Yllka Domi nëse do të ishte gjallë, do të ishte një ndër penat e forta të letërsisë shqipe, por, ata që shkruajnë vargje të çmuara shkojnë shpejt dhe lenë shumë!
Ti fluturon me dallendyshet
Një ditë qdo gjë do të ndryshojë
Do të vish të luash me veten
E do të këndosh në duet me heshtjen
Do të jetosh me kujtimin në ballë
E do të thërrasësh me zë, ‘ ç’u bë vallë?’.
Do të kërkosh për veten shpëtim
E sdo të gjesh kund emrin tim
Jetonim ne të dy në gjethe të trëndafilit
duke shijuar erën e tij
Jetonim bashkë me këngën e bilbilit,
Por në fund na therrën gjembat e tij.
Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj,
E për këtë gjë unë tani po vuaj.
Tani jemi të vdekur për njëri tjetrin
Fluturojmë në qiell për një jetë tjetër
Fluturojmë të dy,por shumë larg njëri tjetrit
E të dyve na shoqrojnë valët e detit.
Ti fluturon bashkë me dallëndyshet
Fjalët që i dha tani po vyshken
E mua më thërrasin skifterët
Por unë s dua të fluturoj me ta,
E ti këndoj ninullat.
S’do të jemi më bashkë
Jeta jonë mbaroi
A do të jetojmë te lulet apo te zjarri?
S’di për njëri tjetrin
A do të na marrë malli?
Yllka Domi, përfaqëson emrin e një poeteje të re të letërsisë bashkëkohore shqipe, e cila nëse do të ishte gjallë do të ishte një ndër penat e arta të letërsisë kombëtare.
Në vitet 1998-1999, kur ishim në vitin e fundit të gjimnazit, bash maturantë, edhe ne na kishin përfshirë ethet e luftës që zhvillohej në Kosovë.
Ishte pikërisht thirrja e gjakut që të bënte të shkrihesh një, ashtu siç u bënë shumë shqiptarë për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve stërgjyshore.
Nuk do të ndalem këtu në aspekte të luftës apo të genocidit serb, por do të ndalem te figura e ndritur e kësaj lufte, Yllka Domit.
Në ndërrimin e orëve mësimore, ose orët edukative ishte bërë e rrugës që mësuesit na flisnin për luftën në Kosovë dhe me optimizëm se një ditë do të bëheshim një. Si çdo i ri i moshës sime, flisja dhe tregoja me kërshëri për familjarë që ishin në UÇK për lirinë e Kosovës.
Por temë e ditës ishte një vajzë e re, një heroinë me ëndrra dhe vrull rinor e cila ishte radhitur në radhët e UÇK-së për liri. Kjo ishte Yllka Domi. Ajo lindi në 18 gusht 1981 ishte e bija e Afrim dhe Dashurije Domit. Ajo u lind në një familje qytetare me tradita patriotike. Gjyshi i saj Kasim Domi, një atdhetar dhe veprimtar i madh u dënua nga pushtuesit sërbo-jugosllav dhe vuajti dënimin në burgun më famëkeq në Goli Otok. Babai i Yllkës, Afrimi poashtu u angazhua në veprimtari dhe në institucionet e Republikës së Kosovës për të dhënë kontributin e tij. Do të rritej në një frymë atdhetare dhe po përballej gjithmonë me padrejtësitë që po i bëheshin kombit shqiptar. Prandaj ajo ishte e interesuar gjithmonë që të informohet saktë se si po lëvizin gjërat. Kudo ishte aktive, në shkollë, në grupe humanitare, në ndihmë banorëve të ç’vendosur dhe aty ku e kërkonte nevoja. Si e tillë ra në kontakt me shumë të rinj e të reja të cilët ishin kyçur në bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka kryer kurset për ndihmë të plagosurve në luftë dhe ka ushtruar përdorimin e armëve dhe pastrimin e tyre. Ajo ishte shumë e shkathtë dhe çdo përpjekje të saj e realizonte me sukses. Ashtu siç edhe kishte dëshirë ashtu edhe u radhitë në Brigadën 137 Gjakova të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë ofensivës së Betejës së Çabratit, e cila po zhvillohej në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë serbe, më 7 Maj 1999, u vra Yllka bashkë me disa bashkëluftëtarë.Yllka Domi u vra me snajper nga forcat serbe. Kriminelët serbë për të fshehur gjurmët e krimit, trupin e Yllkës bashkë me trupat e tjerë të vrarë, i dërguan në një varrezë masive në Batajnicë (Serbi).
Në atë kohë serbët patën shpërngulur shqiptarët e Kosovës dhe ata qenë strehuar këndej. Nëse do të mendosh dhe analizosh hollë-hollë, del në përfundimin se jemi i vetmi komb në botë që jemi ndarë në gjashtë pjesë. E sërish nuk kemi marrë vëmendjen e duhur nga Evropa e cila bën sehirxheshën.
Sa të rinjë dhe të reja si Yllka u vranë dhe masakruan nga dora gjakatare serbe, dhe sërish ende asnjë reagim. Më kujtohet si tani, se duke bërë shëtitje me shokët UA dhe shoqe VZ, shqiptarë të Kosovës, erdhi i vëllai i saj, prej Kosove, na përshëndeti dhe më pas na tha se mes të vrarëve ishte dhe Yllka.
Heshtja mbizotëroi një copë herë, më pas ai shtoi: “Gjaku për liri dhe bashkim është i shenjtë!”
Vërtetë, ata/ato që ranë për atdhe mbeten të pavdekshëm, ashtu si Yllka vajza e re plotë ëndrra, e cila , iua bashkua UÇK-së, për një jetë të lirë. Por fati qe shkruar që ajo të sakrifikohej për të gëzuar lirinë të rinjtë, të rejat dhe krejt bashkombasit.
Emri i Yllka Domit, ka lenë një gjurmë të pashlyer tek njerëzit me të cilit është rritur në kohën më të vështirë të vendit. Rrethanat e kohës, e fryma patriotike e familjes, bën që me shtatin e saj, të rritej edhe dashuria për atdheun. Yllka Domi në sytë e saj kishte shkëlqimin e një artisteje, në shpirt kishte jehonën e një poeteje e në mendje kishte vizionin e një atdhetareje. Portreti i saj vjen me buzëqeshjen e shikimin e butë në njërën anë. Pas shkuarjes në UÇK, ajo nuk do t’i kthente më kurrë sytë nga Kosova. Yllka Domi, do të mbetet një emër i pavdekshëm i ëndrrave rinore, vargut të ri dhe etjes për liri. Lavdi dhe nder në përjetësi vajzës që lufoi për liri! Vargje që i shkojnë si kurorë mbeten ato që ajo thuri:
“Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope te pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua…!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendosni afër kokës sime.”