E MIRA
Nuk pata fjalë për të thënë,
nuk kam fjalë për të thënë,
s’do të kem fjalë për të thënë,
fjala dëgjohet me secilin nga tinguj e dheut e të qiejve,
fjala kqyret me secilën nga rrezet e dheut e të qiejve,
fjala hahet me secilën nga shijet e dheut e të qiejve,
fjala pihet me secilën nga etjet e dheut e të qiejve,
fjala zgjerohet me secilën nga ardhjet e dheut e të qiejve,
fjala ngushtohet me secilin nga ikjet e dheut e të qiejve,
fjala peshohet me secilën nga matjet e dheut e të qiejve,
fjala frruhet nëpër dhëmbë sikur i gjalli me veten e vet,
nëpër majat e dhëmbëve si mermeri skalitet,
apo si qeramika në akropol thyhet në copa,
fjala rrethohet me gardh shkronjash,
kuptimet natyrale duke i ruajtur,
e para fjala,
e megjithatë,
në Parajsë a në Xhenet nuk ka fjalë,
prandaj e mira fjalë nuk është.,
NË FENË E ZOTIT TIM
Një gur te kryt- Porta e Qiellit,
një gur te këmbët- Dera e Tokës,
asnjë prekje të formës së qiellit,
asnjë prekje të formës së tokës,
prekja dhe skalitja e varrit- punë në laborator,
njeriun e paqenë, kllon për të sajuar.
Mysliman dua të vdes, në fenë e Zotit tim,
nëse dot s’më vishni me renë e bardhë,
qefinin krejt të bardhë nuk e dua,
se letrën sa mundem të bardhë nuk e lë,
“Zoti Një” në qefin shqip qëndis.
GOMARDARET
Shiu,
barkun në qiell,
gojën në det,
këmbë e duar në tokë,
kokë të veten s’ka,
pafundësi kopjesh po,
qyteti u përmbyt,
shtëpitë dhe ndërtesat- anije
që nga Arka e Noes,
në baltë të ngecura,
gomardaret më të dukshmet,
ej sa shumë gomardare, koka- gomardare,
kopje të zmadhuara “pika- koka”,
me ajër politik
mbushur.
PELENA
Pleq me pelena bebesh,
bebe me rroba të trasha pleqsh,
plaku- bebe
a bebja- plak?
Perdja e syve,
kjo botë,
ajo botë.
VENDIM NGA VENDIM I PADREJTË NË GJYKATË
Pika e djesës
shuk u mblodh,
u nguros,
gur shtufi u bë,
një thikë me dy tehat e mrehur,
aty e shtrirë,
aty,
m’u në mes të ballit.
PËRMASAT
Femra-
më e shkurtër,
mashkulli-
më i gjatë,
te gjoks i tij kryet e saj-
dhe gur
në qafë,
RITI PASTËRTOR NË ATË MORT
Qahej gjithmonë,
qahej ajo,
më shumë lot kjo grua në mortin e tij,
a prej kësaj uji i govatës pik- pik
nga secila anë e dheut?
Të ndjerin burrë ,
sa ishte ai gjallë,
kurrë s’e ndjeu
njëherë
të tharë.
VLERA E NJERIUT
Zero- atom i hekurit në statujën e Brukselit
dhe çdo atom tjetër,
zero- pika e shiut dhe rrethi në ujë ,
zero- pika e lotit dhe bebja në sy,
zero përmbi qafën e mashkullit dhe të femrës
dhe i tyre përqafim, ama fort,
zero- goja pa fjalën,
zero- me trup foshnja në bark para se të lindë,
zero- plaku i kërrusur para se të vdesë,
zero pa fund në univers,
zeron si numër, të parët arabët e caktuan,
s’jam numur i harruar,
zeron e rruzullit tokësor
para vehtes mbaj.
ORIGJINA E RRUGËVE
As huq, as fiksim,
i shpeshtë fërkimi i ballit me grusht,
balli i rrëshqet nga vend i vet,
si shtresa e dheut nga erozioni i ikën.
Rruga nën këmbë- ai ball,
vetë e shkel,
kush s’e shkel.
KANCER I GJIRIT
Ah, ajo hënë tullace,
ah!
A nga skalp i shkulur, dikur,
a nga rënia e flokëve të natës, sot?
nesër lind nga perëndon,
ah!
QENI I KOLIBES
Ç’lidhje ka nëse thua “plak”,
nëse thua “fuqi”,
nëse thua “veglat”,
nëse thua proverba për dashurinë,
nëse thua..,
po kur thua “kockat”,
ç’tu desh ta zgjidhje qenin
e kolibes së rrënuar të trupit,
“huuuummm…”,për një bushtër,
tash kockat e vehtes,
po t’i lëpi,
po t’i ha.
NË MBROJTJE TË NATYRËS
Jam shofer i reve,
i makinave qiellore me ujë,
me qejf timonin,
ty,
luledele.
KOCKA PROFETIKE
Harroje autopsinë,
kurrë për të mos e harruar,
autopsia- përdhunim i kufomës.
Njëherësh 20 kocka,
kocka të gjalla te trup i vehtes,
me duar e me këmbë t’i thyesh,
gjer te avullim i pikës së fundit të ujit në trup,
po aq dhimbja e gruas kur lind,
e thonë sa herë te e premtja e lutjeve.
Kocka- atdheu i parë i femrës,
kocka,
mishi- burrë fort
e mbështjellë
I GJUMTUARI I REVOLTUAR
Hapa, hapa, hapa,
dhe dallëndyshja hapin në bish të skalitur.
Këmbët e thara ia prenë,
trupin për t’ia shpëtuar,
dy grushta fort të mbledhur- cungjet e tij,
fytyrës së rrugës së përditshme
t’ia veshë.
LOJA E FATIT
Njërin cep, ajo,
skajin tjetër, ai,
litarin e elipsit të marëdhënies mbajnë,
fjala e dhënë gjithnjë vrull merr,
hop, hop e hop, hop,
kërcimim së larti ky,
por pa shkop
sentimentesh
të ngrira.
NET ALGJEBRIKE
Paralele vijë, pingule vijë, ja,
plus gruaja me burrin bashkë,
krevati bashkëshortor- libri i algjebrës,
ja, strukturat algjebrike,
grupet, unazat, trupat, hapsirat vektoriale,
zgjidhja e ekuacioneve
dhe e sistemeve të ekuacioneve,
matricat, detirminantet, ja,
në fletët- net të shpirtit binjak.
UNIFORMA E KOMBËTARES NË FUTBOLL
Kryet fus,
e shtyj,
gjer në fund të qelizës së gjallë,
bluzën
e arteries së gjakut
vesh
DARKË QEVERITARE E FITORES MBI OPOZITËN
Shkumë,
Shkumë ose jargë kaçurrele,
a prej të uriturit për bukë,
a prej të eturit për ujë,
a prej luftës për egzistencë,
a prej luftës brenda llojit,
a prej seleksionimit natyral,
apo prej shtrudhjes së fjalës ?
Një krokodil inkandishent
sa gjatë gjërë kjo shkumë
ose jargë kaçurrele,
pjata- luspa,
gota- luspa,
pirunj- luspa,
lugë- luspa,
thika- luspa,
kunjë dhëmbësh- luspa,
çanta- luspa,
portofolë-luspa,
syze- luspa,
çorapë prej cipe buzësh të thithura- luspa,
kollare të tredhura- luspa,
xhinse të kafshuara- luspa,
bluza femrash vrima vrima shqisash- luspa,
orë dore si gur në qafë- luspa,
bizhuteri sikur krimbat në varr- luspa,
turinj që nga thellësia e ujit- luspa,
këpucë raciste- luspa,
luspa drejtë e pjerrtas- luspa,
para e pas shpine – luspa,
sikur shkundja e rrenave të bardha
nga plepat e rrugës – luspa,
te një luspë kryeministri lexon
mirëseardhjen
e Sizifit
mbi gurin e pushetit
hipur.
AMANET I DASHURISË SË BURRIT
Grua,
dritaren e fundit,
unë vetë e mbyll,
derën,
për të fundit herë,
mbylle ti.
Komentet