Në Mejë të Gjakovës, më 27 prill 1999, ndodhi Srebrenica e Kosovës, masakra më e madhe në Kosovë, e cila po heshtet dhe injorohet nga shteti i Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.
Në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 prill 1999, para 16 vitesh, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Në Kosovë, 16 vjet pas luftës, janë ende mbi 1650 të zhdukur të pagjetur. “Lëndina e Pikëllimit është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare. Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare”, theksoi kryeministri Mustafa.
Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, vijoi ai, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve.
“Po ashtu, mbamendja dhe respekti e përkujtimi, nuk janë të vetmet detyrime tona. Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t’ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës”, tha Mustafa.
Ai vijoi se, Kosova ka demonstruar dhe po demonstron gatishmërinë e bashkëpunimit me drejtësinë për të zbardhur të gjitha dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi njerëzit e saj. “Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura. Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën tonë që Serbia të shtrëngohet për t’i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, u shpreh kryeministri kosovar.
Në Kosovë, në Ditën e të Pagjeturve – 27 Prill, sot u mbajt seanca e veçantë e Kuvendit të Republikës dedikuar çështjes së personave të zhdukur dhe u zbulua në kryeqytet, Prishtinë, Përmendorja “Atyre që na mungojnë”.
Në luftën e para mëse 16 viteve kundër Kosovës, në fushatën e terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit, forcat serbe të Milosheviçit, i njohur edhe si Kasapi i Ballkanit, i cili më pastaj ka përfunduar në Tribunalin për Krime Lufte në Hagë, kanë vrarë më shumë se 12.000 shqiptarë, kanë dëbuar rreth një milion, shumicën drejt Shqipërisë, dhe kanë djegur mëse 400 qytete dhe fshatra. Në Kosovë pas luftës kanë rezultuar 5.650 persona të zhdukur. – See more at: http://shqiptarja.com/lajme%20shkurt/2749/masakra-e-mej-s-nj–nga-d-shmit–se-serbia-kishte-q-llim-spastrimin-dhe-shfarosjen-e-shqiptar-ve-288384.html#sthash.WH0OjRkf.dpuf
Pushtuesi serb gjatë tërë shekullit të kaluar e kishte përgjakur Kosovën shqiptare, me qëllim të spastrimit etnik dhe serbizimit të dhunshëm të Dardanisë Antike. Madje këtë politikë të tokës së djegur, në mënyrë sistematike, institucionale dhe shtetërore e vazhdoi gjatë viteve të fundit të shekullit të kaluar 1998-1999, diktatori i fundit në Evropë, Sllobodan Millosheviq, me forcat e tij ushtarake, policore dhe paramilitare për ta zhbërë nga faqja e dheut Kosovën.
Okupatori serb, qëkur në mënyrë të dhunshme suspendoi autonominë e Kosovës në vitin 1989, të nxitur nga epshet e skizofrenisë nacionaliste dhe të dhunës etnike, ka bërë çdo gjë në Kosovë që shumicës etnike shqiptare t’ia pamundësonte jetën në territorin dhe vatrat e tyre shekullore.
Shqiptarët e Kosovës u vetorganizuan në një lëvizje gjithëpopullore së pari të pajtimit dhe unitetit, lëvizje e prirë nga humanisti dhe profesori Anton Qeta, më pastaj në lëvizjen politike të viteve të ’90-ta të udhëhequr nga lideri historik politik, ish-presidenti Ibrahim Roguva, e deri tek organizimi ushtarak vetëmbrojtës i luftës çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Me daljen publike të UÇK-së gjërat tashmë kishin marrë drejtimin e duhur dhe se lufta për vetëmbrojtje, liri dhe pavarësi nuk kishte alternativë, ishte luftë për jetë a vdekje, për qëndresë dhe sakrificë për ta kundërshtuar strategjinë dhe platformën e Beogradit zyrtar dhe politikës nacional-shoviniste serbe në Kosovë.
Vrasjet, torturat, arrestimet, spastrimi etnik, shkatërrimet dhe dhunimet në Kosovë nuk kishin të ndalur dhe qëndresa e popullit të Kosovës ishte stoike dhe heroike në përballje të pabarabartë me tërë arsenalin ushtarak dhe policor të Serbisë.
Rrethimi dhe vrasja e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, me tërë familjen e tij në Prekaz të Drenicës, masakrat dhe vrasjet barbare nga forcat serbe kudo në Kosovë, zgjuan interesimin e opinionit paqedashës botërore, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veriatlantike të NATO-s, për ta ndalur spastrimin etnik, terrorin dhe masakrimin e popullit shqiptar. Një gjendje e tillë e patolerueshme imponoi Konferencën e Rambujesë dhe nënshkrimin e saj në vazhdim nga pala e Kosovës në Konferencën e Parisit në mars 1999.
Me nënshkrimin e palës kosovare dhe mohimin e palës serbe në pranverën e vitit 1999 situata ndryshoi dukshëm dhe Aleanca Veriatlantike e NATO-s më 24 mars 1999 ka filluar bombardimet e caqeve kriminale serbe për t’i dhënë fund terrorit serb në Kosovë. Avionët e NATO-s bombardonin këto caqe serbe, ndërsa në anën tjetër forcat serbe të vendosura kudo në Kosovë bënin hakmarrje, duke vrarë civilë, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm si dhe duke lënë prapa tyre, në tërheqjen e tyre të disfatës së turpshme, mijëra shqiptarë të vrarë dhe qytete e fshatra të djegur.
Më 27 prill 1999 Reka e Keqe e Malësisë së Gjakovës, e cila ishte porta e qëndresës, sjelljes së armatimit për UÇK-në, ura lidhëse kruciale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, territori i betejave kundër Korpusit të Nishit, forcave të kriminelëve Arkan e Millosheviq, pra ky territor i historisë dhe lavdisë kombëtare u bë kasaphane e përgjakshme.
Në mëngjesin e 27 prillit 1999 forcat e Serbisë me tanke e mjete të blinduara rrethuan fshatrat e Rekës së Keqe duke vrarë dhe masakruar 377 shqiptarë, të fshatrave të kësaj treve: Meje, Korenicë, Guskë, Dobrosh, Rracaj, Junik, Molliq, Nivokaz, Sheremet, Ramoc, Skivjan, Shishman, Brovinë, Berjahe, Batushe, Orizë, Dallashaj, Madanaj, Duzhnjë, Popoc, Cermjan, Nec, Baballoq, Rripaj, Koshare, Morinë, Smolicë, Babaj Bokës, Brekoc, Deve, Ponoshec të Gjakovës, në mesin e të cilëve pleq, gra e fëmijë.
Në shenjë hakmarrje histerike për këtë zonë të Kosovës dhe në Mejë vranë e masakruan mizorisht civilët shqiptarë ashtu siç kishin bërë në Srebrenicë, duke e shndërruar Mejën e Gjakovës në Srebrenicë të Kosovës.
Gjakpirësit e Karpateve nuk u ngopën vetëm me vrasjen e shqiptarëve të kësaj treve, por djegën e shkatërruan çdo gjë para tyre dhe, ç’është edhe më morbide dhe mizore, ata morën kufomat e masakruara me vete, për t’i fshehur në Serbi, gjoja për ta fshehur krimin fashist, të turpshëm dhe barabar. Që nga viti 1999 ata sillnin deri në kufi të Kosovës me Serbinë në Mërdar mbetjet mortore të shqiptarëve të masakruar, për të mos lejuar mbylljen e plagëve dhe dhembjes të familjarëve, të cilët për 15 vjet bënë pareshtur ceremoni mortore të rivarrimeve të eshtrave të më të dashurve të tyre.
Meja dhe tërë Reka e Keqe nuk e kuptojnë sot e kësaj dite pse heshtet nga institucionet e Kosovës dhe Bashkësia Ndërkombëtare masakra më e madhe në Kosovë, në Meje të Gjakovës, pse tash e 15 vjet pas luftës nuk është arrestuar asnjë kriminel serb për masakrën e Mejës dhe pse Tribunali i Hagës dhe misioni i EULEX-it kurrë nuk i dhanë një përgjigje adekuate kësaj masakre makabre.
Meja dhe tërë Reka e Keqe çdo 27 prill e përkujtojnë këtë ditë të pikëlluar të dhembjes krenare. Por për habi në Meje nuk është ngritur asnjë memorial i lirisë kushtuar masakrës më të madhe në Kosovë, por nuk janë të rregulluara as varrezat e Mejës ku janë të rivarrosur së bashku shqiptarë katolikë e myslimanë, ashtu siç edhe ishin flijuar për një ditë dhe së bashku për lirinë e Kosovës, duke u prehur bashkërisht në Lëndinën e Lotëve siç quhet Meja e Gjakovës.
Ky injorim dhe kjo mospërfillje e skajshme nuk mund të ketë ndonjë shpjegim të moralshëm veç nëse ka motive politike, gjë që është edhe një vrasje tjetër për Rekën e Keqe për Mejën legjendare dhe historike.
Është mbase vonë, por edhe koha e fundit që Meja dhe Reka e Keqe të marrin një përgjigje adekuate nga institucionet e shtetit të Kosovës, para së gjithash nga Tribunali i Hagës dhe misioni i EULEX-it që në kuadër të Gjykatës Speciale të posaformuar nga Kuvendi i Kosovës të formojnë një Task Forcë enkas për zbardhjen e masakrës së Mejës dhe autorët e këtij krimi makabër të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimin e bërë ndaj qindra civilëve shqiptarë të kësaj treve të komunës së Gjakovës.
Nuk eshte vetem kjo, por keta komandantet qe rembyen pushtetin pa merite dhe pa pike eksperience dhe te kontrolluare nga Serbijr njehere te vetme nuk e hapen gojen te denoncojne ne takimet nderkombetare gjenocidin qe bene Serbet ne Kosove. Kurse Serbija per 5 Serbe ngriti gjykaten speciale. Keta me politikat e hajdutrise perzune me teper Shqipetare se sa Serbija te cilet nuk kthehen me se ato qe u perzune nga Serbija u kthyen. Me politiken feminore dhe te kontrolluare nga Serbija larguane miqte tane nderkombetare qe çliruane Kosoven.