Pas një sëmundje të rëndë dhe të pashëruar në Hamburg të Gjermanisë në moshën 56 vjeçare ka ndërruar jetë artisti kosovar Mentor Aziz Ejupi nga Vendenisi i Besianës.
Mentori nga komuniteti krijues i Republikës së Kosovës dhe ai i Hamburgut të Gjermanisë njihej edhe me emrin artistik si Toro.
Mentori qysh si fëmijë pati shfaqur interesim për artin . Meqenëse ishte fëmija i parë në familjen e Aziz dhe Kadri Ejupit, ishte i përkëdhelur nga të gjithë, veçantë nga xhaxhai i tij Kadriu,i cili në fund të viteve 70-të, pati zënë të punoj në sektorin e shitjes në ndërmarrjen e njohur tregtare “Metalka “të Lubjanës së Sllovenisë.
Kadriu duke parë talentin e Mentorit për vizatimin sidomos për karikaturën që për kohën ishte shumë pak e zhvilluar në Kosovë i sillte atij nga Lubjana revista të ndryshme të këtij zhanri dhe materialin e nevojshëm për punë.
Mentori me të filluar shkollën fillore së bashku me prindërit e tij Azizin dhe Fitneten, si dhe dy motrat e tij Makfiren-Filen dhe Valbonën shpërngulën nga Vendenisi i Besianës në Vushtrri.
Këtë shpërngulje e pati imponuar puna e babait të tij si shitës tekstili në një nga dyqanet e qytezës së Vushtrrisë. Mbase duket e pabesueshme por Mentori edhe pse fëmijë ishte i pandashëm me vendlindjen.
Ai pushimet e verës dhe ato të dimrit i kalonte në Vendenis tek xhaxhai i tij Kadriu dhe në Besianë tek gjyshërit e tij nga vija e nënës Murat e Feride Bllaca-Haxhiu.
Duhet theksuar që Mentor Aziz Ejupi ishte i pandarë me dëshmorin e kombit Mehmet Maliq Ejupi, vrarë më 27 mars 1989 nga policia fashiste e Serbisë, në demonstratën gjithëpopullore të mbajtur në Podujevë në mbrojtje të kushtetutshmërisë së Kosovës.
Mentorin e donin të gjithë Haxhijat,sepse ai ishte njëri nga nipërit më të urtë dhe më të ndershëm.
Përveç dajallarëve të tij Sabedinit, Hyzdriut dhe Nexhatit të gjithë Haxhiajt me zemrën plot Mentori i përshëndete kudo, duke iu drejtuar me thirrjen e ëmbël “dajë dëgjofsha mirë për Ju dhe familjet Tuaja !”
Babai i Mentorit një adhurues i madh i shkollimit dhe progresit përhirë të përparimit të fëmijëve të tij transferohet nga Vushtrria në Prishtinë, ku deri në pensionim të merituar e bën punën e shitësit të tekstilit.
Azizi dhe Fetnetja si dhe katër fëmijët e tyre me Gazmendin e lindur ndërkohë në Prishtinë, do ta kenë respektin e të gjithë banorëve të lagjes Ulpiana,si dhe të bashkëmoshatarëve, mësueseve dhe arsimtarëve të shkollës 8-vjeçare “Hasan Prishtina” nxënës të së cilës ishin.
Ata me sjelljet e tyre të mira do të krijojnë miqësi të shumta me intelektualë e sportistë të dalluar të kryeqytetit të Kosovës.
Në të njëjtin bllok të ndërtesave me Mentorin banonte edhe legjenda e futbollit kosovar Fadil Vokrri.
Mentori edhe pse i dhënë me tërë qenien pas artit gjente kohë që të paktën në Prishtinë ta përcillte shkëlqimin e fqinjit dhe bashkëvendësit të tij Fadil Vokrri.
Pas përfundimit të 8-vjeçares dhe kryerjes së gjimnazit me sukses në Prishtinë më 2 gusht të vitit 1985,ai shkon në shërbimin e detyrueshëm ushtarak të ish-Armatës jugosllave në Sinj të Dalmacisë.
Momente tepër prekëse nga njohja me Mentorin në ish-Armatën jugosllave rrëfen shoku dhe miku i tij Nazim Rexhepi nga Malisheva e Gjilanit i cili prej vitesh jeton në Lagenthal të Zvicrës.
Rexhepi thotë” pas pesë-gjashtë-ditëve në Sinj të Republikës së Kroacisë ku po shërbenim e shoh në pistat e ushtrimeve një djalosh diku mosha ime me fashë në fytyrë. Pamja e tij e çiltër më bëri të sigurt që ai është nga Kosova. Me butësi iu drejtova në gjuhën shqipe -Or mik çfarë të ka ndodhur kështu?
Mentori edhe pse jo aq mirë me shëndet thotë Nazimi nisi të ma rrëfejë deri në detaje ngjarjen. Ai një natë para nisjes në shërbimin ushtarak derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë me një nga shokët e tij pësojnë aksident trafiku ku edhe lëndohen.
Meqenëse shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë në ish-Jugosllavinë komuniste edhe pse me plagë në trup Mentori ishte i detyruar që patjetër të paraqitej në kazermën ushtarake të Sinjit të Dalmacisë.
Nazimi i prekur shumë nga vdekja e parakohshme e Mentorit me të cilin shërbimi ushtarak dhe vuajtjet e përbashkëta i kishin bërë shokë e miq të pandarë kërkon nga eprorët e kazermës që Mentorit t’i mundësohet shërimi, e pastaj aktivizimi në ushtrime dhe leksione.
Pas një jave në vizitë Mentorit që e donte me shpirt i shkon xhaxhai i tij Kadriu. Nazimi thotë” nga biseda me Mentorin pata mësuar që xhaxhai i Mentorit edhe pse ishte më i moshuar dy vjet se i vëllai Azizi, i kishte çun e vajzë pas shumë vitesh martesë. Kjo ishte edhe arsyeja që e gjithë familja Mentorin e konsideronte si djalë dëshiri.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak Nazimi dhe Mentori kishin këmbyer në familjet e njeri-tjetrit vizita të rregullta duke krijuar miqësi të përjetshme.
Këtë miqësi të tyre e dëshmon edhe shprehja e dhembjes së Nazimit për Mentorin nëpërmjet lotëve dhe rrëfimeve nga takimet e tyre në ndeja të ndryshme në Kosovë, Zvicër e Gjermani.
Pas kryerjes së shërbimit të obliguar ushtarak Mentori dhe Nazimi në tetor të vitit 1986 i vazhdojnë studimet në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.
Madje, Mentori krahas studimeve e ushtron edhe profesionin prej artisti, e disiplinë e tij e veçantë është karikatura.
Mentori i interesuar mbi zhvillimet në Kosovë në fund të viteve 80-të dhe fillim të viteve 90-të në Prishtinë njoftohet me brezin e rinj të krijueseve e gazetarëve të shquar të kohës si: Blerim Shala, Halil Matoshi, Bardh Hamzaj, Astrit Salihu, Mufail Limani, Nerimane Kamberi, Naser Mekolli dhe fotografët Hazir Reka e Muharrem Mjeku etj.
Duke parë kureshtjen e tij mbi artin sidomos karikaturën drejtuesit e revistës javore “Zëri” të Prishtinës, Blerim Shala dhe Halil Matoshi i krijojnë Mentorit hapësirë të veçantë për botimin e punimeve të tij.
Këtë periudhë me mjaft mallëngjim në blogun e tij duke shprehur pikëllim dhe dhembje për humbjen e hershme të Mentorit e ka kujtuar edhe krijuesi, kritiku dhe publicisti i mirënjohur nga Kosova, zoti Halil Matoshi, njohës i shkëlqyer i brezit të krijuesve dhe aktivistëve të viteve 80 -të dhe 90-të.
Mentori nëpërmjet punimeve të tij të botuara në Zërin e Prishtinës, ironizon dhe demaskon pushtimin e egër të Kosovës nga Serbia fashiste.
Meqenëse armiku i ngushton jashtëmase hapësirat për të krijuar Mentori në fillim të viteve 90-të shkon në Hamburg të Gjermanisë.
Ai këtu do t’i shfrytëzojë maksimalisht kushtet e mira të punës. Me vetiniciativë dhe përkrahjen e artistëve dhe qeveritarëve të qytetit të Hamburgut, Mentori do ta hapë edhe Atelienë e tij personale me emrin “TORO”.
Ai duke punuar që nga agu e deri në terr nëpërmjet punimeve të tij të shumta do të bëhet i njohur jo vetëm në Hamburg por edhe qytete të tjera të Gjermanisë.
Punimet e tij të shumta Mentori i ka ekspozuar në Zvicër, Angli, Austri dhe galeri të tjera të Evropës.
Ai gjatë ka bashkëpunuar dhe me të përditshmen “Bota Sot” asokohe e drejtuar nga gazetari dhe publicisti i njohur Skënder Buçpapaj. Mentori në këtë gazetë ditore që dilte edhe në versionin e shtypur ka botuar me dhjetëra karikatura me pseudonimin “XUXI”.
Mentori nga jeta bashkëshortore me zonjën Kosovare Haxhiu, vajzë e Atdhetarit të njohur Ahmet Haxhiu-Zullufi pas vetes ka lënë dy fëmijë të mrekullueshëm Alketën dhe Marinin.
Varrimi i të ndjerit Mentor Aziz Ejupi do të bëhet më 2 prill 2023 në ora 13:00 në varrezat e familjes Ejupi të lagjes Sekiraçë të Vendenisit të Besianës.
Ndërkaq, familja Ejupi me datën 3 dhe 4 prill 2023 në ambientet e hotelit “GRAND” të Prishtinës do të pranojë ngushëllime nga ora 9:00 deri në ora 17:00.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në lamtumirën e fundit të kushëririt tim të dashur Mentor Aziz Ejupi, në këtë muaji të solidaritetit dhe mëshirës lus Zotin e gjithëfuqishëm që në botën e pafundme ta shpërblejë atë me parajsë !
ARIF EJUPI