Sot u bënë 90 vite nga dita kur u vra politikani dhe patrioti i madh shqiptar Hasan Prishtina! Janë disa data që e përkufizojnë jetën dhe vdekjen e tij, meqë sivjet janë bërë 150 vite nga kur ka lindur Hasan Prishtina më 1873, 90 vite nga kur ka vdekur më 13 gusht 1933, kurse dje u bënë 111 vite nga dita kur kryengritësit e tij kosovarë e çliruan Shkupin, më 12 gusht 1912.
Më 13 gusht 1933, Hasan Prishtina u vra në Selanik të Greqisë nga Ibrahim Çelo, një i njohur i tij. Rrethanat e vrasjes së tij njihen nga një artikull i një dite më pas i botuar në gazetën greke “Maqedonia e Re”, nga e cila kuptohet që më 13 gusht, rreth orës 14:00, Hasan Prishtina u vra në një atentat aty ku kryqëzohen rrugët Çimisqi dhe Vogaxhiku, nga Ibrahim Çelo, një shqiptar 38 vjeçar me të cilin viktima ishte duke biseduar në ecje e sipër.
Rreth gjashtë vite më parë, më 31 janar 1928, një tjetër shqiptar po me emrin Ibrahim, Ibrahim Lisi nga Kruja, kishte dështuar ta çonte deri në fund një plan atentati ndaj Hasan Prishtinës në Vjenë. “Kuburja e tiranvet e gjoksi i patrjotvet” ishte titulli i artikullit të gazetës opozitare “Ora e Shqipnisë” që e denonconte këtë atentat të dështuar mbi Hasan Prishtinën, me një fotografi të tij në ballinë.
Ajo ishte kohë atentatesh, kur eliminimi fizik, ishte një metodë e luftës ndaj rivalëve politikë. Vetë Hasan Prishtina kishte përcjellë në varr disa nga shokët e tij më patriotë të vrarë në atentate politike. Ashtu siç kishte qenë rasti me Luigj Gurakuqin, i vrarë më 2 mars 1925 në Bari të Italisë, ku në varrimin e tij, Hasan Prishtina kishte mbajtur një fjalim në të cilin fjalët e tij për Luigj Gurakuqin, mund t’i lexojmë ne sot me po të njejtën vërtetësi edhe për vetë Hasan Prishtinën:
“O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta. Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti!”
Me këto fjalë të Hasan Prishtinës për Luigj Gurakuqin, ku ai duket se e ka parandjerë edhe vrasjen e vetë atij, le ta kujtojmë këtë politikan aq autentik, patriot të paepur, artikulues i të drejtave të shqiptarëve dhe zë i tyre, prijës kryengritjesh për liri dhe lider largpamës. Vërtetë jetojmë në kohëra të tjera, por ai ende është një personalitet për t’u pasuar, sepse figura e Hasan Prishtinës është më e kulluara dhe më e kompletuara në historinë politike moderne të shqiptarëve!