Në një yll të largët kam flokëbardhën time.
Zemërbardha shqetsohet përditë për fëmijët
ca i ka në tokë, ca i ka në qiell…
…
Dhe ka aq mall,
dhe ka aq mall për t’i parë
sa edhe vetë është shndërruar në mall.
Baret netëve nën vjeshtën e yjeve,
ëndërron të bëhet kometë
duke rendur në kërkim qiejve të tjerë…
Rruga për në tokë zgjatet e zgjatet,
gumëzhin nga zërat gazmorë të fëmijve.
* * *
Atje ku jeton ajo bien shira monotonë.
Nënë e dashur, kam frikë, mos më ftohesh.
Dikur ishe ti që shqetsoheshe për mua,
tani jam unë që shqetsohem për ty,
të pres çdo natë të më vish në ëndrra.
Jam nisur shumë herë të vij gjer aty
por shtigjet s’i njoh
e shenjat e qiellit s’i di.
Aty ku jeton ajo gjelbërim nuk ka,
as zogj as flutura as zile bagëtish,
aty ku jeton ajo shtëpizat u ngjajnë
reve në lëvizje.
* * *
Pas shirave të vetmuar, larg, shumë larg,
më rri e veshur me mjegull drite.
Ishte një kohë e largët, e largët,
që kisha nevojë të të kisha pranë.
Unë kisha shumë punë dhe ti më prisje,
Prisje, gjithë ditën me sytë te dera.
Tani unë kam shumë kohë për të qëndruar më ty.
Lëviz një degë shiu , të të shoh ku je…
Po ti je larg dy galaktika.
* * *
Dal çdo mbrëmje në bregun më ullinj
të dëgjoj vajtimin e zi të mëllinjavë.
Isha mësuar me zërin tënd
si zogjtë me erën dhe me qiellin.
Tani qielli im ka mbetur i shkretuar,
pa asnjë re të bardhë përkujtimi.
Ndërsa ti, si një zonjë e rëndë, e rëndë,
shëtit e vetmuar në qiej të tjerë,
Unë dal çdo mbrëmje e të pres të vish,
se kam kaq shumë gjëra për të të thënë.
Komentet