Vepra e Kristoforidhit mund të ndahet në tri kategori: përkthime fetare, shkrime për shkollat, vepra shkencore.
Përkthime: Kristoforidhi qe një shqipërues i zoti, i cili përktheu në të dy dialektet e shqipes “Dhiatën e re“ (1866-1879). Po kështu ai përktheu edhe “Psalterin” (1868-1872). Disa pjesë të “Dhiatës së Vjetër” i përktheu vetëm në dialektin toskë. Këto përkthime përçojnë vlera gjuhësore.
Shkrimet shkollore: “Abetarja” (1872) u botua në të dy dialektet. Shërbeu për leximin e librave të tij por edhe për përhapjen e arsimit në masë.
“Gjahu i malësorëvet” , shkruar më 1884, i cili u botua pas vdekjes së tij, më shumë se një tregim këtu kemi të bëjmë me përshkrimin e gjahut.
“Gjahu i malësorëve” shquhet për gjuhën e tij të thjeshtë, konkrete, të pasur dhe të pastër. Ai mundohet të përdorë sa më shumë shprehje e lokucione që të mund të pasurojë leksikun e të vegjëlve. Ja një shembull: “Pa dëgjoni, o gjahtarë, qerthulloni atë pyllë që keni përpara, qarkonte dendurë, mos na shpëtonjë gjë e gjallë pa vrarë: zini pritatë (pusitë) gjithë se cili prej jush dhe qëndroni njëzet e pesë çapa (hapa) këmbësh lark njëri prej tjetrit, mos shtini m’bije se vritni shoku shoqinë, po shtini drejtë: lëshoni qent’ e langonjtë ndë pyll të bien pas erësë e të çojn’ egërsiratë nga
shtrofqetë edhe kur të dëgjoni zën’ e trumbetësë madhe prej bririt kaut që do bie unë, atëherë zbrasni pushkëtë të gjithë për një herë e ndërseni qentë e klëthitni që të tremben’ egërsirat’ e pyllit e të dalnë jashtë, edhe mbë ç’anë të ia mbajmë epuni zë shoku shoqit, duke i rënë trumbetësë. Shkoni pra, i zini pritatë e mos luani vendit fare, qendroni si burra të fortë, gjuhani si gjahtarë të mirë, armëtë mos i nxini.” ( .Kristoforidhi , K. “ Gjahu i malësorëve” Sh.Bot. “ Naim Frashëri” , 2002 f. 16)
Shkrime shkencore:
Ndër këto shkrime vetëm dy u botuan, gramatika dhe fjalori.
Gramatika e cila u botua në vitin 1882, është një gramatikë me dialekt toskë, e shkruar në greqisht. Vepra dëshmon se Kristoforidhi kishte njohuri të shëndosha për shqipen.
Fjalori është vepra më madhore e Kristoforidhit, dhe një ndër më të rëndësishmet të gjuhësisë shqiptare . Punën për këtë vepër Kristoforidhi e nisi herët, që kur shëtiti shqipërinë me Hanin. Fjalori është dygjuhësh: greqisht-shqip dhe bazohet në të dy dialektet e shqipes. Fjalori ka rreth 12000 fjalë.
Kristoforidhi dhe gjuha
Gjuha e Kristoforidhit nuk ndryshon nga ajo e rilindësve, ndaj dhe me të drejtë ai u cilësua si “babai” i gjuhës shqipe. Ai, si të gjithë rilindësit e tjerë, mendonte se gjuha ishte një mjet bashkimi për shqiptarët e çarë dhe të përçarë në atë kohë dhe se fakti se ekzistonin dy dialekte me të folmet e tyre si degëzime të një trungu, nuk përbënte ndonjë ndarje, por bashkim të shqiptarëve. Kristoforidhi e vërtetoi këtë me përkthimet dhe me veprat e tij origjinale. (Shuteriqi , Dh.“Histori e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1958 f.112.)
Duke shkruar në dy dialekte, Kristoforidhi jo vetëm tregoi se këto janë variante shumë të afërta të një gjuhe unike, por edhe se nga këto dy variante mund të kalohet e duhet të kalohet në një normë unike.
Përpjekjet e tij u përqendruan në këto drejtime:
Të shkruajë një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, duke u munduar t’i afrojë dialektet e shqipes.
Ta pasurojë gjuhën shqipe nga fjalët e huaja, duke e pasuruar atë me fjalë të reja të burimit shqip.
Një punë të madhe Kristoforidhi bëri për afrimin e dy dialekteve. Po të bëjmë një krahasim mes dy dialekteve te “Gjahu i malësorëve” vërehen këto tipare:
a) Në fonetikë: ashtu si në dialektin toskë, edhe në atë gegë ruhen diftongjet: ue, ie, ye.
Kjo përbën një pikë takimi mes dy dialekteve p.sh.: “Ay është i vëjyerë.” toskërisht , dhe gegërisht : “ Ai asht’ vëjyem’’
b) Grupet e bashkëtingëlloreve mb, ng, nd , nuk asimilohen, pra ruhen të plota në të dy dialektet p.sh.:
“e mbani vesh o shërbëtorë … të ngritni nesër herëtë…biemë në ndonjë tufë të madhe…. (toskërisht ); edhe mbani vesh o shërbëtorë…lëshoni qentë e langonjtë biem mbi ndonji tufë të madhe…
( 5.Kristoforidhi, K. “ Gjahu i malësorëve” Sh.Bot. “ Naim Frashëri” , 2002 f. 36 )
c) (gegërisht)
d) Në dialektin gegë, në përgjithësi, në fund të fjalëve dhe para bashkëtingëlloreve t, m, faringalja l labializohet duke kaluar në f p.sh: shoh- shof, njoh-njof, ngroh-ngrof etj. “Ky ndërrim nuk shtrihet në mbarë gegërishten se në të folmen e Nikaj – Mërturit h dëgjohet në të gjitha pozitat e fjalës.“ Në veprën e Kristoforidhit alternimi i h-së në f nuk ndodh, ai parapëlqeu formën e përbashkët të dy dialekteve.
Në morfologji
Edhe në këtë fushë të gjuhësisë ai gjeti shfaqje të përbashkëta midis dy dialekteve.
a) Përdor rasën e ashtuquajtur vendore, që është karakteristike për shumë të folme të dy dialekteve p.sh.: mbi dhet nde malt, nde rrazet etj.
b) Në të dyja dialektet takohet përemri pronor tem, për vetën e parë numri njëjës, që siç dihet është karakteristikë për gegërishten.
c) Një dallim mes dy dialekteve të shqipes është sajimi i paskajores me forma të veçanta midis dy dialekteve. Në gegërishte kemi: me punue, ndërsa në toskërishte kemi formën e paskajores të tipit për të punuar.
Në vepër, krahas paskajores gege haset dhe afrimi mes dy dialekteve që bën Kristoforidhi, forma: për të punue. (Karapinjalli, M. “ Kërkime dhe Studime…2001” f. 120)
Në sintaksë
Vihet re se në të dyja dialektet përdoren po ato parafjalë dhe me po ato funksione. Ndryshime vërehen në ndërtimin e rrethanorit të vendit me parafjalën prej, në dialektin e gegërishtes dhe me parafjalën nga, në dialektin e toskërishtes.
P.sh.:
Gegërisht
“Edhe ata e shkëputnë lepurin prej dhambësh qent.”
Toskërisht
“Edhe ata e shkëpusinë lepurinë nga dhëmbët e qenet”
Në leksik dallohen këto fjalë mes dialekteve:
Gegërisht Toskërisht
të ngartëtë të mjerëtë
ka cofune ka ngordhunë
përnjiherë sa kaq herë
katund fshat
trembet friket
uturinte ulurinte
Fjalët e gegërishtes nuk janë për gjithë veriun, por për disa të folme. Nga sa shihet, Kristoforidhi është një njohës i mirë i dialekteve të shqipes. Ai është munduar të përdorë në të gjitha variantet format më të përgjithshme.
Duke pasqyruar me besnikëri gjendjen reale të gjuhës, për Kristoforidhin dialektet e shqipes janë shumë afër njëri-tjetrit.
Për sa vërehet, mund të themi se Kristoforidhi hapi një etapë të re në gjuhësinë shqiptare: kontribuoi në hedhjen e themeleve për një gjuhë standarde që të afronte dy dialektet. Ndaj edhe sot pas kaq vitesh vepra e tij është pikë referimi për çdo gjuhëtar.