Bajerni që është edhe kampioni më i ri i Gjermanisë, festoi dje titullin falë fitores 2-0 ndaj Mainzit. 34 javë, 25 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje 3 prej të cilave me titull të siguruar. 79 pikë për 80 gola të shënuar dhe 18 të pësuar. Ky është Bajerni i sezonit 2014-2015 në Bundesligë. Një titull i festuar që shkon edhe për lojtarët e huazuar, por që fazën e parë e mbyllën në Mynih.
Në Gjermani, Alban Meha duhet të gjejë skuadër. Vetëm pas një viti, ekipi i shqiptarit Paderborni do të zbresë në Bundesliga 2. Skuadra e shqiptarit është ndëshkuar në dy javët e fundit të kampionatit. Veç Paderbornit, zbret dhe Freiburgu i Admir Mehmedit. Paderborni në fushën e vet u mund 2-1 nga Shtutgarti dhe kjo e fundit qëndroi, ndërsa skuadra e Alban Mehës zbret më poshtë. Tani “snajperistit” i duhet të gjejë një ekip tjetër për sezonin e ri.
Edhe Jurgen Klop i tha lamtumirë Borusia Dortmundit me fitoren 3-2 ndaj Verder Bremenit. Për trajnerin gjerman, ishte takimi i fundit dhe sërish koreografi madhështore. Trajneri, pas ndeshjes ai elektrizoi atmosferën në ‘Signal Iduna Park’, bashkë me dhjetëra mijëra tifozë. Në Barcelonë, tifozët kanë krijuar koreografi madhështore në nderim të Ksavi Hernandezit, për të cilin ishte ndeshja e fundit në “Camp Nou”. Diçka e jashtëzakonshme, sepse Ksavi do të vazhdojë karrierën në Katar tek Al Sadd.
Festë tjetër ka qenë edhe në Torino në takimin mes Juventusit e Napolit. Tifozët e Juventusit kanë zbuluar një parullë në minutën e 39-të ku shkruhej: “+39 Respekt. Askush nuk do të vdesë, nëse ai jeton në zemrat e atyre që mbeten”. Posteri iu kushtua viktima të Hejselit të ndodhura saktësisht 30 vjet më parë në ndeshjen me Liverpulin.
Komentet