– Në 18 -vjetorin e shkuarjes anë amshim të Presidentit historik të Republikës së Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugovës dhe në kujtim të 35-Vjetorit të vizitës së Tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1989)
Aktivitete dhe ceremoni sot në Prishtinë, me rastin e 18-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë e Presidentit të parë historik, Dr Ibrahim Rugova. Morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti. Nën patronatin e Presidencës së republikës së Kosovës Sh.Së.Dr Vjosa Osmani-Sadriu mbahet, “Akademi Përkujtimore Për Ptresidentin Ibrahim Rugova.
“Kosova ishte me fat që kishte për prijës njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, është shprehur Presidentja Vjosa Osmani gjatë një fjalimi me rastin e një ceremonie përkujtimore me këtë rast.
“Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë”, është shprehur Kryeministri I Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti bashkë me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe Ministrin Çeku, kanë vizituar familjen Rugova, ndërkohë njoftuan që së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës zyrtare të Presidentit Ibrahim Rugova.
Udhëheqsit më të lartë të Republikës së Kosovës bënë dnerimet e rastit pranë varrit të Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës në 18-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë.
Ndodh që ky vit shënon gjithashtu edhe 35-vjetorin e vizitës së parë të Presidentit historik të Dardanisë, Dr Ibrahim Rugovës në Shtetet e Bashskuara të Amerikës, në vitin 1989.
Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington — Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj. Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.
Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.
Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.
Unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë as për Dr. Rugovën as për Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në New York me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Megjithëkëtë, e prita mirë vizitën e tyre pasi ishte një privilegj për të patur në shtepinë time dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte. Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve, torturave dhe krimeve që diktatura serbe bënte mbi popullësinë shqiptare në atë krahinë.
Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989
Kanë kaluar 35-vite, por me kënaqësi e kujtoj atë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studiues i mirë i historisë dhe atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar. Megjithse ishte vizita e parë e tij në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar — do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson, e këtej.
Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.
Historia e mëvonshme tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht disa edhe sot — jo vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte në Ibrahim Rugovën, një zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.
Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — si nga pikëpamja historike ashtu dhe njerëzore. Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.
Natyrisht, se kushdo që është takuar me Dr Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë, ruan kujtime të mrekulueshme. Në këtë 35-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht — por për mua të paharrueshme — nga ajo vizitë Dr. Rugovës në shtëpinë time në Washington, me 1989. Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë.
Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005
Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar në shekullin e XXI, për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit euro-atlantik të Kombit shqiptar.
Ndër të tjera, e kam respektuar Dr Ibrahim Rugovën për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e XX dhe për faktin se ai besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë.
Ibrahim Rugova fliste pak. Nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë për Kombin e vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare.
E respektova Dr. Rugovën sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot dhe për klasën aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare.
Unë jam sigurt se në këto dy përvjetorë sot – 18-vite nga kalimi i tij në amshim dhe në kujtim të 35-vjetorit të vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Dr Ibrahim Rugova do të kërkonte nga klasa e sotëme politike Arbërore që, urgjentisht, të bashkojë të gjitha forcat e veta për të kapërcyer krizat e vështira aktuale që po pëson Kombi shqiptar, në këtë këthesë të historisë – sidomos të përballen me zbrazjen tragjike të trojeve shqiptare, para se të bëhet vonë!
Frank Shkreli
Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006
*Ribotim i përpunuar dhe përditësuar –