Dallgë të turbullta, gri, ja ashtu si flokët e mi.
Fryn erë e fortë
në ngjyrën e dallgëve.
Mesditë e shqetësuar që më ndjell largësive
drejt Finlandës,
po ku është Helsinki, ku fshihet kështu
pas këtij shiu
që ngjan me shiun tim të burgosur?
Po kjo pulëbardhë
që vjen rrotull meje me klithma,
mos është ajo poezia për Helsinkin,
që e shkroi fshehurazi mbi kurrizin tim
një i burgosur tjetër?
…të drejtat e njeriut… mërmëriste Havzi Nelaj, ah, më pas
djajtë do ta varnin, hapur, jo fshehtas si Eseninin,
prandaj po lëkunden drurët
ashtu… si ai. Nuk je më, Miku im,
mes teje dhe Helsinkit
ka mbetur kaq shumë mjegull!
Era bëhet me kthetra
dhe kërkon të copërlojë harrimet,
sqepat sqepojnë verbërinë. Përplasen dallgët
pa e thënë atë që ti le përgjysmë
mbi kurrizin tim.
Dallgë të tjera erdhën dhe më mbuluan,
s’isha më
dhe unë u bëra dallgë…
_____________
* E shkruar në San Petersburg, maj 2014, nxjerrë nga libri “Si na erdhi ai, i ndaluari”.
Poezi e bukur, rralle hasen bukuri te tilla.
Faleminderit autorit.