Iniciativa “Për Maqedoni të bashkuar” filloi me protesta që nga dita e hënë, ndërkohë protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë
SHKUP – Shoqata “Për Maqedoni të bashkuar” e mbështetur nga mijëra qytetarë, tashmë në javën e dytë proteston kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re.
Një ndër kërkesat më kyçe të organizatorëve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit do të çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj, si dhe do të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e vendit.
Si zakonisht, protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë, pas së cilës marshuan në drejtim të zyrës kombëtare të presidentit Ivanov në qendër të qytetit. Marshi protestues përfundoi në mënyrë paqësore para Kuvendit të Maqedonisë, ku organizatorët apeluan që presidenti të mos e ndryshojë vendimin.
Iniciativa “Për Maqedoni të bashkuar” filloi me protesta që nga dita e hënë, ndërkohë protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë.
Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.