U zura ngushtë një ditë të zymtë të shtatorit të vitit 1993, kur si zakonisht shkova të “shpëtoj” nga mjediset e errëta e të rrënuara të shkollës “Jeronim de Rada” vajzën time, Jonën. Nga përgjigja që i dha pyetjes sime se “çfarë u kishte mësuar atë ditë zysha”, mora vesh se Jona dhe shokët e saj e kishin marrë dozën ditore politike nga mësuesja e tyre demokrate:
“Zysha na tha se iku koha e komunistave, se me Partinë Demokratike në krye shqiptarët do pasurohen, se Shqipëria demokratike ka miq të mëdhenj, Amerikën dhe Evropën, se fëmijët sot kanë gjithshka, topa, çokollata, çamçakëz, patatina…”.
Dhe e mbylli rrëfimin e saj me kundra-pyetjen: “Po ju, o ba’, çfarë kishit kur ishit të vegjël”? Nuk e di se si më erdhi, dhe ju përgjegja, ashtu shkujdesur: “Ne kishim…Agim Fagun”.
***
Sot, Agim Fagu mbush 70 vjet, dhe nuk gjej mënyrë më të mirë për ta uruar atë dhe familjen e tij, se duke shtjelluar më tej me lexuesit e gazetës “Dita” atë përgjigje përtace që i dhashë sime bije përpara 25 vjetësh.
Po, ne fëmijët e të rinjtë e viteve ’60-’70 i kemi patur ëndrrat, gëzimet, idhujt dhe avantazhet tona. Ndryshe nga fëmijët e sotëm, të ngujuar vullnetarisht nga prindërit për t’i shpëtuar rrëmujës, rreziqeve e të papriturave të një mjedisi kaotik e armiqësor, ne, ashtu si heronjtë e vegjël të librit “Djemtë e rrugës Pal”, ndjeheshim padronë të rrugëve, shesheve e qyteteve, ku organizonim ekspeditat tona të zbulimit në territorin “armik”, mandej betejat me gurë e shpata, apo pikniket e festat tona ku flitej për filma e libra me aventura dhe ku konsumonim bashkarisht ndonjë bisht cigareje apo shishe birre. Dhe, ndjeheshim plotësisht të realizuar si “burra”, kur çdo të dielë shkonim në stadium dhe kur, njësoj si tifozët e rritur e të zhurmshëm të shkallëve të “dhjetsheve”, bërtisnim, brohorisnim e… shanim me sa kishim në kokë.
Kjo ishte ëmbëlsira e javës, deri ditën kur në horizont na u shfaq një pol i ri tërheqës, ekipi i basketbollit “Partizani” i trajnierit novator Astrit Greva, dhe i kapitenit legjendar, Agim Fagu. Në mjediset e tifozerisë së “Partizanit” ishte folur vazhdimisht, se Agimi do të ndiqte gjurmët e të jatit, Besim Fagut, e do të bëhej futbollist. Në fakt, si të tillë e njoha për herë të parë. Ishte gushti i vitit 1961, dhe në kampin e pionierëve në Pogradec luhej ndeshja finale për shpalljen e “çetës kampione” në futboll. Rezultati do të vendosej nga një penallti e dhënë në minutën e fundit. E gjuajti pikërisht Agim Fagu, që shquhej mbi shokë për fizikun dhe sjelljet “prej kapiteni”. Ndërsa pritej me ankth ekzekutimi i penalltisë, prej këmbës së tij doli një predhë, që shkoi dhe e goditi portierin kundërshtar drejt e në bark. I shkreti, u lëshua shakull për tokë. E dërguan urgjent në spital dhe fjala u hap se i kishte plasur apandesiti. Më vonë, kur dëgjoja nga dashamirësit e shumtë të Gimit, se po të kishte zgjedhur futbollin, ai do të ishte bërë një “as bote”, mua më dridhej mishi. Kujtoja skenën e frikshme të Pogradecit dhe mendoja: “Më mirë që u bë basketbollist, si futbollist do kishte bërë dëme…”.
Ndonjë vit më vonë qëlloi të bëhem komshi me Agimin e të ndiqja rregullisht fillimet e tij sportive nga pozicioni strategjik i ballkonit tim, mbi stadiumin e lojërave me dorë “Studenti”, tek rruga e Elbasanit. Të ishe komshi me Agim Fagun ishte në vetvete një status. Sigurisht, ne më të vegjëlve basketbollisti i talentuar i të rinjve na hidhte vetëm ndonjë shikim prej sovrani, nga lart poshtë, dhe shumë rrallë dyfjalëshin e padeshifrueshëm tiranas “O me”. Por kaq na mjaftonte, begenisja e tij vlente për ne sa një njohje ndërkombëtare. Në bisedat me bashkëmoshatarët, ajo kthehej në element epërsie, prej nga sajohej një mitologji e tërë: “…takova Gimin…më tha Gimi…më porositi Gimi…”.
***
Më vonë, gjërat u bënë vërtet serioze. Filloi epopeja e Agim Fagut dhe e “Partizanit”. Një ekip ku përfaqësohej e gjithë Shqipëria: Dibra e trajnerit revolucionar Astrit Greva, Tirana e Gimit dhe e Keçit (Besnik Pëllumbit), Shkodra e Petrit Osmanit, Nikolin Palit dhe e Pjerin Bushatit, Durrësi i Sandër Dherit, Përmeti i Dan “xhonglerit”, Korça e Spartak Boshnjakut dhe e Edgar Priftit, Tepelena e Kushtrim Zaçes, Kavaja e Ed Mojës, Gjirokastra e Lad Çuçit dhe e Tan Terihatit, Pogradeci i Bert Kuqos, Plavë-Gucia e Gux Bekteshit, Çamëria e Kastriot Mushit… Një celulë e parë e asaj Shqipërie të bashkuar, që kishin ëndërruar Rilindasit e mëdhenj, Pashko Vasa e Sami Frashëri. Të prirë nga Kapiteni i Madh, më 18 dhjetor 1968 “kuqot” e Partizanit u pagëzuan me zjarrin, duke u ndeshur me gjigandët e “Oransodës” për Kupën e Kampioneve të Evropës.
Për mua, historianin e ardhshëm, ky ishte takimi i parë me historinë. Në një sallë të ndezur flakë, djemtë e “Partizanit” arritën të barazojnë në zgrip të kohës së rregullt me atë kosh providencial të Keçit. Kapiteni Fagu bëri në atë ndeshje Zeusin e plotfuqishëm. Shënoi 48 pikë, pothuaj që të gjitha nga jashtë zonës, që me rregulloren e mëvonshme të basketbollit do të vlenin plot 72 pikë. Në ndeshjen e kthimit, gazetat italiane paralajmëronin se duhej bllokuar me çdo kusht ai, që ato e quanin “demoni” apo “luani” i Shqipërisë.
Ndeshja me “Oransodën” ishte “big-bangu” i një historie të lavdishme, në qendër të së cilës ishte ai, Kapiteni i Madh. Fagu ishte mishërimi i një përgatitjeje, force, sigurie, dinjiteti e epërsie morale të jashtëzakonshme, që e shtynte atë t’i konsideronte nga një lartësi sovrane edhe kundërshtarët më të famshëm në botë. I zhveshur nga çdo ndjenjë inferioriteti, luante fort, dhe kur dikush i binte në qafë, luante edhe ashpër. Nuk mund të mos kujtoj episodin e përjetuar në vitin 1974, kur ekipi i “Partizanit”, në pritje të ndeshjes me ekipin kampion të Luksemburgut, zhvilloi një ndeshje miqësore me ekipin e Ciampinos (Romë, Itali). Si studentë, bashkë me Shpëtim Çuçkën na qëlloi t’i shoqëronim djemtë e “Partizanit”, që të gjithë studentë të shkëlqyer universitarë, në vizitën e vendeve historike e arkeologjike të Romës, dhe më tej në ndeshjen miqësore me ekipin e Ciampinos. Fama e pashuar e ndeshjes epike me “Oransodën” kishte shtyrë qindra tifozë italianë të mbushnin plot e përplot pallatin e sportit të Ciampinos. Edhe sot e gjithë ditën qesh me vete, kur kujtoj duelin e Agim Fagut me “asin” e ekipit të Ciampinos. Ky i gjori, i bindur se ndeshja me “Partizanin” dhe detyra e vështirë për të markuar Agim Fagun ishin për të shansi i jetës, mundohej ta mbante kampionin shqiptar duke i qëndruar fare afër e duke demonstruar një agresivitet, që dukshëm e bezdiste Fagun, i cili më shumë se tek gara e kishte mendjen tek “kolaudimi” i dorës së tij. Pas ndeshjes, që përfundoi me një diferencë astronomike në favor të “Partizanit”, e ndala “markuesin” fatkeq të Gimit, dhe pasi bëra sikur e përgëzova për debutimin e tij dinjitoz, e pyeta jo pa shejtanllëk: “Si ia kalove me Fagun”? I gjori, mu dhimbs teksa filloi të ankohej e teksa ngriti kanotjerën për të më treguar hematomat e shkaktuara nga brrylet inatçorë të Gimit. U mundova ta ngushëlloj, duke i thënë se Fagu ka një karakter të keq, ndaj do të kishte qenë më mirë për të, sikur t’i kishte qëndruar paksa më larg…Por, duke lënë mënjanë mirësjelljen apo hipokrizinë, më duhet të them se për një shqiptar jashtë atdheut, shpesh herë të ndrydhur nga mjedisi i huaj, klasi, nervi madje edhe ashpërsia e treguar nga Agim Fagu përkthehej automatikisht në një ndjenjë emancipimi e krenarie kombëtare.
***
Në fakt, përgatitja sipërore e këtij sportisti që çdo ditë kryente seanca stërvitore shtesë, dhe rezultatet e jashtëzakonshme në fushën e lojës nuk frymëzoheshin aspak nga dëshira për lavdi, dhe aq më pak për para. Frymëzoheshin nga një ndërgjegje qytetare e patriotike e rrallë, që në rastin e Agimit ishte një çështje gjenetike. Si rrallë ndonjë sportist tjetër, Agim Fagu e menaxhoi suksesin dhe famën e tij me maturinë e qetësinë e një jashtëtokësori. Kurrë nuk e shihje të sorollatej rrugëve, klubeve apo salloneve të Tiranës. Askush nuk e pa, qoftë edhe një herë të vetme, me një cigare apo me një gotë birrë në dorë. Dita e tij ishte: leksione, stërvitje, kthim i shpejtë e pa ndalesa në shtëpi, studim dhe një xhiro e shkurtër bulevardi në shoqërinë e Leka Kostës, Gëzim Nushit e të grupit të përhershëm të miqve të tij. Ishte stili i jetës së një të riu të jashtëzakonshëm të asaj kohe, që induktoi plot të tjerë. Kështu, Agim Fagu dhe bashkë me të edhe të gjithë djemtë e “Partizanit”, u kthyen në një yll polar për rininë shqiptare, në një model për t’u imituar. Të dielat e basketbollit u kthyen në një fenomen social, teksa sillnin në Pallatin e Sporteve mijëra të rinj, djem e vajza, që shpesh herë vinin të organizuar në bazë shkolle, klase apo lagjeje, që bënin tifo të zjarrtë, por të kulturuar për “Partizanin” e Gimit, për “17 Nëntorin” e Pirros apo për “Dinamon” e Viktorit. Në atë Pallat u gatuan miqësi e dashuri të panumërta. Ishte vendi i një zbavitjeje e edukimi të shëndetshëm, ku prindërit i dërgonin pa merak fëmijët e tyre.
***
E megjithatë, do të ishte një gjykim rrëgjues ta identifikoje Agim Fagun me sportin. Në trurin e tij të programuar me precizion sahati, sporti ishte vetëm një kapitull i jetës dhe erdhi një ditë, kur ai u nda nga aktiviteti sportiv për të vazhduar me prefesionin e pedagogut të gjuhës angleze. Në shkollën e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, kapiteni i dikurshëm i “Partizanit” solli seriozitetin, disiplinën, përkushtimin që e kishin bërë atë kampionin dhe modelin e rinisë shqiptare.
E takova një ditë dimri të vitit 1979 ndërsa dilte nga shkolla me një çehre të irrituar. E pyeta se ç’i kishte ndodhur, e m’u përgjigj se kishte nxjerrë “me ceremoni” nga klasa, as më shumë e as më pak, nusen e djalit të Kryeministrit, Mehmet Shehut. I alarmuar e pyeta se ç’dreqin ishte ngatërruar me “lulen mos më prek” të Bllokut. Thjesht më tha: “Erdhi me vonesë në mësim, hapi derën e fare pa u justifikuar shkoi e zuri vend në bangon e vet. E pyeta pse ishte vonuar. U përgjigj se ishte zgjuar vonë. E ripyeta se përse nuk kërkoi të falur për gabimin. Ajo vetëm ngriti supet duke përtypur çamçakëz. Atëhere e ngrita zërin dhe e urdhërova të dilte menjëherë jashtë dhe të nesërmen të vinte bashkë me prindërit”.
“Ç’prindër, mor derëzi”, i thashë i tmerruar, “ajo prindërit i ka në Durrës, por ruaju se do të të sjellë Mehmetin”!
Por ish-kapitenit të “Partizanit” e të Kombëtares nuk i bëhej vonë. Me drejtuesit e lartë politikë kishte patur vazhdimisht përplasje, dhe akoma më të ashpra do t’i kishte ato në vitet që do të vinin.
***
Kështu ndodhi në vitin 2005, kur një kryeministër i anulloi në çast dekretin e emërimit si Ambasador i Shqipërisë në Berlin, pasi Agim Fagu nuk i kishte rezervuar përkuljet e hosanarat e pretenduara prej tij. Në fakt, Agim Fagu kishte kaluar në shërbimin diplomatik prej fundit të viteve 1980. Edhe aty, një seriozitet, përpikmëri e klas që e dallonte atë mbi diplomatët e tjerë. E përjetoi si protagonist luftën në Kosovë, dhe si ambasador i Shqipërisë në Londër përcolli me një profesionalizëm të lartë qëndrimet e shtetit shqiptar në institucionet vendimmarrëse britanike. Sëbashku me kolegun e vet, Ambasador Petrit Bushatin me detyrë në Ëashington, dy “asat” e diplomacisë shqiptare mbrojtën me dije, me prova e me vendosmëri çështjen e Kosovës, duke marrë pjesë plot dinjitet në debatet e organizuara nga rrjetet televizive më prestigjoze të botës, siç ishin BBC e CNN. Të gjithë ne që atë vit të bekuar 1999 kemi punuar në shërbimin e jashtëm me Agim Fagun, patëm një rast tjetër për t’u krenuar me të, ashtu siç ishim krenuar kur ai dominonte fushat e sportit. Një tjetër sfidë e madhe e priti Agim Fagun, kur si Drejtor i Drejtorisë së NATO-s në MPJ, përgatiti dhe udhëhoqi procesin e përfshirjes së Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Një tjetër satisfaksion, një tjetër vlerësim për të. Dhe sot, Agim Fagu i jeton të shtatëdhjetat e tij me qetësinë e kthjelltësinë e Agimit të dikurshëm, të njeriut të ndërgjegjshëm e të programuar për të përshkuar me të njëjtin pasion e me të njëjtin dinjitet të gjitha fazat e ekzistencës së tij.
Agim Fagu: një shembull virtyti, drejtësie e patriotizmi. E tha bukur Presidenti Ilir Meta, në çastin e dekorimit të Fagut me urdhërin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”: “Dekorata i bëjnë nder njerëzve, por në rastin e Agim Fagut është njeriu që i bën nder dekoratës”.
shume faleminderit per kte artikul qe te frymezon me mesazhin pozitiv.