Viti 2024 është vit zgjedhor në më shumë se 40 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Cristina Caicedo Smit analistët thonë se inteligjenca artificiale, dezinformimi dhe siguria e gazetarëve do të jenë sfidat më të madhe për redaksitë e lajmeve.
Zgjedhjet presidenciale në Argjentinë treguan se çfarë mund të bëjë inteligjenca artificiale gjatë fushatës zgjedhore.
Kandidatët presidencialë Javier Milei dhe kundërshtari i tij Sergio Massa përdorën gjerësisht inteligjencën artificiale për reklama elektorale për të promovuar fushatat e tyre dhe të diskredituar njëri-tjetrin.
Ndërkohë që Presidenti Milei po merr detyrën në Argjentinë, mbi 40 shtete pritet të mbajnë zgjedhje, disa prej të cilave shumë të rëndësishme, si ato në Pakistan, Meksikë dhe Shtete të Bashkuara.
Redaksitë e mediave po përgatiten për atë që shumë prej tyre thonë se do të jetë një vit sfidues për gazetarët.
“Liria e shtypit është e mbrojtur me Amendamentin e Parë të Kushtetutës. Por po kalojmë nëpër një moment ku shumë politikanë duket se po vënë në mëdyshje vlerën e shtypit të pavarur dhe të gazetarisë si institucion,” thotë Clayton Weimers pranë organizatës Gazetarët pa Kufij.
Viti i zgjedhjeve të fundit presidenciale në Shtetet e Bashkuara ishte njëra nga periudhat më të dhunshme për mediat. Organizatat e angazhuara për mbrojtjen e gazetarëve dokumentuan sulme, arrestime dhe kërcënime ndaj gazetarëve ndërkohë që amerikanët u ballafaquan me fushatat zgjedhore, pandeminë dhe protestat rreth çështjeve racore.
Në zgjedhjet e vitit 2024 sfidat kryesore të mediave do të jenë inteligjenca artificiale, dezinformomi dhe siguria.
“Çështja e sigurisë fizike për ata që mbulojnë tubimet apo ngjarjet e kësaj natyre si tubimet e kandidatëve është bërë çështje serioze ashtu si edhe siguria në internet,” thotë presidentja e Qendrës Ndërkombëtare për Gazetarë, Sharon Moshavi.
Një shqetësim tjetër për zonjën Moshavi dhe ekipin e saj në Qendrën Ndërkombëtare për Gazetarë është edhe inteligjenca artificiale që, siç thotë ajo, mund të mashtrojë edhe votuesit më të vëmendshëm.
“Inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën e informimit dhe gazetarët janë shumë të shqetësuar për faktin se ju duhet të përballen me informacione të pasakta, që duken pothuajse si të vërteta dhe me dezinformim,” thotë ajo.
Qendra po punon për t’u siguruar që gazetarët të kenë mjetet dhe përkrahjen që iu nevojitet përmes nismës “Çarmatimi i Dezinformimit.”
“Mendoj se është e rëndësishme që çdo gazetar të bëhet gazetar kundër dezinformatës. Ajo prek çdo aspekt të jetës tonë,” thotë zonja Moshavi.
Organizata Gazetarët Pa Kufij ka krijuar një arkiv elektronik për të dokumentuar të gjitha shkeljet kundër mediave në Shtetet e Bashkuara dhe për të dhënë një pasqyrë të kushteve për mediat në shtete të ndryshme.
“Po fillojmë një nismë tani që do të ekzaminojnë se ku saktësisht ekzistojnë këto dallime. Për shembull, nëse je gazetar në Kaliforni, si krahasohet përvoja jote me përvojën e një gazetari në Dakotën e Jugut?” thotë zoti Weimers.
Indeksi i Lirisë së Shtypit sipas Shteteve, mes tjerash, do të shqyrtojë faktorë si mungesa e mediave dhe pluralizmi i mediave që mbulojnë çështjet në nivelin lokal.
Tani që fushata zgjedhore po fillon në Shtetet e Bashkuara, analistët thonë se besimi te media është i rëndësishëm.
“Mendoj se ekziston një lidhje reciproke ndërmjet besimit të informacionit dhe fuqisë së dezinformimit. Dhe mendoj se të gjitha mediat duhet të përqendrohen te besimi,” thotë zonja Moshavi.
Rreth 1.5 miliardë njerëz – përfshirë 168 milionë këtu në Shtetet e Bashkuara – pritet të votojnë në vitin 2024. Ekspertët thonë se gazetaria e pavarur do të jetë qenësore për të mbështetur demokracinë.