Banorët e Komunës së Drenasit po votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e tyre të ri, pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, i shpallur fajtor për krime lufte.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me kohë janë hapur të gjitha vendvotimet në Komunën e Drenasit, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.
Me anë të një komunikate, KQZ-ja ka njoftuar se me kohë është shpërndarë materiali sensitiv nëpër të gjitha qendrat e votimit.
Numri i qendrave të votimit është 28, me gjithsejtë 72 vendvotime.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë, sipas listës përfundimtare të votuesve të miratuar nga KQZ-ja, është 52 mijë e 569”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.
Postin e të parit të Drenasit e synojnë kandidatët: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA), Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.
Nëpërmjet një njoftimi për media, KQZ-ja u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
Procesin e monitorimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit është duke e bërë edhe Koalicioni për Integritet Zgjedhor – KIZ.
Sipas të dhënave nga monitoruesit, nga 72 vendvotime 58 janë hapur me kohë, kurse 12 janë hapur me vonesë prej 10 deri 50 minutash.
“Në shumicën e vendvotimeve, vonesat kanë ardhur për shkak të mungesës së materialit zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të këtij koalicioni.
Për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas Prokurori i Shteti, Aleksander Lumezi, ka angazhuar një ekip të prokurorëve për të përcjellë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Prokurori i Shtetit, së bashku me Policinë e Kosovës, janë të angazhuar për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Po ashtu, Prokurori i Shtetit njofton të gjithë opinionin se do të reagojë në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, për çdo raportim apo keqpërdorim të votës”, thuhet në komunikatë, ku citohet se, do të merren masa konkrete në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale. (REL)
Komentet