepse ishte profesor ordinar, dekan i fakultetit dhe akademik, ai u përjashtua nga proçesi mësimor në vitin 1981- e në vitin 1989 u shpall „Anëtar i shtabit kontrarevolucionar“ të Kosovës. Por, Profesori i nderuar nuk u ndal.
Ai vazhdoi punën e vet shkencore dhe gjeti mënyra edhe për publikime. Shkruan mbi „Kosovën sot“, nën kthetrat e regjimit të Beogradit, mbi “Terrorin e okupatorit serb në Kosovë“, mbi „Durimin dhe rezistencën paqësore të shqiptarëve“, mbi „Argumentet e trilluara për të drejtën historike mbi Kosovën“, mbi „Përvetësimin e monumenteve historike, kulturore“, mbi „Politikën ekspansioniste të Serbisë“ e tjerë. Duke theksuar se populli shqiptar ka qenë dhe është i orientuar kah Evropa.
Këto qendrime për çështjen shqiptare dhe Kosovën, Profesori i ka shkoçitur shumë më mirë dhe sakt në katër libra studimorë. Të gjitha këto punime e vepra shkencore, i përshkon fija e kuqe e gjakut shqiptar dhe ndjenja e thellë e shkencëtarit, i cili lufton me ngulm për të vërtetat dhe të drejtat e popullit të vet, për zbardhjen e të vërtetave për shqiptarët dhe Kosovën – dje, sot e nesër, për të kaluarën e të tashmën e tyre dhe përspektivën e tyre. Kësisoji, Mark Krasniqi, si punonjës i shquar i shkences, shkrimtar, pedagog i urtë, politikan e patriot – ishte dhe mbeti përherë shpirt poeti, shprehja poetike e të cilit ndihet dhe vërehet edhe në shkrimet e tij shkencore e publicistike, në polemikat e tij të mprehta, në pamfletet e tij të rrepta kritike e politike.
Të gjitha ato që ka bërë dhe po vazhdon të bëjë akademik Mark Krasniqi, janë gurë të çmueshëm në themelin e kulturës sonë dhe i urojmë ta pasurojë edhe më tej profesor Marku, me talentin dhe punën e tij të palodhshme. Dhashtë Zoti dhe i punoftë shëndeti dhe mendja. Edhe libri “Kujtime dhe përjetime”, që, tashmë, e kemi në dorë, është një shëtitje impresive e autorit, në rrugën plot gjëmba, e gjatë më se 90 vjet të jetës së tij”,- e fundoi fjalën e tij veprimtari i çështjes kombëtare, Sebastian Nuiqi.
MARK KRASNIQI – MIK I MADH I PRESIDENTIT RUGOVA
Në përvjetorin e 93-të të ditëlindjes të profesor Mark Krasniqit, në adresë të organizatorit kishin ardhur telegrame urimi, në mes tjerëve, nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, akademik Isa Mustafa; nga konsulli i Kosovës në Frankfurt, zotëri Astrit Zemaj, të cilët i lexoi Idriz Zeqiraj.
“I nderuari kryetar i Shoqatës Kulturore Artistike “Sali Çekaj”, në Pfaffenhoffen, zotëri Osman Ferizi,
Të nderuar organizatorë të kësaj ceremonie,
I nderuari profesor akademik Mark Krasniqi,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të ju uroj nga zemra 93-vjetorin e lindjes të akademik Mark Krasniqit, këtij intelektuali dhe atdhetari të shquar, i cili, gjatë gjithë jetës së tij ishte në shërbim të emancipimit, zhvillimit kulturor, arsimit, mendimit të lirë shkencor; dha një kontribut të veçantë në ndërtimin e shtetit të Kosovës; krah i djathtë i mikut dhe bashkëpunëtorit të ngushtë, Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.
Përzemërsisht i juaj kryetari i LDK-së, dr. Isa Mustafa”.
“Të nderuar pjesëtarë të Këshillit Organizativ,
Ju përgëzoj për punën tuaj dhe njëkohësisht shpreh keqardhjen time të thellë për pamundësinë e pjesëmarrjes në shënimin e 93-vjetorit të ditëlindjes të akademikut tonë, zotëri Mark Krasniqit…Po ashtu, me konsideratë të lartë dhe respekt të veçantë përfitoj nga rasti që në emrin tim dhe të institucionit, të cilin e drejtoj, Konsullatën e RK-së në Frankfurt, Akademikut tonë të nderuar, i uroj ditëlindjen e 93-të, duke i dëshiruar gjithë të mirat në jetë!
Me respekt të veçantë, Konsulli Astrit Zemaj”.
Përgëzimet e çiltra të krerëve të Shoqatave të mërgatës
Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj” dhe aktivistë të saj
Në emër të Shoqatës “Dardania”, akademik Mark Krasniqin e përshëndeti kryetari Naser Hoxha, i cili, në mes tjerash tha: “Duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë dhe falenderimin e madh për profesor Markun, i cili, edhe në këtë moshë na dhuroi disa orë nga jeta e tij, në emër të Shoqatës “Dardania”, nga Mannheim-i si dhe në emrin tim personal, ju, Profesori ynë i nderuar, të urojmë 93-vjetorin e lindjes, me dëshirën: Të keni jetë të gjatë dhe shëndet të mirë. Në të njëjtën kohë, shfytëzoj rastin të prezantoj kërkesën e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Dardania”, si shprehje e vullnetit të anëtarësisë së gjërë, që kjo ide e qëlluar e Shoqatës “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, për kremtimin e ditëlindjes të Njeriut tonë të çmuar, profesor Mark Krasniqit, të bëhet tradicionale kudo ku jetojnë shqiptarët. Në përvjetorin e 100-të, ditë e hënë, 19 tetor 2020, dikush edhe mund të mungojë në Mannheim, por profesor Marku nuk guxon të mungojë assesi”.
Profesor Markut i thamë se ftesën ta marrë me seriozitetin e duhur, sepse ajo bëhet nga nipi i Avdyl Hoxhës – kryetar i Kuvendit të Junikut më 1912; djali i Brahim Hoxhës – pleqnar me nam në Dukagjin, Kosovë dhe më gjerë në trojet shqiptare; pinjoll i Odës të Junikut, pretendent potencial, për ta trashëguar dhe menaxhuar këtë Odë zëmadhe, aktive dhe unike të Kosovës, Naser Hoxha.
Akademik Mark Krasniqi u përgjigj se “e marrë seriozisht ftesën Shoqatës Kulturore Shqiptare “Dardania”, në Mannheim, por, po më duket si shumë larg. Por, edhe nëse mungoj, arsyeja do të jetë shumë e fortë”!!
Në emër të familjeve të dëshmorëve Çekaj, Hajdaraj, Zeqiraj, të pranishëm në këtë ngjarje të shënuar, përshëndeti Smajl Çekaj, i cili profesor Mark Krasniqit i dëshiroi shëndet, pleqëri të bardhë dhe jetë gjatë sa Alpet Shqiptare.
Nënkryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, në Gjermani, poeti Fran Tanushi përshëndeti organizatorët dhe të pranishmit në këtë ngjarje festive. “Profesor Mark Krasniqit i urojmë përvjetorin e 93-të të lindjes, duke i dëshiruar edhe shumë vite jetë dhe shëndet. Njëherit ju përcjell urimet dhe përshëndetjet edhe të zotit Hasan Qyqalla, kryetar i LSHASH në Gjermani, si dhe kryetar i Këshillit nismëtarë të bashkimit të krijuesëve shqiptarë në Mërgatë.
Poeti i talentuar Fran Tanushi lexoi edhe dy krijime poetike të tij:
NJERIUT NË BRONZ
Unë asnjëherë s`të erdha te varri
nuk doja të shihja të shtrirë.
Gjithherë në këmbë të kam parë
me hapa të mëdhenj duke ecur.
Pët të e nxënë kohën e ikur
nëpë shekuj e vjedhur tinëzisht.
Meqënëse LSHASH në Gjermani ka vendosur që akademik Mark Krasniqin të shpallë anëtar nderi të përjetshëm të saj, e ftoj nënkryetarin Neki Lulaj, t’ia dorëzojë mirënjohjen dhe dëshminë e -Anëtarit të Nderit- profesor Mark Krasniqit”.
Veprimtari dhe poeti Selman Sylaj u prezantua me një monolog mbresëlënës:
“Kësaj radhe nuk do t’i drejtohem as me zotëri, as me profesor, as me shok, as me mik, por do t’i drejtohem me Bacë. Urime Ditëlindjen Baca Mark! Edhe shumë e shumë ditëlindje tjera, të mira e të mbara, i festofshim bashkë!
Me rastin e 93 Vjetorit te lindjes se Bacë Mark Krasniqit
M O N O L O G !
Pesha e viteve të mia, është pesha e Kombit tim.
Unë mbaj mend e’një shekull
Me të mirat e me të këqiat e tij!
Unë, një shekull, ia fala kësaj toke
Për me e bë Shqipërinë –SHQIPËRI!
Nëpër njëqind porta kalova
Për me e mbërri këtë ditë –Lirinë!
Sinqerisht nuk është e tëra që e deshta ,
As në Tiranë e as në Prishtinë.
Unë, mbaj mend kur lindi Zefi.
Baba, dy herë me dhjetshën e tij shkrepi.
Para kësaj i mbaj mend këngët
Që nëna m’i këndonte te djepi.
Mbaj mend kur kullat tona
Nga ne kërkuan më shumë dritë.
Ne vendosëm me i hapë shkollat
Dhe me i rritë, me i bë me të mëdhaja frenxhitë!
E mbaj mend edhe Kodrën edhe Fushën e Pajtimit,
Përqafimin e nënëlokeve që falnin gjakun.
Ku shtrihej dora burrërore e trimërisë,
Ku hapej dera e mbyllur e Konakut!
Mbaj mend luftëra, urrejtje e mjerim.
Mbaj mend paqe të rreme,
Premtime e mashtrim.
Mbamendjen time e shkrova,
Të mos harrohet,
Të mos e marri uji!
Ja ku i keni në librat e mia.
T’i keni edhe për mbamendjen tuaj!
Veç diçka, mos gaboni.
Gjuhën, gjakun, trollin
Kurrë mos e harroni”!
Poeti i mirënjohur, njëherësh edhe nënkryetar i LSHASH, në Gjermani, Neki Lulaj, u paraqit me krijimin poetik të tij:
DRITË SHEKULLI
-Profesor Mark Krasniqit në 93-vjetorin e lindjes-
Fatos i lartë dritë shekulli që bën shtegëtim triumfal
Me hekurat e rëndë rreth qafës të ushtarakëve sadistë
Tringëllima të kaliti nëpër mote si strallin në flakë
Mes Cikloneve forcë fjala dhuratë hyjnore për ty, o mik.
Litar i lidhur nyje fort për tokën e shenjtë
Besë e mbjellur që zemrën e ka zgafellë kudo në Dardani
Trungu i dijës me 93 ashkla shkallë jetë
93 vravashka drite që i dha krah fjalës, mendimit të lirë.
Fjala maxhike si ushtimë Bjeshke të vjen pas lavdia
Enciklopedi e gjallë për shkollat dhe sokoleshat shqiptare
Gurgullon kroi i kristaltë nga Jenipazari e Mitrovica
Etjen e bjashkëve ta shuajnë në Tivarin e etur për plisat e bardhë.
Të dehurit prej etheve barbare të ushqyer nga paradigmat e vjetra
Vjen fjala e Titanit të mendimit si Drini, Vardari e Buna
Me “Kujtime e përjetime” sjell sihariqin e fitoreve të reja
Për ditëlindje uroi Skënderbeu nga Kruja, Nënë Tereza nga Kalkuta.
Në krahët e zogut në Koshare Bogdani flen në Velani, në tokën amëtare
Përuruan dëshmorët e heronjtë në përmendore
Të urojnë ditëlindjen banorët e të gjitha trojeve shqiptare
Me butësinë e shpirtit tënd paç jetë të gjatë sa Alpet me male”!
Në emër të Unionit studentor shqiptar, në Gjermani, mysafirin e madh, pedagogun Mark Krasniqin, Organizatorin dhe të pranishmit i përshëndeti studenti Eduard Gashi, i cili, në mes tjerash, tha:
“Ndjehem i nderuar që më jipet mundësia të flas sot para jush dhe, në veçanti, para të madhit Mark Krasniqi. Sot festojmë ditëlindjen e tij dhe kush e ka lexuar librin “Kujtime dhe përjetime”, sikur lexon një pjesë të historisë të kombit tonë. Ju, baca Mark, jeni njeri i pazëvendësueshëm për Kosovën dhe kombin shqiptar. Në 16 vitet, kur ju e udhëhoqet Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, treguat se “feja e shqiptarit është vetëm Shqiptaria”. Prandaj, për këtë dhe të gjitha ato vlera që i keni transmetuar tek Kombi ynë, ju falemnderit! Ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet, jetë të gjatë dhe bekimin e Zotit”
Studenti Gashi i dhuroi Profesor Markut një vepër arti, me emblemin e Dardanisë, të përdorur nga Presidenti Rugova, me mbishkrimin “Dardania e Shenjtë”.
Ceremonia festive u begatua edhe me muzikën dhe këngët e përzgjedhura të melosit popullor, nën interpretimin e këngëtarëve të mirënjohur Gazmendi dhe Flori. Vallëzimit grupor i priu mysafirja më e largët, nga Amerika mike, poetja dr. Rita Salihu dhe Drita Ferizi – Gubetini, nga Pfaffenhofen-i, të pasuar nga gra dhe burra të tjerë.
Dr. Rita Saliu
Me butësinë e fjalës dhe të shpirtit, të pranishmit e mbremjes festive i përshëndeti edhe veprimtarja e shquar e çështjes kombëtare në Amerikë, poetja dr. Rita Salihu, e cila shoqëroi në këtë rrugëtim akademik Mark Krasniqin.
Përshëndetja e motrës Ritë ishte krejt e veçantë dhe shumë intime: “Të dashur vëllezër dhe motra, jam e privilegjuar që sonte ndodhëm në mesin tuaj. Më disa prej jush jemi parë edhe në veprimtaritë e tjera të mërtgatës tonë në Gjermani. Dhe, gjithëherë po më dukeni më afër zemrës. Andaj, ju uroj disponim të mirë, përgjatë kësaj mbremjeje, në festimin e ditëlindjes të Profesori tonë shumë të nderuar, akademik Mark Krasniqit.
Atë që nuk po arrij ta shpreh me fjalë, dua ta them me vargje, me poezi të shkruara, enkas për këtë ngjarje të shënuar gjithëkombëtare. I bashkohem urimit të parafolësve për profesor Krasniqin: shëndet të mirë, mbarësi në çdo hap të hedhur, jetë të gjatë! Përshëndetje të çiltra për Shoqatën me emrin kumbues “Sali Çekaj”, për kryetarin dinjitoz Osman Ferizi, për kryesinë simpatike dhe anëtarësinë e mrekullueshme të saj. Ju priftë e mbara. E paçi gjithmonë bekimin e Zotit”, – tha e mira motër e përtej Oqeanit, dr.Rita Salihu, e cila e ka pritur dhe shoqëruar në shumë takime zyrtare Presidentin Rugova, në Amerikën sa të largët, aq edhe të afërt dhe të dashur për Shqiptarinë e kudondodhur.
Veprimtaria e përkushtuar për çështjen kombëtare e dr. Rita Saliut, nuk pushoi as gjatë luftës. Ajo hyri tri herë radhazi në Dardani, në Kosovën e saj, madje në kohë lufte, kohë kjo tejet e rëndë për popullin tonë. Herën e parë e vetme, në cilësinë e gazetares dhe diç më shumë; pastaj 10 (dhjetë) ditë pas masakrës në Drenicë, në shoqërim të gazetarëve amerikanë dhe, për herë të tretë, kur hynë trupat e NATO-paktit.
Aktualiusht, dr. Rita, vazhdon të punojë në arkivat e përjetuara, një punë kjo stërmunduese mendore dhe shpirtërore.
Në vijim po japim poezinë e shkruar dhe të recituar nga poetja brilante, Rita Saliu, në mbremjen festive, në Pfaffenhofen të Bavarinë gjermane:
KALORS I BARDHËSIVE
-Profesor Mark Krasniqit-
Kur stuhitë ballkanike
Me zjarr të kuq e flakë të zeza
Binin mbi tokën time të blertë…
Ai me diellin e dashurisë për njeriun
Shtigje lirie kërkonte për të mundur robërinë…
Me bardhësi shkruante historinë
Për të mundur natën korb të zezë
Mjegullën për ta përzënë horizonteve…
Me diellin e dashurisë për njeriun
Ecte rrugëve të atdheut të qëlluara nga rrufetë
Me dritën e mendjes ta mundte errësirën e huaj
Që kishte mbuluar gjithë atë që ruhej nën plis…
Gjithçka që këndohej shqip e rënkonte shqip
I ishte bërë plagë mbytëse që e thellonte kafshimi
Sa që gjithçka timen kishte shndërruar në det gjaku
Emrin për t’ma përmbysur për t’ma gllabëruar ardhmërinë…
Perëndi as Sfinks nuk ishte faraon as perandor
Të Promteut e kishte guximin qëndresën
Të Sizifit durimin përpjekjen vazhdimësinë
Syrin të shqiponjës të engjëllit shpirtin
Agronin atë nënë Teutën kishte
Vëlla e ndjente Kastriotin, Prishtinën, Rugovën
Vendlindje Kosovën, Shqipërinë atdhe
Rrënjët në Iliri kërkonte pellazgjisht meditonte
Shqip dashuronte dhe gjallëronte shqip
Dhe shpirt i shqipes ishte në secilën stinë…
S’e përkulën stuhitë as furtuna e kuqe se plandosi dot
Me një kryq të thyer në gjoksin e djegur
Me një pëllumb të bardhë në shpirtin e qëlluar
Fitimtar ngjitej hendeqeve te hapura nga i huaj
Duke ua dhënë dorën vëllait, motrës, mikut
Lumin e lotëve kapërceu fushën e luleve për të kultivuar
Arsyen duke pas prijës virtytin duke përjetësuar
Nën plisin e bardhë u strehua në kullën e gurtë qëndroi
Duke ecur vertikalisht erdhi deri te kjo kohë lirie
Që ka edhe syrin e tij edhe hapërimin që dot s’ia ndalën…
Në asnjë shekull nuk do të harrohet historia e lavdishme
Me emrin e tij as për t’i kënduar s’do të pushojë…”
LIRIA NA GËZOJ SHUMË, POR EDHE ZHGËNJIMI NUK ËSHTË I VOGËL
Fort i emocionuar dhe po aq i prekur nga pritja sa madhështore, aq edhe familjare, të bërë nga organizatori i kësaj mbremjeje festive, Shoqata Kulturore Shqiptaro – Gjermane, por e dyzuar në emër edhe si Shoqata Kulturtore Artistike “Sali Çekaj”, e udhëhequr me korrektësi dhe përkushtim nga Osman Ferizi me shokë, si dhe mërgimtarët e organizuar në Shoqata të tjera dhe grupe e individë të ardhur nga Landet e ndryshme të Gjermanisë, në nderim të akademik Mark Krasniqit, me rastin e 93-vjetorit të lindjes, në foltore u ngrit personazhi, heroi i këtij manifestimi, profesor Mark Krasniqi.
Salla oshëtiu nga duartrokitjet e zgjatura dhe zëra të mërgimtarëve, tashmë, të ngritur në këmbë. Profesori refuzoi lutjen e auditorit, për të qëndruar ulur, përgjatë fjalës së tij. Energjik, me qetësi të natyrshme, krejt i shpenguar, pa letër e lexim, thjeshtë, si në një bashkëbisedim intim, përveç përshëndetjes dhe falenderimit, për Organizatorin dhe të gjithë të pranishmit, foli, jo pa shqetësim, edhe për aktualitetin politik në Kosovën tonë hallemadhe.
Fjala e Mark Krasniqit
“Të dashur motra dhe vëllezër mërgimtarë,
Falenderoj me përzemërsi Shoqatën me emrin e madh të “Sali Çekaj”, kryetarin Osman Ferizin dhe kryesinë e saj, për ftesën e bërë, për pritjen kaq madhështore të organizuar, me rastin e 93- vjetorit të ditëlindjes time.
Gjatë jetës time jam përpjekur shumë, por kam bërë pak. Liria na gëzoj shumë, por edhe zhgënjimi nuk është i vogël. Kosova nuk është shtet siç duhet të jetë. Privilegjet që u bëhen minoriteteve janë të mëdha, jashtë çdo standardi në Evropë e më tej. Pra, nuk janë merituar, sepse shumica e tyre as nuk e njohin Kosovën.
Kosova është shtet i shqiptarëve, për të cilën kanë kontribuar gjeneratat gjatë shkekujve. Pra, nuk është vetëm kontributi ynë. Më 1912, ne, shqiptarët, fituam një shtet të vogël, Shqipërinë londineze. Më 1999 e gëzuam edhe një pjesë tjetër, Kosovën. Megjithatë, na mbetën edhe shumë territore tjera shqiptare jashtë etnikumit shqiptar.
Akuzat karshi shqiptarëve janë të hershme, që nga Londra e Parisi, përkatësisht, në gjysmën e dytë të shekullit IX-të dhe fillimin e shekullit XX-të, duke u dhënë tokat tona sllavëve dhe grekëve.
Ne duhet të punojmë shumë për Shqipërinë Etnike, të jemi shqiptarë të bashkuar, kudo që të jemi. Misionarja e zëshme në vendet Evropiane e ballkanike, anglezja Edith Durham shkruan:
“Kam qenë në Rusi, i pyesja njerëzit çfarë jeni?
Përgjigja ishte: “Jemi sllavë”.
Edhe në Rumani, Serbi, Bullgari, kam marrë të njëjtën përgjgigje.
Përjashtime bënte përgjigja në Shqipëri: “Jam shqiptar” – dhe asgjë tjetër”.
Sekularizmi shqiptar, atdheu parësi absolute, në raport me fenë. Dhe, ne mbetemi ata që jemi, duke mos shkelur amanetin e madh të Rilindasëve tanë.
Rugova kurrë nuk do t`i pranonte enklavat
“Kam qenë shok me Ibrahim Rugovën edhe më parë, në kohën kur punonte në Institutin Albanologjik. Rugova kurrë nuk do t’i pranonte enklavat serbe në Kosovë dhe as lëshimet e tjera, që sot pushtetarët aktualë po i bëjnë Serbisë. Lëshimet e tilla nuk janë të mira as për serbët, sepse janë të rrethuar nga shqiptarët. Ata e dinë se janë fajtorë, prandaj nuk do të ndihen mirë dhe mbetën me liri të kufizuara.
Ne, shqiptarët, jemi dëshmuar si paqëdashës, se nuk jemi për hakmarrje. Populli shqiptar, shqiptari i traditës, i përmbahet përcaktimit të rilindasëve tanë se feja e shqiptarit njëtësohet me besën shqiptare. Që këtej buron edhe toleranca ndërnjerëzore e racës shqiptare, për të cilën na kanë lakmi edhe kombet e qytetëruara.
Ne i jemi mirënjohës Amerikës, Anglisë, Gjermanisë dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar për çlirim dhe njohje, botës demokratike. Gjermania ende vazhdon të jetë këmbëngulëse, për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin në bashkësinë evropiane. Është momenti i integrimit si komb, të bashkohemi të gjithë.
Kancelarja Merkel është një burrneshë e vërtetë, mike e madhe e shqiptarëve. Ajo po i mëson shqiptarët si duhet atdheu dhe liria. Është e dhimbshme kur të tjerët bëjnë më shumë për ne, se sa ne për vete. Gjermania është kritike karshi pushtetarëve aktualë të Kosovës, pse nuk po rezistojnë karshi Serbisë dhe miqve të tyre, në pretendimet absurde, për t’u bërë pjesë e sundimit në Kosovë. Me anë të bisedimeve shantazhuese, Serbia po bëhet hisedare në qeverisjen e Kosovës.
Ju, mërgata shqiptare, keni bërë një punë të madhe, keni shpëtuar popullin e rrezikuar nga varfëria, duke mos e lënë të nënshtrohet para pushtuesit, sepse siç thotë populli: “Varfëria të çon në derë të armikut”. Ju me kontributet materiale, keni ndihmuar shëndetësinë në Kosovë, arsimin, familjet në nevojë ekstreme. Gjithashtu, ju keni ndihmuar funksionimin e institucioneve paralele në Kosovë, rast unik në hapësirat gjithëbotërore”, – tha akademik Mark Krasniqi.
Ceremonia e ditëlindjes vazhdohet me darkën festive
Akademik Mark Krasniqi duke prerë tortën e ditëlindjes
Organizatori, Shoqata “Sali Çekaj” dhe shoqatat tjera, kishin përgaditur dhurata simbolike për akademik Mark Krasniqin, me rastin e ditëlindjes, të cilat iu dhuruan atij nga krerët e këtyre shoqatave.
Moderatori Hajriz Mamaj përmbylli emisionin festiv në sallë, duke lajmëruar se ceremoniali i ditëlindjes vazhdon në një restorant. Mysafirët e largët, pa përjashtim dhe disa nga veprimtarët mërgimtarë, me familje, pasi kanë përcjellur fëmijtë në shtëpi, janë shtruar në darkën festive.
Profesor Marku i kthjelltë, vital, jetësor, i rrethuar gjithë respekt e dashuri nga mërgimtarët, bashkëbisedon me ata, pa protokoll; fotografohet nga dhjetra aparate telefoni dhe kamera. Fort i disponuar, në qejf, i lehtëson të pranishmit se “jam gadi ta pres mëngjezin me ju”.
Ora shënon numrin 12.oo, përkatësisht, 24.oo. Mesnatë. Torta e vendosur në mbajtësën lëvizëse, i afrohet tavolinës, të përgaditur për prerjen e saj. Jehu i këngës klasike “Shumë urime për ditëlindje” oshëtinë sërishmi, por, këtë herë e kënduar nga “kori” i grave dhe burrave, në sallën e ngrënies të restorantit “Gasthof Schrätzenstaller”, në Hettenshausen.
Plaku Mark, energjik, plot gjallëri, i rinuar kësaj nate, me një thikë gjatoshe në dorë, sikur do ta therte një “kurban”, i afrohet tortës, me mbishkrimin 1920-2013, me plot 93 qirinj, që simbolizonin vitet, tashmë, të jetuara të tij. Krejt serbez, i sigurtë, i vënë thikën dhe vijëzon tortën e madhe, të gatshme për ta servirur në pjatat përkatëse, të stivuara mbi tavolinë.
Është një vetëshërbim, që nuk kufizohet në vetëm një copë tortë. Tortat e tjera janë rezervë. Organizatori nuk është kursyer. Ka planifikuar që gjithëçka të jetë e bollshme. Edhe ndoca nga mysafirët dhe nga të pranishmit e tjerë, kanë lehtësuar barrën e Shoqatës fisnike “Sali Çekaj”, me dhurimet e tyre modeste, qetazi dhe pa rënë në sy.
Mysafirët, përgjatë natës duhej ta përsërisnin rrugën kthyese prej qindra kilometrash. Ne të tjerët ishim brenda rrezës 100 kilometërshe. Ndërsa, baca Mark me teta Ritën në ora 7.oo të mëngjezit duhej të ishin në aeroportin e Mynihut.
Akademik Mark Krasniqi iu kthye Atdheut, Kosovës, bashkë me barrën e viteve, ndërsa tek ne, mërgimtarët, e la jetëshkrimin në librin “Kujtime dhe përjetime” si dhe mbresat e një mbremjeje të virgjër e unike, në nënqiellin bavarez të Gjermanisë mike, atdheut të dytë të shumë mijëra shqiptarëve ose, llogaritur në përmasën e përkrahjes ekonomike dhe politike, dje dhe sot, të të gjithë Shqiptarisë.
Gazetari Halil Rrustemaj dhe kryetari i Shoqatës “Dardania” Naser Hoxha
E gjithë ceremonia festive, për ditëlindjen e akademik Mark Krasniqit, e cila zgjati plot 7 (shtatë) orë, është përcjellur nga mjetet informative të shkruara dhe vizive, përkatësisht, nga dy edicionet e “Bota sot”, nga gazetarët: Maxhun Smajli dhe Idriz Zeqiraj si dhe gazetari e mjeshtri i kamerës Halil Rrustemaj, për RTK-së dhe televizionin “Rrokum”. Gazetari dhe moderatori Hajriz Mamaj, me aparatin e tij fotografik, realizoi shumë dhjetra shkrepje. Edhe fotografitë shoqëruese të këtij shkrimi kanë autorësinë, kryesisht, të artistit Mamaj.
Intelektuali dhe mjeshtri i kompletuar Halil Rrustemaj është i kudondodhur në veprimtaritë e Mërgatës. I papërtuar, i përkorë, komunikues i qetë, përzgjedhës i kujdesshëm në intervistime, duke realizuar, mençurisht, objektivin e përcaktuar, pra, ngjarjen e shënuar, për ta pasqyruar dhe publikuar denjësisht, në mjetet vizive informative në Diasporë dhe Kosovë. Kështu veproi zoti Rrustemaj edhe në mbremjen festive, në nderim të profesor Mark Krasniqit. Ndërkohë që ne rrinim, bisedonim dhe darkonim, Halili fiksonte me kamerën e tij të artë dhe intervistonte veprimtarët e shquar të Mërgatës, të cilët vlerësonin lart figurën markante, personalitetin me integritet të veçantë, akademik Mark Krasniqin.
Është në praktikën e Shoqatës Kulturore Shqiptaro – Gjermane “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, që, pas çdo veprimtarie, madje edhe kësaj radhe, të mendojnë për Atdheun dhe hallet e tij. Këtë herë, Kryesia e Shoqatës, në emër të anëtarësisë të saj, ndau dhe përcolli për Kosovën Lindore: Preshevë, Bujanovc, Medvegje, 500 (pesëqind) euro, në kuadrin e aksionit gjithëshqiptar – Të ndihmojmë bashkatdhetarët tanë, në atë pjesë të pushtuar të Atdheut, për të mos braktisur vatrat lindake-. Dhe, nismat fisnike, të kësaj Shoqate emërmadh, pasojnë njëra-tjetrën, pa njohur kurrë pauzime.
Komentet