Të dashur vëllezër dhe motra, miq të nderuar, tani, më lejoni të ju prezantoj “Çështjen Çame”:
Çamëria, që unë ndryshe dua ta quaj Shqipëria Jugore, është e banuar nga fisi ILIR i -Dhesprotëve-. Është vendi ku lindi i madhi Pirro i Epirit. Mbas tij, në Prevezë lindi udhëheqësi i madh i Jugut, Gjin Bue Shpata. Në kohën e Rilindjes Kombëtare, lindi Marko Boçari nga fisi i Suljotëve. Dhe, mbyllet me dy figura të ndritura çame, Abedin Pashë Dino, organizator i Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor 1978, dhe dijetarin, teologun, matematikanin Hasan Tahsini.
Në kohën moderne, në Luftën Nacional Çlirimtare, nga ne, komuniteti Çamë, ra në Kaninë të Vlorës, i pari hero i LNÇ Ali Demi, më 20 dhjetor 1943, para 75 vitesh.
Rreth viteve 1940-45 Jugu i Shqipërisë ose Çamëria, kishte një popullatë rreth 70 mijë banorë, e cila përbëhej nga 50% myslimanë, 45% ortodoksë shqiptarë dhe 5% minoritet grek, i cili banonte në rrethinat e qytetit të Artës.
E gjithë kjo krahinë fillon në veri me liqenin e “Butrintit” dhe vazhdon të shtrihet deri në “Tre gurët e zi” në Prevezë. Qendrat kryesore të banuara janë: Preveza, Parga, Arta, Margëlliçi, Paramëthia, Gumenica, me kryeqendër Filatin. Në “Koferencën e Ambasadorëve” në Londër, 2/3 mbetën jashtë trungut amë, Shqipërisë. Veriu ju dha pjesërisht Malit të Zi: Ulqini, Tivari, Tuzi, Plavë e Guci me fshatra.
Serbisë ju dha pjesa më e madhe: Kosova, Kosova Lindore, Ilirida.
Tokat e Shqipërisë në Jug, ku bënte pjesë Vilajeti i Janinës, me 15 mijë km katror, ju dhurua Greqisë. Në këtë Vilajet bënë pjesë edhe Shqipëria e Jugut, pra, Çamëria.
Duke pasur 50% myslimanë në Jug të Shqipërisë, Greqia na kosideroi si popullatë turke, në një kohë ku ne jemi shqiptarë autoktonë, vendorë. Duke na trajtuar si të tillë, turq, në vitin 1923, dy shtetet, Turqi – Greqi, bënë ndërrimin e popullatës me të ashtuquajturin “Traktati i Lozanës”, firmosur nga kryeministri Qemal Ata Turk dhe Venizellos. Më 1924-25 filloi shpërngulja e çamërve myslimanë, në drejtim të Izmirit të Turqisë. Në këtë kohë ndërhynë shteti shqiptar, gjegjësisht, Mbreti Zog dhe e bën problem në OKB dhe kjo shpërngulje ndërpritet.
Në Luftën e Dytë Botërore, Greqia shfyrytëzoi rastin dhe rrethanat e krijuara, për të bërë spastrimin etnik, duke ushtruar një genocid të vërtetë. Si pasojë e këtij genocidi, mbetën të vrarë dhe të masakruar, rreth 5 (pesë) mijë çamër, nga këta shumë ishin pleq, gra dhe fëmijë. Këtë spastrim etnik, e mori përsipër gjenerali famëkeq Napolon Zerva, me një ushtri prej 12 mijë pjestarë, në bashkëpunim me forcat naziste gjermane.
Ju falenderoj në emër të popullatës Çame, të kudondodhur, për mbështetjen tuaj vëllazërore dhe të pakompromis, që, ne, çamët të kthehemi në vatrat tona dhe t`i bashkohemi trungut amë, Shqipërisë.
Rroftë Shoqata “Çamëria” në Kosovë dhe Diasporë! Rroft Shqipëria Etnike”,- përmbylli fjalën e tij përmbajtësore, veprimtari i shquar i Shoqatës “Çamëria – Kosovë”, Haxh Braho.
Këshilltari politik i kryetarit të Shoqatës “Çamëri – Kosovë”, Ismail Selmani
Moderatori Sadedin Gubetini: “Tani prezantoj para jush një njeri, paksa, të veçantë. Ky është Ismail Selmani, i lindur në Jazhincë të Tetovës, Iliridë. Përndryshe, njihet edhe me cilësorin Komandant “Mala”, pjesëmarrës në tri luftërat e fundit. I përndjekur në Iliridën e tij, ka gjetur strehë në Kosovë, pikërisht, në Ferizaj, ku edhe jeton familjarisht. Komandant “Mala” është këshilltar politik i kryetarit të Shoqatës “Çamëria” në Kosovë, zotëri Nexhmi Muçiqit dhe është i dërguari special nga Kosova. Tani, fjalën e ka luftëtari i djeshëm dhe veprimtari i sotshëm i Shoqatës “Çamëria – Kosovë”, zotëri Ismail Selmani:
“Të nderuar vëllezër dhe motra mërgimtarë, jemi këtu për ta përuruar edhe zyrtarisht hapjen e Degës të “Shoqatës Çamëria”, si degëzim i Shoqatës “Çamëria” Qendër në Kosovë, së pari, ju sjell përshëndetjet e sinqerta dhe shumë të përzemërta nga kryetari i Shoqatës “Çamëria” në Kosovë, zotëri Nexhmi Muçiqi. Përgëzoj kryetarin e Shoqatës “Çamëria” në Ludwigshafen, zotëri Ismet Xhaka dhe nëkryetarin Sadedin Gubetinin, me stafin e tyre, për formimin e Degës në Ludwigshafen dhe organizimin në mënyrë solemne e festive, të kësaj ngjarje shumë domëthënëse.
Shoqata “Çamëria Kosovë” u themelua më 27 shtator 2016, fillimisht, me pak njerëz, por pati jehonë të madhe. Shoqata vazhdon të punojë me seriozitet dhe përkushtim. Në saje të aktiviteteve kombëtare, tani kjo Shoqatë numëron, afërsisht, 60 mijë antarë, vetëm brenda Kosovës. Shoqata “Çamëria Kosovë” vepron në të gjitha trevat e Kosovës dhe jashtë saj. Ka memorandum me disa Shoqarta Qendrore, si: Shoqatën Patriotike “Çamëria” në Tiranë, që ka hapur degëzimet në Mërgatë, si Turqi, Austri dhe, së fundi, në Gjermani.
Shoqata “Çamëria” nuk është Shoqatë profitabile, fetare, politike-perverse. Por, është Shoqatë Patriotike e Çështjes Kombëtare, për ta realizuar amanetin e Dëshmorëve të Kombit, pavarësisht vështirësive e pengesave numerike. Shoqata jonë ka mision e vizion, për realizimin e bashkimit kombëtar, nga Guri i Vjetër në Greqi e deri ke Guri i Shpuem në skajin e Kosovës Lindore, Toplicë, – potencoi, veç tjerash, kuadri i Shoqatës “Çamëria”, zotëri Ismail Selmani.
Këshilltar Selmani referoi për temën “Çamëria dje dhe çështja çame sot”, shkrim që do të botohet i veçantë.
Një fjalë rasti mbajti edhe Kryetari i LDK-së për Bavari, Idriz Zeqiraj. Ai përshëndeti në emër të subjktit të tij politik si dhe në cilësinë e Anëtarit të Nderit, të Shoqatës “Sali Çekaj”, të pranishmit i përshëndeti në emrin e kryetarit Osman Ferizi: “Tashmë, është Çamëria gjaku ynë që nuk falet. Emri i Çamërisë ka hyrë në shtëpitë tona, është bërë pjesë e dhimbjes tonë të madhe, por, edhe agjendë ditore, që popullata çame, dikur autoktone, të rikthehet në vatrat e tyre shekullore.
Emri i Çamërisë, veç të moshuarëve, që janë rritur e plakur me dramën e përgjakur çame, tani po i përlotë edhe brezat e rinj shqiptarë. Por, vajin e djeshëm dhe të sotëm, duhet ta kthejmë në kushtrim, për lirinë e nesërme të Çamërisë sonë. Lë të urojmë, shpresojmë e besojmë, që ëndrra jonë e bukur, për Çamërinë e lirë, të lëndëzohet, realizohet, ashtu siç uronte e besonte Profeti i Shqiptarizmës, Dr. Ibrahim Rugova, dikur për Kosovën.
Mysafirët, vëllezërit tanë të mirë, Haxhi Braho e Ismail Selmani, janë sot këtu, në mesin tonë, për ta zyrtarizuar Shoqatën “Çamëria”, si dhe për të kërkuar mbështetjen tonë, për këtë Shoqatë, thellësisht, atdhetare. Dhe, unë, të shumëdashura motra dhe vëllezër, nga kjo tribunë fjale e nderi, i garantoj kuadrot e ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, se do të jemi pjesë e Shoqatës “Çamëria”. Vërtet, ne, pothuajse, të gjithë jemi pjesë e ndonjë Shoqate apo subjekti politik. Por, Shoqata “Çamëria” është Shoqatë mbi Shoqatat dhe partitë politike, sepse, misioni dhe vizioni i saj është “Çamëria e çamërve shqiptarë”, pavarësisht përkatësisë fetare. Dhe, për realizimin e këtij misioni të shenjtë e kombëtar, kërkohet angazhimi i përkushtuar, i të gjithë shqiptarëve atdhedashës të botës”,- apeloi, emocionalshëm, Idriz Zeqiraj.
Moderatori Sadedin Gubetini ftoi në skenë veprimtarin veteranë, ushtarin e devotshëm të Jusuf Gërvallës, Fahridin Tafallarit, i cili, së bashku me veprimtarin Kolë Mërturi, kishin ardhur nga Shtutgardi, për pjesëmarrje në këtë ngjarje të shënuar dhe tejet aktuale. Ai foli për veprimtaritë e klubeve, të shoqatave dhe të subjekteve politike, në kohëzgjatjen dyzetë vjeçare: “Frymëzuesi dhe heroi ynë Jusuf Gërvalla, e nismoi aktivitetin atdhetar me pak veta. Por, me kohë do të bëheshin dhjetra, qindra, mijëra dhe, krejt në prag lufte – 100 mijë mërgimtarë në protestën në Bonn-in gjerman dhe gjetkë, në Evropë dhe botë. Këto fakte lë të jenë shpresë e besim, edhe për Çamërinë tonë. Ju ftoj, të bëhemi pjesë e Shoqatës “Çamëria”, duke tejkaluar bindjet partiake personale e grupore”,- përmbylli fjalën e tij veterani, gjithnjë aktiv, Fahridin Tafallari.
Kryetari i Shoqatës “Çamëria Kosovë”, Nexhmi Muçiqi, në lidhjen dixhitale me Haxhi Brahon, i përshëndeti të pranishmit dhe uroi zyrtarizimin e Degës “Çamëria” në Ludigshafen.
Vallja çame
Komentet