Kosova duket më e bukur se pesë vjet më parë, pohojmë të dy njëzëri në heshtje, ndërsa nga dritaret, pasi kemi lënë pas Alpet Shqiptare në veshjen e tyre karakteristike kombëtare me borë dhe shikojmë si na afrohet rrafshnaja, relievet e buta dhe të prâjta, pyjet dhe pemëtoret e zhveshura, mungesa e plotë e gjelbërimit, zhdukja dhe shfaqja e tyre sërishme nëpër retë e bardha që vijnë dhe ikin, zogjtë dhe fluturimet e tyre, rrugët, kolonat e automjeteve në rrugë dhe zhurmat e tyre, qytetet, qytezat, qendrat e banuara dhe gjallëria e tyre, objektet industriale që vijnë duke u zmadhuar dhe më në fund aeroporti “Adem Jashari”, pista ku ulet avioni. Kjo përshtypje nuk do të na ndahet asnjëherë. Në çdo sy që i hedhim Kosovës, në çdo hollësi, në çdo çast të ri ajo është edhe më e bukur. Edhe më e bukur.
Gjatë këtyre pesë viteve në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të thella edhe në rrafshin politik, pasi Kosova ka një lidërship krejt të ri të votuar masivisht nga elektorati brenda dhe po ashtu nga diaspora, lidërship i cili tani ndodhet në provë. Ndërkohë që opozita e Kosovës mban qendrime agresive duke (sh)përdorur portalet për të sulmuar Albinin, Vjosën dhe Donikën, Beogradi nuk ka hequr dorë nga apetiti milosheviçian.
Qeveria e Albin Kurtit duhet të mbajë premtimet para Sovranit që e votoi. Një nga premtimet është mosnjohja e një strukture bizare me emrin Asosacion, që synon ta ndajë Kosovën në vija etnike. Merreni me mend sikur këto pretendime t’i kishin pakicat në BE apo SHBA!
***
Avioni jonë me itinerar Gjenevë – Prishtinë aterroi rreth orës 15:00 tek Aeroporti Adem Jashari, ndërsa takimin e parë në ora 16:00 e kishim me kryeministrin Albin Kurti.
Do të kishim një axhendë të ngjeshur, të organizuar shumë mirë nga Ministria e Jashtme e Kosoves dhe Konsullata e Kosovës në Gjenevë. Nxituam të merrnim makinat që na prisnin dhe nën zë por me zemër thamë!
Mirë se të gjejmë Kosovë!
***
Pas një udhëtimi të tillë të dendur me takime dhe emocione, natyrshëm gazetarët, bashkë me broshurat, fletëpalosjet me blloqet e shënimeve të shkruar nxitimthi me shkrim të ngatërruar hieroglifesh për të fiksuar çdo fakt, për të mos humbur asnjë hollësi, vënë mbi tryezë kartvizitat e bashkëbiseduesve të tyre.
Ashtu edhe ne, të sapokthyer plot me kujtime dhe mbresa të pashlyeshme nga Kosova, ku, dhjetë kolegë të APES (Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Zvicrës dhe Lihtenshtajnit) qëndruam në javën para festimeve të 15- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit më të ri të Evropës. Ishte një delegacion me gazetarë nga vende të ndryshme, nga tri kontinente, i kryesuar nga Presidenti, nga Afrika e Jugut Peter Kenny.
Takimi me kryeministrin e Kosovës z.Albin Kurti
Mikpritësi i parë ishte Albin Kurti, kryeministri i Republikës së Kosovës. Pesë vjet më parë, në të njëjtin kontekst kohor dhe organizimi, disa nga ne e kishim takuar Albinin si kryetar të opozitës, kur na shpalosi që atëherë vizionin e tij politik për Kosovën. Edhe tani me koherencën e tij në krye të qeverisë, si numri një i këtij vendi, i ndodhur nën presion, por konseguent më objektivat e tij për një Kosovë me shtet të së drejtës, me ndenjëse në OKB, si dhe anëtare të NATO-s e BE, një perspektivë e qartë ndërsa mbushet viti i agresionit rus në shtetin sovran të Ukrainës, nga një Rusi që synon me miqtë e saj serbë, si Vuçiç, Dodik etj të trazojë Bosnjen, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe gjithë Ballkanin.
Kryeministri Kurti bën bilancin e qeverisjes së tij, vë në pah çfarë është kryer, çfarë jo, dhe objektivat në realitetin e sotëm dhe në horizontin e pritshëm të Republikës së Kosovës. Ai e nis duke i bërë një rezyme të shkurtër të perceptimit të institucioneve ndërkombëtare ndaj zhvillimit të demokracisë në Kosovë. I referohet Transparency International, “Në dy vitet e fundit kemi avancuar 20 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit. Për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit sipas “World Justice Project”; kemi avancuar po ashtu 17 vende sa i përket lirisë së mediave.”
Qeveria po ashtu ka bërë një rritje të ndjeshme të rrogave. Megjithëse buxheti i Kosovës në krahasim me Shqipërinë, është gati dy herë më i vogël, rrogat në Kosovë janë shumë më të larta. Por ende ka pakënaqësi. Një Prof. Asoc. në Universitetin e Mitrovicës Isa Boletini shprehu shqetësimin e saj në lidhje me largimin e rinisë. Duhen rroga më të larta tha ajo, që studentët kur dalin nga universitetet tona të jenë të motivuar të qëndrojnë në Kosovë e të mos i mbajnë sytë nga Gjermania dhe Perëndimi.
“Kemi plot sfida” vazhdon kryeministri Kurti. “Më të mëdhatë për këtë qeveri janë: e para, në kufi kemi një Serbi armiqësore; e dyta, e ardhmja e rinisë sonë, e atyre që janë në jetë dhe e atyre që ende nuk janë në jetë, të cilëve duhet t’iu lëmë një Kosovë shumë më të mirë se kjo që e kemi sot.”
Pyetjet tona përqëndrohen tek dialogu me Serbinë, temë që vazhdon të jetë e ditës. “Pengesa e vetme e dialogut është Serbia, presidenti i saj aktual, bashkëpunëtori i afërt i Millosheviçit. Ai e ka vënë politikën e Beogradit midis dy pritjeve: a do të fitojë apo do të humbasë Rusia luftën në Ukrainë? Nëse Rusia e humb luftën në Ukrainë, atëherë Serbia është me Evropën. Nëse Rusia e fiton luftën në Ukrainë, atëherë Serbia është me Rusinë.”
“Shqiptarët në Kosovë përbëjnë 90 e sa për qind të popullsisë. – Rrallë mund të gjendet ndonjë vend me kaq homogjenitet. Por faktorët ndërkombëtarë, për të mos pasur dy shtete shqiptare në rajon, vendosën që Kosova të jetë shtet multietnik. Atëherë, pse u dashka të kemi një Asosacion njëetnik në Kosovën multientike?! A nuk bien ndesh haptas këto parime?! Asnjë vend tjetër në Evropë nuk iu garanton aq shumë të drejta pakicave sa Kosova. Në Serbi ka më shumë shqiptarë se ka serbë në Kosovë, por Serbia kërkon Asosiacion të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nuk pranon që të ketë Asosacion të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi. Kosova ka vetëm pesë pakica, ndërsa Serbia ka 21 pakica. Të drejtat e pakicave në Kosovë janë pakrahasueshëm më të përparuara se në Serbi. Asosacioni i Komunave me shumicë serbe e ka precedentin e vet në Bosnjë, Republikën Serbe. Një republikë, pra, brenda një vendi si që nuk është republikë. Duke pasur një përvojë kaq të hidhur, Evropa, Perëndimi nuk ka asnjë arsye që ta përsëritin Republikën Serbe edhe në Kosovë.”
“Përballja e Kosovës me Serbinë nuk është thjesht përballje e së kaluarës historike, por edhe e të sotmes dhe e të ardhmes së të dy vendeve. Kosova është vendi me demokracinë më të zhvilluar në rajonin problematik të Ballkanit, ndërsa Serbia është një vend jodemokratik autoritarist,” vijon Kryeministri.
Në pyetjen për Gjykatën Speciale të Hagës dhe akuzat ndaj disa drejtuesve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, Kurti përgjigjet se miratimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës me 82 vota ka qenë një gabim i madh. Qeveria e Kosovës, shton z. Kurti, po punon për krijimin e një sistemi të besueshëm të drejtësisë, i cili do të japë rrugë vetë çdo akuze.
Pas dy vitesh në qeverisje, koalicioni në pushtet në Kosovë është motivues për popullin e Kosovës. Por thelbësore është mbajtja e premtimeve.
101 apo 117 shtete kanë njohur shtetin e Kosovës – Gjatë Dialogut Kosovë-Serbi, Beogradi nuk e ka ndalur fushatën antiKosovë
Në kronikën e saj një kolege citonte se Kosova është e njohur nga 101 vende, ndërsa kryeministri Albin Kurti përmend 117 vende. Në Wikipedinë në anglisht thuhet se Kosova njihet aktualisht nga 101 vende, në gjuhën italiane 98.
Nëse janë tërhequr, kjo ka ndodhur për shkak të lobimit serb, që po ashtu nuk e lejoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Pra gjatë gjithë Dialogut Kosovë-Serbi nën drejtimin e BE, Beogradi ka vazhduar lojën e vet aneksioniste kundër territoreve të Kosovës, pa marrë parasysh se vija e kuqe nuk janë apetitet milosheviçiane, por sovraniteti terrirorial dhe shtetëror i Kosovës në juridiksionin e KFOR-it.
E vërteta duhet të dihet sikur është, ndërkohë që duhet të ndalen veprimet për interesa lobiste nga segmente të diplomacisë Perëndimore që paguan Beogradi. Këto segmente të diplomacisë Perëndimore që nuk përfaqësojnë emra sinjifikativë e lajkatojnë Serbinë e Vuçiqit dhe Daçiqit, duke mbyllur sytë përpara shkaktarëve të trazirave, çka bie ndesh me paqen dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe Ballkanit.
Taksitë në Kosovë
Njërit prej kolegëve tanë i shkrepi që të marrë taksi dhe të shëtisë Prishtinën. Pasi i ka rënë gjithandej kryeqytetit, ai e pyet taksistin sa duhet të paguajë. Taksisti ia tregon shumën 3-4 Euro. “Ty të është bllokuar taksimetri!,” i thotë kolegu ynë. “Nuk më është prishur taksimetri, i përgjigjet taksisti, por kaq është çmimi!”
Një ofertë shumë interesante për turizmin e Kosovës.
RTK e Kosovës
Pas takimit me z.Kurti nxituan në hotel të linim bagazhet dhe të vijonim axhendën. Do të priteshim nga drejtori i përgjithshëm i RTK, z.Shkumbin Ahmetxhekaj.
Taksi morëm edhe ne bashkë me Anna-n, kolegen tonë armeno-zvicerane. Në RTK i thamë taksistit. Shoferi parkoi tek shkallët, por kur i thamë dezhurnit se jemi pjesë e grupit të gazetarëve në takimin me Drejtorit e Përgjithshëm të RTK-së, ata na u përgjigjën se ne kishim shkuar tek Radio, ndërsa TV është në një ndërtesë tjetër. Po si nuk qenka bashkë RTK i Kosovës, pyetëm të habitur!
Nuk vonuan dhe erdhën e na morën me makinë për të na çuar tek selia e TV publik të Kosovës.
“Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat enorme të cilat më presin, por jam thellësisht i bindur se me angazhimin e përbashkët, RTK-në do ta fuqizojmë si lider medial që do të jetë adresë e lajmeve të verifikuara, programit të shumëllojshëm dhe llogaridhënies”, na tha gjatë takimit Drejtori i ri i Përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) Shkumbin Ahmetxhekaj. Shkumbini na bëri një pasqyrë të veprimtarisë të RTK, buxhetit, programacionit, ekipeve, pa harruar theksin se “Minorities priorities”- se “Pakicat janë përparësi”.
10 milionë Euro buxheti për RTK na u duk pak, ndërsa sa i përket pakicave, kanali i dytë i RTK-së i është dedikuar tërësisht atyre. Pastaj Shkumbini na prin në mjediset e RTK-së. “Është suksesi im i parë,” thotë ai për Newsroomin e ri, tejet modern, ku gazetarët iu japin dorën e fundit kronikave të tyre. “Është suksesi im i dytë,” thotë ai për studion e re të lajmeve, ku ne përfitojmë nga rasti të takohemi me spikeren e njohur Fadile Kryeziu. Vizitojmë edhe mjedise të tjera, studion e madhe, ku marrin jetë të gjitha emisionet bisedore dhe kuturore. “Si i bëhet me këtë ndërtesë kaq të ngushtë dhe të vjetëruar të përshtaten studiot e reja ?”- e pyesim ne. “Nuk është ky i vetmi hall,” na përgjigjet Shkumbini, – “Ndërtesa ka probleme edhe me pronarin.” “Është koha për një ndërtesë të madhe, me Radion dhe Televizionin nën të njëjtën çati,” ndajmë ne shqetësimin me drejtuesin e ri, të talentuar e vizionar të RTK-së.
Ndërkaq kronika me fotot nga takimi ynë me Kryeministrin Kurti dhe pamje filmike nga vizita jonë në Radiotelevizionin e Kosovës do përfshiheshin në revistën televizive, e cila do të transmetohej gjatë darkës që për ne shtroi Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj tek “Liburnia”, restauranti sa antik e tradicional, aq modern dhe çlodhës ku kolegët tanë u mrekulluan nga guzhina dhe shërbimi i shkëlqyer.
Jetohet mirë në Kosovë, apo jo?!
Po, pa dyshim që po.
Ajo që na bërë përshtypje është se në kioskat e Kosovës prej kohës së Covidit mungojnë gazetat e përditëshme, një boshllëk që do të duhet të mbushet.
Përherë e më shumë Zvicër në Kosovë, përherë e më shumë Perëndim në Kosovë
Dita e dytë starton me vizitën në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë. Një pjesë e jona janë zviceranë të natyralizuar.
Përshtypje të jashtëzakonshme lë tek ne nënshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Republikën e Kosovës, zonja Pauline Mernthonnex Gacaferri, me mikpritjen e saj, me njohuritë, kompetencat dhe aftësinë e saj të rrallë të komunikimit për paraqitjen e përmbledhur të marrëdhënieve Kosovë-Zvicër dhe kontekstin politik, në kontekstin rajonal dhe europian me gatishmërinë për përgjigje sa më shterruese ndaj pyetjeve të gazetarëve.
Zonja diplomate, na flet për realitetin e Republikës së Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm përballë sfidave të mëdha përkatëse.
Pauline Mernthonnex Gacaferri tregon se Zvicra, edhe nëpërmjet Diasporës së madhe të Kosovës në Konfederatë, është e pranishme në Kosovë. Janë të shumta bizneset zvicerane dhe shqiptaro-zvicerane që veprojnë në Kosovë. Remitancat ende kanë një peshë të madhe për Kosovën, ku një e treta e popullsisë vazhdon të mbështesë prej tyre jetesën. Nga Zvicra vijnë në Kosovë rreth 19 për qind e remitancave. Duke theksuar peshën që Kosova ka në Zvicër dhe anasjelltas, zonja diplomate nënvizon se Kosova është vendi i vetëm në botë ku gjermanishtja është gjuhë e dytë. Dhe gjermanishtja ka një prirje në rritje këtu. Në çdo hap do të ndeshesh me lajmërime për hapje kursesh për gjermanishten. Kjo përbën edhe brengë për Kosovën. Sepse, të gjithë këta të rinj që mësojnë gjermanishten, e shikojnë të ardhmen e tyre në Perëndim, kryesisht në Gjermani.
Lidhur me misionin Swisscoy në kuadrin e KFOR-it, zonja Pauline Mernthonnex Gacaferri nënvizoi se Këshilli Federal ka miratuar zgjatjen e tij deri më 2026 dhe mundësinë e shtimit të kontigjentit aktual (195 trupa) me 30 trupa të tjerë në përgjigje të kërkesës së bërë nga Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në kuadrin e zhvillimeve të fundit në veriun e vendit.
“Ndihma e Zvicrës për Kosovën, që nga viti 1998, ka qenë gjithnjë e orientuar, nga përkushtimi për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës dhe vendin për të ecur përpara. Zvicra ndërmori një program katërvjeçar bashkëpunimi me vlerë 86 milionë franga zvicerane të përqëndruara në mbështetjen e mëtejshme të proceseve të tranzicionit në Kosovë dhe përparimit drejt standardeve dhe vlerave evropiane,” theksoi zonja diplomate. “Në rrafshin diplomatik, – theksoi ajo më tej, – Zvicra mbetet mbështetëse aktive e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale si Këshilli i Evropës dhe është duke mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.”
Zvshefja e Misiont e Ambasadës së Zvicrës në Kosovës zonja Pauline Mernthonnex Gacaferri me kohën që patëm në dispozicion përmes aftësisë të saj të komunikimit të gërshetuar me kompetenca dhe njohuri shteruese na kujtoi Madame Micheline Calmy-Rey, një nga ikonat e shqiptarëve të Kosovës, të cilët i janë mirënjohës për rolin kur ishte në krye të Departamentit të Politikës së Jashtme të Zvicrës.
Shqiptarët e Kosovës i janë mirënjohës Konfederatës Helvetike për jetë, sepse Zvicra u bë për ta atdheu i dytë, prej së cilës ata përfituan kulturën e punës dhe të jetës, mësuan se demokraci do të thotë, së pari, të jetosh me dinjitet përmes punës dhe respektimit të shtetit ligjor.
Diaspora e Kosovës më e lidhura me vendin e saj
Diaspora e Kosovës më e lidhura me vendin e saj. Kjo është formula magjike e gjallërisë që gjen në Kosovë në çdo stinë të vitit.
Asaj dite që udhëtuam për në Prishtinë, nga Gjeneva do të fluturonin tre avionë, po kështu, edhe nga Bazeli, edhe nga Zürich-u. Kur llogarit që çdo avion ka të paktën 200 udhëtarë, mund të dalësh në përfundimin se nga Zvicra për çdo ditë në Prishtinë përmes rrugës ajrore hynë rreth 1500 udhëtarë, të mos llogarisim pastaj, udhëtimet që bëhen me autobus apo me veturat private.
E njëjta gjë nga Gjermania, ku komuniteti i shqiptarëve nga Kosova atje është shumë më i madh.
Doni të dini përbërjen e udhëtarëve. Ata janë që nga bebe të porsalindura deri të moshuar, pra përbërja është nga të gjitha grupmoshat. Pra, dashuria për Kosovën nuk rresht kurrë. Ajo veç ushqehet me dashuri.
Por diaspora e Kosovës nuk është indiferente, për të sjellë veç remitanca, për të bërë veç fejesa e dasma, festa apo për të kaluar aty pushimet e verës.
Diaspora e Kosovës është më e lidhur me vendin e saj dhe më e përkushtuar për zhvillimet e saj. Roli i saj, nëpërmjet votës, është i dukshëm edhe në rezultatet e zgjdhjeve edhe në përparimin e demokracisë në Kosovë, në ardhjen e një klase të re politike dhe të qeverisjes së re në Kosovë, si dhe në të gjitha sfidat me të cilat është përballur dhe përballet Kosova.
Diaspora e Kosovës duhet të jetë shembull për diasporën e shtetit amë.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta qetësojë Serbinë – Me FSK-në Kosova de facto është një hap larg nga NATO-ja
Grupi ynë i gazetarëve vizitoi Komandën e Gardës Kombëtare në Pomozotin, ku u mirëpritëm nga Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Shemsi Syla, Komandanti i Gardës Kombëtare gjeneral brigade Naim Haziri, ushtruesi i detyrës i Shefit të Shtabit, kolonel Ejup Maqedonci si dhe oficerë të FSK-së.
Zëvendës ministri i Mbrojtjes z. Syla, midis të tjerave tha se “Kosova është një vend i vogël, me ushtri të vogël, por ushtria e jonë është e trajnuar mirë dhe e pajisur me standarde të NATO-s. Ne nuk jemi kërcënim për askënd, por mund të ndihmojmë çdokënd”. Ndërsa Komandanti i Gardës Kombëtare, gjenerali i brigatës Naim Haziri na tregoi se Komanda të cilën ai udhëheq ka kapacitetet e plota operacionale për Mbështetje Ushtarake të Autoriteteve Civile. Objektivi madhor i FSK-së është i qartë: si një forcë e përgatitur sipas kritereve për të qenë anëtare e NATO-s, të jetë edhe anëtare e Aleancës Verio Atlantike.” FSK përbëhet nga 5000 trupa dhe 3000 rezervë, por sovraniteti dhe integriteti territorial garantohet nga trupat e KFOR-it.
Më pas e mori fjalën kolonel Maqedonci i cili na informoi në detaje me misionin, detyrat, sfidat dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kolonel Maqedonci para gazetarëve prezantoi partneritetin që FSK-ja ka me aleatët dhe misionet paqësore në të cilat FSK-ja mori pjesë, duke veçuar operacionin e Kërkim Shpëtimit në Republikën e Turqisë. Një ditë më parë se ne të vizitonim gardën Kombëtare, skuadra e FSK-së, kishte shpëtuar një fëmijë dyvjeçar dhe nënën e tij në rrënojat e një ndërtese.
Ekipi i gazetarëve pati mundësinë që të njoftohet edhe me detyrat e Kompanisë së Deminimit, Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim Shpëtimit dhe të shohin nga afër kushtet në të cilat veprojnë dhe trajnohen pjesëtarët e FSK-së dhe ata ndërkombëtarë.
Me vëmendje të veçantë nga drejtuesit e FSK përcillet brutaliteti i agresionit të Rusisë në Ukrainë, si dhe me vetëdijën e plotë se kur kjo luftë e tmerrshme të përfundojë, do të jetë një nevojë urgjente e jashtëzakonshme çminimi i terrenit. FSK ka në biografinë e saj prej mbarimit të konfliktit më 1999 e deri tani deminimin e mbi 60 milionë metër katrorë territor të Kosovës nga rreth 100 mijë mina dhe mjete të tjera shpërthyese. FSK do ta përfundojë deminimin në vitin 2024. FSK shprehu gatishmërinë se, me përvojën 20 vjeçare, ata janë plotësisht të përgatitur t’iu japin ndihmën e tyre vëllezërve dhe motrave ukrainase, thonë ata me një nuancë të dukshme krenari.
Nuk duhet harruar të shënojmë se në Kosovë janë duke u trajnuar qytetarë të Ukrainës që pas luftës të kontribuojnë në deminimin e vendit të tyre.
Ushtria e Kosovës ka marrëveshje bashkëpunimi me një numër të madh vendesh anëtare të NATO-s e të Partneritetit për Paqe – SHBA, Britania, Gjermania, Hollanda, Turqia, Suedia, Hungaria, Italia, Kroacia, Shqipëria e tjerë- dhe është duke arritur marrëveshje me një numër vendesh të tjera si Franca, Portugalia, Austria, Zvicra, Kanadaja, Bullgaria, Cekia. Me shumë sukses dhe profesionalizëm të lartë, Ushtria e Kosovës ka marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me NATO-n në Kosovë dhe në vende të tjera. Viti 2023 është përcaktuar nga ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj si “vit i forcimit të Ushtrisë, duke investuar jo vetëm në modernizimin, por edhe në rritjen profesionale të stërvitjes së ushtarakëve tanë, të cilët do të japin ndihmesën për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë jo vetëm në vend dhe rajon, por edhe përtej, si një forcë e një vendi anëtar të NATO-s në të ardhmen e afërt.”
Pesë vjet më parë, kur po me një grup gazetarësh të huaj nga APES vizituam Gardën Kombëtare të Kosovës, urimi ynë ishte që FSK të transformohej në ushtri e Republikës së Kosovës. Objektivi madhor i FSK-së është i qartë: të jetë sa më shpejt anëtare e NATO-s- Dhe, ne ashtu urojmë! FSK-ja i ka përmbushur të gjitha kriteret për të qenë anëtare e NATO-s, pasi është e trajnuar me standartet e saj! Nëse Kosova anëtarësohet në NATO, edhe Serbia do të qetësohet!
Kolegët tanë nuk e marrin me mend se kur nisi konflikti Kosovë-Serbi, më 1998-1999, Kosova nuk kishte as ushtri, as polici, as armatime, dhe se regjimi kriminal i Milosheviçit i kishte mbyllur të gjtha shkollat, Universitetin e Prishtinës, Televizionin e Prishtinës dhe gazetat përpara se të niste genocidin dhe spastrimin etnik ndaj 1 milion banorëve!
Drejt Mitrovicës
I stërlakuari Asosacion i Komunave me shumicë serbe është më i prekshëm në qytetin e Mitrovicës. Udha për atje është më e bukur se pesë vjet më parë, gati tërësisht e rindërtuar. Edhe qytetet dhe qendrat e tjera të banimit janë më të urbanizuara. Uji që rrjedh është tjetër, por Lumi Ibër është i njëjtë, madje rrjedh më bukur se atëherë. Dhe veriu nuk është ai i pesë viteve më parë, por ne na duket se fryn gjithnjë në drejtim të kundër të lumit, si atëherë, por më bukur se atëherë. E dimë se atje nuk na pret kryetari aktual i bashkisë, nga radhët e PDK-së, por na pret Agim Bahtiri, ish kryetar i bashkisë, veprimtar i Vetëvendosjes, biznesmen. I themi se Mitrovica tashi është më e bukur. Agimi krenohet: “Ky ka qenë objektivi im kryesor si kryetar bashkie. Ta transformoj në një qytet europian.” Takojmë shqiptarë e shqiptare që banojnë në pjesën veriore të qytetit. “Gjithçka është normale në marrëdhëniet tona me popullsinë serbe. Asnjë shqetësim midis nesh. ” Iu kujtojmë lexuesve se pjesa veriore e Mitrovicës u bë komunë më 2013. Atje banojnë rreth 5 000 (pesë mijë) shqiptarë, rreth 2 000 ( dy mijë) boshnjakë, goranë, romë e tjerë, krahas rreth 22 000 (njëzet e dy mijë serbë). Beogradi do që lagjen veriore të Mitrovicës ta bëjë qendër të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe, me qëllim që ta aneksojë.
Arrijmë matanë Urës së Ibrit. Jemi dhjetë gazetarë, por për patrullën e karabinierëve italianë që shërbejnë këtu 24 orë në ditë, jemi të panjohur. U vunë menjëherë në lëvizje. Nga një xhip, nuk vonoi dhe ia mbërriti xhipi i dytë, por kur morën vesh se ishim gazetarë, xhipi i dytë u largua dhe ne vijuam të qëndronim tonë mbi urë. Disa nga kolegët tanë kaluan edhe në pjesën veriore. Mund të kalonim edhe ne. Por ajo që pamë ishte se jeta rridhte normalisht, e qetë në një ditë të acartë shkurti me temperatura nën zero, por me një diell që lajmëronte pranverën. Kalimtarët vinin e shkonin mbi Urën mbi Ibër, si të ishte simbol i paqes, harmonisë dhe bashkekzistencës midis shqiptarëve e serbëve dhe jo simbol i barrikadave.
Një rresht blloqesh betoni vendosur në hyrjen e pjesës veriore të urës e bënte të pamundur kalimin e veturave, po ashtu edhe prania konstante e patrullës së karabinierëve italianë na ktheu në realitetin jo shumë të largët kur trazirat në veriun e Mitrovicës nisën me urdhër dhe u ndalën me urdhërin e Presidentit të Serbisë. Por kryesorja që duhet të theksohet është se midis dy etnive nuk ka patur as nuk ka konflikte. Këtë konkluzion na e kishin thënë edhe trupat e Swisscoy pesë vjet më parë. UÇK u krijua nga formacione civile, sepse Kosova nuk kishte ad ushtri dhe as armatime për të ndalur spastrimin etnik dhe genocidin e makinerisë kriminale të Milosheviçit që dëboi nga trojet e tyre mbi 1 milion shqiptare dhe shkaktoi mbi 10 mijë viktima e e mijëra të zhdukur. Ajo që dihet është se serbët e veriut të Mitrovicës janë nën presion dhe frikë nga Beogradi që operon në këtë zonë me bandat e veta, pa marrë parasysh se kësisoj shkel sovranitetin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Pikërisht tek Ura mbi Ibër takohemi me Halit Baranin, legjendë e Mitrovicës, artist i njohur, veteran i UÇK-së, veteran i të drejtave të njeriut prej dekadash. E njohim menjëherë si një figurë epike nga mjekra e tij e bardhë karakteristike. I kujtojmë kohët kur Haliti, për një periudhë, botonte në “Bota sot” përditë me vijime fejtonin e tij me dokumente me dëshmi autentike të viktimave civile shqiptare nga makineria ushtarake serbe. Këto dokumente i ka botuar më vonë në disa vëllime, në mijëra faqe. Haliti u afron fotografi dokumentare edhe kolegëve tanë gazetarë, të cilēve u tregojmë se Halit Barani, për dy ditë rresht ka dëshmuar me fakte në Hagë përballë kryekasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviçin. Haliti nuk e pranon me të drejtë termin Veriu i Mitrovicës. Mitrovica është e gjitha një, me jug e veri, me Lumin e Ibrit, Urën dhe të gjithë banorët e saj, pa asnjë dallim.
Nga Mitrovica për në Prishtinë kthehemi në mbrëmje. Në të dy anët e rrugës bëhen më të dukshme qytetet, qendrat e banuara, bizneset e panumërta, reklamat e tyre të shumëngjyrshme e të shumëndritshme, kolonat e automjeteve që shkojnë dhe atyre që vijnë. Gjatë kësaj rruge dhe brenda Prishtinës, na lind ideja se Prishtina, me ekonominë e saj, institucionet e saj arsimore, jetën tejet të gjallë kulturore, shpirtërore, është kryeqyteti më rrezatues anembanë Republikës, çka ia përfton shtetit profilin e një metropoli tërësor.
Përse nuk ftohet në Dialogun Kosovë-Serbi nga zotërinjtë Borell dhe Lajçak z.Nenad Rashiq, ministri serb për Komunitetet dhe Kthim
Dita e tretë nis në Kosovë me pritjen nga ministri serb për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, takim që ishte mbresëlënës. Në paraqitjen e gjendjes së pakicave, duke u ndalur veçanërisht në situatat e tensionuara krijuara kohët e fundit në veri të Kosovës, z.Rashiq nënvizoi fort “se përgjegjës i tyre është vetëm një njeri dhe ai është Presidenti i Serbisë Vuçiç. Me urdhërin e tij, në verun e Mitrovicës çdo çast që i nevojitet, ai vë në veprim strukturat kriminale që mund ta destabilizojnë dhe përshkallëzojnë situatën.” “Nuk është aspak në interesin e serbëve të Kosovës krijimi i gjendjeve të tilla”, theksoi Rashiq. “Është vetëm në interes të politikës së Vuçiçit. Ne serbët jemi të vetëdijshëm se me shumicën shqiptare dhe pakicat e tjera po krijojmë një vend të ri. Dhe krijimi i një vendi të ri kërkon përpjekjet e përbashkëta të të gjithëve që jetojmë në Kosovë. Kosova është një vend demokratik, ku zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta. Por Vuçiçi ia ka mohuar popullsisë serbe të Kosovës zgjedhjet e lira dhe të drejta. Lista Serbe, është mekanizëm i Vuçiçit në Kosovë. Unë e kam kundërshtuar këtë praktikë gjithmonë. Ndërsa Vuçiçi mua më quan “llum”.”
I thamë z.Rashiq se ai është një personalitet i nderuar dhe e përgëzuam për punën që bën në kushte shumë të vështira.
Parlamenti i Kosovës ka 120 ndenjëse deputetësh. Nga këto, 100 ndejtëse i përkasin shqiptarëve që përbëjnë mbi 90 % të popullsisë dhe 20 iu përkasin pakicave, nga ku 10 ndjetëse pakicës serbe, përveç kësaj pakicat kanë të drejtën e vetos dhe çdo ndryshim kushtetues mund të bëhet kur pakicat votojnë në favor të paktën me 2/3 ( dy të tretat).
Pyetjes sonë se a e dëgjojnë zërin e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi dhe nëse z.Rashiq a është i ftuar nga zotërinjtë Borrel dhe Lajçak, ministri serb i pakicave përgjigjet në mënyrë mohuese.
Dhe ne si gazetarë pyesim: e si është e mundur që përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës të mos jenë të pranishëm në dialog, të paktën me statusin e dëgjuesit! Dhe pyetja lind pyetjen.
E si është e mundur që dialogun Kosovë-Serbi e drejtojnë dy persona, nga vendet e BE-së të cilat nuk e njohin Kosovën?!
Ministri Rashiq është i habitur sesi, në gjithë këto vite, asnjë aplikim për të marrë ndihmë nga qeveria nuk është bërë nga serbët e Kosovës. Arsyeja e vetme përse nuk e bëjnë këtë, sqaron Rashiq, është se ua ndalon Beogradi. Ai dhe ministria që drejton, ndërkohë, kanë filluar të promovojnë në media dhe në takimet me qytetarët serbë të Kosovës të drejtën dhe mundësinë që kanë ata për të bërë aplikime.
Ndërsa po bëheshim gati të përshëndeteshim me ministrin Rashiq, aty ne pret një befasi e bukur pasi takohemi me mikun tonë të hershëm Tahir Shabani, një nga veprimtarët e pandalur të Diasporës Shqiptare, i cili ishte ndër të parët që ka sjellë ndihma humanatare për Shqipërinë menjëherë pas rrëzimit të diktaturës komuniste. Tahiri, Ambasador për Paqe, është President i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim (ICD) që me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ishte organizatori i një Samiti për Paqen në Kosovë.
*****
Me Ermalin
Ermali është kamarieri i restorantit të hotelit ku ne qëndrojmë dhe hamë mëngjeset. Është shtatlartë dhe, nga pamja, të jep menjëherë përshtypjen se është sportist. E flet anglishten rrjedhshëm dhe bukur, shërben në mënyrë shembullore. Është 18 vjeçar. “Jam në moshën vendimtare të një futbollisti, – na thotë, i brengosur. Në Kosovë nuk ka menaxherë futbolli.” “Si ia bëjnë të tjerët, talentet e rinj të futbollit?” “Këtu talentet e rinj ende nuk gjejnë zgjedhje,” na përgjigjet Ermali. “Do të desha të luaja me kombëtaren e Kosovës, por nuk po gjej mundësi të përfshihem”. “Do të shkoj në Gjermani.”
Ermali kërkon zgjidhje në Kosovë, por nëse nuk do të gjejë ai do t’i drejtojë sytë nga Europa që i mirëpret talentet e Kosovës!
Në Kosovë sportet lëvrohen shumë më mirë se në Shqipëri, një traditë e ruajtur me dashuri dhe përkushtim, por përse Kosova të mos ketë mundësi që talentet e reja si Ermali t’i mbajë në gjirin e saj!
Me sytë me lot i urojmë Ermalit suksese. Sukses për ne është që Ermali të gjejë mundësitë dhe lumturinë në Kosovë, ndërsa për Ermalin ndofta suksesi i tij është të luajë me skuadrat në Perëndim.
***
Albulena dëshiron të qëndrojë në Kosovë
Me Albulenën takohemi në Mitrovicë. Ajo është studente e mjekësisë viti i dytë në Universitetin e Tetovës, është poeteshë e re dhe ka plot ëndërra në sirtarët e saj. Me Albulenën folëm për Prof. Fadil Sulejmanin, themeluesin e Universitetit të Tetovës, se si Prof.Sulejmani ia doli të ndërtojë një Institucion Dijesh. Albulena e di se edhe për të Perëndimi është një mundësi e kapëshme, por Albulena do që të qëndrojë në Kosovë, në Mitrovicën e saj.
Albulena di anglisht, gjermanisht, por kur e pyetëm për serbisht, ma tundi kokën “jo” nuk di na tha. Jemi shumë dakord me mendimin e shefit të EULEX Lars-Gunar Wigemark , se gjuha shqipe dhe serbe duhet të futet si gjuhë e dytë përkatësisht në shkollat e shumicës dhe të pakicës serbe.
Kryeministri i Kosovës flet serbisht, ashtu sikur edhe Ministri i Pakicave flet shqip. Gjuha është kulturë, gjuha afron, bashkëbisedimi nuk i shërben harresës por të ardhmes.
Kosova me moshën e popullsisë më të re në Europë
Janë ndoshta ditët më të ftohta të këtij shkurti këtu në Kosovë. Por nga do që shkojmë, shohim të rinj të reja, të bukur, të bukura, më të bukur, më të bukura, vetëm të bukur, vetëm të bukura.
Janë bukuria e Republikës së Kosovës. Sekush me paraqitje të jashtme tejet moderne. A thua sapo kanë pikuar nga Nju Jorku, nga Parisi, nga Londra apo Berlini. Rrezatimi kësaj bukurie bën që gjithçka këtu në Kosovë, sa herë që ia hedh sytë, ditën apo natën, me diell a pa diell, me re apo pa re, të të duket çdo herë më e bukur. Ajo që urojmë është që brezi i ri i Kosovës të jetë sa më i dashuruar me Atdheun. Brezi i ri i Kosovës meriton jo vetëm përkushtimin e administratave të Kosovës, jo vetëm përkushtimin e Qeverisë Kurti, e cila e ka përparësi kryesore absolute në rrafshin e brendshëm brezin e ri të Kosovës, por të çdo faktori shqiptar dhe të çdo faktori miqësor ndaj shqiptarëve në Perëndim dhe kudo.
Të mos harrojmë se Kosova është shteti me popullsinë më të re në Evropë. Sipas Eurostat mosha mesatare për vitin 2020 ishte 30.5 vjeç , duke e renditur kështu Kosovën në vendin e parë në Evropë për na popullsia.
Një mrekulli e Kosovës është lindshmëria e lartë! regjimi kriminal i MIlosheviçit lindjet e larta në Kosovë i konsideronte “genocid demografik”! Merret me mend ku shkonte çmendia e një ultrashovinisti që e kalli rajonin në flakë! Paranojën e mitomanit e ka edhe ish zëdhënësi i tij, presidenti prej dhjetë vitesh i Serbisë Aleksandër Vuçiç, që nga vetë serbët konsiderohet një fatkeqësi!
Ne urojmë që lindshmëria e lartë, ky bekim ta shoqërojë Kosovën gjithmonë.
Kush lind fëmijë, do paqe dhe siguri për të ardhmen.
Takimi me shefin e EULEX-it Lars-Gunar Wigemark
Një vizitë shumë e rëndësishme ishte edhe takimi me Shefin e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunar Wigemark. Fillimisht na mirëpriti zëdhënësja e EULEX-it zonja Ioanna Lachana, shefja e zyrës së shtypit dhe informimit publik, e cila na drejtoi në zyrën e z.Lars-Gunar Wigemark, i cili, kur u prezantua, na tregoi se kishte qenë gazetar. Në fakt, kush është gazetar, i tillë mbetet gjithmonë. Shefi i EULEX-it trajtoi me seriozitet dhe brengë sfidat e mëdha përballë Kosovës. EULEX filloi të veprojë në Kosovë nga viti 2008 si misioni më i madh civil i Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes së Përbashkët të Bashkimit Evropian. Në përbërje ka vetëm 105 policë. Misioni i tij është të mbështesë institucionet e zgjedhura të ligjit dhe rendit në Kosovë në rrugën e tyre për funksionimin e rule of law përmes rritjes së vazhdueshme të efektivitetit, qëndrueshmërisë dhe multietnizmit, i pavarur nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me praktikat më të mira evropiane.
Shefi i EULEX-it përmend si sfidë të madhe luftën që po bën qeveria kundër korrupsionit, i cili në Kosovë, si në vendet e tjera të rajonit, është masiv dhe sistemik. Ndër të tjera, z. Wigemark shpreh shqetësimin që brezi i ri i shqiptarëve në Kosovë nuk di serbisht dhe brezi i ri i serbëve në Kosovë nuk di shqip. Dhe shpreh mendimin për për ndikimin pozitiv që në shkollat shqipe të futet gjuha serbe dhe në shkollat serbe të futet gjuha shqipe. Na u duk një mendim shumë me vend. Në paraqitjen e gjendjes në Kosovë dhe, duke u ndalur tek incidentet në veri të vendit, edhe z. Wigemark në mënyrë implicite ndau opinionin se këto situata krijohen në mënyrë artificiale dhe të instrumentalizuar nga Beogradi. EULEX, institucionet e tjera ndërkombëtare dhe e gjithë prania ndërkombëtare e mirëkuptojnë përkushtimin dhe vendosmërinë e Qeverisë Kurti që shteti i së drejtës të veprojë në të gjithë territorin.
Por shteti i së drejtës fillon pikërisht me mbrojtjen dhe ruajtjen e sovranitetit.
Kosova është me fat, që shteti dhe demokracia e saj janë mbështetur nga Perëndimi step by step, prania e të cilit në Kosovë, duhet pranuar se i ka shërbyer paqes dhe stabilitetit.
Por formacionet e Perëndimit në Kosovë me kapacitete tejet të specializuara të rendit dhe sigurisë duhet të jenë krahu i djathtë i institucioneve të sigurisë të Kosovës që edhe pjesa në veriun e Mitrovicës prej 11 kilometra katror dhe i gjithë veriu të funksionojnë si pjesë integrale e Kosovës dhe të jetë nën mbrojtjen dhe sigurinë e institucioneve demokratike të Kosovës që serbët e Kosovës të jetojnë të lirë, me dinjitet dhe pa frikë nga Beogradi.
Nuk mund ta lemë pa e sjellë këtu pyetjen e kolegut tonë Hassan Taha Yousif nga Sudani i Jugut, që i drejtoi shefit të EULEX, z.Lars-Gunar Wigemark se përse institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë të Perëndimit, nuk ndërhyjnë në vendet që vuajnë nga konfliktet për të vendosur shtetin e së drejtës, duke patur parasysh shumë vende në Afrikë, popujt e së cilës vuajnë nga kaosi i luftërave civile.
Kjo do të ishte pyetja kuintesenciale e gjithë takimeve tona. Se njerëzit në çdo cep të botës, pavarësisht se nga vinë, se cilës racë i takojnë, se çfarë ngjyrë e kanë lëkurën apo besimin, se çfarë gjuhe flasin, duan të jetojnë një jetë me dinjitet, në paqe, siguri dhe mundësi për të punuar.
Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës Xhelal Sveçla: Në Brezovicë, ku 70 vila të ish zyrtarëve të lartë u konfiskuan dhe pronarët e tyre u dërguan para drejtësisë
Tejet konkrete dhe me statistika ishte paraqitja që na bën ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla rreth sigurisë në Kosovë. Duke iu referuar situatës më të fundit në veriun e Mitrovicës, ministri na tha se këto situata i krijon Serbia nëpërmjet segmenteve kriminale të serbëve në veriun e Republikës së Kosovës. Është një grusht kriminelësh, nën urdhërin e Vuçiçit, i gatshëm të krijojë destabilizim.
Ministri Sveçla pohoi vendosmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës që rendi dhe ligji të veprojë në të gjithë territorin e shtetit, që shteti juridik të veprojë për çdo qytetar dhe çdo banor të Republikës së Kosovës, që demokracia të japë frytet e saj si për shumicën, edhe për të gjitha pakicat e Republikës së Kosovës.
Z. Sveçla nënvizoi gjithashtu se në veriun e Kosovës veprojnë një numër i konsiderueshëm biznesesh të sanksionuara nga SHBA, të cilat mbrohen nga Beogradi.
I pyetur nga një kolegu jonë rreth mëtimeve të Serbisë për të drejtën e saj historike në Kosovë, ministri i Brendshëm Sveçla u përgjigj se, si çdo vend në botë, edhe Kosova është e atyre që e banojnë, dmth e shqiptarëve që janë mbi 90 për qind të popullsisë, e serbëve, boshnjakëve, turqve, romëve, ashkalinjve.
Pyetjes rreth premtimit zgjedhor për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin, z. Sveçla iu përgjigj me shembuj të bollshëm konkretë. Ndër të tjera, solli rastin e aferës së ndërtimeve të jashtëligjshme në Brezovicë, ku 70 vila të ish zyrtarëve të lartë u konfiskuan dhe pronarët e tyre u dërguan para drejtësisë.
Z. Sveçla gjatë gjithë kohës përsëriti qëllimin e Republikës së Kosovës për të pasur gjithnjë përparësi diskriminimin pozitiv të pakicave, pra që pakicat të kenë më shumë të drejta se shumica.
Kjo e vërtetë është e dukshme veçanërisht në raportin e shtetit të Kosovës me pakicën e tij numerikisht më të madhe, serbët. Në çdo hap, të gjitha institucionet shtetërore apo emërtimet e rrugëve, të shesheve, të shëtitoreve në Republikën e Kosovës janë në shqip dhe në serbisht. Në çdo zyrë, në çdo shkresë, krahas shqipes është serbishtja.
Ne që vimë nga Zvicra, një shtet federal me demokraci direkte dhe model i përkryer i multikulturalizmit, nuk e hasim askund këtë fenomen. Në Zvicrën gjermanofone tabelat dhe gjuha që flitet nëpër institucione janë në gjermanisht në Zvicrën gjermanofone, në atë italofone italisht dhe frankofone frëngjisht.
Grupi ynë i gazetarëve do ta vijonte rrugëtimin në Prekaz, ndërsa ne iu nënshtruam orarit të biletave të kthimit.
Prekazi, do të jetë arsyeja për udhëtimin e rradhës drejt Kosovës, atje ku violinat e vajit nuk i rreshtin tingujt e harqeve në kujtim të atyre fëmijëve që nuk u rritën dot, për t’u bërë, të rinj, burra e gra!
Është e pamundur, në çdo vizitë, të mos jesh më i dashuruar me Kosovën, me sharmin e saj të pashterrshëm, me jetën e Kosovës, me harmoninës mes hapësirës rurale deh asaj urbane, me infrastrukturat përkatëse që dita-ditës i japin shtetit më të ri të Evropës, në të njëmbëdhjetë mijë kilometrat e tij katrorë, fizionominë e një metropoli të ri dhe unik perëndimor. Një vërejtje lidhet me qarkullimin në Prishtinë, që duhet të jetë objektiv kryesor, për ta afruar periferinë me qendrën përmes linjave të tramave dhe për të krijuar mundësi që trafiku të mos jetë gumëzhitës, as kaotik, por të gjenden mënyra në të mirë të urbanizmit, si dhe syrit e veshit të qytetarit.
Kosova na dha ndjesinë se këtu shteti i së drejtës works dhe se arsyeja themelore e kësaj është Sovrani i Kosovës, gjithnjë i gatshëm të vendosë për fatin e tij, për përsosjen e demokracisë të shtetit tëe tij, si shtet Europian në zemër të Europës, pjesë e BE-së dhe NATO-s, por sidomos një shtet paqësor.