Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”. Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.
Zoti Kristo, ju jeni dënuar si anëtar i grupit të Koçi Xoxes, mund të sqaroni njohjen tuaj me të?
Më kujtohet se në vitin 1930, unë njoha fare rastësisht barba Dhimitrin (Dhimitër Xoxe), babai i Koçi Xoxes. Ai kishte blerë një dyqan përbri dyqanit të vëllezërve Peristeri, që ndodhej përballë me dyqanet e vëllazërisë Pllaha, ku sot është kompania e transportit udhëtar për në Greqi. Atëherë, barba Dhimitri, sapo kishte ardhur nga Negovani (sot ky fshat quhet Flamburo dhe banohet nga shqipfolës), që ndodhet rreth 17-18 kilometër larg Prefekturës së Follorinës. Personalisht, Koci Xoxen, që ishte rreth tre vjet më i madh nga unë, më duket i datëlindjes 1911, e kam njohur pak pas vendosjes së të atit të tij, me punë në Korçë. Rastësia e solli takimin tone, në një nga piknikët e zakonshme që organizonim me rininë korçare, në pika klimaterike dhe turistike të krahinës.
Koçi, organizonte vazhdimisht piknikë të tillë në Dardhë, Moravë, Shën Naum, Voskopojë, Shën Marenë të Pogradecit, Shën Trivac të Hoçishtit, etj. Në to mblidhej rinia punëtore dhe studentore e Korçës e, gjatë mitingut, flitej mbi tema atdhetare dhe në të njëjtën kohë, organizoheshin skeçe dhe koncerte të vegjël me këngë patriotike. Mbaj mend se, në fund të këtyre piknikëve, iu dorëzonim studentëve, që ishin pjesëmarrës të vazhdueshëm të këtyre aktiviteteve edhe broshura me ide përparimtare e komuniste. Kur doli revista “Bota e Re” që ishte botim yni, e shpërndanim atë, duke mbledhur edhe kontributet për botimin e saj. Në këto aktivitete, më kujtohet se merrnin pjesë shumë shokë që i pranonin idetë tona.
Do të ishte me shumë interes për lexuesin, për të thënë se si dhe në ç’rrethana u organizua e zhvillua ‘Demonstrata e Bukës’. Si e përjetuat ju situatën e tensionuar, që u krijua në Korçë?
Në vitin 1936, si kryesi e grupit, vendosëm ta ngremë popullin e Korçës dhe të rrethinave, në një ditë të shtunë pazari, në protestë masive, që njihet si ‘Demonstrata e Bukës’. Si rezultat i depresionit të madh botëror ekonomik, shfrytëzuam varfërinë e tejskajshme të popullsisë të qytetit dhe të fshatit, për një revoltë masive me përmasa të gjera. Propaganduam midis pronarëve zanatçinj, të të gjitha llojeve, që atë ditë të mbyllnin dyqanet dhe të dorëzonim çelësat në bashki. Revolta filloi nga qytetarët e Korçës, përkrahësit e Grupit Komunist të Korçës dhe u mbështet gjerësisht nga studentët dhe fshatarët, që kishin ardhur për të bërë pazar.
Demonstrata filloi me sukses, punëtorët e qytetit dhe fshatarët na përkrahën masivisht, duke mbajtur në duar flamurët tradicional të profesioneve. Këpucarët, rrobaqepësit, hekur punuesit, llamarinistët, teknikët e ndryshëm, shoferët, samarxhinjtë, shegertët dhe kamarierët, u drejtuan fillimisht për në bashkinë e qytetit dhe pas parullave të para, komandanti i Xhandarmërisë të Qarkut të asaj kohe, kolonel Dedë Jakova, sipas urdhrit dhe përforcimeve që kishte marrë nga Tirana, lëshoi kundër demonstruesve paqësorë xhandarmërinë e armatosur. Kjo ishte përleshja e parë e madhe e organizuar e punëtorisë qytetare dhe studentëve korçarë, kundër pushtetit lokal dhe Xhandarmërisë Mbretërore.
Punëtorët u gjakosën, u bënë arrestime masive dhe si rezultat, demonstrata jonë u thye, por ne dolëm nga kjo përleshje edhe më të fuqishëm. Në qytet, ato ditë, xhandarët qarkullonin në patrulla treshe dhe kishin bllokuar të gjitha rrugët që çonin në Pogradec, Bilisht, Kolonjë, Voskopojë, Dardhë, etj. Pra, kjo ishte një përvojë e mirë, pasi mësuam se si duheshin organizuar në të ardhmen revoltat mbarëpopullore, sepse po afronin edhe zgjedhjet e pushtetit lokal.
Si u arrit që komunistët të fitonin zgjedhjet e Këshillit Bashkiak?
Po afroheshin zgjedhjet vendore për Këshillin Bashkiak të qytetit. Ne kishim vendosur të organizonim propagandimin e kandidatëve tanë të cilët për herë të parë do të përballeshin me kandidatët zyrtarë të forcave të tjera. Korça, atë kohë, kishte një masë punëtore të organizuar mirë në sindikatat e tyre, sipas profesioneve dhe të rinisë shkollore. Po përgatiteshim që përveç fitores në pushtetin vendor, të kishin përfaqësuesit tanë edhe në Parlament. Si rezultat i këtij organizimi të mirë, të bërthamave dhe celulave të Grupi Komunist i Korçës, duke i maskuar celulat komuniste, nën emrin e shoqërisë “Puna”, ne i fituam zgjedhjet e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetar i këtij këshilli, u zgjodh shoku ynë i Grupi Komunist i Korçës, Koçi Xoxe.
Pra, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat legale që lejonte Kushtetuta Mbretërore, bëmë të pamundurën për të fituar ato të drejta që na takonin me ligj. Dua të theksoj, se Grupi Komunist i Korçës, nuk u aktivizua kurrë në veprimtari terroriste. Sa mbaj mend unë, ne mund të kritikoheshim për veprimtari të vetë mbyllur apo, për ngathtësi për veprime masive dhe dalje më të gjerë e më të thellë, nga kuadri i Qarkut të Korçës, por ne mendonim atëherë se, më mirë të ishim më të ngadalshëm në ato rrethana të shtypjes sociale dhe mospërgatitjes në kohën e duhur të vetëdijes klasore, sesa të nxitohesh në aktivitetet politike dhe propagandistike, e të pësonim mandej disfata. Jehona e ‘Demonstratës së Bukës’ dhe fitorja e zgjedhjeve lokale, ishte shumë e madhe, jo vetëm në Qarkun e Korçës, por edhe më gjerë. Po hidheshin themelet e luftës dhe përpjekjeve të organizuara të klasës punëtore e shtresave të gjera popullore të qytetit dhe të fshatit.
Në vitin 1939, ju u dënuat për veprimtari komuniste nga Gjykata Mbretërore Shqiptare, çfarë ju kujtohet nga ajo kohë?
Gjyqi kundër komunistëve, që u zhvillua në fillimin e vitit 1939, në Tiranë, ishte i pari gjyq politik i atyre përmasave. Qeveria Mbretërore Shqiptare dhe politika e saj, po drejtohej drejt marrjes së masave qetësuese kundër elementëve, të cilët ajo padrejtësisht, i quante elementë turbullues, ç’ka në fakt nuk ishte ashtu. Zogu, e para ndjente një pushtim të afërt të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ai e ndjente rrezikun e afërt që pasi solli rrëzimin e tij dhe largimin e Zogut e të Oborrit Mbretëror në një ekzil, që do të zgjaste për shumë e shumë vite. Në atë kohë, me porosi të Grupit Komunist të Korçës, punoja në Tiranë, në punëtorinë “Zik-Zak”, pronë e mikut tonë Gaqo Kondakçi, nga Korça. Në këtë punishte, u dërgova për të zëvendësuar Sotir Vullkanin.
Doemos, ne një bërthamë veteranësh të Grupit Komunist të Korçës, ishim vendosur në kryeqytet, për tri arsye të mëdha; të përhapnim idetë komuniste, të zgjeronim luftën kundër okupatorit, e cila tashmë kishte filluar në stil të gjerë, dhe të hidhnim themelet për bashkimin e Grupeve Komuniste dhe krijimin e PKSH-së. Mbaj mend se, ashtu si Sotir Vullkani, banoja në shtëpinë e Dhori Karagjozit, një komunist dhe antifashist i bindur, që e kishte shndërruar shtëpinë e tij në bazë të rëndësishme të Grupit Komunist të Korçës. (Vajza e tij, Lidra, sot është martuar me pedagogun e universitetit shtetëror të Tiranës, Rexhep Meidani. Kurse vajza tjetër, është martuar me djalin e Hysni Kapos).
Kur u kryen arrestimet masive të Grupit Komunist të Shkodrës, na arrestuan bashkë me Sotirin. Ky me ndihmën e ish-ministrit të Drejtësisë, avokat dhe deputet i asaj kohe, Thoma Orollogai, u lirua nga akuzat që i ngarkonin, kurse unë u gjykova dhe u dënova së bashku me anëtarët e Grupit Komunist të Korçës, si; Zef Mala, Vasil Shanto, Qemal Stafa, Niko Xoxi, Ilo Panduku, Emin Duraku, Tuk Jakova, Jorgji Shuteriqi e të tjerë. Pak më vonë na transferuan në burgun e Mbrezhdanit, të Beratit, ku na gjeti edhe shembja e shtetit Monarkist, pas pushtimit fashist të vendit, më 7 prill 1939. Ndërkohë, funksionimi i shtetit u paralizua pas një rezistence të shkurtër disaditore, Ushtria Mbretërore Shqiptare dhe forcat popullore të vetëmbrojtjes, e ndërprenë rezistencën.