Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri bashkë me deputetin Albin Kurti që ishte edhe njëri nga protagonistët e protestës studentore të 1 Tetorit 1997 kanë bërë homazhe te varri i rektorit të asaj kohe, Ejupo Statovci, që po ashtu ishte në ballë të protestës.
Kanë vizituar edhe familjen e profesorit të ndjerë. E ka qenë kryetari Ymeri ai që për këtë ka treguar përmes Facebookut.
“Më 1 Tetor 1997, 19 vite më parë, studentët e Universitetit të Prishtinës, të prirë nga rektori Ejup Statovci, u ngritën kundër okupimit, aparteidit, fashizmit. Kjo protestë e studentëve ka domethënie të madhe për historinë e Kosovës. Ishte ajo që ngulmonte në angazhim kolektiv, bashkim në përpjekje për çlirim nga Serbia e për barazi mes nesh”, ka thënë Ymeri, teksa ka shtuar se ajo gjithashtu ishte dëshmi që në Kosovë ka një popull të vendosur kundër shtypjes, të guximshëm kundër dhunës, që janë të gatshëm për sakrificë e të bashkuar për liri e barazi.
“Profesori Ejup Statovci ngërthen figurën e intelektualit të angazhuar. Intelektualit që e drejton vullnetin e popullit përkundër vështirësive të kohës. Guximi i tij për të marrë përgjegjësi dhe për të qenë në ballë të protestës studentore ishte i shembullt. Profesori Ejup Statovci u arrestua disa herë nga policia e Serbisë”, ka shtuar Ymeri.
Sipas tij, rezistenca e studentëve nuk do të ishte e plotë pa angazhimin e profesor Statovcit.
“Ai fatin e tij individual, nuk e shihte jashtë rrethanave dhe fatit të popullit. 1 Tetori 1997 ishte kthesë në histori, ishte Ngjarje. Kështu, jehona e tij është e zëshme edhe sot”.

Komentet