NË ÇDO PËRVJETOR, ATA KAN DIÇKA PËR TË NA THËNË…!
Të dielën me 29 janar 2017, në organizim të Shoqatës Kulturore “Bashkimi Kombëtar”, në Cassola (lokalitet i Bassano del Grappa), u mbajt ORË LETRARE, në kuadër të muajit “Flaka e janarit”.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin krijues, poet, autor librash, dashamirë të fjalës së bukur artistike, ish veprimtar të ilegales, ish pjesëtar të UÇK-së, bashkatdhetar, por edhe nxënës të shkollës shqipe si dhe grupi artistik i Shoqatës kulturore “Bashkimi Kombëtar” si organizatore e këtij aktiviteti të rëndësishëm kombëtar. Shoqata Kulturore “Bashkimi Kombëtar” përmes veprimtarive interesante gjithë përfshirëse, gjithnjë ka bartur eksperienca të mira në përvetësimit dhe rritjen e vlerave krijuese shqiptare dhe jo vetëm shqiptare…
ORA LETRARE filloi me intonimin e himnit kombëtar të interpretuar nga nxënësit e shkollës shqipe dhe grupi artistik i shoqatës “Bashkimi Kombëtar” të shoqëruar edhe nga të pranishmit.
Z. Ragip Thaqi, një veprimtar i pa lodhshëm, mësues i shkollës shqipe të Bassanos, në cilësinë e moderatorit dhe bashkorganizatorit e hapi këtë aktivitet, i cili në shenjë nderimi për gjithë të rënët për atdhe, ftoi në një minutë heshtje.
Mandej, z. Thaqi, i cili ka një përvojë shumëvjeçare në moderimin e aktiviteteve të mërgatës, përshëndeti personalitetet e veçantë, z. Imer Lladrovci – konsull i Kosovës nga Vjena, Skënder Lazaj – kryetar i LSHASHI, znj. Vittorio Andolfato – profesor italian, poetët e krijuesit, veprimtarët e kryetar shoqatash, e gjithë të pranishmit.
Në emër të Shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, në cilësinë e nikoqirit, një përshëndetje bëri z. Avdi Beqiri, kryetar shumëvjeçar i shoqatës i cili është edhe autor librit”Kujtimet e një mërgimtari”. Ndër të tjera z. Beqiri u shprehë:”… Shoqatës tonë “Bashkimi Kombëtar” gjatë aktivitetit mbi njëzetvjeçar me organizime të ndryshme festa e koncerte, aktivitete sportive e promovim librash, etj. i ka munguar një aktivitet i këtij formati sikur është ORA LETRARE, që sot po mbahet këtu në kuadër të muajit “Flaka e Janarit”… Shprehi një falënderim të veçantë për të gjithë, duke filluar nga ideatorët e këtij organizimi, sponsorët, realizuesit dhe të gjithë ata që janë prezent në këtë lokal…”.
Këtë organizim e nderoi me prezencë z. Imer Lladrovci, konsull i Kosovës në Vjenë, një veprimtar i dalluar në migracion, një nga familjarët e dëshmorëve të UÇK. Zoti Lladrovci edhe paraprakisht me eksperiencën e tij, duke dhënë ide e sugjerime kontribuoi që ky aktivitet të jetë sa më dinjitoz. Gjithashtu edhe prezantimin e kishte në nivel të një personaliteti të kompletuar, i cili në formë kronologjike e përshkroi aktivitetin mbarëkombëtar “Flaka e janarit”i cili nisi të organizohet në Gjilan në shenjë respekti dhe nderimi për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, por edhe Rexhep Mala e Nuhi Berisha, mandej Hakif Zejnullahu , Edmond Hoxha e Zahir Pajaziti, dhe gjithë atyre që ranë për të mos vdekur kurrë…! Z. Lladrovci, lulen e vet që organizatorët i dhuruan, ia dedikoi ish pjesëtarit të UÇK-së Sahit Topallit, i cili ishte prezent në këtë veprimtari.
Ndërkaq për motivin e këtij aktiviteti, moderatori ftoi autorin e këtë shkrimi(B. C.), i cili ndër të tjera potencoi:” FLAKA E JANARIT është manifestim mbarëkombëtar, që mbahet gjithë andej atdheut dhe në diasporë. Për herë të dytë është sjellë edhe në Itali, me ORË LETRARE, kësaj radhe të organizuar nga Shoqata Kulturore “Bashkimi Kombëtar” me seli në Bassano del Grappa, me shpresë se organizimi i këtij evenimenti do të bëhet tradicional e i përvitshëm, madje mendohet të zgjerohet në format… Kësaj here pjesëmarrja është më ndryshe nga viti i kaluar, sepse kemi të ardhur edhe nga Austria. Risi tjetër e këtij aktiviteti, është pjesëmarrja e miqve italian të pranishëm me punimet e veta letrare krijuese… Ky aktivitet i kushtohet figurave të ndritura të kombit shqiptar,
që me veprën e tyre ndriçuan rrugën duke na hapur horizonte të reja drite. Besojë që ky aktivitet do të zgjojë emocione me vlera cilësore, që pasuron jetën shpirtërore krijues dhe bashkatdhetarëve…”
Nga miqtë italian përgëzoi për këtë formë të veprimtarisë, prof. Vittorio Andolfato, mik i madh i shqiptarëve,sponsor i aktivitetit të shkollës shqipe, etj. shprehu kënaqësinë që ka mundësi të marr pjesë në aktivitetet e shoqatës “Bashkimi Kombëtar”.
Me poezi nga Jusuf Gërvalla filloi shpalosja e krijimtarisë letrare shqipe nga Edona Thaqi, studente e Universitetit të Padovës, fituese e konkursit të parë “fjalët e shpirtit” në Itali. Përndryshe, Edona, interpretoi emocionalisht edhe një monolog, me çka vërtetoi edhe një herë se juria nuk ka gabuar në vlerësim për fituese të konkursit të mbajtur në Verona, do me thanë është e pa konkurrent.
Ndarjen e 35 luleve me saksi, në shenjë nderimi në 35-vjetorin e rënies së heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, për krijuesit mysafirë dhe kontribuuesit e veçantë në emër të organizatorëve(Shoqatës kulturore “Bashkimi Kombëtar”), e bënin vazhdimisht dy nxënëset e Shkollës shqipe të Bassanos që drejtohet nga zoti Ragip Thaqi: Diellëza Zeka dhe Erona Hoti, vogëlushe simpatike me bluza të flamurit kombëtar.
Në italisht poezitë e tyre i interpretuan, profesori dhe poeti italian: Mariano Sartore si dhe dy krijueset/poetet shqiptare: Lumturi Plaku dhe Valbona Jakova. Poeti italian shprehi fjalë miradije për organizimin e aktiviteteve kulturore që organizohen nga shoqata…
Poezi të Ismail Kadaresë interpretoi bukur Erblina Thaqi. Këngë për Komandantin Legjendar -Adem Jasharin, këndoi nxënësja e sh.sh. Alketa Hoti.
Poezitë e tyre në shqip lexuan krijuesit: Skënder Lazaj, Gëzim Muçolli, Bari Dervishllari, Miradie Avdullahi, Edlira Shehu-përcjellë me kitarë nga çuni sajë, Lumturi Plaku, Valbona Jakova(mbesa e Kolë Jakovës), Beqir Cikaqi-përcjell me kitarë nga nxënësja e sh.sh. Gentiana Idrizi, etj.
Fizionomi të këndshme gjithë kësaj veprimtarie i dha paraqitja artistike e grupit të valleve që funksionon në gjirin e Shoqatës “Bashkimi Kombëtar”, me: “Vallja e Rugovës” dhe “Vallja e shqiponjave” të përgatitur nga Vezir Gashi, e luajtur mjeshtërisht nga këta artist amator.
Për organizatorët dhuruan libra autorial, z. Mariano Sartore(një libër),z. Skënder Lazaj(dy libra)
Lumturi Plaku(kompletin e librave të botuar).
Në këtë ORË LETRARE, prezantuan edhe disa kryetar shoqatash e veprimtar të mërgatës shqiptare në Itali, si: Petrit Aliaj, Ermira Zhuri,Valdet Tahiraj, Hedije Xhyheri, Sami Binaku, Agim Mulosmani, Ndue Shabaku, Bajram Desku, Ferat Avdullahi, Arsim Berisha,Pëllumb Xhyheri,etj.
Gjithë këtë veprimtari e “përpiu” me fotoaparat z. Petrit Aliaj – kronist i aktiviteteve të tilla. Në mbarëvajtje e kësaj veprimtarie,u kujdesën Vezir Gashi, Mentor Hajrizi, Mustafë Boja, etj. Duhet falënderuar afaristin Fatos Boja, i cili financiarisht e ka mbështet këtë aktivitet.
Në përfundim të këtij aktiviteti organizatorët të pranishmit i ftuan në një koktej rasti. Gjatë koktejit u shkëmbyen ide e mendime, madje edhe fotografi të përbashkëta.
Përfundoi ora letrare e dytë me radhë në Itali, kushtuar muajit “Flakës Janarit”. Në këtë muaj kanë dhënë jetën për atdheun e shenjtë dëshmor, heronj e atdhetar, veprimtar, shkrimtar,… Do ti përkujtojmë gjithmonë, për çdo janar, sepse ishin dhe mbeten krenaria e kombit ton. Sepse. Në çdo përvjetor, ata kanë diçka për të na thënë!
Lavdi për të gjithë ata që dhanë jetë për atdheun!
Komentet