“Së pari erdhën t’i kërkojnë socialistët (opozitën), dhe unë nuk thashë asgjë, sepse nuk isha socialist;
Pastaj erdhën t’i kërkojnë sindikalistët, dhe unë nuk thashë asgjë, sepse nuk isha sindikalist;
Pastaj erdhën t’i kërkojnë Jevrejët, dhe unë nuk bëra zë, sepse nuk isha jevrej;
Dikur erdhën të më kërkojnë edhe mua, por nuk kishte mbetur më askush për të ngritur zërin.”
Martin Niemöller 1
Procesi gjyqësor i shekullit
Ka dy vjet që nëpër zyra hetuesie, në Prokurori speciale e në gjykatore të posaçme po zvarriten me pranga në duar disa qytetarë të akuzuar për veprat më të rënda penale. Për më keq, ata në një indiferencë të plotë, gati zoologjike, që mund të krijohet vetëm në rrethana të një nënshtrimi e poshtrimi kolektiv, në shkelje të Ligjit e të Kushtetutës, po trajtohen e demonizohen nga kreu i shtetit, nga jeniçerët dhe mediet e tij si terroristë e tipa amoral. Ata dhe familjet e tyre janë krejtësisht të vetmuar dhe të dërrmuar nga pesha e rëndë e një aparati të pistë shtetëror. Atyre ua ka kthyer shpinën edhe Zoti!
Është fjala, në radhë të parë, për Sadri Ramabajën, Behxhet Luzhën por edhe Murat Jasharin.
Pse është fjala për proces politikogjyqësor të shekullit? Sepse ka filluar para një viti dhe sigurisht nuk do të përfundojë edhe disa muaj të tjerë, dhe se në të kanë dëshmuar, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në histori, kryetari i shtetit, kryetari i Kuvendit me zëvendësin e tij, zëvendëskryeministri, deputeti shikist e mafiozi Elmi Reçica, shefi i shefave Adem Grabovci e tutti quanti. Thënë më troç krejt udhëheqja e Shikut. Mungonte vetëm Koçi Xoxja i Kishnarekës.
Kosova, me sipërfaqen dhe numrin e banorëve që kishte e që ka, do të qëndrojë përjetësisht në librin e Ginisit, si vendi me më së shumti të burgosur politikë në histori, si vendi me më se shumti procese e gjykime politike të mbajtura kundër banorëve të saj.
Në vitet tetëdhjetë, sipas Rrahman Morinës, atëherë funksionar i lartë i policisë dhe i partisë, dy të tretat e popullsisë së përgjithshme në Kosovës kishin kaluar nëpër duart e policisë dhe gjykatave vetëm për motive politike. Në këto statistika nuk janë përfshirë personat që kanë kaluar nëpër ferrin e KOS-it (shërbimi sekret i ushtrisë) dhe gjykatave ushtarake.
Në përgjithësi, prej pushtimit të Kosovës e deri në vitin 1999, kundër shqiptarëve janë mbajtur dhjetëra mijëra procese politike para gjykatave serbe. Për turpin tonë, nuk ka një statistikë të saktë për numrin e proceseve dhe emrat e viktimave, që dëshmon se askush sa elitat tona nuk është tallur me vuajtjet e popullit shqiptar.
Sidoqoftë janë tri procese politike që dihen botërisht dhe që personifikojnë saktësisht terrorin gjyqësor të Serbisë kundër shqiptarëve: Procesi i Prizrenit, korrik 1956; Procesi kundër Adem Demaçit, shkurt 1976, Procesi i Paraçinit, i mbajtur para Gjykatës Ushtarake, në janar të vitit 1988.
Këto procese janë të njohura në historinë dhe në vetëdijen e Kosovës sepse ishin, fund e krye, procese të kurdisura me synime strategjike e afatgjata kundër shqiptarëve.
I ngjashëm me ta është edhe procesi gjyqësor që, në regjinë e Hashim Thaçit me shokë, e për turpin e krejt Kosovës, po mbahet aktualisht në Prishtinë, kundër Sadri Ramabajes etj.
- Procesi i Prizrenit
Ky proces gjyqësor është mbajtur në korrik të vitit 1956 në Prizren dhe kishte për synim shpartallimin e elitës së re politike e intelektuale në Kosovë dhe përgatitjen e terrenit për shpërnguljet e përdhunshme të shqiptarëve në Turqi. Në funksion të kësaj strategjie, në dimrin e egër 1955/1956, në kohën kur arrestoheshin e torturoheshin viktimat e Procesit të Prizrenit, u ndërmor edhe Aksioni Ndëshkimor për gjoja çarmatimin e shqiptarëve, në të cilin kanë pësuar mbi 200 mijë veta.
Për këtë Proces deri vonë nuk ka pasur informata të bazuara. Por nga ajo që dihet del se arrestimet e para kanë filluar më 4 dhjetor 1955, me burgosjen e Njazi Malokut, sekretar i Komitetit të Rrethit dhe drejtor i Shkollës së Partisë… dhe kanë vazhduar deri në fund të prillit të vitit 1956. Hetimet i kanë udhëhequr udbashët serbomalazez; Budo Gajiq, Gojko Medenica, Dushan Krajinoviq, Andrija Vujoviq, Jovo Rosandiq etj.
Të pandehurit akuzoheshin për spiunazh në favor të Shqipërisë (neni 105 i Kodit Penal).
Detajet për hetimet dhe procesin gjyqësor i ka përmbledhur në mënyrë brilante njëri prej viktimave të këtij procesi, intelektuali i spikatur Sedad Dida. Ai, më 12 qërshor 1968, i drejtohet me një Parashtresë Komisionit shtetëror pranë Qeverisë së Kosovës për Hetimin e Deformimeve. Parashtresa e tij është një testament i përjetshëm i demaskimit të veprimtarisë kriminale të pushtuesve serbë:
Sedat Dida për hetimet jep detaje trishtuese:
“Më kanë rrahur shuplaka, grushte, ndukje mizore flokësh, më kanë lënë pa ngrënë dhe një javë rresht në një birucë pa pikë drite, gjatë kohës kur më torturonin përmendin emra funksionarësh shqiptarë duke besuar se në ato çaste dhune, zhgënjimi, mundimi e dëshprimi do t’i përmend emrat e tyre… por nuk kam lejuar të bëhem dëshmitar i rrejshëm…
…
Pavarësisht se çka krejt përjetoja për asnjë moment nuk më ka braktisur shpresa se gjykata do të mund të konstatojë fare lehtë të vërtetën kur është fjala për një njeri të pafajshëm… Nuk kam besuar se Gjykata në saje të deklaratës së nxjerrë me dhunë dhe të një dëshmitari të vetëm të rrejshëm mund ta çojë njeriun në burg.“
Ndërsa për vetë procesin, Dida jep detaje të një gjykimi tamam mesjetar :
“Në gjykimin e fshehtë, ku në publik kishte vetëm njerëz të UDB-së, derisa unë përpiqesha të mbrohem nga publiku lëshoheshin fjalë: ‘Mos filozofo!’ ndërsa njëri prej gjykatësve më thoshte: “Ti je shizofren dhe idiot !“… Veprime në shpërputhje të plotë me praktikën gjyqësore.
Kur dëshmitari i rrejshëm më akuzonte se kemi biseduar në Prishtinë, unë i thashë gjykatës se në atë kohë kam qenë në Knin, në Kroaci ushtar… ndërsa gjykatësi më tha : “Ulu aty e hesht! Ne e dimë ku ke qenë ti… !“
“Edhe qëndrimi i avokatit tim të emëruar nga gjykata ishte krejtësisht i paligjshëm, i padrejtë e madje edhe qesharak… Në vend që të më mbronte, kur kishte mundësi që vetëm me një pyetje ta zhveshë dëshmitarin e rrejshëm, avokati kërkonte mëshirë për mua…
Në këtë ambient, duke mos pasur asnjë përvojë me gjyqësinë jam hutuar e jam ndier si i kositur dhe të gjitha shpresat e mia për një gjykatë korrekte u varrosën…“
Në një gjykim të tillë policor, ku merreshin për bazë deklaratat vetakuzuese të nxjerra me tortura, Gjykata e përbërë krejtësisht prej serbësh, më 19 korrik 1956 dënoi me burg të rëndë: Njazi Malokun, funksionar i Partisë Komuniste, më 12 vjet, Sedat Didën, redaktor përgjegjës i gazetës “Rilindja“, më 5 vjet, Demush Cahanin, më 5 vjet, Shani Hoxhën, më 4 vjet, ndërkaq Rexhep Muhadrin, Hasan Bajramin dhe Muhamet Eminin më nga 2 vjet burg dhe Salih Mehmetin më 9 muaj.
Të gjithë u dënuan gjithashtu edhe me heqje disa vjeçare të të drejtave qytetare pas daljes nga burgu.
“Pas dënimit mendova se u krye procedura dhe do të mund ta vuaj dënimin, por u mashtrova, sepse më karakterizuan si kokëfortë dhe i papërmirsueshëm prandaj nga 32 muaj në burg, 27 muaj i kam mbajtur vetëm, në qeli, për çka m’u kanë dëmtuar përgjihmonë sytë…“
“… pas 32 muajsh, më 29 nëntor 1958, më kanë liruar nga burgu. Deri sot askush nuk më ka treguar pse më kanë liruar pas 32 muajsh. Ndoshta shkaktarët e tragjedisë sime kanë menduar se në këtë mënyrë mund ta mbulojnë me hi veprimin e tyre të pistë, ndoshta duke besuar se më në fund unë do t’i harroj të gjitha… Por damka që i është mveshur personalitetit dhe dinjitetit tim është aq e rëndë, është aq e ndyrë sa që as nuk mund të shlyhet e as nuk mund të matet me asgjë…“2
Procesi i Prizrenit do të mbetej në heshtje për një kohë të gjatë, sikur të mos ndodhte rënia në pamëshirë e Aleksandar Rankoviqit, 1 korrik 1966. Ishte fjala për luftën për pushtet në mes klaneve kroate e serbe në udhëheqjen e Jugosllavisë, më ç’rast Tito, që ndihej edhe vetë i rrezikuar, e rrrëxoi serbomadhin Rankoviq dhe filloi një sërë reformash federaliste që shqiptarëve u ndihmuan ta shlirojnë sadopak zgjedhën e robërisë.
Në këto rrethana dolën në pah shumë krime që ishin kryer kundër shqiptarëve si dhe terrori gjyqesor kundër tyre.
“Në fakt Procesit të Prizrenit i parapriu një proces tjetër politik (korrik 1955) i ashtuquajtur “Grupi i shehëlerëve” prej 14 vetësh, të cilët qenë akuzuar për lidhje me Komitetin Shqiptar në Romë dhe për bashkëpunim me Sigurimin shqiptar. Në këtë proces qenë përfshirë: Sheh Myhedini, sheh Rama, sheh Hasani (i cili në rrethana enigmatike vdes), Qazim Gojani, Hysen Prushi, Din Zhubi, Bekë Haxhija, Hajredin Vuçiterna, Muhedin Miftari, Dërgut Ekremi, Sinan Dërguti, Qazim Miftari etj.“3
- Procesi i kurdisur kundër Adem Demaçit
Për shkak të veprimtarisë së theksuar ilegale të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, në vitin 1975 autoritetet e Kosovës ndërmorën një aksion të jashtëzakonshëm ndëshkimor kundër “irredentizmit shqiptar“, siç i quanin ato kundërshtarët e tyre politikë.
Arrestimet filluan në muajin mars dhe përfunduan me arrestimin e Adem Demaçit, më 6 tetor 1975. Ky ishte arrestimi i tretë i Adem Demaçit, dhe u krye vetëm 17 muaj pas daljes nga burgimi paraprak 10 vjeçar. Si pretekst ishte marrë një trakt i pjesëtarëve të Grupit Revolucionar, i shpërndarë më 23 dhjetor të vitit 1974. Arrestimet ishin masive. Sypozohet se nëpër duart e eskadroneve të Mehmet Shoshit kishin kaluar mbi 500 shqiptarë, kryesisht studentë dhe punonjës arsimi. Nga të gjithë këta djem nënash, që kaluan nëpër tortura të tmershme, vetëm 4 veta u takonin radhëve të organizuara dhe kishin ndonjë dijeni ose ishin drejtpërdrejtë të implikuar në shpërndarjen e trakteve. Por vendimi ishte politik, dhe udhëheqja e Kosovës e dinte saktësisht se po shkatërronte familje të tëra dhe po çonte në burg, kryesisht, njerëz të pafajshëm. UDB, i përzgjodhi viktimat për shkak të emrit dhe sidomos bindjeve të tyre atdhetare, sepse, gjatë përgatitjes së proceseve, kishte llogaritur saktësisht përmasat e frikësimit që do të kishte dënimi gjegjësisht ndëshkimi i tyre në popull.
Duhet nënvizuar se gjatë hetimeve shumëmujore ndaj të pandehurve janë ushtruar intensivisht torturat më çnjerëzore, me qëllim që viktimat të pranonin “fajet“ e sajuara paraprakisht nga UDB. Disa persona u thyen keq dhe jo vetëm nënshkruan deklaratat e sajuara nga UDB, por filluan të përdoren për t’i thyer ose fajësuar edhe të pandehurit e tjerë.
Arrestimet dhe gjojahetimet rezultuan me 4 procese të kurdisura politike. Kryefjala e këtyre proceseve ishte ideologu i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Adem Demaçi.
Procesi i parë u mbajt më 29 janar dhe më 1, 2, 5 e 7 shkurt të vitit 1976.
Në këtë proces u dënuan me burg 19 shqiptarë: Adem Demaçi 15 vjet, Skënder Kastrati 12 vjet, Hetem Bajrami 7 vjet, Hasan Dërmaku 10 vjet, Osman Dumoshi 7 vjet, Rexhep Mala 9 vjet, Selatin Novosella 7 vjet, Ilaz Pireva 7 vjet, Fatmir Salihu 7 vjet, Xhavit Dërmaku 9 vjet, Sherif Masurica 7 vjet, Sami Dërmaku 6 vjet, Zijadin Spahiu 5 vjet, Isa Kastrati 6 vjet, Ahmet Hoti 6 vjet, Njazi Korça 6 vjet, Irfan Shaqiri 7 vjet, Hilmi Ramadani 5 vjet dhe Nazim Shurdhani 4 vjet burg.4
Procesi i dytë u mbajt më 18 – 23 shkurt 1976, në Prishinë, dhe u dënuan 12 shqiptarë: Adem Rukiqi, më 9 vjetë burg, Bektesh Rrudhani, më 6 vjet, Tafë Rukiqi, më 6 vjet, Ymer Rukiqi më 2.5 vjet, Arif Rukiqi, më 1.5 vjet, Zyhdi Bilalli me 3 vjet, Bislim Bajraktari më 4 vjet, Xhevdet Nasufi më 2.5 vjet, Idriz Mehmeti më 1.5 vjet, Sadullah Zeqiri me 2.5 vjet, Ajet Rukiqi, më 4 vjet dhe Adem Pavataj më 2.5 vjet.5
Në këtë vazhdë, një muaj më vonë, u mbajtën edhe në Vranjë dy procese politike kundër katër shqiptarëve:
Më 17 mars 1976:
Jetullah Arifi, më 12 vjet dhe Fazli Avdullahu më 6 vjet burg; dhe
Më 19 mars 1976 :
Qamil Nuhiu me 4 vjet dhe Selajdin Nuhiu me 1.5 me vjet burg;6
Këto procese politike u mbajtën në një kohë kur nuk kishte përplasje të mëdha politike. Ato u organizuan nga elita politike e Kosovës për të bindur Titon se ajo kishte nën kontroll gjendjen politike në ‘Krahinë’ siç i thoshin asokohe. Prandaj edhe përgjegjësia historike e saj është tepër e madhe. Eskponentët politik nuk u mjaftuan as me torturimin dhe gjymtimin e viktimave, por në mediet e kontrolluara shpërfaqen një propagandë të shëmtuar fashiste:
Fadil HOXHA : ”…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar, e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh, veç për të keq e hajni”.7
Mahmut BAKALLI: ”…Irredentizmi shqiptar në versionin e tij të ri përpiqet të paraqitet në petkun e ideologjisë dogmatike staliniste, por karakteri reaksionar dhe qëllimet e tij mbeten të njëjta. Sikurse nuk ka mundur të depërtojë në masat shqiptare atëherë kur u paraqit në formë balliste – fashiste shqiptaromadhe, irredentizmit shqiptar nuk do t´i shkojë për dore të depërtojë as tash kur përpiqet të mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist. (…) Në këtë bazë irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin denime shëmbullore”.8
Fahredin Gunga në komentin televiziv me titull “Dënime të merituara”:
”Siç u pa nga aktgjykimi i Gjyqit të Qarkut të Prishinës, grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetutar, iu shqiptuan denime të merituara. Opinioni ynë, klasa punëtore dhe të gjitha kombet dhe kombësitë e Kosovës, e posaçërisht kombësia shqiptare, i dha këtij aktgjykimi përkrahje të plotë, i dënoi dhe do t´i dënojë vazhdimisht, duke shprehur indinjatën dhe urrejtjen, ashtu siç i ka gjykuar, denuar dhe mposhtur të gjitha llojet e tjera të veprimtarisë armiqësore dhe bartësit e tyre… Ai duke e shpërdoruar pikërisht lirinë e plotë dhe barazinë në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse, u përpoq t´i paraqitet popullit shqiptar gjoja dishepull shpirtëror kombëtar.
Esenca, pretendimi dhe qëllimi i parë i irredentizmit tek ne është shkatërrimi i Jugosllavisë si shtet, si sistem marrëdhëniesh socialiste vetëqeverisëse, si bashkësi e kombeve dhe kombësive… “9
Gjatë hetimeve po edhe në gjykatore, ashtu si edhe shumë vjet më vonë, Adem Demaçi këmbënguli:
“… për dënimin e tretë kam qenë krejtësisht i pafajshëm. Këtë dënim UDB ma përgatiti derisa isha në vuajtje të dënimit paraprak, në Pozharevc. Më akuzuan se, derisa isha në burg, kam bërë plane për formimin e një organizate të re. Para gjyqit më kanë sjellur njerëz që nuk i kam parë dhe nuk i kam njohur kurrë …“
“Nuk ka mbrojtje që mund t’i ndihmojë të akuzuarit për delikte politike. Gjykimi ishte i turpshëm. Komedi e vërtetë.“10
Këto procese dhe mijëra të tjerë, përpara dhe sidomos më vonë, janë orkestruar kryesisht nga udbashë shqiptarë, shumë prej të cilëve, duke shkelur me të dy këmbët edhe ligjet, janë treguar shumë më të egër, shumë më të paskrupull se edhe vetë udbashët serbë… Dhe pikërisht këta tipa Kadri Veseli, njëri prej kryesundimtarëve të Kosovës, kishte paturpësinë t’i quante publikisht me zërin e tij as burrë as grua: PASURI E JONA KOMBETARE.
- Masakra në kazermën e Paraqinit
Më 3 shtator 1987, të gjitha mediet në Jugosllavi shpërndanë gjithandej lajmin bombastik se, në kazermën e Paraçinit, ushtari Aziz Kelmendi kishte vrarë, derisa po flinin, 4 ushtarë: Goran Begiq nga Zagrebi, Safet Dudakoviq e Hazim Xhananoviq të dy boshnjakë nga Bosnje e Hercegovina dhe Goran Simiq nga Beogradi…, me atë rast kishte plagosur edhe 6 ushtarë të tjerë: dy kroatë, dy boshnjakë, një slloven dhe një shqiptar nga Tuzi.
Sipas medieve, ‘vrasësi’, Aziz Kelmendi, pas “krimit“ kishte dalur nga oborri i kazermës kishte bërë vetëvrasje buzë rrugës.
Ky lajm ishte dominues në medie për disa muaj rresht dhe shërbeu për mobilizimin absolut të turmave serbe të udhëhequra nga Millosheviqi. Titujt i medieve ishin zjarrvënës dhe përmbajtjet plot helm antishqiptar:
“Aziz Kelmendi ka shtënë mbi Jugosllavinë!“
“Opinioni jugosllav është tmerruar. Vrasësi Kelmendi, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte i vetëm kur tërhoqi këmbëzën. Ai ka shtënë në shtyllën më të rëndësishme të unitetit dhe stabilitetit të Jugosllavisë, në APJ.“11
“Vrasësi Azis Kelmendi nuk e donte ekëtë vend… ishte edukuar, ashtu si edhe më të afërmit e tij, që mesazhet armiqësore kundër këtij vendi dhe kundër këtij populli t’i shënojë nëpër mure… Nuk ka dashur ta mësojë gjuhën e fqinjve të vet. Nuk i ka dashur as ata e as vendin ku ka lindur.“12
Varrimi i ushtarëve të vrarë, sidomos ai i Goran Simiq, në Beograd, u kthye në një manifestim të rrezikshëm antishqiptar. Aty mbi 10 mijë veta bërtisnin, “Jashtë shqiptarët!“, “Nuk duam shqiptarë në Jugosllavi!“, “Kosova është Serbi!“13
Ishte kohë e përthyemjeve të mëdha dhe ky krim i rëndë u shfrytëzua maksimalisht për fuqizimin e Lëvizjes serbomadhe dhe intensifikimin e përpjekjeve të saj për suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Fushata ishte e pamëshirshme dhe ajo e futi Familjen e Aziz Kelmendit në një furrë të tmershme prushi. U arrestuan prindërit dhe vëllezërit e Azizit. Shpirti i tyre e di se çka kanë hequr të braktisur e në ferrin që ua kishte përgatitur shteti i serbëve.
Të gjithë ata që ishin me këmbë në tokë dhe që kishin sadopak aftësi deduktive, kishin dyshime të themelshme se fjala është për një inskenim shumë të rrezikshëm me pasoja tektonike. Në këtë vijë, pas disa muajsh, krimi mori kahjen e pritur me epilog gjyqësor, duke i dhënë masakrës dimensionin e një akti të organizuar politiko-terrorist.
Viktima ishin ushtarët shqiptarë në kazermën e Paraçinit dhe një boshnjak e një rom: Riza Xhakli, Abdylxhemil Alimani, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu, Shefqet Paçarrizi, Enver Behluli, Riza Alibashiq dhe Islam Mahmuti. Ata u arrestuan pas disa ditësh dhe ndaj tyre filluan hetimet. Nëpër çka kanë kaluar këta djem nënash më së miri e përshkruan Riza Xhakli, 4 vjet pas ngjarjes së tmershme:
“Rrahje deri në alivanosje…, elektroshok…, na torturonin nga 2 veta, pas torturave të tyre, vazhdimisht na torturonin edhe ushtarët që ishin roje të burgut. Na merrnin në pyetje dhe na torturonin gjithë natën. Një ekip shkonte dhe vinte ekipi tjetër për t’i vazhduar torturat…, nuk na linin të flinim…, Ata kërkonin me çdo kusht t’i pranonim akuzat që na i bënin… Na merrnin në pyetje prej orës 8 të mengjësit deri në mëngjesin tjetër…“
“…Me një rast, gjykatësi hetues ma lëshoi një video ku ishin xhiruar kufomat e ushtarëve të vrarë. Më thoshte si s’po të vjen mëkat prej këtyre kufomave…, për hir të tyre duhet ta thuash të vërtetën. Kur i thoja se nuk kam të bëjë fare me këtë vrasje, ai më thoshte: Ti nuk je njeri, ti je bishë, je idiot…“
Me një rast më tha : “Do ti sjell këtu nënat e ushtarëve të vrarë që të shohin se sa i vrazhdë e sa i pafytyrë je…, do të nxjerri me pranga në duar para tyre…, ma lëshonte kasetën nga disa herë në dite kur ulja kokën më bërtiste: shiko çka ke bërë!“
“Atë natë nuk kam mundur të fle fare…, nuk mund ta merrja me mend që ata të më paraqitnin para atyre nënave si vrasës të bijve të tyre…, i thashë vetes do ti pranoj të gjitha që kishte nevojë vetëm të mos më ballafaqonin me nënat e ushtarëve të vrarë… Ky është shkaku kryesor që unë kam pranuar, prapë po them kam pranuar, edhe pse s’kam bërë asgjë për të pranuar…“14
Shefqet Paçarrizi : “Unë e kam parë njeriun e maskuar, i cili me automatik shtinte me armë. Njerëzit e sigurimit e dijnë se çka ka ndodhur, kush e ka bërë, si dhe pse. Vetë e kanë bërë vrasjen dhe na e lënë neve, vetëm pse jemi shqiptarë…“15
Të arrestuarit, gati të gjithë, ishin 20 vjeçarë, pa kurrëfarë përvoje jetësore, ndërsa përballë kishin shtetin dhe oficerët serbë me përvojë njëshekullore në shtypjen dhe asgjësimin e shqiptarëve. Si rezultat, në gjykim gjysma i mohonin akuzat monstruoze, ndersa gjysma tjetër i ‘pranonte’… Gjykimi u mbajt në janar të vitit 1988 dhe zgjati 11 ditë. Kjo ishte një mise en scène e shtetit e orkestruar deri në detajet më të imëta për të argumentuar me çdo gjë se këtu nuk gjykoheshin disa ushtarë të pafajshëm shqiptarë, por populli i tyre.
Dënimet e plotfuqishme i shqiptoi Gjykata Supreme Ushtarake:
Riza Xhakli u dënua më 20 vjet,
Abdylxhemil Alimani, 20 vjet,
Riza Alibashiq, 14 vjet,
Afrim Mehmeti, 13 vjet,
Pajazit Aliu, 13 vjet,
Shefqet Paçarrizi, 7 vjet,
Enver Behluli, 5 vjet.
Në gjykim mori pjesë edhe avokati i njohur, Bajram Kelmendi, të cilin shteti serb e vrau me të dy djemtë, 11 vjet më vonë. Bajram Kelmendi, në cilësin e mbrojtësit të Afrim Mehmetit në atë proces të kurdisur ligjëroi një pledoari par excellence, e cila do të duhej të ishte literaturë e domosdoshme për çdo student që mëson të drejtën penale. Ai i rrëxoi një për një akuzat e rrejshme të oficerëve të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak). Të njëjtat argumente ai i kishte shtruar edhe gjatë gjykimit:
“… Unë pata thënë në seancë se nëse Aziz Kelmendi është kryes i veprës, atëherë kjo duhet të jetë e vërtetë edhe për ndihmësit e tij. Pasi gjatë procesit del se të gjitha janë të konstruktuara, pra të pavërteta, atëherë del se është e konstruktuar edhe vepra e Aziz Kelmendit. Kjo del nga të gjitha ato që janë thënë në aktakuzë.“16
Dhjetë vjet më vonë këtë e konfirmon edhe gjykatësi i Gjykatës Supreme Ushtarake, Dr. Jovan Buturoviq, i cili ishte pjesë e Trupit gjykues, kur ushtarëve të lartpërmendur shqiptarë iu shqiptua dënimi i plotfuqishëm. Ai citon prokurorin ushtarak, kolonelin Budimir Gjorgjiq që i ka thënë se : “Procesi ‘Dosja e Paraqinit‘ ka qenë i kurdisur. Organet e sigurimit ushtarak në Nish, duke përdorur dhunën, kanë marrë deklarata të rrejshme nga të akuzuarit. Dëshmi të rrejshme për fajësinë e të akuzuarve janë marrë edhe nga dëshmitarët.“
Buturoviq, shton se më 6 janar 1997 iu kishte drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kishte kërkuar prej tij që kjo dosje të kthehet në rigjykim.17
(Kjo analizë e gjatë do të publikohet në disa vazhdime)
- Martin Niemöller (1892 – 1984), klerik protestan, për shkak se ishte antifashist i thekur, më 1937, fashistët e arrestuan dhe e dërguan në kampin e Sachsenhausenit, ndërsa në vitin 1945 në ferrin e Dachaut
- Dosja origjinale e Procesit
- Sheradin Berisha, “Golgota shqiptare në kohën e Tito-Rankoviqit!“, 2 maj 2008, www.pashtriku.org
- Xhafer Shatri “Pse dergjet ne burg Adem Demaçi?“, Bernë, 1990 Aktgjykimi: P.nr.239/75
- Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, P – nr.183/75, datë 23.II.1976
- Sheradin Berisha, Rexhep Mala – Truri i Lëvizjes Kombëtare, www.pashtriku.org
- “Rilindja“, 23.12.1975
- “Rilindja“, 14 janar 1976
- Sheradin Berisha, Rexhep Mala – Truri i Lëvizjes Kombëtare, www.pashtriku.org
- “Mlladina“, nr. 19, datë 26 maj 19890
- Politika, 4 shtator 1987
- Tanjug, 4 shtator 1987
- Metë e Xhafer Shatri “Një gurë për varrin e ushtarit që e vranë“, faqe 247
- Riza Xhakli, Deklaratë e shkruar në burg, më 24 qershor 1991, “Zëri“, 21 shtator 1991
- Dosja e “Zërit“, Procesi i Paraqinit, Zëri, 19. 10. 1991
- Dosja e “Zërit“, Procesi i Paraqinit, Zëri, 5. 10. 1991
- “Nasa borba“, 17 maj 1997
Në kthetrat e Prontomafisë (1)
Komentet