Këto ditë u bë një provë e përgjithshme e mobilizimit kombëtar në rrjet në rast të sulmit ndaj një figure identitare themelore, si ajo e Skënderbeut. Në këto terma u shpreh dikush nga lexuesit e mobilizuar: më mirë që e bënë këtë që bënë (duke iu referuar të ashtuquajturit mbulim të monumentit), se kështu kuptuam qëllimet e tyre dhe sesi do të veprojmë në rast rreziku real.
Rrjeti shpërfaqi një ndjenjë të jashtëzakonshme përkatësie kombëtare: tema ishte e thjeshtë, pa komplikime, heroi për t’u mbrojtur, më i madhi i kombit, rreziku imagjinar, ai më i madhi i kohës së sotme-ekstremizmi fetar.
Kjo ndjenjë, në fakt ka kohë që shpërfaqet në rrjet dhe jashtë tij: shqiptarët duan të lexojnë për historinë, po ndihen krenarë për origjinën e tyre, në diasporë, në kampionate europiane futbolli, por dhe në ushtrinë greke.
Në një klimë të krijuar si kjo, ishte e vështirë të bëje thirrje për qetësi, ndonëse ishte dita e festës më e rëndësishme e komunitetit mysliman, në fakt, festë e gjithë shqiptarëve nëse u besojmë atyre rrëfimeve të shkëlqyera të bashkëjetesës fetare, kur shqiptarët e të gjitha feve festojnë bashkë.
Dje nuk ishte koha as të merreshe me faktet, apo të prisje shpjegimet e palëve të interesuara. Fotografët heshtën dhe fare vonë hodhën në qarkullim kënde të tjera të vendosjes së ekraneve, në raport me monumentin dhe distancën mes tyre. Nëse do flisje për qetësi, do të prisnin në llogore aktivistët kombëtarë, heronjtë e rrejshëm dhe të vërtetë.
Zbritja në skenë e Artan Lames i vuri kapakun e besueshmërisë sulmit ndaj Skënderbeut: Artani e njeh mirë historinë dhe sot është në qeveri. Po kush ishte përballë? Le te flasim sot, kur ndonëse moti po përkeqësohet, armët janë varur në mur dhe mund të arsyetohet më thjesht.
Për fat të mirë, përballë, kundër Skënderbeut nuk ishte askush, ose ishin fare pak zëra të zbërdhulët, të mjerë, të paguar të ekstremizmit të paguar fetar. Pse them, të paguar, ose të mjerë, të paditur? Frontit të ekstremizmit i janë larguar qoftë nga reagimi i fortë i autoriteteve, qoftë nga ndërprerja e financimeve, zëra të kualifikuar, si për shembull imami i Prishtinës.
Ndonjë portal, i financuar nga s’di kush për t’i bërë ballë rrezikut të islamofobisë, nuk kishte shumë zë dhe as ndikim. Por ka edhe më për t’u thënë. Me gjasë, asnjëra prej palëve të interesuara, të përfshira në ceremoni, nuk ka patur interes ta mbulonte Skënderbeun.
Organizatori i aktivitetit ishte Komuniteti Mysliman shqiptar, i cili gjendet nën një drejtim në përputhje me Islamin tradicional, duke mbyllur xhami ilegale, duke lëshuar mesazhe pajtuese me fetë e tjera, duke përdorur shpesh fjalën “kombëtare” në ligjërimin e vet publik, duke marrë pjesë në marshime, si ai i Parisit pas atentateve atje, marshim ndërfetar që bëri xhiron e botës, etj, etj.
Myftiu i Tiranës është njëri prej zërave më të fuqishëm të këtij shndërrimi cilësor të këtij Komuniteti. Nuk shihet, nuk dihet asnjë arsye pse ai ta bënte një gjë të tillë, ndërsa dje, në media, tha se figura e Skënderbeut, monumenti në vetvete nuk ndërlidhet, nuk interferon me faljen e namazit. Nga dikush prej frontit të mbrojtësve, vihej gishti te Turqia zyrtare. Ndihet në shumë elementë se Turqia, në njëfarë mënyre, është shndërruar në një lloj patroni të komuniteteve myslimane në rajon, duke propaganduar njëlloj islami të rreptë, si ai që duket se po propagandohet në vetë Turqinë e Ataturkut.
Por, nuk dihet, nuk ka, nuk njihet kurrfarë kërkese e këtyre autoriteteve në lidhje me Skënderbeun; ky lloj patronati i Turqisë nuk shihet, nuk ndihet, si ta zëmë patronati i Greqisë ndaj Komunitetit ortodoks, dhe padurimi ndaj Skënderbeut nuk është shpërfaqur as politikisht. Për shembull, Presidenti historik Demirel, tashmë i ndjerë, e mori me nderim “Urdhrin e Skënderbeut”, akorduar nga homologu i tij, Meidani në 2001.
Probabiliteti më i lartë, nëse do të kishte ndonjë mbulim të qëllimshëm, do të lidhej me ndonjë sponsor të komunitetit, i gjendur në ditën e festës në Shqipëri, në kërkim të rreshtit të parë, të publicitetit maksimal, në një sebep si ky. Por nuk dihet, nuk njihet kurrfarë rasti i ngjashëm që të mendosh se kishte diç- ka të qëllimshme në atë mbulim të pjesshëm, në distancë të monumentit, për më shumë në një kënd të caktuar. Ka dhe një moment tjetër, që jo drejtpërdrejt tregon se në atë që ndodhi, nuk kishte kurrfarë ndërhyrjeje nga jashtë. Heshtje totale nga mediat e rajonit, ato serbe, greke dhe turke.
Kësisoj, gjithë zhurma, stuhia në rrjet, apo stuhia, mbeti e shprehur thjesht si gatishmëri për të mbrojtur Skënderbeun, në rast të një sulmi real ndaj tij, për të mbrojtur vlerat kombëtare në përgjithësi, si një ndjenjë e shkëlqyer uniteti në mbrojtje të këtyre vlerave. U teprua nga zëra të veçantë me fyerje, por kjo është diçka normale në kushtet e demokracisë pa kontroll të rrjetit. Ndjenja kombëtare mes shqiptarëve mbetet e fortë.
Komentet