Shënimet e mia mbi romanin “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës
Kur mora në dorë romanin “Hijet e Muzgut”, me autor mikun tonë Arben Kallamata, mezi prita të ktheheshim në shtëpi të nisja leximin. Por nuk kisha llogaritur që edhe bashkëshorti po thurte të njëjtin plan në mendje. Megjithatë kur pashë që libri kishte 412 faqe, u tërhoqa nga gara e leximit, për vitin 2019 …
Vendosa ta nisja Vitin e Ri si një grua e vërtetë. Duke pirë e lexuar, dhe sigurisht në dietë.
Duhet ta pranoj që në 3 faqet e para nuk po e merrja vesh a ishte një parapërgatitje që autori po i bënte lexuesit për çka do vinte më pas, apo ashtu me teori etologjike, abstragime e analiza gjuhësore do të ishte krejt libri? Falë Zotit ose Kallamatës faqet pasuese, ishin çliruese, jo të nervozizmit, por të një kënaqësie të madhe.
Libri të imponon një lexim frenetik sapo ti hyn në kopshtet e Edinit dhe S’Edinit, atje ku nis historia e njerëzimit. Atje ku Eva dhe Adami u tunduan të kafshonin mollën e ndaluar, pa ditur që aty ishte konservuar mëkati, prej të cilit vështirë se do hiqnin dorë ndonjëherë. Atje ku Qygja dhe Palloshi, dy krijesa të pafajshme, tamam rob Zoti, nuk ranë pre e reklamës së produktit, por u kuriozuan pas tregëtarit, duke kryer mëkatin e tyre të parë, vrasjen. Kështu, ata humbën rastin të zbulonin seksin. Kjo gjendje vazhdoi derisa një ditë, pasardhësit e Evës dhe Adamit, që për vite me radhë nuk kishin bërë gjë tjetër veçse ishin shtuar në brigjet e Afrikës e kudo përreth, arritën në Xhyrë, në kërthizën e Botës, t’i tregonin Qygjes dhe Palloshit se çfarë funksioni kishin ca pjesë të trupit.
Mos kujtoni se gjeneza ndodh kaq thatë sa ç’po e them unë. Ju do mbani barkun me dorë kur të lexoni dialogjet dhe pazaret me humor mes Perëndisë dhe krijesave të tij të para, nominuar kaq bukur dhe me origjinalitet nga autori.
Dikush që ka ndjenja të thella fetare ose përkushtim të verbër ndaj doktrinave mund edhe të preket siç në fakt ka ndodhur në raste të tjera kur satiristët janë marrë artistikisht me religjionin. Por ashtu si një fëmijë që lodron me një makinë duke e montuar e çmontuar, hedhur e përplasur, garuar e parkuar, me fantazinë e aftësitë e një mekaniku, shoferi, strategu, shkencëtari dhe lojtari, kështu edhe një krijues duhet të ketë lirinë për të luajtur me historinë, me legjendat, faktet dhe mitet, me tabutë e totemet, për të realizuar potencialin e tij krijues, jo vetëm për veten por edhe shoqërinë.
Tek “Hijet e muzgut” ngjarjet zhvillohen në dy kohë, në vitet e para, kur filloi jeta në tokë dhe në vitet anno domini, ose koha e re do të thoshte Kallamata në krye të kapitujve të tij. Kështu, lexuesi ndërmerr një udhëtim fantastik me ndalesa paralele në kohën e Konstandinit të Madh dhe në kohën e Qygjes dhe Palloshit e më tej të Lenkës së Virgjër të Tepelenës, Pirros së madh të të Pirit, e të Teutës, duke u argëtuar me parodizimin e gojëdhënave, miteve, historive e qytetërimeve. Mos prisni të arrini vetëm një pikë kulmore siç ndodh në romanet klasike, sepse kjo prozë moderne ka disa të tilla. Ato do t’i hasni përgjatë jetës në aksion së Qygjes dhe Palloshit dhe krijimit të pasardhësve të tyre, trimërive e tradhëtive të Gegës e Toskës, rolit të Zanës së malit, Lekos së Madh, Lame Lëçitësit, karaktereve biblikë e objekteve të shenjta, figurave të perandorisë romake dhe të ilirëve. Rrugës do të kuptoni edhe se si mbeti e pastër gjuha dhe raca e qygjarëve.
E qeshura dhe serioziteti do të na shoqërojë me të njëjtin intensitet deri në fund, ndërsa shquajmë një leksik të pastër, të pasuruar me neologjizma si dhe me fjalë të harruara nga ligjërimi i përditshëm, (për shembull, rokanis, xhings, urxhillëk, bilur, “ia hëngri xhigerin”) të qëndisura thjesht, në fjali aspak kilometrike.
Kush e njeh publicistikën e Arben Kallamatës, nuk çuditet nga mjeshtëria e tij për të luajtur me fjalën dhe kuptimet e saj. Surpriza është goditja me sukses që në herën e parë të një romani satirik, i cili të përpin ëmbël dhe ngutshëm. Por autori ka menduar të përfshijë disa sheshpushime gjatë udhëtimit. Kështu, në hyrje të kapitujve ai na tërheq vëmendjen me krijime dhe pjesë të përshtatura nga folklori. Pas kësaj ndalese, si për të marrë pak frymë, Kallamata ia dorëzon lexuesin Helenës, e cila vazhdon udhëtimin me karrocën perandorake në kërkim të Kryqit të Shenjtë.
Helena -75 vjeçare, autoritare, e pushtetshme, me një gjuhë të pandryshueshme, pa emocione, e akullt, e sigurtë, rrëfen symbyllur nën hijet e muzgut. Autori ka menduar që këtë personazh ta vendosë përballë alter-egos së saj, Afërditës, ose Venusit. Përmes tregimeve të historisë së shkuar Helena zhvillon luftën e brendshme të mbarsur prej fëmijërisë, genit apo fatit. Ajo na prezantohet si trashëgimtarja e qygjarëve, e caktuara për të realizuar një qëllim sublim të popullit të saj. Jeta e kësaj gruaje vërtitet rreth motos “Siç na dogjën do t’i djegim”. E shpëtuar dikur prej zjarrit që i shoi familjen, Helena 4-vjeçare vendoset në një familje romake për të humbur gjurmët e ekzistencës. Për disa vite ata e mbajnë të paprekur për shkak të kërcënimeve dhe pagesës që marrin, por kur fati i Gentit merr kthesë tragjike, Helena abuzohet fizikisht e seksualisht në bujtinën e fëlliqur. Urrejtja e neveria e saj arrijnë pikën kur ajo e ndihmuar prej një fisniku, të cilin më vonë e zbulon kush është, i vë zjarrin bujtinës dhe shkon e jeton në malësinë e Martaneshit derisa vjen momenti i duhur, të cilin unë nuk po e zbuloj për çfarë bëhet fjalë, në mënyrë që ju të lexoni vetë librin.
Autori ka zgjedhur këtë pasardhëse të Qygjes t’i tregojë lexuesit se linja femërore do të jetë e preferuara e tij. Gratë do të simbolizojnë vazhdimësinë dhe origjinën, inteligjencën dhe pushtetin, intrigën dhe hakmarrjen, energjinë dhe lëvizjen. Ndërsa meshkujt i sjell si figura plotësuese që kanë për të kryer ndonjë funksion, duke dhënë mundësi të spekulohet se janë më pak të ditur dhe më shumë fajtorë kur vjen puna në çështje që janë ende aktuale edhe sot. Duke shigjetuar që në fillim të romanit stereotipet me bazë gjinore autori na njeh me anën progresiste të tij. Ai u atribuon grave tipare dominante dhe gjithashtu rezervon një vend për homoseksualët si minoritet që në fillesat e njerëzimit. Por ama, stigmatizimi me finesë i mënyrave të të menduarit dhe të të funksionuarit të karaktereve, si në aspektin biologjik, personal, ashtu edhe atë social e politik nuk bën dallim në kohë, gjini, përkatësi apo shtresë të personazheve. Ndërsa dallim konstatojmë sa i përket stilizimit të karaktereve të bërë me aq mjeshtëri, saqë jo vetëm që imagjinata e lexuesit do t’i përkthejë si në imazhe filmi, por edhe si figura reale historike.
Qygjpalloshët flasin me një gjuhë të thjeshtë, konkrete siç është edhe të menduarit e tyre, problemet apo situatat i zgjidhin përmes dhunës, ose çlirimit të gazit intestinal (faqja 81 dhe 121), sjelljet i kanë të orientuara nga nevojat bazike, gjë që tregon se ata, njerëzit e parë, udhëhiqen nga instinkti. Ndërsa qytetarët e epokës perandorake na paraqiten pak më të sofistikuar. Ata kanë mendim, reflektim, emocion që do të thotë se njerëzimi po ngjit shkallët e intelektit. Autori nxjerr në pah disa vlera si premtimi, besa, sakrifica, dashuria jo thjesht për t’i glorifikuar ato dhe për të prekur ndjenjat e lexuesit, por për t’i përdorur në funksion të motiveve themelore të jetës së personazheve.
Disa herë Kallamata përdor të kundërtën e asaj që presim nga një karakter, duke thyer e provokuar skemat e ngurta të rrënjosura e trashëguara përmes sistemit universal të qëllimshëm të edukimit. Ai vendos në rrafshin e rëndomtë tokësor, heronjtë e mitet, motivet e luftës, fitoret apo humbjet, simbolet fetare dhe klerikët, duke i ravijëzuar aspak ngjashmërisht me klishetë që makineria propagandistike globalisht ka ushqyer historikisht masën.
Për shkak të disa ngjashmërive me ngjarje e personazhe historike apo mitologjike, mund të na duket sikur Kallamata po na rrëfen të pathënat, sipas stilit «qesh e ngjesh», sikur po zbulon pjesët e errëta të të vërtetave të fshehura ndër shekuj. Ose ndoshta jo, është thjesht një këndvështrim që i shtohet shumë të tjerëve. Si rrjedhojë, natyrshëm shijojmë jo vetëm anën humoriale, por edhe procesojmë një të menduar reflektiv mbi mjaft tema të librit: A është shqipja origjina e gjuhëve? Po Zoti, a është ai që thuhet se është? Nga e kemi prejardhjen? A ishin pellazgo-ilirët në themel të çdo qeverisjeje dhe komploti? A kishte një Kryq të Shenjtë? Si u instalua krishtërimi? A fshihen shumë vese e krime nën veladonin e besimit? Si luhet me injorancën dhe a është ajo burim i shumëçkaje? A është gjithçka ashtu si duket apo asgjë nuk duket ashtu siç është?
Unë ju ftoj të lexoni “Hijet e Muzgut”, një roman mrekullisht provokues, i shkruar me stil unik dhe inteligjencë, i cili i ka dhuruar letërsisë shqipe personazhe dhe fragmente humoristike që shumë shpejt kanë për t’u përfshirë në ligjërimet publike. Për ta mbyllur, unë e shijova pa fund…
Toronto, 18 Janar 2020
Komentet