NË KËRKIM TË “BRESHKËS”1)
Vërtitem ranishtes
si një anije pa busull,
vërdallosem po nuk e shoh
dhe s’di ku ta gjej!
“Breshka” nuk duket kërkund.
Nuk të zë syri
as ferrë e as gëmushë.
Ku të jetë fshehur vallë!?
Qeshem me vehte teksa qartësohem.
“Breshka” e paradës së misseve të pashpallur
“Breshka” e konkurseve të bukurisë
“Breshka” e jurive klandestine,
që votonin për bukuritë e pashoqe,
të të papërsëritshmeve
vajza bio “aqua e sapone”
të viteve 60-të.
Tashmë gjendet
nën pushtetin e thundrave të betonta
ngulur pamëshirshmërisht
mbi butësin e ranishtes,
ku ne bronxoheshim
nën rrezet e diellit,
me shikimin tretur në horizontin
e kaltërsive të Adriatikut,
përtej të cilit ekzistonte një tjetër botë.
Dhe pas kësaj
“Breshkën” më mirë ta lëm aty,
në rehatin e gjumit të përjetësisë,
bashkë me kujtimet tona,
me librat e këngët e paharruara,
me fjalët e pathëna,
për një dashuri të sapo feksur
mes shikimesh të ndezur.
Fli e qetë “Breshkë”
në mbretërin e kujtimeve tona.
1)-I pari lokal ndërtuar nga durrsaku Rexhep Breshka, në plazhin e Durrësit që në vitet 20-të të shekullit të kaluar.
——-
RRUGĖTIM I VONË
Durrësi qe fshehur i gjithi
pas tylit të murmë të mjergullës mëngjezore
që sapo kish nisur të braktiste
përkëdhelinë nanuritëse
të valëve të kaltra të Adriatikut.
E pamundur në një cast të tillë
mos të frymëzohesh
drejtpërdrejt nga kujtimet e largëta
komunikimin me të cilët rivendoset
kurrsesi nëpërmjet.
shenjtërimit të mëshirës
por më mundësohet
nga ligjet e pashkruar të formatit njerëzor.
Edhe pse jetojmë në tempora rasputiniane 1)
një copëz parajsë
jo me shumë mundim
gjen kushdo.
Ndaj për të mbërritur
tek të largëtit kujtime
rrugëtova përgjatë ranishtes së lagur.
Doja t’i gjeja
në atë të vockëlën
parajsën tonë të dikurshme,
miqt e mi
me të cilët më lidhin aq shumë historira,
aty nën këmbët e pistës së vjetër,
duke kënduar: “Gira la testa come un palon”.
Doja sërish
zërin magjepës të Kasem Hallullit të ndjenja
tingujt e kitarës së Mal Alibalit,
që s’më harrohen.
Bujar Deliallisi, Tor Carcani, Ram Gurra,
Nik Nallbani, Cici, Ben Jorgoni, Linku, Bashkimi Shajes, Titi, Qemali…
grupi jonë i maturës: Goni, Jari, Faruku, Gimi, Dati, Jani…
Po Cico, Ladi, Ylli, Edi, Rrapi… ku janë?
Naz Alibali me trupin gjigand
Fred Rroku, Tim Xhilaka, Beromi Mides…
Eh miq të paparë.
Më kot i kërkoj
Tashmë në tabelën e pistës së vjetër
çuditërisht shkruhet:
“Liburnia Vitaminaga”
Durrës-Gostivar.
13.08.2019 plazh Durrës.
1)-kohëra të shthurura