Dielli në zenit mban peshën e ditës.
Qielli iu falet ujërave poshtë.
Me sy të urtë kafshë kalimthi
vështrojnë pa u frikësuar hijen brigjeve.
Pasqyrohen bimësitë në thellësi
mbi një përrallë të tërë.
Asgjë nuk dëshiron të jetë ndryshe nga ç’është.
Vetëm gjaku im thërret nëpër pyje
pas fëmijërisë së largët
si dre plakush
pas drenushës së tij të vdekur.
Ndoshta u zhduk poshtë shkëmbinjve.
Ndoshta e ka përpirë toka.
Më kot i pres lajmet,
vetëm shpella oshëtin,
përrenj dëgjohen në thellësi.
Gjak pa përgjigje,
oh, sikur të kishte qetësi, sa mirë do të dëgjohej
drenusha duke shkelur mbi vdekjen.
Rrugëve tutje-tëhu ngurroj
dhe si një vrasës që mbulon me dorë
gojën e mbyllur,
i mbyll me grusht të gjitha burimet
që përgjithmonë të heshtin,
të heshtin.
(Përktheu Dionis Bubani)
Komentet