Udhëtimi ynë në Liechtenstein (Lihtenshtajn), më shumë se për kërshërinë dhe kënaqësinë tonë, është për hir të lexuesve tanë.
Me një ultësirë të butë, me një pllajë të bukur dhe një sfond madhështor shkëmbinjsh, është fare e thjeshtë ta krahasosh Lihtenshtajnin me Thethin tonë, në skajin verior të Shqipërisë. Edhe këtu, nga Rini i kaltër deri në qiellin e kaltër mbi Alpe, ajri është më i kulluar se loti dhe të afron tek sytë çdo pamje, sa të duket se për t’i prekur mjafton të zgjatësh pak dorën.
Ky fqinj i vogël, ngjason në shumëçka me Zvicrën, madje duket si përkryerje e mëtejme e së përkryerës, por nuk është maket i shkallës 260 me 1 i fqinjes së tij.
Është një ndër vendet më të vogla të botës; pas Vatikanit, San Marinos dhe Monakos është vendi me territorin më të vogël në Evropë. Është, si Zvicra, një ndër 44 vendet e botës pa dalje në det; është një ndër 41 nga këto vende me vetëm dy fqinj.
Si e ndihmoi fati Lihtenshtajnin dhe si e ndihmoi Lihtenshtajni fatin
Themelet e Lihtenshtajnit ndodhen mjaft larg prej këtu, në Austrinë Jugore, ku familja që më vonë do ta themelonte këtë principatë, kishte Kështjellën Liechtenstein, Kështjellën e Gurit-që-bën-dritë. Kështjella ishte e ndërtuar prej gurësh të bardhë, dhe meqë e bardha është sinonim i dritës, nga shpjegojnë mikpritësit tanë, ajo mori këtë emër. Emrin e kështjellës pastaj e trashëgoi familja e mëvonshme princërore dhe, prej tyre, e mori pastaj emrin ky vend, Principata e Lihtenshtajnit.
Familja Lihtenshtajn kishte çifligje dhe kështjella në Austri, Moravi, Silezi, Sllovaki e tjerë. Ajo kishte mbajtur marrëdhënie të mira dhe iu kishte bërë shërbime të vyera Perandorisë së Habsburgëve dhe Perandorisë së Shenjtë Romane të Gjermanisë. Në fillim të Shekullit XVII, për këto arsye, Karli I i Lihtenshtajnit, u shpall princ nga perandori i Mathias dhe u lejua të blejë çifligun Schelenberg dhe çifligun e Vaduzit. Më 23 janar 1718, Karli VI, Perandori i Perandorisë së Shenjtë, deklaroi bashkimin e dy çifligjeve dhe hapësirën e përbërë prej tyre e shpalli principatë, si shpërblim për shërbëtorin e tij besnik Anton Florian të Lihtenshtajnit. Principata, në këtë datë, u bë shtet sovran brenda Perandorisë së Shenjtë.
Ne pamë në Muzeun Shtetëror të Lihtenshtajnit fotokopjen e dokumentit origjinal të shitblerjes së çifligut të Shelenbergut. Por ky akt nuk është certifikata zyrtare e lindjes së Lihtenshajnit. Ditëlindje e tij njihet 15 Gushti, kur hyn në fuqi Kushtetuta e shtetit sovran të Lihtenshtajnit. Mikpritësit na e kujtojnë shpesh se jemi pjesë e atmosferës së festimeve të vitit të 299 të Principatës, që u shënua më 15 Gusht 2018, dhe jubileut të madh të vitit të 300 të saj, që do të shënohet më 15 Gusht 2019. Nga kjo datë, pavarësisht trazimeve të mëdha të historisë, Lihtenshtajni, nëpërmjet shumë kompromiseve dhe aleancave arriti ta ruajë sovranitetin e tij të paprekur.
U deshën 100 vjet që një princ të shkelte Principatën. Me pushtimet napoleonike, u krijua Konfederata e Rinit, ku princi ishte vasal i Napoleonit. Në vijim Principata do të ishte pjesë e Konfederatës Gjermane të kryesuar nga Perandori i Austrisë.
Elisabeth von Gutmann
Ndërmjet dy luftërave botërore, ndodhin ndryshime edhe brenda familjes princërore dhe në raportet e saj me Principatën. Më 1929, Princi Franc I, vjen në fron. Ai sapo është martuar me Elisabeth von Gutmann, lindur në Vjenë (1875-1947 ) e bija e një biznesmeni hebre të fuqishëm nga Moravia. Megjithëse e konvertuar në katolike, elementët nazistë në Lihtenshatjan e shikojnë hebrejen si një problem për vendin. Në mars 1938, pas aneksimit të Austrisë nga Gjermania, Princi Franc I emëron trashëgimtar nipin e tij 31 vjeçar Franc Jozef II. Në korrik të atij viti Franci I vdes dhe vjen në fron Franc Jozefi II. Pak ditë pas aneksimit të Austrisë, Princi Franc Jozefi II vjen përfundimisht të banojë në Vaduz. Ky është akti tejet vendimtar në fatin e mëtejshëm të Principatës. Veprimi tjetër: Lihtenshtajni mban qëndrim neutral gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkon ndihmë e mbështetje ga Zvicra fqinje, familja princërore merr të gjithë thesarët nga çifligjet dhe pronat e saj nga Bohemia, Moravia dhe Silezia e i vendos në Vaduz.
Lihtenshtajni, një sukses ekonomik
Deri në vitet e Luftës së Parë Botërore, Lihtenshtajni mbante lidhje të ngushta me Perandorinë e Austrisë dhe me Perandorinë e Austro-Hungarisë. Rrënimi që solli lufta, e detyroi, më 1924, Principatën të bënte bashkimin doganor dhe monetar me fqinjen tjetër, Zvicrën. Kjo periudhë shënon hopin ekonomik që vijon edhe në ditët tona.
Ne jemi këtu me një grup gazetarësh të APES (Asosacioni i Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn) që kryesohet nga presidenti i shoqatës tonë Jean Musy. Dhe është e kuptueshme që të kemi mes nesh edhe mjaft gazetarë të profilit ekonomik. Në darkën që qeveria shtron për nderin tonë në Restaurant Park-Hotel Sonnenhof janë të pranishëm Dr. Daniel Risch, nënkryeministër dhe ministër për Ekonominë, Infrastrukturën dhe Sportin i Lihtenshtajnit dhe disa nga zyrtarët më të lartë të ekonomisë dhe finacave të këtij vendi. Janë të gjithë në moshë të re dhe relativisht të re. Të nesërmen në kohën e drekës ndërsa shëtisinim në rrugën kryesore do ta shihnim nënkryeministrin Dr. Daniel Risch, se si shkonte e vinte nga shtëpia në zyrë në kohën e drekës me biçikletë dhe për paralele sjellim ndërmend lluksin dhe korrupsionin e zyrtarëve më të lartë shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, ku varfëria dhe papunësia është plagë e rëndë shoqërisë. Zyrtarët më të lartë të shtetit të Lihtenshtajnit janë modestë si të një vendi kaq të vogël, por krenarë se janë të vetëdijshëm për stadin e përparuar ku ka arritur vendi i tyre dhe për përgjegjësitë e mëtejshme. Ata janë të hapur për pyetjet tona të pafundme dhe krejtësisht të drejtpërdrejta.
Tradita bankare e Lihtenshtajnit fillon më 1861, kur këtu hapet Banka e Kursimeve dhe e Pagesave. Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, familja princërore filloi shitjen e stolive dhe objekteve të çmuara artistike, duke krijuar një bazë të shëndoshë financiare. Tarifat e ulëta të shërbimeve zgjeruan interesimin e kompanive nga e gjithë bota për t’i depozituar paratë këtu dhe, nga fundi i viteve 1970, Lihtenshtajni shndërrohet në një nga qendrat e fuqishme financiare të botës dhe bëhet një nga vendet më të pasura në botë. Më 2008 vendi u vu në qendër të vëmendjes së opinionit publik ndërkombëtar, sepse kompani dhe individë të ndryshëm nga gjithë bota përfitonin duke bërë depozitimet e tyre këtu dhe duke fshehur taksat në vendet e tyre. Në vitet vijuese Lihtenshtajni u tregua i vendosur të bashkëpunojë me qeveritë e vendeve të tjera duke dhënë informacionet e duhura për të gjitha rastet e pastruesve ndërkombëtarë të parave dhe për të promovuar imazhin e vet si qendër financiare botërore. Më 2015 u nëshkrua një marrëveshje taksash me BE-në për shkëmbimin automatik të informacioneve. Mario Gassner, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Tregut Financiar të Lihtenshtajnit, na tregon se vetëm dy javë pas ardhjes së tij në këtë detyrë, mësoi në ekranin e tv-së kryetitujt e mediave botërore që jepnin lajmin e arrestimit të paraardhësit të tij në këtë detyrë. Zotëri Gassner i siguron bashkëbiseduesit gazetarë se gjithçka tashmë është vënë mbi shina të reja.
Me gjithë shkëlqimin e veçantë në sektorin e shërbimit financiar, Lihtenshtajnit nuk ka lejuar një ekonomi të njëanshme. Vendi, sipas statistikave të vitit 2016, ka 4567 sipërmarrje të regjistruara, pra një kompani për çdo 8 banorë, një primat botëror ky. Peshën e ekonomisë e mbajnë industritë e prodhimeve dhe të shërbimeve. Industritë janë: elektronikë, tekstile, instrumente precize, përpunim metali, farmaceutikë, e tjerë. Vendi prodhon grurë, misër, patate, verë e tjerë. Edhe turizmi zë peshë të veçantë. Mbi 90 për qind e prodhimit eksportohet.
Të flasësh për ekonominë e Lihtenshtajnit dhe të mos përmendësh industrinë e verës është e pamundur. Principata e Lihtenshtajnit është një prodhues i verës. Vendi ka një klimë të përshtatshme për kultivimin e rrushit në shpatet malore, tokat gëlqerore me një mesatare prej 1,500 orësh me diell në vit. Ka mbi 100 vreshtarë në Lihtenshtajn që prodhojnë verëra të kuqe dhe të bardha në të cilat të varieteteve më të rëndësishme. Lihtenshtajni është pjesë e sistemit evropian të cilësisë së verës dhe klasifikimit ndërkombëtar të AOC. Kantinat më të famshme të verës janë “Hofkellerei des regierenden Fürsten von Liechtenstein”, të Princit të Lihtensteinit. Ne patëm fatin që të vizitonim edhe vreshtat, edhe kantinat në pronësinë e Princit dhe të shijonim lloje të ndryshme vrërash të mrekullueshme.
Një pjesë e madhe e kompanive lihtenshajnse veprojnë jashtë vendit. Lihtenshtajni punëson më shumë njerëz se numri i banorëve të tij. Të huajt e punësuar nga Lihtenshtajni, 20 239 veta (sipas statistikave të vitit 2016) janë kryesisht zviceranë, gjermanë dhe austriakë. Pra, gjysma e atyre që punojnë në Lihtenshtajn nuk janë banorë të tij.
Ne vizituam një nga kompanitë më të mëdha të këtij vendi, Ivoclar Vivadent AG, në Schaan, në fshatin më të madh të Principatës. Kjo kompani vepron me shumë filiale të saj në kontinente të ndryshme të botës dhe ka synim zbulimin e teknologjive të reja dhe prodhimin e lëndëve e pajisjeve të reja në industrinë dentare, duke u bërë kështu faktor botëror në këtë fushë. Qendra e kësaj kompanie është një kombinat i vërtetë, ne qëndruam aty një orë e gjysmë, por do të duheshin ditë të tëra për ta vizituar dhe për të pasur një ide të plotë për të.
Lihtenshtajni, një sukses diplomatik
“Këtu Shqipëria na mundi ne në futboll,” na tregon duke qeshur shoqëruesi ynë Joël Grandchamp, kur kalojmë pranë fushës së futbollit në Vaduz. 180 herë më i vogël se Shqipëria, Lihtenshtajni, me një sipërfaqe 160 km2, kryesisht malore dhe shkëmbore, ka një Prodhim të Përgjithshëm Vjetor sa gjysma e Shqipërisë.
Vendndodhja gjeografike, që, në rastin më të mirë, edhe mund ta kishte eklipsuar, dhe, në rastin më të keq, edhe mund ta kishte fshirë si nocion, është një faktor vendimtar për suksesin e Principatës. Në lindje dhe në veri, për 37 kilometra kufij, ka fqinje Austrinë; në jug dhe në perëndim, për 41 kilometra kufij ka fqinje Zvicën. Në gjithë perëndimin, është lumi Rin, ai që e ndan dhe prej vitit 1886, nëpërmjet dy urave, e bashkon me Zvicrën. Vetëm në fillim të vitit 1928 ky lum u tregua armiqësor ndaj Principatës, duke vërshuar dhe duke e mbuluar me gurë, drurë dhe baltë një pjesë të ultësirës perëndimore. Nga prilli deri në tetor të atij viti, me qindra vullnetarë, kryesisht nga Zvicra, Austria dhe Gjermania, punuan këtu bashkë me vendasit deri në shërimin e plotë të pasojave të vërshimit.
Duke ruajtur fqinjësinë e mirë me Austrinë, Principata i dha përparësi vendimtare fqinjësisë me Zvicrën. Ky fakt do të ndikonte fuqishëm në përcaktimin e identitetit të Principatës. Raportet e familjes princërore me qytetarët e saj, të karakterizuara nga besnikëria e ndërsjellët, kultivuar me të njëjtin kujdes, zell e zgjuarsi prej tyre, përbëjnë një faktor tjetër në përcaktimin e këtij identiteti. Bujqët e thjeshtë të çifligjeve, me zanafillë të hershme helvete, që krijuan Principatën, u bënë sipërmarrës, qeveritarë, ekonomistë, diplomatë, punonjës, qytetarë të suksesshëm të Principatës. Raportet me katolicizmin, fe zyrtare në Kushtetutë, dhe raportet e kësaj me fetë e tjera të qytetarëve dhe banorëve të Principatës, do të ishin gjithashtu përcaktuese të identitetit shtetëror dhe qytetar lihtenshtajnas. Në këtë vend, rreth 33% e popullsisë është me prejardhje të huaj, nga këta janë edhe 460 shqiptarë nga Kosova dhe 1 shqiptar nga Shqipëria. Principata e Lihtenshtajnit ka një qeveri pesë anëtarëshe dhe një parlament me 25 vende, që përfaqësojnë të zgjedhurit e popullit nga katër parti politike. Në zgjedhjet e ardhshme do të jenë në garë 5 parti sepse njëra sapo ishte formuar kur e vizituam ne principatën.
Lihtenshtajni do të ndiqte në shumëçka shembullin e Zvicrës. Por më 1990, kur anëtarësohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Lihtenshajni i paraprinte Zvicrës. Ndërsa më 1995, kur fqinja bënte referendum për anëtarësim ose jo në BE, Lihtenshtajni ishte aspak dyshues në zgjedhjen e tij: Ne jemi një shtet aq i vogël sa nuk mund të kemi ndonjë rol në gjirin e BE-së. Por atë vit u anëtarësua në EFTA (Shoqëria Evropiane e Tregut të Lirë) dhe në EEA (Hapësira Ekonomike Evropiane), më vonë në Hapësirën Shengen.
Në pritjen e saj në sallën kryesore të qeverisë, ministrja e Jashtme Dr. Aurelia Frick, që kishte studjuar në Universitetin e Fribourg dhe dokorua në Basel, ishte emëruar ne moshën 34 vjeçare ministre e Drejtësisë, e Punëve të Jashtëme dhe Kulturës, u përqëndrua pikërisht në vizionin dhe përkushtimet e diplomacisë së Principatës. Në paraqitjen dhe në përgjigjet ndaj pyetjeve të shumta ajo dëshmoi qartësinë dhe zgjuarsinë me të cilat vendi i saj i ndjek zhvillimet ndërkombëtare dhe luan rolin e tij.
Zonja Doris Frick, ambasadore e Lihtenshtajnit në Bernë, një zonjë e mrekullueshme , e cila, bashkë me ambasadorin lihtenshtajnas në Gjenevë z. Peter C. Matt, na shoqëruan pothuaj kudo gjatë qëndrimit tonë në këtë vend, na thotë se Principata ka vetëm 8 ambasada dhe përfaqësi të përhershme, çka flet rreth përparësive diplomatike të Principatës. Ato janë: në Bernë, në Berlin, në Uashington, në Nju Jork, në Gjenevë, në Bruksel, në Strasburg, në Vjenë. Përveç ambasadave, Principata ka edhe Mision në BE, si dhe Përfaqësi të Përherëshme pranë OSBE-së dhe OKB Vjenë, në Gjenevë, OKB në New York, si dhe Strasburg. Në vendet e tjera shërbimet konsullore të Principatës i përfaqëson Zvicra.
Paqja është përmasë e përhershme e lihtenshtajnasve. Në gjithë historinë e kësaj hapësire nuk shënohet ndonjë betejë, përpjekje apo ndeshje me armë. Më 1868 Ushtria e Lihtenshtajnit, e përbërë nga 82 vetë, e cila nuk kishte marrë kurrë pjesë në ndonjë luftim, u shpërbë. Principata ka vetëm një trupë prej 82 policësh. Kriminaliteti është tejet i ulët dhe kryesisht i natyrës ekonomike. Vendi ka vetëm një burg. Të dënuarit me më shumë se dy vjet, mbi bazën e një marrëveshjeje, e vuajnë dënimin në burgjet e Austrisë. Në Lihtenshtajn flihet me derën hapur!
Lihtenshtajnasit janë njerëz paqësorë. Edhe natyra është paqësore me lihtenshtajnasit. Megjithëse kryesisht malore, Principata ka klimë të butë, me verë jo të nxehtë dhe me dimër jo të ashpër, ngaqë këu, në këtë stinë, nga Alpet fryn era e ngrohtë Föhn.
Një faktor kryesor për përparimin e gjithanshëm të vendit, shprehin bindjen mikpritësit tanë, është arsimi. E gjithë popullsia (pra 100%) mbi moshën shkollore e lart është e mirarsimuar. Shkollat fillore dhe të mesme lihtenshajnasit i ndjekin këtu, ndërsa arsimin e lartë e kryejnë kryesisht në Zvicër, në Gjermani dhe Austri. Prej disa vitesh vendi ka edhe Universitetin e tij publik me fakultetin e arkitekturës dhe atë të biznesit. Ka edhe një universitet privat me drejtim mjekësinë, si dhe një institut të lartë.
Principata ka një infrastrukturë tejet të zhvilluar rrugore. Prej vitit 1872 përshkohet nga linja hekurudhore që lidh Zvicrën me Austrinë. Në Lihtenshtajn janë katër stacione treni. 11 fshatrat e tij lidhen me linja autobusësh. Principata ka më shumë automjete se banorë. Tri të katërtat e tyre janë vetura dhe automjete për pasagjerë, çka përbën një tjetër primat botëror.
Primati botëror më i spikatur është ai i mirëqenies së popullsisë. Me Prodhim të Përgjithshëm Vjetor rreth 6 miliardë dollarë dhe një popullsi prej rreth 38 mijë banorësh Lihtenshtajni është vendi me mirëqenien më të lartë në botë. Ndërsa, nga përllogaritjet mbi bazën e fuqisë blerëse, të cilën në Vaduz e marrin si përcaktuesin e saktë, Lihtenshtajni është një ndër vendet me mirëqenien më të lartë në botë.
Vizitës tonë po i vinte fundi
Pierre-Michel Virot
Photography
Nje shkrim model.
Flm familja e shquar BUCPAPAJ.
Falenderimet dhe nderimet tona Lexues i respektuar i voal.ch.
Nje pershkrim i kjartè e tan zhdèrvjellsi me shum te dhana per historine e vjetèr e te sotmen e ktij vendi tè vogèl (Lihtenshtejn) por tè mrekullueshem, ku kam patun rastin fatmire ta vizitoj, ku andrrat e mia duke soditun natyrèn e miresin e njerzve,andrrat e mija perftyronin
Shqipnin e dashtun..Ju uroj pèrzemersisht miq Skènder e Elida BUÇPAPA, per kthjellsine e reportazhit, shnet e mbarsi te ardhmenise jetsore e krijuese !
Po dukej sikur ishte nje cope Shqipni sikur e do zemra jone i nderumi Z.Bardhi Mirditas. Respekte
Falemnderit per informacionin shume interesant .Ndjek shkrimet tuaja me kureshtje e kenaqesi .