“At’ Gjergj Fishta dhe gjeneratat”
Kompozim nga Gjergj Kola
Sidomos tani, kur rri përpara kësaj pikture, e mrekullueshme për mua, që piktori i njohur në Itali, Gjergj Kola, ka kompozuar poetin At’ Gjergj Fishta me Lahutën e tij, të shpirtit të Kombit të tij dhe pranë një burrë i ri, është im atë, që vërtet e ka takuar Atë Gjergj Fishtën kur ishte student në “Normalen” e Elbasanit, ndërsa poshtë tyre është një lahutar, (piktori për model ka zgjedhur fytyrën time), më duket se aty zbuloj, përveç të tjerash, si në një ikonë, bashkime kromatike të kohëve dhe pakohësinë, përjetësinë patriarke të Poetit tonë Kombëtar, që filloi si sot, në 30 dhjetor 1940, si dhe adhurimin që kanë njerëzit për të, atë e bir, gjeneratat dhe ardhëria.
Dhe të mendosh që, kur unë jam dënuar me burg në diktaturë, në akuzë kisha si akt të dënueshëm dhe leximin fshehurazi të “Lahutës së Malcis”, që im atë na e recitonte, që kur isha fëmijë. Edhe atë e kishin dënuar para meje.
Dua të them se pasvdekja e poetit ishte e kërcënuar si përjetësi e shpirtit kombëtar, kur diktaturat komuniste donin të ndertonin një botë të re me njeriun e ri, antinjeriun dhe antibotën.
Kur themi At’ Gjergj Fishta, janë bashkë e të pandara emri i Poetit me fjalën e shenjtë, parake e të lashtë sa vetë shqipja, “Atë”/ baba, që tashmë kanë marrë kuptimin më madhor, jo vetëm religjioz, por dhe atë të Poetit Kombëtar, që bashkë me Naimin sikur krijojnë dy kokat e shqiponjës së Flamurit.
Me veprën e tij, në lartësitë botërore të eposit, u bë sa ndërgjegje, po aq dhe kushtrim i shqiptarisë dhe në shekullin XX, aq i vështirë për ne, dramatic qysh në fillimet, kur po ribëhej shteti shqiptar, pas një pushtimi mbi 4 shekullor dhe copëtimeve të rënda të trojeve.
At’ Gergj Fishta duhej të tejkalonte dhe tri vdekjet e veta, atë të pas kalimit në amëshim, vrasjen e Emrit dhe të Veprës dhe të Varrit. Edhe vdekjen donin t’ia vrisnin, por Ai mori pavdekësinë.
Mund të thosha që u ringjall, por Ai ishte gjallë gjithmonë. Djalli, armiqtë e Shqipërisë, kundërshtarët, që frynin si erërat e egra të stepave, s’e mposhtën dot. Mbetet triumfator. Me një lloj misteri përtej harrimeve të qëllimta dhe kritikës politike.
At’ Gjergj Fishtës i ra barra të mbartte dhe ai së voni amanetet e fisit iliro-arbëror, kumtet e maleve tona si të mbetura në gojë shpellash, buzëve të plagëve të shekujve, duke u bërë dhe vetë zë i madh, me fuqitë hyjnore të Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili). Mbarti kryqin e Krishtit dhe priu me gjuhën e popullit të tij ndërgjegjen dhe qëndresën. U bë kujtesë e tokës së tij.
Legjendë modern u bë që në gjallje, biblik, plot dije dhe urti, që shungëllonte shqip si orteqet e dimrave tanë, onomatopeik betejash e i lumenjve të gjakut.
Akademik roman ndërkohë, që befas kthehej në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, Edhe dramaturg, prozator, mendimtar, kritik letrar, piktor, arkitekt, deputet, opozitar, diplomat, përfaqësues i Shqipërisë, etj, por gjithmonë prift, françeskan i bukur! Herë-herë me një si zëmërim perëndish, që nga dashuria kristiane, si poet që është, e kthen në satirë të hidhët, nd;erkaq ai ishte satiristi më i mirë në Ballkanin e kohës së tij, por që kumbon dhe sot aktual, se çelës është gjakimi i tij për përmirësim e races. Disa nga shpotitë e tij ngjajnë të porsa shkruara për ata që i kemi përreth dhe në krye.
Átë Gjergj Fishta është veprimtari i lartë Kombëtar, patrioti i flaktë, kushtrimtar. Dhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, siç e akuzuan komunistët, ai bëri politikanin e atdheut. Me kryqin dhe Fjalën. I dekoruar dhe nga armiqtë për paqen që sillte, edhe sulltani q;e shmangu një gjakderdhje në Malësi. Ka të dhëna se është propozuar për çmimin “Nobel” nga amerikanët.
At’ Gjergj Fishta është një fenomen, jo vetëm në kuptimin metaforik. I përndjekur dhe pas vdekjes si një kryqtar i Kombit. Kur Shqipëria ishte në perandorinë komuniste, me diktaturën më të keqe të saj, ndodhi e pandodhura, ia prishën varrin Poetit Kombëtar në Kishën e Françeskanëve, që edhe atë e prishën në Shkodër. Djalli i kuq ia mori eshtrat dhe me një thes të zi i flaku në lumin Drin. Po ai kështu u bë pjes:e e lumit të atdheut, në dallgët e përjetësisë së tij. Por Ai prapë gjallonte. Edhe kur Enciklopedia ruse, edhe sllavët e Jugut, e shikonin si rrezik dhe kundërshtar pasionant, por Ai ishte kundër shovinistëve sllave dhe kujdo, Europë qoftë, nëse ishin kundër atdheut të tij. Dhe At’ Gjergj Fishta shfaqej mistershëm, me fuqi biblike. Më shumë se nga nëntoka, vinte nga Qielli, i vetëtimtë, me dritë të beftë, i pazhdukshëm ashtu si besimi, si me porosi nga Zoti.
Siç thashë, do të sjell ca shembuj të thjeshtë, por me domethënie, sipas meje. Në festivalet folklorike, që bëheshin nën diktaturë, malësorët me lahutë këndonin me vargje të At’ Gjergj Fishtës, regjimi s’kuptonte gjë, se ato ishin bërë popullore, anonime. Poeti ia kishte kthyer borxhin popullit të vet duke arritur kështu atë që pak poetë e arrijnë në botë.
Kur po binte diktatura dhe njerëzit guxonin të iknin, të takoheshin, të shihnin Shqipërinë Jugë e Veri, për t’ju bashkuar protestave për një Shqipëri të lirë e demokratike, euroatlantike, etj, kudo që ato bëheshin, në Shkodër, Tiranë, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Vlorë, Korçë, etj, albanalogu i shquar Robert Elsie, përkthyesi i “Lahutës…” në gjuhën angleze, d:eshmon se një herë në njërin nga autobuzët, dikush kishte nisur të recitonte diçka nga Fishta, po, po nga “Lahuta e Malcis”, e ndaluar, befas ai ndal, ndoshta pa diçka nga dritarja apo po mendonte gjë tjetër, a s’po I dilte vargu më pas, por menjëherë të tjerët në autobus do ta vazhdonin recitimin, dukej sikur u krijua kori antik, njëri thoshte një varg, tjetri vargun tjetër… kështu kishte ndodhur gjithmonë me Atë Gjergj Fishtën nëpër popull, në teatër, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.
Vepra e At Gjergj Fishtës është pjesë e Vargmaleve të Shqipërisë.
* * *
…u bënë 81 vjet, që kur Atë Gjergj Fishta mbylli sytë përgjithmonë dhe mori udhën qiellore të amëshimit. Në tokë, me baltën që u hodh mbi të, u bënë statuja të tij. Më së fundi u ribë shtëpia e tij e lindjes në fshatin Fishtë, e rrënuar si vetë kujtesa dhe ndërgjegjia jonë, u kthye në muze, por duhet bërë dhe vend pelegrinazhi. Se nuk është thjeshtë vlerë muzeale, por frymë Kombëtare. Shtëpia e Atë Gjergj Fishtës është në shpirtin e çdo shqiptari. Besoj se Presidenca, Parlamenti, Kryeministria do kenë vendosur kurura në shtatoret e Poetit të Kombit, besoj se ka, jo vetëm ajo modernistja në Shkodër, kështu dëshiroj të jetë, dhe akademitë, bibliotekat, ajo e Françeskanëve së pari në Shkodër, botuesit, media, shoqatat, grupet, diaspora, etj, e kanë përkujtuar me botime e konferenca, manifestime e homazhe. Kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët, poetët, sidomos të rinjtë, personalitetet e larta të venditi e kanë thënë fjalën e tyre siç dhe do të thonë. Kështu besoj…
Ndërkaq, e di, më shumë është thënë dikur, nga më të shquarit e Kombit, nga personalitete të huaja, përkthyesit e tij në gjermanisht, italisht, anglisht, etj, etj.
Gurra fishtiane nuk shterr, Unë dhashë emocionin tim sot, pa asnjë pretendim, thjeshtë fola. Më nxiti dhe dhurata, piktura e Gjergjit tjetër, piktorit Gjergj Lola
Ardhurimin ndaj Atë Gjergj Fishtës është i trashëgueshëm.
Siç premtova, ja, po sjell një strofë nga poemat e tij botuar postume. Edhe piktori Guljelm Mosi, i frymëzuar, kishte kompozuar tablo, që ilustronin poemën dhe takimin e tim eti me Atë Gjergj Fishtën.
Edhe unë kam shkruar poezi për Fishtën dhe në burg, edhe më pas, edhe në gegnisht. Të rinj dhe studentë sot e studiojnë, mbrojnë diplomat me tema për të. Kështu besoj. Dhe desha të thosha, që megjithatë, edhe kur harrojmë, zemra e At’ Gjergj Fishtës rreh mistershëm si zemër e popullit.
POEZITË TONA PËR POETIN
HEKURAN ZHITI
(Është quajtur dhe “Gjergj Fishta i Toskërisë” për poemat e tij dhe satirën..
Një strofë nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”, shkruar në vitet 1943-44, vënë në skenë në ato vite, së pari në Berat, ku jetonte autori…):
GJERGJ FISHTA
(del nga një altar mermeri)
“Edhe hana do ta dije, edhe dielli do t’ket pa,
Se përqark kësaj rrokullie si Shqipnia’i vend nuk ka!
……….…………………………..
Atje lejnë, po, Toskë e Gegë, /si dy rreze n’flakë, t’një dielli:
Si dy rrufe që shkojnë tue djegë,/kur shkrep reja nalt prej qielli.”
………………………………………….
Jehona e Fishtës
Zani m’dridhet nga dashnia,
dridhen kryqat n’vorret tona.
Po s’u ba paradis Shqipnia,
nga Qielli do zbresin me jehona…
VISAR ZHITI
(Nga libri me poezitë e burgut “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”)
DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI-TJETRIT
Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan
malin e fundit. Panë detin e madh, të huaj.
Si llahtarí të kaltër, harbonjëse shtynte dallgët,
si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra
e tyre si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes
topave dhe kuajve nën rrapëllimën e daulleve
dhe kazanëve, nën emblemat absurde.
Pluhur i para pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël,
i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit,
që xhindosi Sovranin e madh. Do të suleshin ata, gjithmonë ata,
të njëjtët ata, do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, d
o të nxirrnin eshtrat e heroit si eshtrat e vetë kombit. Pastaj
do t’i thyenin, copa-copa, eshtrat me baltë, të gjata
sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.
Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali
do të varnin në qafë ushtarët për të pasur fat
nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë,
kur dhe varret tani janë varrosur në harresë. Ra nata.
Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh.
Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë.
Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve
ashtu si buka s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt,
të përzier. Nëpër tokë kalbeshin trupa barbarësh dhe
dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh
e kuzhinierësh të paqes më të kuqe se lufta. Njeriu
binte e malet bëheshin më të lartë nga kufomat.
Malet u mbushën me partizanët e luftës më të fundit të
botës, plot si me pyje. Gërmadhë u bë mishi
i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja.
Besuam tek urat. Besuam që deti u bë e dashura
e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah,
pastaj kur u hap tymi i betejave, nëpër pellgje pamë
pasqyrimin e sundimtarëve të ikur, të sundimtarëve tanë
që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi nëpër pellgje,
binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.
Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne,
jo pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e
megjithatë nuk shpëtuam dot nga udhëkryqi ynë. Në një
tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit… jo, jo të Kastriotit…
të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet,
e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat
e tij. O Zot! Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit
anadollakë na vodhën skeletin e kryetrimit dhe ne, vetë ne,
me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit,
(s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa hajmalish
kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte
nga sllavët. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.
Spaç, 14 janar 1983
(Është botuar dhe në numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës”, e themeluar nga At’ Gjergj Fishta, kur nisi të ridalë pas rënies së diltaturës… është përkthyer dhe italisht nga poetja arbëreshe Cate Zuccaro dhe është lexuar dhe në kishën San Atanasio në Romë, etj, )
SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS
(Nga libri me poezi “Thesaret e frikës)
N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën
copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.
Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,
që mbi dhė ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nan dhė eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq
dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet
si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si
shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.
Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.
Visar ZHITI
Komentet