Festë e bukur plot me dritë, me muzikë qiellore, me njerëz të shumtë, të veshur për krentim dhe shqipja, gjuha amë që dëgjohej kaq ëmbël…
Në Chicago, në kishën “Saint Francis Xavier” në Wilmette, në meshën e shenjtë, të celebruar nga Shkëlqesia e Tij, Ipeshkvi Mark Bartosic, dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Arbër dhe Ilir Bejleri, dhe disa të rinj të tjerë, vajza dhe djem si drita morën sakramentin e Përforcimit, duke plotësuar hyrjen në jeten e krishterë nëpërmjet Eukaristisë së Shenjtë.
Ishin të ulur në rreshtat e para, vezullonte ngjyra e bardhë e fustaneve dhe kravatat e djemve si degë të pemëve të shpresës.
Diakoni Lekē Brisku, i pari diakon shqiptar në Illinois, nuni i dy vëllezërve shqiptarë, i shoqëroi me dorën në sup tek Ipeshkvi Bartosic, por do t’i shoqërojë e ndihmojë dhe në rritjen e tyre në besim.
Me fantazinë time e zmadhoja atë krah, e bëja të të gjithë shqiptarëve në supet e njëri-tjetrit Vëllazërisht.
Të gjithë ishin të gëzuar si në festë. Të emocionuar bashkë me dy vëllezërit e bukur me kaçurrelat mbi ballë, Arbi & Iliri, dhe të rinjve të tjerë, që po merrnin sakramentin, ishin dhe prindërit, Dhurata dhe Beni dhe ata që kishin fëmijët aty, kumbarët, fisi, shokët dhe shoqet, edhe ne, të ftuarit…
Unë guxova dhe u kërkova leje t’ju puthja kaçurrelat vëllezërve, pata një imazh si nënë.
Mes të tjerash në homelinë aq të bukur Imzot Bartosic tha se në kishë ne vimë jo për të bêrê veten, por për të zbuluar veten…
Zbulimi i vetes gjithnjë të çon tek përsosja e virtyteve, mendova. E si të mos gëzohesh, kur sheh familjet shqiptare bashkë, të begata, të qeshura, të integruara në atdheun e ri në SHBA. Atdheu është familje e madhe… Ndërkaq u bashkoheshim dhe ne urimeve për Arbin dhe Ilirin dhe të rinjve të tjerë, Zoti i mbushtë me hire due dëshmofshin praninë e Zotit me jetēn e tyre!
Kemi nevojë për besimin, për frymën e dashurisë, për atë fuqi që të shohim atdheun të gëzuar si në festë. Por duhet përkushtim, dashuri aktive siç na mëson Shenjtja jonë Nënë Tereza.
Dolëm nga kisha, fëmijët në rrugë dukeshin si me flatra, e ardhmja e tyre fillon tani…