Adem Zaplluzha lindi në Prizren më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatra : Studenqan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha fëmijërore. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “PIONERI”, me 1957.
Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës formoi grupin letrar : “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja : “Ngjyra e kohës”, në të cilën u botua një numër i poezive të tij. Veç krijimeve që i publikoi në revistat për fëmijë botoi edhe nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës.
Ka qenë befasi e vërtetë takimi im me poezinë e poetit nga Kosova, Adem Zaplluzha!Kohë më parë, në prag të Manifestimit Tradicional “ Ora e Poezisë” që tash katër edicione zhvillohet në Tropojë, e kisha ftuar të merrte pjesë ,së bashku me disa poetë, ndër më të njohurit e Kosovës, pasi kisha lexuar disa poezi mbresëlënëse prej tij dhe isha surprizuar nga numri i madh i publikimeve të tij letrare.E prisja me kërshëri, por edhe me detyrimin ndaj veprës së tij letrare, këtë përshtypje e ndava edhe me miqtë e mi, të cilët më folën me respekt për këtë poet dhe veprimtarinë e tij. Ai nuk mundi të vinte për shkaqe të ndryshme dhe letërkëmbimi im korrekt me të, veçse sa e thelloi nevojën që në një mënyrë apo në një tjetër ta njoh dhe të kontaktoj me autorin e 93 publikimeve poetike në harkun e 56 viteve.
Rasti e solli, që me bujari dhe respekt, autori të më sjellë librin e tij më të ri, ta kem në duar, ta lexoj, ta ndjej natyrshëm ritmin dhe tharmin e poezisë dhe të kontribuoj sadopak në sendërtimin e strukturës së tij solide, e cila mbante një peshë të madhe të mesazhit poetik, social dhe patriotik, harmonizuar në mënyrë adekuate me figuracion tronditës, frymë realiste dhe freski të çuditshme të motiveve dhe trajtave poetike.Aty është fati historik i atdheut, fëmijëria rebele,shpirti i baladave,koha e arkeologëve, kalërimi në rrugët e ëndrrave,loti i hijes së barit,gjëma e barotit,refrenet e duarve të varfra të lypsarëve,shijet e harruara të rinisë, humbja e gishtave të butë të dashurisë, nostalgjia e natës së vendlindjes, shpresa e një bime të porsa mbjellë…
Një kaleidoskop ngjyrash, fatesh dhe personazhesh, ku çdo lexues mund ta gjeje një pjesë të vetes, të mendojë, gëzojë dhe zhgënjehet bashkë me poetin, shpesh të bëhet njësh me shpirtin dhe ndjenjat e tij, të shndërrohet në një natë të gjatë përjetimesh të lumtura, por edhe protestash njerëzore, ku fjala e tij është zëdhënësja më e mirë dhe mishërimi perfekt i të qenit të angazhuar me fatet e atdheut dhe fatet personale të ditës që shkoi dhe të asaj që vjen.A s’është në fund të fundit ky misioni fisnik i poetit të kohës tonë, të evokojë, dashurojë, vuajë, thërrasë dhe përjetojë së bashku me lexuesin e vet, ani pse shpesh, ah’ sa shpesh, thirrjet e tyre humbasin pa gjurmë në tymnaja turbulluese të kohës, ku politika e mbrapshtë dhe varfëria mundin shpirtin bujar të poetit dhe ftohin lexuesin e tij në angazhimin e përbashkët për një jetë dinjitoze?!
…as mushkonja nuk paska
Se ku të ngjyejë thimthin e uritur!
Klith poeti në protestën e vet, në përjetimin realist dhe bashkëkohor dhe tonaliteti më i lartë ndjehet në ciklin e parë të librit me titull:”Kalaja që ecën kah e nesërmja’’Kalaja është qyteti i motmoteve të vrazhdë të luftës dhe i ditëve të trazuara të lirisë, që pashmangshëm shkon vetëm kah shpresa, kah drita e re që ngazëllen zemrat e praruara.
…mëso si ta shuash dhembjen
Kur krahasohet me atë të gurit
Gatuaj bukën e përditshmërisë
Me lotin e hijes së barit…
Mbi peshën e moshës, përvojës dhe të qenit bashkëbisedues gjysmëshekullor dhe tejet aktiv me lexuesin e vet, poeti Zaplluzha ja lejon vetes të mbartë dhe përcjellë poetikisht dhe emocionalisht disa të vërteta njerëzore, për të cilat ndonjëherë njeriu i zakonshëm ndihet i luhatur dhe mosbesues, në mënyrë figurative vargjet e tij janë gurët e rëndë të një ure prej dhembje, trishtimi dhe gëzimi çmendurak, që dukshëm e afron këtë poezi nga rilindasit tanë, po aq sa edhe afër Migjenit, fryma e të cilit të duket se shket papritmas në ndonjë varg a rrokje si puhizë që shkund kujtime dhe shpresa:
…Ishte vonë
Shumë vonë kur mësuam
Për vdekjen e perëndive
Asnjë totem nuk kishte mbetur
Në sarkofagun e shakullinës…
Heronjtë e zakonshëm, të prekshëm dhe krejt të besueshëm në aktin e tyre për atdheun si Mic Sokoli, të varfrit me shikime tej shpuese, trenat e verbër të halleve të ditës, piskamat e lutjes nëpër kalldrëmet e gurta ku s’gjenden veç ashte’, janë kësisoj paralele sa të rastësishme, por po aq të prekshme dhe të besueshme si dikur.
Kohërat në librin e Adem Zaplluzhës ndërrohen pikërisht përmes sensit të afirmimit të fatit historik të popullit të tij, ndërtuar nga shumëzimi i fateve dhe ndodhive të çdo dite njerëzore, që kapet në perceptimin e thellë të autorit dhe transmetohet në metafora të mrekullueshme, të pahasura më parë diku tek një autor apo vepër tjetër, autenciteti dhe origjinaliteti i tyre përbën vlerën më të madhe të librit, përpos tematikës fine të shkrirë në një rrjedhë kronologjike, që i siguron lexuesit vëmendjen e shtuar dhe ritmin deri në fund të librit:
…Kapelën e shqyer të erës
E hodha në lumë
Po ashtu edhe këmishën time
E vara në kujtesë
Si një copë të dhembjes së djeshme…
Gjithçka, si në një shtjellë e erës së bjeshkës sillet kah atdheu, nocioni i atdheut krejt natyrshëm frymon ne motivet epike dhe lirike, mbi atë’ ndërtohet kuptimi dhe lidhja e tre pjesëve apo cikleve, ai simbolizohet si ndjenjë e ngrohtë, si dhembje e pareshtur, si dashuri e vjetër dhe e re, me të mirat dhe të këqijat e udhëtimit historik prej gjeneze e deri më sot, si një re e kaltër, si një shpresë, si nostalgji e fundit:
…Pushkën dhe malin i pate në zemër
Sa herë që të ftuan
Nuk prite thirrjen e dytë
Por si një bajloz i bardhë
Dole në bejleg
Ti varri i im
Dhe atdheu im i paçmuar !
Poeti në çdo varg dhe në çdo fjalë rrëmon në kujtesën njerëzore dhe atë kolektive kah angazhimi i prosperitetit të individit dhe të atdheut së bashku , përtej çdo note prej moralisti të mërzitshëm, ai sjell një poezi me peshë të rëndë, që sigurisht ndjehet dhe shijohet jo bash menjëherë sapo e lexon atë, por të mëshon ndjenjave të përziera pas një pauze meditative, kjo dëshmon maturinë dhe cilësinë e saj, vargjet janë mesazhe, fjalët sikur trokasin me trokthin e kuajve të erës, era është koha e re e shqiptarëve që rrjedh me shpresë dhe me dritën fatthënëse të shekullit të ri, me emrin e lirisë, pavarësisë dhe dashurisë. Pavarësisht moshës, poeti gëzon dhe lumturohet si një fëmijë i lumtur!
… Ne të gjithë një ditë
Do të vdesim
Por secili mënyrën e vet
Do mbërrijë në shtegun e fundit
Ashtu siç jetoi …
Një libër që meriton radhën që ka, nderon më tej emrin e poetit, të vendit ku ai frymëzohet dhe jeton, por edhe të lexuesit që ka fatin ta ndeshë rrjedhës së jetës dhe të përballet me faqet e tij si me faqet e një stine të bukur përplot ngjyra!
Zaplluzha paste drite . Nje poet i vertete, prodhues dhe shume figurativ, shume cilesor.
Nje njeri i mire dhe shume mirenjohes.
Ngushellime familjes
Thone se: “Njerzit e mire Zoti i merr para kohe!” E kete thanje sot e verteton shkuemja Yte o Adem ne Amshim! Pac Driten e Asaj jete i dashtun Vlla e Mik i shtrenjte, o Atdhetar besnik i Skanderbeut!
I piklluem thelle ngushlloi Familjen dhe Miqt’ e Ademit dashtun!