Individë të paidentifikuar ende nga policia kantonale e Gjenevës kanë dëmtuar pllakën memoriale të kryeheroit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që njëherit njihet edhe si mbrojtës i qytetërimit evropian.
Busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut,që është vendosur më 1 Nëntor 1997, pranë brigjeve të liqenit Leman të Gjenevës, është vepër e profesorit dhe historianit, Astrit Rakip Leka, luftëtar i shquar i Luftës Nacional Çlirimtare.
Z. Leka që më 24 dhjetor të këtij viti mbush një shekull jete dhe veprimtarie,këtë ide të tij të kahershme e jetësoi me ndihmën e dhëndrit të tij Alexander Lambert,profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Gjenevës dhe drejtor shumëvjeçar i shoqatës Solidest.
Kjo vepër me rëndësi të veçantë historike u përkrah edhe nga Ministria e Informatave të Republikës së Kosovës, e udhëhequr në atë periudhë nga veprimtari i njohur i çështjes shqiptare z. Xhafer Shatri.
Po ashtu me kontributin e tyre u dalluan Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Gjenevë, asokohe i drejtuar nga diplomati i palodhshëm dhe perspektiv Andi Gjonej, që nga të gjitha misionet diplomatike të botës gëzonte respekt.
Në asnjë mënyrë nuk guxojmë ta harrojmë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Z. Ueli Leuenberger, themelues i Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës dhe deputet i shumë legjislaturave në Parlamentin e Zvicrës.
Leuenberger mbrojtës i vërtetë i popujve të shtypur nga regjimet diktatoriale dhjetëra herë ka qenë në krye të protestave për liri dhe mëvetësi të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës Lindore, të organizuara kudo në Zvicrër.
Andaj, me të drejtë konsiderohet edhe si Edith Durham i shqiptarëve. Me rastin e përurimit të shtatores së Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Gjenevë,qe organizuar edhe një simpozium shkencor ky patën marrë pjesë ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë prof.dr.Rexhep Meidani dhe Arta Dade, Ministër e Kulturës dhe Sportit si dhe deputeti de shkrimtari ynë i mirënjohur Dritëro Agolli.
Ndërkaq në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur po ashtu më 2 Nëntor 1997 në Gjenevë,mbi jetën dhe veprën e Gjergj-Kastriotit-Skënderbeut, me punimet e tyre para qindra të pranishmëve janë paraqitur studiuesit nga Kosova,prof. dr. Jahja Drançolli dhe prof.dr. Ymer Jaka.
Kurse përkthimin automatik apo stimulant të materialeve nga gjuha shqipe në frëngjishte dhe anasjelltas e pati bërë z. Altin Thanasi, përkthyes zyrtar në Ministrinë e Informatave të Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Përdhosja e gjithë këtij mundi dhe e gjithë kësaj pune shumëvjeçare ka indinjuar të gjithë mërgimtarët tanë dhe miqtë e tyre në mbarë Zvicrën.
Z.Ueli Leuenberger këtë akt vandal e konsideron si primitivizëm mesjetar. Ai beson që Organet e Rendit dhe Sigurisë së Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, shumë shpejtë do ta gjejnë kryesinë e kësaj vepre të shëmtuar.
Leuenberger duke pasur besim të plotë në organet gjenevase apelon tek të gjithë mërgimtarët tanë për durim e tolerancë!
ARIF EJUPI