Familja jonë kishte një traditë të luftës kundër pushtuesve ku qysh nga Lidhja e Prizrenit, në luftrat e Palvë-Gucisë dhe deri më sot, 23 djem të fisit Buçpapaj kanë rënë deshmorë në tokë të Kosovës. Kështu që hapja e minierës së kromit në Kam nga pushtuesit italianë u konsiderua nga malsorët si vjedhje e pasurisë tonë kombëtare të cilët organizuan një sulm të armatosur ku mori pjesë edhe xhaxhai ynë Fazliu, bashkë me kusherinjtë tanë Selim Braha dhe Halil Beli etj. Regjimi fshasit u vu në ndjekje të tyre dhe xhaxhai doli në mal, ndërkohë që familja u lidh me resistencën antifashiste.
Fashistët italianë, në prag të dimrit 1942-1943, si hakmarrje, vendosën të digjnin kullën tonë, si pjesëmarrëse në resistencën antifashiste dhe si strehuese e luftëtarëve të lirisë. Ata dogjën stallën e bagëtive ndërkohë që mbushën me sanë dhe me kashtë misri gjithë ahurin e shtepisë së madhe të Buçpapajve për t’i vënë edhe asaj flakën. Por Xhemajl Bubrreci, vetëm 16 vjeç, bashkë me Isa Selim Bajraktarin (djalin e hallës) ua nisën pushkën. Italianët u detyruan t’iu përgjigjën dhe i ndoqën të dy deri në Mollë të Kuqe (Bujan), por pa rezultat. Shtëpia e madhe shpëtoi nga zjarrvënia, ndërsa familja nuk ishte e sigurt, kështu që u vendos në Iballë të Pukës, tek dajët e babës, deri në pranverë.
Me formimin e këshillave të para Nacionalçlirimtare, babai u zgjodh sekretar për Tplâ-Dushaj, ndërsa kryetar u zgjodh Hoxhë Dusha.
Me nënën time Gjylë Ismail Meshi babai u martua më 1 janar 1944. Pjekja, përcjellja e nuses nga fshati Kosturr i Hasit, u bë në fshatin Shëngjergj në breg të Drinit. Në pjekje mungoi miku i shtëpisë Din Zenel Bajrakari, i cili ishte delegat në mbledhjen e Konferencës së Bujanit, mungoi edhe djali i tezes së babait, Selim Braha, i cili ishte rojë tek shtëpia e Sali Manit, ku mbahej konferenca. Ata erdhën në ditën e dytë të dasmës.
Më 1944, familja jonë u denoncua se mbante dhe shpërndante trakte partizane. Nazistët, pasi bastisën gjithë shtëpinë e nuk gjetën gjë, i rreshtuan të madh e të vogël para popullit. Azai i fshatit, Ahmet Alia (Ponari) garantoi se denoncimi ishte i rremë dhe e shpëtoi familjen tonë nga rreziku.
Më 1945 babai u zgjodh kryetar i këshillit Nacionalçlirimtar për fshatin Tplà- Dushaj. Këtu filluan përplasjet e para midis babait dhe pushtetit komunist.
Atë vit Fazli Bubrreci, vëllai i madh i babait, një ndër luftëtarët e parë të lirisë në Tropojë, komandant skuadre në Brigadën XXV Sulmuese, ra në burg në Shkodër. Atë e shoqëronte një dosje nga Jugosllavia, e tëra në serbisht. Babai iu mori vërtetime të gjithë bashkëluftëtarëve të xhaxhait dhe xhaxhait iu dha pafajësia.
Një ndër masat e para që u muarën pas vendosjes së pushtetit komunist ishte dorëzimi i të gjitha librave të autorëve reaksionarë në qendër të rrethit. Kështu që babait dhe vëllait të tij iu desh të mbartte me kuaj librat dhe t’i dorëzonte, sipas urdhërit, të cilat komunistët i dogjën. Shumicën e këtyre librave siç ishin ato të Fishtës dhe shkrimtarëve katolikë të veriut, por edhe shumë përkthime, ishin shpallur nga regjimi komunist të ndaluara.
Në kuadrin e shtetëzimeve, babai dhe dy ortakët e tij u detyruan të mbyllnin dyqanin privat. Dyqani i parë shtetëror u hap vite më vonë.
Ndërkohë baba si një njeri me talent dhe kurajë kishte hapur punishten e parë të përpunimit të leshit në Tropojë me të cilën fitonte shumë. Ai i bëntë përpunimin bazë në Tpla dhe pastaj e dërgonte në Shkodër ku e shiste me çmim më të lartë. Po kështu kishte hapur edhe punishten e parë të përpunimit të qumshtit (për nxjerrjen e gjalpit) në krahinë, ku përsëri siguronte të ardhura nga vetë porositësit dhe nga fermerët. Ai kishte plane për të zgjeruar biznesin e tij, por regjimi komunist erdhi duke e ngushtuar pronën private deri në zhdukjen e saj.
Babai ra në mospajtim të thellë me regjimin, kur pushteti në qendër të rrethit, pasi e kishte shpallur dëshmor xhaxhain e vogël Halil Bubrrecin, korrier i formacioneve të lirisë, vrarë në verën e vitit 1944 në bjeshkë, me argumente të paqëndrueshme ia hoqën këtë titull.
Në ato vite, të cilat quhen edhe periudha e Koçi Xoxes, ndodhte që malësorët arrestoheshin në shtëpitë e tyre dhe vriteshin gjatë rrugës për në qendrën e rrethit me pretekstin e orvatjes për arratisje. Edhe ata që i shpëtonin plumbit, rriheshin derisa bëheshin pelte. Akuzat më të shpeshta ndaj malësorëve në atë kohë ishin për fshehje armësh, për strehim të të arratisurve kundër regjimit ose pse iu dërgonin ushqim dhe veshje në mal. Babai, në të gjitha rastet, i shoqëroi vetë të gjithë të arrestuarit deri në qendër të rrethit. Madje edhe iu dilte zot duke argumentuar se ishin krejtësisht të pafajshëm. Akuzat, pothuaj në tërësi, ishin të pabaza, thjesht bëheshin për hakmarrja të vjetra.
Më 1949 babai shkoi vullnetar në fazën përfundimtare të tharrjes së kënetës së Maliqit. Atje punoi murator në kanal, në ujëra të ftohta dhe u kthye në shtëpi i sëmurë, në një gjendje të tillë që askush nuk e njihte as nuk i besonte se ishte vërtet ai, Mehmet Bubrreci. U paralizua pothuaj plotësisht nga të dyja këmbët. Rastësisht shpëtoi pa e prerë njërën këmbë. Ishte në sallën e operacionit, po debatonte me mjekët ngaqë nuk pranonte ta bënte operacionin me narkozë, kur erdhi lajmi se ishte miratuar kura dhe kishin ardhur medikamentet e porositura UNRRA-s nga Spitali Civil në Tiranë. Kurimi do të vazhdonte gjatë. Çdo vit të paktën një muaj e kalonte në spital. Deri vonë në shtëpi janë ruajtur patericat të cilat i përdorte në atë periudhë. Më vonë, për disa vite të tjera, lëvizte me bastun. Në këtë periudhë, duke mos pasë shumë shpresa te shërimi i plotë, bleu një makinë qepëse dhe vendosi të merrej me rrobaqepësi. Në shtëpinë tonë, deri vonë ndodhej makina qepëse të cilën babai e pati përdorur vetëm për pak vite.
Në këtë kohë ra në burg për herë të dytë xhaxhai i madh, Fazliu. Këtë herë akuzohej për agjitacion e propagandë. Më 1948, pas prishjes me jugosllavët dhe mbylljes së kufirit më Kosovën, u pa qartë se ajo i kishte mbetur Serbisë. Xhaxhai i madh Faslia e akuzoi publiksht Enver Hoxhën se e kishte tradhtuar Kosovën dhe vetë luftën çlirimtare, pasi ai dhe tre vellezërit e tij, si shumica e malësorëve të Tropojës, u ishin bashkangjitë radhëve të Brigëdës XXV Sulmuese për të Çliruar Kosovën nga nazistët dhe bashkuar me Shqipërinë. Këtë koncept e shprehte edhe rezoluta e Konferencës së Bujanit, por tani bashkë me Kosovën i kishte mbetur Serbisë edhe Gjakova një qytet jetik për Malsinë e Gjakovës. Xhaxhai deri sa vdiq kur merzitej e këndonte këngën e njohur në Malsi “Hajmedet se u mshel Gjakova.”
Për këtë xhaxhai u dënua me 15 vjet burg politik. E kishte vënë në shenjestër kryetari i Degës, Kopi Nika, një nga xhelatët më të mëdhenj të diktaturës. Babai takoi sërish të gjithë bashkëluftëtarët e xhaxhait dhe ua mori deklaratat e tyre. Takoi edhe dëshmitarët dhe ata i ndryshuan dëshmitë e tyre. Xhaxhai u dënua përfundimisht vetëm me një vit burg. Por qëndroi dy vite në burg, meqë vendimi i Gjykatës së Lartë, kishte mbetur nëpër shkresat e sekretarisë së burgut dhe vetëm një kontroll nga lart e zbuloi shkresën për lirimin e xhaxhait.
Xhaxhai i madh, Fazli Bubrreci, u trajtua krejt padrejtësisht nga pushteti në fshat dhe në rreth deri në fund të jetës si i dënuar politik me 15 vjet burg. Në të gjitha biografitë tona zyrtare, xhaxhai figuronte si i dënuar 15 vjet me burg politik. Politika zyrtare në Tropojë konsideroi se familja jonë, me qëndrimet e pasluftës, e kishte mohuar luftën e bërë prej saj. Kështu që, në historikun e Luftës Nacionalçlirimtare të Tropojës, të përfunduar në vitet 1980, roli i familjes sonë në Luftën Nacionalçlirimtare ishte reduktuar vetëm tek emri i gjyshes, Shkurtë Isufi, si nënë që kishte pritur dhe përcjellë partizanë. Në një kohë që dy xhaxhallarët, Ali Bubrreci dhe Xhemajl Bubrreci, merrnin pension veterani, sepse, me dokumente vërtetohej se ishin pjesëmarrës vullnetarë të Luftës Nacionalçlirimtare. Këtë përcaktim e kishin të gjithë ata që kishin marrë pjesë në formacione para 24 majit 1944, Kongresit të Përmetit. Pas asaj date të gjithë pjesëmarrësit në këto formacione, nuk ishin më vullnetarë, por ishin rekrutë të mobilizuar dhe pjesëmarrja në formacione iu quhej kryerje e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në këtë kategori të fundit hynin të gjithë pjesëmarrësit në Brigadën XXV sulmuese, me luftëtarë kryesisht nga Tropoja dhe Hasi.
Kjo ishte në padrejtësi ekstreme ndaj familjes sonë, një nga ato deformime flagrante të cilat e kanë lënë Tropojën pa një histori lokale të saj.
Më 1953 në Tplâ u krijua kooperativa bujqësore, e para në Tropojë dhe një ndër të parat në veriun e vendit. Një vit më parë katër vëllezërit- Fazliu, Mehmeti, Aliu, Xhemajli ishin ndarë. Ngaqë toka e cila i takoi babai ishte disi më larg, atij nuk i takoi pjesë nga shtëpia, kështu që filloi ndërtimin e shtëpisë së vet. Tre vëllezërit e tjerë u përfshinë ndër të parët në kooperativë.
Nëna ime, falë shëndetit fizik e formimit të saj shpirtëror dhe edukatës përkryer nga familja prej së cilës vinte, nga Meshajt e Kosturrit, do të ishte krahu i djathtë i fuqishëm i babait në të gjitha sfidat. Ajo përballoi me dinjitet barrën e shtepisë dhe rritjes së fëmijëve, por edhe rënien e vëllait të saj Isuf Meshi në burg politik për 25 vjet.
Babai kërkoi pension invaliditeti. Iu desh të bënte letra deri në kreun e vendit. Sapo i plotësoi dokumentet për pension, ra një zjarr në komitetin ekzekutiv të rrethit dhe u dogj çdo dokument, ndër të tjera edhe dokumentet e pensionit të babait.
Kjo, por edhe formimi i tij për ekonominë e lirë të tregut, ndikoi në vendimin e patundur të babait për të mos u bërë anëtar i kooperativës bujqësore dhe kjo e vuri gjithë familjen tonë në qendër të luftës së klasave në fshat, shumë më egërsisht se ndaj kulakëve, ish-kulakëve, të burgosurve politikë apo ish të burgosurve politikë të fshatit. Këta hynë në kooperativë sapo iu dha shansi i parë. Dhe ishin më të bindurit ndaj vijës së partisë. Nga vitet 1960 Tplâni u bë edhe qendër internimi. Edhe ndaj të internuarve udhëheqja e Tplànit mbante qëndrim dukshëm më të butë se ndaj familjes sonë.
Kam qenë i vogël kur kryetari i kooperativës, bashkë me udhëheqjen, erdhën në oborrin e shtëpisë sonë. Doli babai, dola dhe unë. Kryetari i kërkoi babait të anëtarësohej në kooperativë dhe ia kujtoi se ishte i vetmi që nuk e kishte bërë këtë gjë në fshatin tonë. Babai kundërshtoi me vendosmëri: “Unë jam një njeri i sëmurë, invalid pa pension, kam shumë fëmijë. Kooperativa nuk mund të na mbajë.” Ia përmendi kryetarit disa familje që kishin dorëzuar plot toka e bagëti e, në pak vite, ishin katandisur në mjerim. “Nuk mund t’i lë edhe fëmijët e mi të vdesin urie,” këmbënguli babai. Kryetari kërcënoi: “Unë do ta marr tokën tënde dhe shtëpia jote do të bëhet strehë e traktorëve të SMT-së!” Kryetari ishte nga një familje me të cilën ne kishim gjithmonë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore. Ai e dinte gjendjen shëndetësore të babait. Në vizitën e Enver Hoxhës në Tropojë më 1952, ai i kishte kërkuar atij dy gjëra: Që Tplâni të bëhet kooperativë bujqësore dhe që Mehmet Bubrrecit, të sëmurë në tharjen e kënetës në Maliq, t’i jepet pension invaliditeti. Enver Hoxha ia kishte pranuar të dyja kërkesat.
Dimrin e 1962-1963 babai e kaloi në Spitalin Civil Nr. 1 në Tiranë. Unë dhe ai shkëmbyem letra gjatë atyre muajve. Babai iu jepte shumë rëndësi letërkëmbimeve, si mënyrë për të mos e ndërprerë komunikimin me njerëzit e rëndësishëm të jetës. Unë nuk e trashëgova këtë cilësi nga babai.
Si djali i madh që isha, e gjithë shtëpia ishte nën përgjegjësinë time. Mua ma lehtësoi përgjegjësinë gjyshi nga ana e nënës, Zmajl Isuf Meshi, një luftëtar trim i Bajram Currit në kryengritjet për çlirimin e Kosovës dhe ngritjen e Flamurit kombëtar në Shkup me 13 gusht 1913.
Megjithëse në moshë të shtyrë (në vitin 1967 u nda nga jeta) prania e tij gjatë atyre muajve ishte shumë e rëndësishme. Babain nuk e kam parë kurrë më të trishtuar se atëherë, kur sapo kishte dalë nga spitali.
Në verën e vitit 1963 kryetari i kooperativës vendosi që të mos e lejojë ujitjen e arave dhe livadheve tona. Babai shkoi te kryetari i lokalitetit Halil Breçani dhe iu ankua. Ai ia dha një shkresë ku urdhëronte kryetarin e kooperativës të na e lejonte radhën e ujit. Kryetari i kooperativës nuk deshi t’ia dinte. Babai shkoi te kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit Mehmet Rama dhe iu ankua. Edhe ai ia dha një shkresë ku e urdhëronte kryetarin e kooperativës që të na e lejonte ujin. Kryetari i kooperativës nuk deshi përsëri t’ia dinte. Prej atëherë ne nuk na u lejua uji i vaditjes në tokën tonë. Kështu që rendimenti i prodhimit binte shumë. Dhe ne detyroheshim të shisnim bagëtinë për të blerë drithë.
Në pranverën e vitit 1967, në kuadrin e revolucioni maoist që u zhvillua edhe në Shqipëri, familja jonë u vu përsëri në qendër të luftës së klasave. Organizata e rinisë e kooperativës me sekretar K. Rr. dhe zëvendëssekretare B. A. na e vunë një fletërrufe në derën e shtëpisë, e madhe sa e gjithë dera. Përveç refuzimit të vendosur për të mos hyrë në kooperativë, motra ime e madhe ishte martuar me nipin e Tahir Hoxhës së Gashit, ish-oficer i Monarkisë, që në Konferencën e Pezës bashkë me krahun nacionalist të Abaz Kupit u ndanë nga krahu komunist, duke mbetur armik i tij. Pas luftës ai u arratis në Kosovë dhe trajtohej si armik i regjimit, edhe pse ishte një patriot dhe nga një familje e shquar patriotike e Malsisë dhe e Kosovës (Baba i tij Abdullah Hoxha një nga udhëheqësit e kryengritjes antiosmane më 1909 u var nga turqit në Gjakovë bashkë me Shaban Binakin e Krasniqes), ndërsa i vëllai Sadik Hoxha një klerik i nderuar qëndroi në fshatin e tij, në Hoxhaj të Gashit.
Organizata e partisë urdhëroi që të mblidhej organizata e Frontit, me rend dite: Mehmet Bubrreci, për krushqi me reaksionarët, të dilte para gjithë popullit dhe të përjashtohej nga Fronti, pra të deklasohej edhe zyrtarisht. Babai im u mbrojt në mënyrë spektakolare. Dhe asnjë prej fshatarëve të thjeshtë që e morën fjalën nuk e sulmoi babën. Edhe kryetari i Frontit, Hysen Mehmeti, mik i ngushtë i babait që nga fëmijëra e tyre, i doli në përkrahje. Organizata e partisë e kooperativës dështoi plotësisht.
Familjes sonë, në verën e vitit 1967, iu ndalua të dilte në bjeshkë, siç bënim çdo vit, sepse, sipas tyre, duke qenë familje reaksionare, mund të arratiseshim. Selim Zenuni (Malaj), nga një familje me të cilën kishim lidhje të mira të përhershme, si dhe mik i ngushtë i babait që nga fëmijërira, u bë garant dhe ne dolëm në bjeshkë atë verë dhe verat e tjera.
Toka jonë iu bashkua kooperativës bujqësore vetëm në pranverën e vitit 1968, e fundit në fshat dhe në rreth, ndoshta e fundit apo ndër të fundit në shkallë vendi. Shtëpia dhe toka jonë, (arat dhe livadhet) ndodheshin në mes të fushës. Babai i mbillte arat tona me misër të bardhë, në mënyrë që ne fëmijët të mos guxonim të merrnim qoftë një kalli misri në arat e kooperativës, të cilat mbilleshin me misër të verdhë. Kështu që ne as vetë, as me bagëtinë nuk ia bënim asnjë lloj dëmi kooperativës. Ekonomia jonë ishte e mjaftueshme për të mbajtur kënaqshëm familjen tonë. Atë ne e kishim krijuar me djersën tonë nga më i madhi te më i vogli dhe askujt në botë nuk ia kishim nevojën as për gjënë më të vogël. Ne 10 fëmijët e rritnim njëri-tjetrin dhe ishim krah i fortë i të dy prindërve.
Babai kishte një formim të tillë shpirtëror që të mos kalonte asnjë ditë pa i bërë të paktën njëherë dikujt ndonjë të mirë. Njeri me duar të arta, nga ata që çfarë i shihte syri ia bënte dora, ai iu ndodhej fshatarëve në ndihmë që nga ndreqja e orëve të murit, tek riparimet e veglave bujqësore, tek riparimet e samarëve të kuajve e tjerë. Gjithçka e bënte falas dhe në mënyrë të përkryer.
Vazhdimisht abonohej në “Zëri i Popullit”, ose “Bashkimi”, biles për shumë vite babai kishte dërguar lajme për ngjarjet nga Tropoja për gazetën “Bashkimi”, duke qenë korrespondent vullnetar i saj.
Baba blinte librat e autorëve më të mirë të kohës duke bërë një bibliotekë nga më të pasurat në vend, pasion që e kishte trashëguar nga babai i vet dhe që e kishte ndjekur qysh prej viteve 1930 kur Gjyshi ynë Bubrreci Alia i merrte me autograf librat e Gjergj Fishtës dhe Hil Mosit në Shkodër.
Deri më 1970, në elektrifikimin e plotë të vendit as në fshatin tonë nuk kishte radio. Në vitet e para të krjimit të kooperativës, në qendrën e atëhershme në Arën e Butë, pranë Ponarëve kishte një radio me vajguri. Derisa ajo nuk punoi më, vazhdimisht një numër i madh fshatarësh grumbullohej dhe e dëgjonte. Ndonjëherë e dëgjoja unë.
Vetëm një vit më parë, më 1969, në 25 vjetorin e çlirimit të vendit, erdhën radiot kineze “Iliria” me bateri. Gazeta e përditshme ia mundësonte babait të merrte vesh politikën ditore të PPSH.
Në shtëpi babai mbante Kodet e ligjeve në fuqi (Kushtetuta, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kodi Civil, Kodi i Procedurës Civile, Kodi i Familjes e tjerë). Në fshat vinin nga rrethi juristë për t’ia shpjeguar ligjet e reja. Postieri i fshatit, njeri shumë i mirë dhe nga një familje shumë e mirë, e sillte lajmin edhe tek ne. Kur e pyesnin në udhëheqjen e fshatit a e lajmërove Mehmet Bubrrecin, postieri përgjigjej se se babai ia tregonte atij ligjet për të cilët bëhej fjalë: “Ja ku i kam ligjet për të cilët po më lajmëron.”
Nga Tplâni, por edhe nga fshatrat përreth, fshatarët që donin të zgjidhnin problemet e tyre duke iu drejtuar udhëheqjes në rreth apo në Tiranë, vinin te babai. Duke qenë njohës i ligjeve, ai ua hartonte letrat. Ngaqë nuk bëja gabime gramatikore, i shkruaja unë të diktuara nga baba. Ngaqë letrat kishin sukses, ata që kërkonin ndihmë nga babai vetëm shtoheshin.
Baba kishte fituar nga leximet nga kulturë juridike të mirë, por edhe kishte një prirje të lindur gjykimin dhe interpretimin e gjërave, konflikteve apo të çështjeve të ndryshme civile apo penale.
Ai kishte aftësi të rralla për ta mbrojtur një çështje apo paraqitur diçka si të mirë, apo për ta demaskuar dhe shkatërruar atë si diçka të keqe apo shumë të keqe. Fjala e tij dhe batutat e tij kishin shumë influencë për mirë apo për keq si në familje, por edhe në komunitet dhe shpeshherë këto krijonin probleme.
Kujtimin më të bukur me babain e kam nga një vizitë që bëmë bashkë me të, tek një mik i tij në Shkodër në ditët e fundit të vitit 1958 dhe ditët e para të vitit 1959. Shtëpia e mikut të tij ndodhej në Parrucë, afërsisht aty ku më vonë ndahej rruga për në konviktin e djemve të Institutit të Lartë të Shkodrës, ku ndodhej një librari e madhe, ku fillonte lulishtja dhe busti i Qemal Stafës dhe, pak më larg, Biblioteka e Shkodrës. Familja mikpritëse, një familje e bukur, përbëhej nga dy fëmijë (një djalë rreth 8 vjeç dhe një vajzë rreth 10 vjeçe) dhe nga çifti prindëror, i cili ishte rreth të dyzetave. Ata banonin në një apartament në katin e tretë të një pallati. Kishte rënë shumë shi dhe ato ditë e netë vazhdonte të binte. Uji i liqenit vinte gati deri në qendër të qytetit. Prindërit e fëmijëve dilnin herët nga shtëpia dhe ktheheshin vonë. Ne fëmijët dilnim shpesh në dritare dhe zbaviteshim duke parë automjetet, sidomos kamionët e mëdhenj, kur çanin ujin dhe përhapnin dallgë.
Nganjëherë dilnim në qytet me babain dhe mikpritësin. Shkonim te Kafja e Madhe. Mbaj mend Dervish Dashin, i cili nganjëherë dehej aq shumë sa i rrihte muret e kafes me bastunin e tij. Mua më bënin përshtypje të jashtëzakonshme tregu tejet i pasur fshatar, trumat karakteristike, biçikletat e shumta, sidomos fëmijët me biçikleta. I kërkova tim eti të ma blinte një biçikletë fëmijësh. Më bënin përshtypje të veçantë altoparlantët nëpër shtylla, ngado të shkoje, që transmetonin pa ndërprerë emisionet e radios. Më bënte përshtypje atmosfera e Vitit të Ri, me imitimet e kristaleve të borës nëpër xhame dhe dritat shumëngjyrëshe. Ndodhte që na zinte shiu dhe ne ktheheshim në shtëpi me pajtonë. Nga dritaret e vogla të tyre ne shikonim qytetin nëpërmjet shirave. Nuk mund të ketë në botë udhëtim më të rehatshëm më fantastik.
Kur isha student në Shkodër, e kërkoja me mendje shtëpinë ku kisha qenë mik. Aty ndodhej një pallat i madh tashmë dhe nuk kishte gjurmë të të mëparshmit. Babai nuk më kishte folur asnjëherë më vonë për fatin e asaj familjeje, me sa duket jo i mirë, si për shumëkënd në Shkodrën e asaj kohe.
Me Shkodrën që atëherë krijova lidhjet shpirtërore më të veçanta, sepse ishte qyteti i parë i vërtetë për mua dhe sepse asgjëkund nuk ka si Shkodra. Kur u kthyem në Tplà, mua më bënin pyetje pa fund për Shkodrën. Nganjëherë më mungonin përgjigjet dhe unë trilloja. Ishin trillimet e mia të para me qytet.
Një kujtim tjetër tejet i bukur me babain është i shumë viteve më vonë. Në pranverën e vitit 1977, në Godinën 14 të Qytetit Studenti, kur sapo ishim kthyer nga leksionet, më lajmëruan se po të kërkon babai, një e papritur e jashtëzakonshme për mua, sepse babai nuk më kishte ardhur kurrë tek dera e shkollës që nga klasa e parë e deri atë ditë.
Më tregoi se do të qëndronte vetëm pak orë në Tiranë. Vinte nga Shkodra ku pati bërë vizitë te okulisti dhe do të merrte syzet e reja te reparti optik. Ne shkuam bashkë te “Kursal”, pimë kafe dhe dolëm. Sapo dolëm, përballë nesh po vinte Ismail Kadare, i cili në atë kohë i jepte kursit tonë leksione për letërsinë perëndimore. U përshëndetëm me Ismailin. Dhe me nxitim shkuam te reparti optik, morëm syzet dhe arritëm të kapnim trenin për në Laç. Prej andej babai do të kthehej në Shkodër dhe pastaj në Tropojë.
I mbeti në mendje Ismaili. “Sa i ri, bre! Qenka djalë i ri, Ismaili, bre! Nuk e kam menduar kaq të ri Ismailin!”
Mua më mbeti peng për gjithë jetën që nuk u ndalëm për disa minuta me shkrimtarin. Kadaré në shtëpinë tonë ishte i pranishëm që në vitin 1958. Baba ishte një lexues i rregullt i romaneve të Ismail Kadaresë përfshirë edhe “Dimrin e vetmisë së madhe, i botuar në vitin 1973 në Tiranë dhe këtë e dinë të gjithë në fshat, sepse ua sygjeronte për t’i lexuar. E çmonte shumë Kadarenë si shkrimtar.
Libri i tij “Princesha Argjiro” ishte ndër librat që lexoheshin me zë të lartë dhe me lotë në sy. Prej atëherë asnjë libër i tij nuk ka munguar në shtëpinë tonë. Nuk ka mbetur njeri me të cilin ka biseduar dhe që babai të mos i ketë treguar se e kishte parë Ismailin nga afër, se, ndryshe nga ç’e mendonte, Ismaili ishte një djalë i ri.
Babai, si tregtar, mjeshtër ndërtimi, bujk e tjerë, në asnjë rrethanë, kudo që është ndodhur, nuk e ka lëshuar nga dora librin. Dhe kjo e bënte të ndihej i barabartë me çdo intelektual, të çdo fushe, me të cilin ai bisedonte. Edhe në ato pak vite të pensionit që ai i gëzoi, libri ishte aleati më i pandarë. Në kohën tjetër merrej me pemët e shumëllojshme që e rrethonin shtëpinë tonë. Meqë ne ndodheshim në mes të fushës, në pranverë, verë e vjeshtë, nga qendrat e punës të Bajram Curri vinin për të punuar në arat e kooperativës në kuadrin e aksioneve me goditje të përqëndruar, siç quheshin ato në atë kohë. Ata vinin te bunari ynë, nën një pjergull të madhe, shuanin etjen, freskoheshin, babai kënaqej të bisedonte me ta dhe t’iu shërbente edhe me pemët e stinës.
Që i vogël më kishte mësuar si të bëja drutë për dimër, si të ngarkoja kalin me dru. Prej moshës 10 vjeç unë e endja kalin nga vërrini në bjeshkë disa herë në verë. Bjeshkët i kishim larg, rreth 12 orë. Rrugët ishin kryesisht pa njerëz dhe, nëse barra e kalit rrëzohej, mund të mbetesha me orë të tëra pa asnjë ndihmë. Babai më mësonte që, nëse barrëve iu merrte ana, të vendosja një gur në anën më të lehtë për të krijuar baraspeshimin. Më kishte mësuar të lëroj tokën me parmendë, të kosis, si dhe të gjitha punët e tjera bujqësore. Në një kënd të saj, ara e madhe e kishte tokën të rëndë, mua më duhej ta mbaja parmendën peshë gati gjithë kohën, sepse ajo mund të shkonte shumë thellë. Kështu që mua më mbusheshin duar me flluska. Kjo përvojë mbartej tek vëllezërit e tjerë.
I kishte në shtëpi të gjitha veglat e mjeshtrit të ndërtimit, përfshirë ato të gdhendjes së drurit, pasi ishte të gjendje të bëntë gdhendjet më të holla në dru (me shijet e një skulptori) me të cilat zbukurohej dhoma jonë e pritjes nga më të bukurat në Krahinë.
Mua nuk ma ka lejuar asnjëherë t’i prek me dorë, as vëllezërve të tjerë, sepse ishte shume merakli dhe kishte frikë se mos ia prishinim dhe atij i vinin vazhdimisht njerëz që i këkonin ndihmë, por edhe bënin porosi. Në fillim të viteve 1980, kur ndërmorëm ndërtimet në shtëpi, u bë tejet pesimist. Nuk besonte se do t’ia dalim. Kooperativa na i caktonte mjeshtrat që të punonin në shtëpinë tonë, por, nga ana tjetër, i porositeshin të mos punonin asgjë. Kështu që ata punonin ndonjë orë, pastaj largoheshin e nuk ktheheshin me javë. Pengesa të mëdha na u krijuan edhe në transportin e gurëve, të rërës, të gëlqeres, të trarëve, të dërrasave, të të gjitha materialeve të ndërtimit. Edhe ndodhja e shtëpisë në mes të fushës i shtonte vështirësitë.
U detyruam t’i hyjmë punës vetë. Ngaqë ne nuk ishim marrë me mjeshtëritë e gurit as të drurit, nuk na besoi. Një verë të tërë Muja në atë kohë student i letërsisë së Tiranë, i nxori gurët e shtëpisë. Pastaj bëmë transportet dhe filluam punën. Muja dhe Flamuri merreshin me ndërtimin e mureve dhe suvatimet duke treguar një aftësi të rrallë. Ne të tjerët merreshim me proceset e tjera kryesisht me punimin e drurit. Nëna na i shërbente për mrekulli vaktet dhe na sillte pa pushim ujë nga kroi. Kur babai pa se ne jo më kot ishim bij mjeshtri dhe se gjithçka po shkonte për mrekulli, e pranoi se shtëpia po ndërtohej dhe u lumturua, pasi ndërtuam një shtëpi me dy kate dhe më shumë dhoma, me ndarje nga brenda me mur guri, duke u bërë një vilë e pavdekshme që nuk e rrezuan as termetet që ranë në vitet në vijim dhe as dimrat më shumë borë edhe këto vitet e fundit ku nuk ka mbetur askush aty, pasi kemi lëvizur të gjithë. Do Zoti të rikthehemi dhe rivitalizojmë aty shtëpinë bashkë me ekonominë dhe resurset e tokës pjellore që e rrethon.
Në dhjetorin e vitit 1983 u shtrua në spital në Bajram Curri. Qëndroi deri në fund të janarit të vitit 1984. Dy javë pas daljes nga spitali, në natën mes 16-17 shkurtit, pësoi infarkt. Mjeku i fshatit nuk ndodhej në Tplâ. Mua më njoftoi me telefon vëllai i dytë, Hasani. Moti ishte shumë i egërsuar dhe rrugët për në Tplà ishin shumë të vështira për të marrë ndihmën mjekësore. Rreth orës 2 të natës vëllai më njoftoi se babai ndërroi jetë. Unë i njoftova me telegrame të gjithë miqtë dhe të afërmit tanë. Ata njoftuan të tjerët, të cilëve nuk mund t’iu dërgoheshin telegramet. Dhe u nisën të gjithë për të marrë pjesë në varrimin e babait, që do të bëhej në mesditën e 17 shkurtit. Muja që ishte student në Tiranë mbërriti pak orë pasi e kishim varrosur babën.
Në varrimin e babait, me vendim të udhëheqjes së kooperativës, nuk mori pjesë asnjë anëtar i administratës së kooperativës, nuk mori pjesë asnjë anëtar i PPSH, nuk mori pjesë askush nga udhëheqjet e organizatave të masave. Ishte një bojkot total. Asnjë kulaku, ish-kulaku, ish të burgosuri politik, asnjë të internuari nuk i kishte ndodhur një bojkot i tillë total. Aq e madhe ishte armiqësia e udhëheqjes së kooperativës ndaj babait tim. Aq e përbindshme, sa dhe absurde ishte urrejtja ndaj tij. Sepse, ndërkohë Mehmet Bubrreci ishte gjithnjë anëtar i Frontit Demokratik, nuk ishte përjashtuar asnjëherë dhe madje nuk kishte marrë asnjëherë ndonjë vërejtje apo ndonjë masë ndëshkuese të asnjë lloji.
Në atë kohë unë jepja mësim në gjimnazin e Bajram Currit dhe isha metodist në kabinetin pedagogjik të rrethit. Miqtë e mi nga arsimi dhe kultura erdhën në varrimin e babait të gjithë dhe Rrethi i Bokës, ku janë varrezat e farefisit tonë, u mbush me makina. Mbërritën ndërkohë të gjithë miqtë, të afërmit, dashamirët nga fshatra të Tropojës, të Hasit, të Pukës, të Kukësit. Erdhën, i madh i vogël, fshatarët e Tplànit dhe të Dushajve. Edhe në të pamen e babait, një javë të tërë, erdhën njerëz të panumërt për ngushëllime. Telegramet e ngushëllimit vazhduan për ditë të tëra nga miqtë dhe të afërmit tanë të Tropojës, Tiranës e tjerë. Babai im, edhe me vdekjen e tij, arriti ta sfidojë udhëheqjen e fshatit dhe të kooperativës. Ai e kishte urryer gjithë jetën komunizmin, e kishte urryer luftën kundër fesë, e kishte urryer vetizolimin e vendit, por, më hapur se gjithçka kishte urryer kooperativën. Kishte bindje absolute se kooperativat do të prisheshin.
Pasi erdhi shumë i sëmurë nga aksioni për tharjen e kënetës së Maliqit, mua babai më kishte mësuar me idenë e vdekjes së tij të paktën qëkur unë isha 4 vjeç. Në pranverë më thoshte: “Mua kjo pranverë më gjeti, por nuk dihet a më gjen pranvera tjetër, prandaj ti je i madhi i shtëpisë.” Në prag të dimrit, më thoshte: “Ky dimër po më gjen, por nuk dihet a e kapërcej apo jo. Ti je i madhi i shtëpisë.” Kur babai vërtet vdiq, unë isha 30 vjeç, por më dukej vetja shumë herë më i madh në moshë. Dhe më të rinj se unë ishin edhe 4 vëllezërit e tjerë dhe dy motra. Tri motrat e tjera ishin më të mëdha se unë.
Ndërsa babai im ndahej nga jeta, unë ndjeja si tashmë 70 vitet e tij iu bashkoheshin 30 viteve të mia.