(Nousallons vers Pekin?!) Po udhëtojmë drejt Peqinit?! –Pyeti me frëngjishten e tij të habitur turisti parisien Jean Christof i cili drejtonte gishtin e tij të shtrembër tek tabela që na udhëzonte nga qyteti i Peqinit. Buzëqeshja e kësaj ngatërrese komike na shoqëroi përgjatë të gjithë rrugës që ngrihej nëpër kodrinat e mbushura me ullinj, të cilat dukej se e kishin vendosur qytetin në një poltron të gjelbër. Era e fundvjeshtës i ka vënë në lëvizje fermerët që kanë nisur punën për vjeljen e tij.
Rruga na duket krejt e qetë. Tek-tuk ndonjë automjet kalon nxitimthi duke shfryrë mbrapa tym të zi si ndonjë oxhak i vjetër. Të tjerë nuk zgjedhin të dredhojnë përmes Peqinit por vazhdojnë rrugën krah Shkumbinit që nga larg po na ngjan si përrua.
Shtëpitë e ndërtuara në mënyrë të çrregullt, na japin përshtypjen e një vendi të madh që çdo ditë ngrinte shtëpi, krijonte lagje dhe hapte rrugë të reja.
Asfalti i arnuar keqas na çoi drejt qendrës së qytetit ku na priti bukuria e kullës së sahatit 193 vjeçar që qëndronte prej 192 vjetësh krah për krah me xhaminë e Peqinit. Historia e këtyre dy ndërtesave që duket sikur hyjnë në qiell, është dëshmia e një kulture të hershme. Ato zënë vendin e monumenteve të kulturës së kategorisë së parë që mbrohen dhe nuk mbrohen nga shteti. Faqet e pista të kullës na krijuan një mburojë të vogël ndaj rrezeve të diellit që hera-herës ngatërrojnë stinët. Qyteti duket gojëkyçur. Dëgjohet veç zhurma e këmbëve tona të cilat zhvendosen nga pallati i kulturës “Ferdinand Deda”, për tek një grup të moshuarish të cilët po luanin domino mbi një kuti kartoni dhe nën hijen e një tende të rrjepur. Dukej se pleqtë e Peqinit e kanë siguruar vendin për të shtyrë edhe ato pak vite që i kanë ngelur. Nga mungesa e tabelave informuese mbi trashëgiminë kulturore, detyrohemi të qëndrojmë një hop tek ta për të mësuar vendndodhjen e kalasë. “Po ne s’mburemi veç me kalanë o bir! Ne kemi tradita e zakone, kemi sofër ene zemër të madhe për mikun. Shkruje se ne peqinsit jemi bujar ene punëtor, shkruje që jemi njerëz të besës ene goj ëmbël. Mos harro ta shkrush se ne i kemi dhon Shqipëris aq figura sa ka rronj ullini ky qytet!” Një i moshuar m’i përsëriti disa herë këto fjalë teksa gati më urdhëronte që ti derdh në shkrimin tim.
Rrugën drejt kalasë se Peqinit na i shpjegoi një goxha burrë i shëndetshëm i cili zgjati dorën e zverdhur prej nikotinës nga disa ndërtesa që kishin fshehur muret e gurta. Ne ecnim ngadalë me sytë që ngado përplaseshin me të panjohurën. Jean Christof përpiqet që me aparatin e tij të fokusojë gjithçka. Ai më pas këto fotografi i dërgon në një agjenci reklamash e cila i shndërron në kartolina. Peqini ka gjithçka dhe asgjë për t’u fotografuar. Mes bukurive pa dashur hyjnë brenda shkrepjes edhe kanale të ndotura, marrin vend edhe fabrikat e rrënuara lënë pas nga e shkuara, fotografohen pa dashur edhe pallatet e ndërtuara prej vitesh që ngrihen të zbathura duke dhënë përshtypjen e disa gërmadhave të banueshme.
![pk2A](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/pk2A.jpg)
Qyteti ka fshehur vlerat për të reklamuar antivlerat!
Dy fëmijë që luanin nëpër gurët e një rrugice na kërkojnë ta fotografojmë lojën e tyre. Një zonjë që duhet të ishte e ëma, na sheh e trembur dhe afrohet nxitimthi për të mësuar mbi ne.
“Kan ardh koh të egra or çuna, ndaj meraku na ësht bo smundje”-tha gruaja teksa me një ton qortues nisi t’i kthente çunakët në shtëpi.
Hapat tanë të ngathët dukej se po na afronin gjithnjë e më shumë me simbolin e qytetit, me kalanë e lashtë që na krijoi mendimin se është ndërtuar në zemër të Shqipërisë.
Në shënimet e historianit Kiel, sheshi përpara saj përmendet si vend pushim për karvanët që dikur përshkonin rrugën Kandavia e më pas atë Egnatia, e ndërsa sot e njëjta hapësirë është improvizuar si stacion krejtësisht i shëmtuar për mjetet e transportit.
Fatmirësisht portën e ndryshkur të kalasë e gjetëm të hapur. Mbi të valvitej një flamur i reckosur që duhet të jetë harruar nga zgjedhjet e lëna pas. Ngado që hedhim vështrimin, rrethohemi nga mure që flasin për një histori të lashtë e cila zë fill deri XX shekuj më parë. Sipas studiuesve që interpretojnë gjetjet arkeologjike, rrënjët e lashtësisë shtrihen deri në Iliri ku qyteti fillimisht rezulton se është quajtur Klaudiana, më mbrapa është njohur me emrin Biklinet, më pas ka marrë emrin Peklin dhe kohë më vonë u identifikua me emrin Peqin të cilin e ka sjellë deri më sot.
Themelet e kalasë mbartin origjinë romake edhe pse ajo i është nënshtruar një sërë ndërhyrjesh nga Osmanët, nga spahiu i kazasë, nga Demir Pashai, dhe sot nga harresa.
Çdo gur në këtë vend duket sikur kërkon të rrëfejë diçka! Secili prej tyre fsheh historinë e tij ndaj kurrë nuk do të mjaftonte ajo që do të shkruhej për të. Nuk ka mjaftuar as përshkrimi i Elvia Çelebiut, as rreshtat që ka shkruar pena e Edith Durham, as fjalët e gdhendura që ka hedhur në letër Sami Frashëri dhe të tjerë. Kronikanët e kohës na sjellin një pamje të lavdishme, ndërsa sot sytë na përcjellin një tablo që të ngjall mëshirë. Nga mungesa totale e vëmendjes, turistët e vetëm që e shkelin janë disa gjela deti, një gomar dhe një lope pa brirë. Edhe këta e vizitojnë për hir të bimësisë e cila ka pushtuar jo veç hollin, por edhe është kacavirur frikshëm mbi mure.
![pk3A](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/pk3A.jpg)
Në qoshen veri-perëndimore të kalasë, na bie në sy një ndërtesë e re me qepena gjysmë të mbyllura që është ndërtuar dhunshëm mbi mure duke dëmtuar njërën prej kullave cilindrike. Ai që e ngriti pati ëndërr të krijonte një lokal, por me kalimin e kohës kjo ide u shndërrua në një banjë mjaft të frekuentuar. Poshtë saj fshihen tunele nëntokësore të bllokuara, ku sipas legjendave që na rrëfehen, mes tyre kalaja kishte një dalje të fshehtë në brigjet e Shkumbinit.
Zhurma e një tregu të çrregullt dhe të rëndomtë që ishte ndërtuar nën strehën e mureve, here pas here hynte mes qetësisë që përpiqej të sundonte. Veshët rrihen nga zërat kumbues të tregtarëve të cilët përpiqen të thërresin kush e kush më shumë. “Gjel deti peqini ktu! Më i miri më i liri! Gjel deti Peqini ktu! Më i miri, më i liri!” Një megafon vazhdonte i programuar të nxirrte këto fjalë ku fare lehtë dalloheshin notat e krenarisë mbi këtë shpend që mbarështohet pasivisht në këtë zonë.
Në afërsi të një kulle me frëngji të copëtuara u afrua t’na prezantohej Osman Tafa apo romi zemërbardhë siç e njihnin një pjesë e peqinasve. Ai ishte i zoti i gjësë së gjallë si dhe i vetmi person që kishte vetëmarrë rolin e ciceronit.
Osmani ato pak gjëra që di përpiqet t’i ndajë me ne. Në një moment tha se përveç atij askush se ka çelësin brenda kalasë. “Kjo port hapet veç kur fusim ne gjon e gjall, ose kur nëpër mitingje politikanët na fusin ne. “Romi zemërbardhë vazhdon të rrudhë fytyrën sa herë që e pyesim nëse ka ardhur ndonjë grup për restaurim. Në një moment diç ju kujtua dhe na drejton nga një punim që duket qartë se është bërë së fundmi. “Vjet erdhi një murator që ngriti k’të murin që qe rrëzu. E di mir se më mori mu si punëtor për të gatu betonin.” –foli Osmani me një ton të sigurt tek përpiqej të mos i shpëtonte ndonjë detaj pa na thënë.
Dukej se pas çdo viti, shirat gjithnjë e më shumë zbehnin madhështinë e kalasë duke gërryer dhe shembur muret që dikur shkonin deri në 12 metra e ndërsa sot nuk i kalojnë 4 metra.
Të gjitha ndërhyrjet e bëra për t’i mbajtur gjallë, shkelin me të dyja këmbët kartën shqiptare të restaurimit. Askund nuk shohim dot shenja serioze të ndonjë operacioni të kryer mbi strukturë, me qëllim ndaljen e mëtejshme të degradimit dhe nxjerrjen në pah të vlerave të saj. Kësaj radhe kalaja e Peqinit luftën më të ashpër e ka me kohën e cila dalëngadalë po i fshin asaj gjurmët e lavdisë.
Shpejt kuptuam që ishim bërë pre e disa syve që na ishin ngulur si shtiza prej kohësh. Ca të rinj tundnin kokat e tyre të qethura rëndshëm dhe dukeshin sikur po shihnin njerëzit më të çuditshëm në botë.
![pk4A](https://www.voal.ch/wp-content/uploads/2015/12/pk4A.jpg)
“Çe du kalanë mer plak? S’ka lek, s’ka pun! Kam ngel pa shok sepse gjith u zhdukën! Du me ik edhe unë larg nga ky vend o vlla!” –tha i riu tek mundohej të shqyente nga nervat bluzën e tij të zbardhur nga Dielli.
Një zë i rëndë na tërhoqi nga biseda pesimiste që sapo ishte ndezur. Ishte Genc Gripshi, drejtor i Arsimit, Kulturës dhe Sporteve pranë Bashkisë Peqin, i cili iu bashkua vizitës sonë. Edhe pse foli aq gjatë, një moment ma rrahu mendjen me atë që tha:
– “Asnjë restaurim, asnjë dorë e vënë në një ndër qytetet më të lashtë të Shqipërisë së mesme. Nuk kanë numër shkresat dërguar Ministrisë së Kulturës prej vitesh. Nuk kanë numër kërkesat dërguar Institutit të Arkeologjisë. Nuk kanë numër protestat që kemi bërë! Po përgjigjja?! Heshtja!”
Ura e Fatishës, apo ura “Egnatia” e cila daton që në shek. II rrezikon të shembet nga çasti në çast! Çfarë do t’i tregojmë botës nesër?!”
Genci nuk dinte të pushonte. Ai e di mirë fatin që do të kenë këto gjurmë të historisë nëse reflektimi do vazhdojë të vonohet.
E gjithë kjo pamje më ngjalli një ndjesi të çuditshme! Dëmi fizik është disa herë më i vogël se sa ai moral që i kanë shkaktuar këtij qyteti. Një trashëgimi kulturore të cilën nuk dinë ta trashëgojnë. Jean Christof e kuptoi gjendjen time dhe i heshti pyetjet e tij të panumërta.
Peqinin e përshëndeta me dhimbje dhe dashuri. Ai nuk ka faj që vlerat e kultivuara prej vitesh, po përpihen nga harresa e të sotmes.
Tek marrim rrugën e tatëpjetë për t’u larguar, sirena e frikshme e një zjarrfikëseje na rrëmbeu për një moment. Një kabinë elektrike ishte përfshirë nga flakët. Rrezik i vogël ky përballë një qyteti që digjet për punë, përvëlohet nga indiferenca dhe shkrumbohet përpara të nesërmes që çdo ditë vjen më e pa shpresë se kurrë. Janë këto flakë të ndezura që duhen parë, para se sa ato t’i lenë vetëm hirin e turpit të ardhmes që po troket.
Komentet