Kaluan 22 vite dhe çdo qytetar në SHBA kujton me dhimbje 11 Shtatorin e vitit 2001, si dhe viktimat në njerëz që humbën jetën gjatë asaj tragjedie, kur terroristët islamikë rrëmbyen avionët dhe përflakën hapësirën amerikane duke goditur Pentagonin dhe World Trade Center.
Çdo kush që e do jetën lirinë, paqen pyet me të drejtë: Kur do të marrë fund terrorizmi?
Edhe unë si dëshmimtare okulare e asaj ngjarje që tronditi botën, bashkohem me dhimbjen e madhe që shkaktoi ajo katastrofë, e njëherësh nëpërmjet këtij shkrimi, hedh dritë mbi një fakt që deri më sot nuk e kam lexuar në faqet e shtypit shqiptar.
Së pari po ndalem tek Ceremonia Përkujtimore që organizoi për të dytin vit Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson me qytetarët, politikanët dhe organizatat e ndryshme jo qeveritare në nderim të afro 3000 heronjve që humbën jetën gjatë atij sulmi terrorist. Tubimi u mbajt më datë 13 shtator 2023 pranë Bashkisë në Bronx, nën moderimin e drejtorit të “Teatrit për Fëmjië në Riverdale” Derek Woods. Si fillim u mbajt një minutë heshtje, më pas “Hymni Amerikan” u këndua nga sopranoja Diane Arroya, lutjet fetare u mbajtën nga Kleri katolik, mysliman etj dhe nga Rabbai i Institutit hebre ne Riverdale. Banda frymore “Pipes & Drums” e shtetit të New Yorkut ekzekutoi muzikë të zgjedhur si homazh për të rënët e 11 shtatorit 2001.
Fjala e hapjes ju rezervua Presidentes së Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson, eventin gjithashtu e përshëndetën gjykatësja supreme e Gjykatës Civile në New York Hon. Doris Gonzales, politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Një ftesë për këtë ceremoni mbërriti edhe në postën time elektronike, ku pata rast të takohem me Presidenten Vanessa L. Gibson, nëpunësen e lartë të Bashkisë në Bronx Cecilia Hernandez, Anëtaren e Këshillit Bashkiak të New Yorkut Pierina Ana Sanchez etj. Afër podiumit pranë Flamurit Amerikan dhe Flamurit të Bashkisë në Bronx ishte vendosur edhe një Flamur në Nderim të 3000 heronjve që humbën jetën në atë tragjedi, ku me gërma të bardha kapitale shkruhej “Ne kurrë nuk ju harrojmë” si dhe një kurorë me lule të freskëta.
***
Mëngjesin e datës 11 Shtator 2001 ndodhesha brenda Trenit Nr. 4 kur u shemb tyneli Chamber Street në Manhattan, New York, pas kolapsit që ju bë dy kullave binjake të World Trade Center nga bombardimi i dy avionëve rrëmbyer nga terroristët. Nga shembja e tynelit rruga e trenit Nr. 4 për në Brooklyn ishte bllokuar, treni nuk udhëtonte dot më tej. Paniku i madh pushtoi frymën dhe zemrat e pasagjerëve, të cilëve po i rrezikohej jeta….Unë ishta nisur nga rruga Jerome Avenue në Bronx, adresë ku jetoja atë kohë për të shkuar drejt Brooklynit.
Pak muaj kisha në SHBA, e sapo kisha fituar statusin si azilante politike, dhe si e papunë mu aprovua ndihma ekonomike, por për të përfunduar këtë proçes duhej të jepja edhe shenjën e gishtave. Kështu më 11 shtator 2001 u nisa për një takim në Brooklyn, në Zyrën e ndihmës ekonomike për shenjën e gishtave për të përfunduar e përfituar kështu ndihmën ekonomike. Takimi ishte në ora 10 AM. Pas asaj tragjedie zyrat në Brooklyn ishin mbyllur dhe nuk munda të takoja asnjë nga punonjësit e atij institucioni. Situata ishte jashtë kontrollit, tepër e rënduar si gjendje lufte dhe askush nuk ishte në zyrë atë moment. Ashtu siç isha e traumatizuar e pluhurosur me tym e pluhura nga shpërthimet e dy kullave, e dërmuar shpirtërisht, fizikisht e mendërisht arrita të gjej ku ishte Zyra e Ndihmës ekonomke në Brooklyn, por asnjë nënpunës nuk ndodhej aty. Rastësisht pyeta një punonjës policie, ai më tha: Jo moj zonjë këtu nuk punon askush pas kësaj tragjedie.
Për çudi pas disa ditësh më vjen një letër nga Zyra e Ndihmës ekonomike në Brooklyn në banesën e atëhershme në Bronx, ku shkruhej se kisha humbur përfitimin e ndihmës ekonomike, pasi nuk isha paraqitur në takim për shenjën e gishtave në Brooklyn më datë 11 shtator 2001, ora 10 AM. Ndihmën ekonomike arrita ta fitoj pasi këtë çështje e paraqita në gjykatë, pasi që ishte e vërtetë që atë ditë kisha udhëtuar nga Bronxi në Brooklyn, për tek zyrat e ndihmës ekonomike, pasi isha pa punë, pa asnjë të ardhur ekonomike dhe nuk kisha me se të paguaja qeranë e garsonierës në Bronx. Këtë histori e kam publikuar më të zgjeruar e titulluar “Kur do të marrë fund terrorizmi” edhe në librin “Nënës” botuar në vitin 2007 nga “Bota e Gruas Shqiptare” në Amerikë. Vlen të përmendet se ky Libër ka për autore femrat shkrimtare nga e gjithë bota, sigurisht përfshirë edhe SHBA. Ideatore e këtij libri është Merita Bajraktari McCormack. Promovimi i tij u realizua me inisitivën time tek Selia e Federatës “Vatra” në Bronx, nën moderimin e poetes Ilirjana Sulkuqi. Mbaj mend se po atë ditë unë dhe disa gra të tjera u pranuam anëtare të “Vatrës”. Kryetar i “Vatrës” atë kohë ishte i ndjeri Ing. Agim Karagjozi. E kam pas dërguar për botim edhe në anglisht tek gazeta “New York Times” por nuk kam dijeni nëse është botuar apo jo. Pra prezencën time më datë 11 shtator 2001 e kam bërë të njohur për opinionin publik qysh atë kohë.
Përkujtimi i 9/11/2001 tashmë është kthyer në traditë e vlerë historike nga Bashkia në Bronx edhe për brezat e rinj, ku mes viktimave që humbën jetën në krye të detyrës ishin edhe tre shqiptaro – amerikanët Mon Gjonbalaj, Roko Camaj dhe i riu Simon Dedevukaj, të cilët punonin si mirëmbajtës tek Kullat Binjake 110 katëshe në Manhattan.
Presidentja e Bashkisë në Bronx Vanessa L. Gibson, e cila mbështet fort të gjithë komunitetet në Bronx, pasi falenderoi organizatorët e kësaj ceremonie, forcat e rendit, policinë dhe të pranishmit në sallë i ftoi të gjithë pjesëmarrësit në koktejin e shtruar enkas për këtë event.