Dear Dmytro Chystiak,
We’ve talked about you, about Ukraine, about the children, about your poetry, we’re keeping you and your loved ones in our pryers…
Ka një javë që ka filluar lufta mes Rusisë dhe Ukrainës dhe unë kam një javë që i shkruaj një profesori të ri ukrainas në Kiev, është poet, me të cilin jam njohur në Itali, i them që ne ashtu si e gjithë bota jemi të shqetësuar për ju, për Ukrainën, për fëmijët, lutemi që të pushojë lufta, etj, dhe ai më përgjet:
Dear Visar, thank you so much for your kind words. We are in Kyiv under the air attacks but hoping to survive, pra më falenderon që i shkruaj, është në Kiev nën sulmet e avionëve dhe shpreson të mbijetojë, se e prêt jeta, e presin punët.
Tronditëse dhe e rëndë. Më kujtoi për një çast letrat që dërgonim nga burgu, por nuk kanë të krahasuar, ata janë në luftë, nën bombardime, lidhja me me botën, mund të ndërpritet, ndërkaq tani mund të thonë ç’të duan me guxim, dhe të komunikojnë virtualisht, kurse ne ishim të mbyllur, robër, pa liri dhe s’na lejohej të shkruanim si të donim, por si donte komanda e burgut. Edhe ne ishim të kërcënuar nga vdekjet në minierat e rënda, nga ushtarët me armë në kullat përreth televe me gjëmba, kur kurrsesi nuk ka të krahësuar me luftën. Por burgjet tona ishin sipas atij programi që vinte nga Moska, e cila tani ka nisur ushtrinë e saj të pushtojë Ukrainën.
Dhe tani me një poet atje ne shkëmbejmë mesazhe, ai më çon pamje nga nata përreth e tij e përflakur nga bombardimet. Jemi njohur në Itali, na bashkoi poezia në qytetin e bukur të Veriut me liqenin parajsor me të njëjtin emër Como, që atij i duket sikur i përket një tjetër jete, kështu me shkruan. Isha me time shoqe, Edën, ishte dhe një tjetër shqiptar mes poetëve nga bota, poeti nga Kosova, Jeton Kelmendi, bisedonim me Dmytro Chystiak dhe me presidenten e festivalit, poeten Laura Garavaglia, bënim plane për shumë poezi mes nesh…
Dhe ka një javë që ka filluar lufta dhe duket sikur ka ndryshuar jo vetëm jetë njerëzish në Ukrainë dhe Rusi, por në të gjithë njerëzimin. Filozofi gjerman Theodor Adorno tha se pas Aushvicit e si mud mund të shkruash më poezi… Po, për Aushvicin, për Spaçin, për luftën në Ukrainë tani.
E gjithë bota është e shqetësuar se Ukraina, populli i saj, po luftohet nga shteti ngjitur, Rusia, me delirin stalinist të Bashkimit Sovjetik, të supershtetit të dikurshëm perandorak komunist. Ukraina po qëndron duke u bombarduar e shkatërruar e djegur, por me dinjitetin njerëzor të atij që nuk do që të bjerë, ka të drejtën e jetës, të lirisë, që ta bëjë si e do populli isaj, pa dëmtuar popuj të tjerë, se shtetet janë si njerëzit, megjithëse Rusia nuk është e gjithë si car Vladimir Putini e përkrahësit e tij. Sa po i dalin kundër?
Shpesh themi që bota është bërë më e vogël, për të kuptuar që janë shtuar njohjet mes vendeve dhe popujve dhe njerëzve, komunikimi në kohë reale, rrugët drejt njëri-tjetrit, takimet, shpejtësia e tyre marramendëse, të qenit pranë me ndihma, me shpirt, me lutje dhe poezi, pra s’ka si të mos besohet se njerëzorja ka një shtrirje planetare…
Por bota është bërë e vogël dhe në kuptimin tjetër, ka mbetur e egër në absurdin e saj, e gatshme për mizorira të pabesueshme për shekullin XXI, e vogël në egoizmin e shteteve si të njerëzve të tyre, që edhe pse shtojnë diturinë, mbeten parakë deri dhe në mosmirënjohjen shkatërrimtare ndaj të përditshmes njerëzore, thënë shkurt, në fund të fundit ndaj tjetrit.
U bë java e luftës mes Rusisë euroaziatike dhe Ukrainës evropiane dhe televizionet kanë lajm të parë këtë, deri edhe bisedat e zakonshme në tryezat mes miqsh e ato familjare. Është shqetësimi për të ardhmen e përbashkët. Bota është bërë e vogël. Por Ukraina bombardohet, e sulmon ushtria, që të kujton kryqin e thyer, por të kuq dhe ikin njerëz, dhe nga vendi i sulmuar, për të mbrojtur jetën, por dhe nga vendi që sulmon, intelektualë e qytetarë që nuk e durojnë turpin e të qënit të një vendi vrasës. Shkencëtarë dhe artistë, priftërinj të shumtë të ortodoksisë ruse i shkruajnë letra Putinit, që të heqë dorë nga lufta, nga kjo çmenduri tragjike. Ndërsa në Ukrainë, që nga Presidenti i vendit, e deri te çdo burrë e grua janë mobilizuar të mbrojnë vendin, aty janë dhe artistët, shkrimtarët, balerinë të njohur e deri te vajzat, fituese si mis të bukurisë. Botë moj, mos e vrit bukurinë tënde!
Putin nuk e duron dot afrimin e Natos deri te dera e vendit të tij, kujton dhe një marrëveshje që Nato-ja nuk do të duhej të zgjerohej me vendet e Lindjes ish komuniste, ato të Traktatit të dikurshëm të Varshvës, tani të zhbërë, por më e rëndë është shkelja e sovranitetit të vendeve të tjera, të pavarura, të tradhtosh demokracitë e tyre, kur Nato-ja ka për qëllim dhe mbrojtjen e demokracisë, jo vetëm të anëtarëve të saj, por dhe të popujve që e thërrasin dhe e kërkojnë këtë ndihmë.
Kur Europa po harronte Luftën II Botërore, në Europë po vriten njerëz mes dy shteteve, njëri në rolin e pushtuesit e tjetri të atij që nuk do të pushtohet, që duket sikur duan të afrojnë një luftë të tretë, internacionale, përfundimtare, besohet.
Po vriten njerëz jo vetëm në frontet e luftës, por dhe në rrugë dhe në shtëpitë e tyre, që befas shndërrohen në gërmadha dhe pallatet ndahen përgjysmë e shëmben, ndërsa bodrumeve dhe në metrotë e stërmbushura me njerëz që duan mbrojtje, qan sfida, lindin fëmijë.
Në shtëpinë e tij në Kiev është dhe Profesori i letërsisë, poeti Dmytro Chystiak, madje nuk lëviz nga tryeza e punës dhe lufta nuk duket se ka një javë që ka filluar, por vite. Edhe shekuj mbase. Brenda njeriut…
Librat i kë venë në dritare, që të mos duket bendësia e shtëpisë, thotë në një intervistë, dhënë një televizioni të Kosovës, linkun e së cilës ma nisi mua. Lufta jonë i ngjan asaj të Kosovës, vazhdon ai, ka po ata heroizma, të fitojmë dhe ne e të bëhemi pjesë e Bashkimin Evropian. Edhe Kosova është pjese e kulturës evropiane, duhet ta njohë sa më parë shteti i Ukrainës. Ndërkaq shton se ka ndër duar një libër studimor për poezinë shqipe, me shpresë që ta mbarojë, po t’i shpëtojë luftës… Dhe më nis imazhe plot flakë…
Është ndjellje për mirë, shpresë që në mesazhet që shkëmbejmë me Dmytro Chystiak, ne i kemi dërguar dhe libra njëri-tjetrit, flasim dhe për poezinë dhe unë i kam treguar dhe për meshat në kishën pranë shtëpisë në Chicago, ku vazhdimisht lutemi për Ukrainën, që lufta të ndërpritet sa më parë. Dhe ai beson më shumë në dashurinë njerëzore, kur i them që po përkthej poezi të tij, nga libri “Det në gur”, botuar vitin që shkoi në Itali, është pjesë e luftës për të qenë njerëz, për t’iu gjendur pranë atyre që janë të rrethuar nga lufta dhe shkatërrimi. Natyrisht poezia s’është as bukë e as ilaçe e as gjak e plumba, por poezia është njeriu.
CILI ËSHTË NJERIU DMYTRO CHYSTIAK?
Poet nga Ukraina, prozator i tregimeve të shkurtra, historian i artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon dhe përkthyes, një fytyrë e pastër rinore, që di të qeshë përzemersiht. Ai është profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, “Taras Shevchenko” (poeti kombëtar i Ukrainës, i përkthyer herët në shqip, shkëlqyer nga Jorgo Blaci, që e çuan burgjeve, më pas diplomat në Rusi).
Dmitry Chystiak është antar në Qendrën Evropiane të përkthimit letrar në Bruksel, përgjegjës në Shtëpitë botuese ukrainase “Summit-Knyga” dhe franceze “L’Harmattan”. Ka botuar 65 libra, gati dyfishin e moshës së tij, disa prej të cilëve të përkthyer që nga Azerbajxhani pranë, në Belgjikë, Bullgari, Francë, Hungari, Japoni, Maqedoni, Serbi, Moldavi, Rumani dhe Kosovë. Është fitues çmimesh ndërkombëtare. Është dhe Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si Kreu i Urdhrit të Arteve të Ukrainës dhe Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës akademike.
Dua të them se ka gjithë këto punë. Ç’do lufta në shtëpinë e tij?
Poezia e tij është lirike, e paqtë, ruan dhe format klasike dhe rimën muzikore, ia pashë në origjinal dhe jam mundur të jenë dhe në shqip, ai është trashëgues i traditës së poezisë së vendit të tij, përdorues dhe i vargut të lirë, me imazhe dhe metafora si në poezinë moderne evropiane dhe amerikane. Është i hapur.
Ja, disa. Nuk janë nga poezitë e kësaj jave lufte, as aq, por më shumë. A është aty parandjenja? Gjithçka ndodh më parë te poetët
DMYTRO CHYSTIAK
10 POEZI
* * *
Po të sjell jargavanët e mbrëmjes
Që të vdekurit kishin mbjellë:
Kur shiu i artë do të na bashkojë
Do t’më rrëmbesh me një ëndërr të përflakur
Që do të përziejë çastin dhe do ta ndryshojë
Dhe jargavanët e mi nuk do të kenë më lotë.
* * *
Të ftohtë janë lumenjtë dhe hijet e pemëve
Dhe alarmi i erës mbi flatra.
Ti tundesh në gjoks nga kambanat e hershme
Mes syve je tempull përjashta.
Dhe duart dolën lart mbi ecjen
Dhe Rruga e Qumështit mbi ëndrrën.
Ra kaq shumë shi mbi jetën
Sa qielli dhe toka desh u çmendën.
Gjatë përmbytjes le të kthehen varkat,
Kopshtet rrëzohen në një pikë të ngrirë.
Gjithçka lundron në dashuri si tek fjala
Dhe uji i lartë do na përtërijë.
* * *
Kaq shumë duar na mbanin në pranverë,
Por të tuat janë hapur për Pashkë.
Kush e ktheu rrjedhën në humnerë
Dhe tingulli ndrit i dënuar në flakë.
Zëri yt i qetë e ftohu gjakun,
Oferta e rëndësishme e bëri të bukur.
Bisha mes yllësive e kërkon gjahun
Dhe trupi ynë – një rreze e këputur.
Bora bie dhe ç’shtiza vërviten
Dhe tokat shkrihen në ujrat anëve.
Fytyrat dridhen në fjalët që ikën
Dhe lutem në rrjetën e krahëve.
NATA NË VENECIA
Kjo kishë në gjumë mes nxitimeve
Nën erërat kërcënuese, oh!
Në këtë vjeshtë mes shkëlqimeve,
Më puth dhe më mashtro.
Në qiell selvitë fluturojnë
Nën mermer të bardhë gjithë qetësi.
Ëndërroj në qytetin me borë:
Më puth dhe më fshih.
S’je këngë, por jehonë pranvere,
Si vajzat ndrit yllësia e gjerë.
Kur agimi hap krahët prej mjellmë,
Më puth dhe më lerë.
* * *
Dritë e agimit do sjellë heshtje.
Ende fle me krahët e hapura,
Fryma gjithnjë e më etëshme
Mes blerimeve të lagura.
Stuhi purpuri janë përqafimet,
Prarime rrushi në dritare,
Fryma e detit në blu hidhet
Në kufijtë e tu delikate.
Ç’shi do t’na e ndriçojë
Ditën e kuqërremtë erracake.
Përpara se drita të shuhet,
Zëri mbytet në përmbytje balte…
Por nëse dita nuk vjen më
Në kufijtë e tu delikate?
* * *
E di që do të mjaftonte gjesti i dorës,
që të zhduken zogjtë fërgëllues
Që pluhurosin me ar shkumën e këtyre ujërave.
Rrugës tënde s’i duhet më jehona,
por nuk di si të të le,
Dhe muri i muzgut lejon
Dritën tënde smerald,
Brigjet hapen në vështrimin tënd,
Pavarësisht psherëtimës së lamtumirës në fjalët e tua
Ndërsa ti i adhuron këta zogj valltarë
Ndjej ngrohtësinë tënde kundër viteve
Që papritmas bërtasin dhe qajnë në brigje,
Por drita jote smerald ende rrjedh
Deri sa ne të kthehemi
Në zogj hijesh dhe floriri mbi lumin ku lindëm.
* * *
Mami, ja ku je fundosur në vreshta,
një plagë digjet mbi një plagë tjetër.
Sa shumë pemishte në rrethina,
breshri bie, thyen pasqyrat e bardha,
gjaku blu nuk rrjedh më
nga burimi në kishë.
Fytyrat mavi në netët e vdekura
Dalin si sythat e akullit,
fëmijët shenjohen, flokët e pastër,
puna e rreme e prerjes së gurëve.
Në këtë hënë prej zambaku, ky lot
Duket si shiu, fëmija dhe vesa.
* * *
Pret perëndimin e diellit,
po këtu është dielli i korbave
dhe zëri i borës është këtu,
megjithatë kufijtë të lënë të qëndrosh,
kape tingëllimën e qiejve
dhe përndrite kalimin tënd të përulur,
para se të përndriten humnerat.
KAMBANAT E NJË VJESHTE QË ECËN
Për Michel Otten
Ti ecën mbi varre
Dhe zëri i artë i kopshtit
Kumbon për të vdekurit e gjallë:
Guri i varrit të pret me vitin e pagëzimit
dhe e gjithë jeta s’është veçse një rrugë
drejt gjetheve të vdekura…
Kaloi varret:
shkretëtira të frikës dhe të lojërave
dhe ja, në sytë e tu sërish
është ajo freski e së shkuarës që vjen.
Fëmijë diellorë përshkojnë lumenjtë e fildishtë.
MBI BUZËT TONA BIEN YJE
Përtej fluturimeve, baticave
Kjo heshtje, kjo bardhësi vëllazërore,
Me premtimin e një lumi përjetësie,
Me tmerrin e egër të pamjeve tona:
Kryq na përqafon hardhia e vjetër,
Yjet bien mbi ne, zgjerohet e gjitha.
Nën det qiejsh nga ëndrra në ëndërr
Zërin e saj ka gjetur pemishtja.
Përktheu nga italishtja Visar Zhiti
Komentet