Besimtarët janë mbledhur së bashku në Shkup, Tiranë, Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Kurban Bajramit, ku merrnin pjesë edhe klerikët muslimanë, por edhe personalitete të fushave të ndryshme
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË – Me mijëra besimtarë myslimanë në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë kanë falur sot namazin e Kurban Bajramit. Ata janë mbledhur së bashku në Shkup, Tiranë, Prishtinë, por edhe në qytetet e tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Kurban Bajramit, ku merrnin pjesë edhe klerikët muslimanë, por edhe personalitete të fushave të ndryshme raporton Anadolu Agency (AA).
Besimtarët muslimanë në Maqedoni sot kanë falur namazin e Kurban Bajramit, ku në mëngjesin e sotëm janë mbledhur para xhamive. Me recitimin e Kur’anit dhe këndimit të ilahijeve, manifestimi qendror nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup.
Një numër i madh i besimtarëve ishte i pranishëm në xhaminë ku u mbajt ceremonia qendrore e faljes së Kurban Bajramit, namazit të së cilit i priu kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, ndërsa i pranishëm në faljen e namazit ishte edhe ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şölendil.
Në hytben e Bajramit të cilën në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, e lexoi nxënësi i medresesë “Isa Beu” në Shkup, Orhan Zendeli dominuan mesazhet për paqe, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve. “Besimtar të dashur, kur të ktheheni nga xhamitë në shtëpitë e juaja merruni në përqafim, tejkaloni të gjitha inatet dhe hasmëritë.
Zgjateni dorën e vëllait për vëllanë dhe dorën e ndihmës duke begatuar sofrën e të varfërit dhe të mbisundojë sot vetëm dashuria e sinqertë për njëri-tjetrin sepse vetëm kështu do të përmbushim porositë e krijuesit suprem”, ishte porosia e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Edhe në xhamitë e tjera të Maqedonisë në prani të madhe të besimtarëve muslimanë u fal Kurban Bajrami, ndërsa gjatë ditës ata të cilët kanë blerë kurban, do të bëjnë therjen e tij.
Mijëra besimtarë muslmanë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, janë tubuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit.
Para faljes së namazit të Kurban Bajramit u lexua Kur’ani, u mbajtën ligjërata dhe përshëndetje nga imamë të xhamive të kryeqytetit.
Të pranishëm në këtë namaz, krahas mijëra besimtarëve ishin edhe personalitete të ndryshme të vendit.
Pas faljes në namazit myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, mbajti dhe hytben e rastit. Ndërkohë namazi i Kurban Bajramit është falur edhe në xhamitë e tjera të vendit.
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, u mbajt manifestimi qendror për Kosovën, kushtuar festës së Kurban Bajramit. Pas faljes së namazit të sabahut nga qindra besimtarë të cilët mbushën Xhaminë e Madhe, në drejtimin e imamit, Burhan Hashani, u fal namazi i Kurban Bajramit.
Kryeimaimi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, i cili mbajti hytben e Kurban Bajramit, u shpreh se kjo festë është shumë e veçantë, sepse mesazhet dhe porositë e saj përçohen jo vetëm nëpërmjet fjalëve, por edhe nëpërmjet zemrave dhe veprave të mira.
Bajgora, duke theksuar rëndësinë e kryerjes së Haxhit, njërin prej pesë kushteve të Islamit, u shpreh se “Ata së bashku, të veshur me një petkë të bardhë, me ihramin që simbolizon thjeshtësinë shpirtërore, demonstrojnë para botës, barazinë, solidaritetin, devotshmërinë dhe madhështinë e këtij ymmeti.”
Duke vënë në dukje se therja e kurbanit paraqet një prej vlerave më sublime e më fisnike të kësaj feste, Bajgora theksoi se “Ne duke flijuar kurbanet tona për hir të Allahut xh.sh., njëkohësisht na bëhet e mundur ta zgjasim dorën e ndihmës tek shumë vëllezër e motra, që kanë nevojë për ndihmën tonë. Prerja e kurbanit nuk është thjeshtë vetëm derdhje e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica, morali dhe devotshmëria e besimtarit.”
Kryeimami Bajgora, në fund, rikujtoi se bota ende po vuan nga konfliktet e armatosura, të cilat po sjellin vdekje, padrejtësi, e dëbim të popullatës nga trojet e tyre. Ai vuri në pah se njerëzimi sot ka nevojë për paqe e mirëkuptim, e jo për dhunë dhe konflikte.
Në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë të gjithë besimtarët myslimanë kremtojnë sot festën e Kurban Bajramit. Siç edhe është traditë, pas faljes së namazit besimtarët mulsimanë shkëmbejnë vizita mes të afërmeve për të uruar festën e Kurban Bajramit, si dhe presin Kurbanet e blera për këtë ditë të shënuar.
Komentet