NË DARDANI PO SOSEN DJEPAT
(Përshpirtje vaji për fshatrat, qytetet e krahinat e braktisura, shumë prej tyre të boshatisura e pa asnjë oxhak e shtëpi)
Dardani një tokë qiellore
po ngelet shkretë pa jetë e pa troje
Deri dje me pushkë e penë
bijtë e tu e mbajtën Kombin
sot shqiponjat po ngjajnë me korbin
po e lanë trollin e po e lanë Zotin
As ka luftë as ka beteja
dardanët e tu po i merr era
Ikin, ikin pa pra si preja
pa pas termet, pa vra rrufèja
Ku në shekuj zanat nuk vdiqen
na dhanë gji e shtat na rritën
Në ato oda ku princat dolën
nuk çelën derë e s`ka as votër
shtëpia bosh, pa vëlla e pa motër
As s’ka dasma as gëzime
As fejesa e përbatime
Ke veç troje bosh e të harrueme
Plot me therra e gardhe të rrëzueme
Nuk ka prag as bujrum burri
Pikon loti e qan dhe guri
Moj vendlindje po të lamë pa lindje
si tokë e nëmur pa përcjellje e pa pritje
T’lamë shkretë e të shtojmë veç vorre
thatë pa jetë Dardani arbnore.
NJERIU I DJESHËM
Kur ishte i ri lexoj shumë vetëm një libër
Në ekranin bardhë e zi dukej me kulturë
Si një duhanxhi edhe i dehur
Hëngri si me dhëmb purën diktaturë
U bë i ditur, me i dituri në planet
Sa shpiku edhe rrotën e dytë
Na thoshte dikur Hamit Aliaj
I mençuri ynë poet
Tanimë jo më i ri por është tjetër
Është automatik i mbushur
Edhe pse markë e vjetër
Me tytën prej nesh
Nga ekrani me ngjyra natë e ditë
Ai vret.
DY SHPIKJE ALLA SHQIPTARE
E para
Izolimi që na la
As gjallë e as vdekë
Në dhè
E dyta
Shpopullimi që po na lë
Pa varre
Edhe pa atdhè.
VJEDHËSIT E ATDHEUT
Të pa shpirtë e të ftohtë
Si mermer parmakësh e buste boshe
Duke i zënë frymën çdo rrugë e qoshe
Në qytete me ikje e pak banorë në radhë bukë vote
Dasmojnë në kështjella me pensione mamaje
Harbojnë në dyshek martese të mbushur me pare
Mburracakë e trashëgimtarë të pa burra për 100 vjet
Me vula dhe brava e kollare si jela të fëlliqta hingëllojnë
Pshurrin qelb politike e bagëlojnë kudo mut pushtet.
NGJITU, NGJITU ILIR BUÇPAPAJ
Ke marrë shpatin dhe nuk u ndale
As nga bubullimat nuk u trembe
Në shteg të dy breg shekujsh
U ndodhe e kurrë nuk pushove
Të afruan ujë vrellat
Të afruan pshere të bardhë zanat
E ti edhe prej atyre u largove
Ke marrë shpatin Ilir Buçpapaj
Vetëm drejt kaltërsive u joshe
Atje, Ngjitu! Ngjtu Ilir Buçpapaj
Në majë na përshëndet buzëqeshja jote.
POETËT JANË SI YJET
Poetët janë si yjet
Të vegjël, shumë të vegjël…
Të mëdhenj, shumë të mëdhenj
Të dukshëm e të padukshëm
Të afërt, të largët e shumë të largët
Yjet shalojnë qiellin
dhe poetët në tokë shtegtojnë
Si yjet në hapësirë
dhe poetët vetëm rrezatojnë
E ne bëjmë sikur i prekim
e ëmbël, ëmbël i vështrojmë
Por, a preket Universi.
DASHURIA, A E KA EMRIN DASHURI
Si gjethet e pemëve në vjeshtë
Bien pa i pyet degët
Degët nuk ju thonë ikni
Ndoshta edhe ju thonë
Toka nuk ju thot hajdeni
A ndoshta edhe ju thotë
Edhe dashuritë sot nuk e dinë
As kur nisin e as kur shkojnë
Bile vetë dashuria
Nuk e di, a e ka emrin dashuri?!!
O J N A
Pse e vetëm Pse
Si sot e si dje
shqiptarët të kërrusur me ofshamë
Medet e tuj ba ojna e nën rè
Sepse e vetëm Sepse
Si sot si dje
Shqiptarët në ikje
Duke qarë e me ojna
Ikin nga breshëri
Bien nga rrufeja në rrufè
Pse e Sepse
Me ojna në dhëmb
Pas hija e shqiptarëve rritët
Vetëm rritët përmbi dhè
Ojna…
Oj Nanë!
SI TA GJEJ POETIN ALFONS AL ZENELIN
Jam i hutuar në rreshtat e tij
Si në një ahishte pa rrugë e anë
Kam mbetë
Kordinatat Jug a Veri
Lindje e Perëndim
Në busullë nuk ndihmojnë
Ndihem si një celular pa internet që hesht
Më në fund e gjeta
Jo me hutim
Do t`i ndjek lisat e gjatë
Midis tyre është poeti im.
LAHUTA E MALSISË
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Palcë e hershme e shqiptarisë
Don me t`fal, don me t`fal plaçkë të Serbisë
O, oj Lahuta e Dardanisë
O, oj Lahuta e Dardanisë
Don me t’dhanë
Don më t`dhanë kurban t’Serbisë
O, oj Lahuta e Gegënisë
O, oj Lahuta e Gegënisë
Don me t’hupë, don me t’hupë
Prej historisë
Po kush guxon
Po kush guxon
Më m’prekë Lahutën
Ka prekë zemrën
Ka prekë votrën
Ka prekë bukën
Po kush guxon
Po kush guxon
Më m’prekë Lahutën
E hej ka prekë besën
Ka prekë jetën e po thirrë hutën
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Je e bukura
Je e bukura
E Dardanisë
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Je mençuria
Je mençuria e Gegënisë
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Je pleqnia
Je pleqnia e drejtsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Je thesar
Je thesar i historisë
O, oj Lahuta e Malsisë
O, oj Lahuta e Malsisë
Je mbijetesë
Mbijetesë e shqiptarisë.
RUGOVA ZBULOI KOSOVËN
Kosova e hedhur dhe e harruar
E masakruar që në djep,
Me nënë gati si njerkë e fustan grisur
Si vajzë jetime kishte mbetë
Kosova edhe pse një tokë e lashtë
Nuk njihej as si thërrime e një meteori
Politika e shkencës a shkenca e politikës
E mbajti si të fshehtë nga globi
Shkencëtarët nuk arritën ta shohin
Këtë yll të galaktikës politike
As ta prekin edhe pse e shkëlnin
Me satelitë të mëdhenj modern
Gati si me anije kozmike
I vetmi që e pa krijesën magjike,
Që do lindte, shkencëtari Ibrahim Rugova
Që, zbuloi Kosovën tonë
E i dha botës formulën e saj dardane ilirike.
PIRAMIDA 25
Në kthizë të kërshit të Gjon Balës
Një vijë e ndan botën
Sipër bjeshkës se Tërkuzit
Një qafë e lëmuar
Rudinë me boronicë e bare
Fsheh ndarjen e tokës
Aty para pesë vitesh na çuan si skllevër
Me çekiç e lopata
Bëmë një rrugë gjurmë majtas
Bjeshkatarët udhëtarë të mos shkelin
Në vijën fatale a kalojnë kufirin djathtas
Nuk e dinim ne provincialët se atë ditë
Në Tiranë një festival kënge me numër 11
Ka shkelë djathtas kufirin
Kudo majtas rrugëgjurmët
Duhet të thelloheshin e vetëm majtas të rrinin
E tani pas 50 vitesh aty është me numër 25 piramida
Aty është rrugëgjurma majtas
Me shkelje hapash pa ndal
Nuk është fshirë ndasia
Në Tiranë në ekranin e bulevardin e saj
Kundërmon majtas e qelbnostalgjia.
U NIS PËR BJESHKË HAMIT ALIJA
U nis për bjeshkë Hamit Alija
Po flladitet me ujëborë në vrella
Sperkatë me gishtërinj të lagur gjinjtë e butë
Dehur të zanave pa zbardhë dita
Si hakmarrës për natat hënëgjata e pa gjumë
Prinë me çelë dite me gjogun e bardhë bajrak
Në udhë midis dy shekujve
Me dy duart kapur në jelë shtëllunge rèsh
Majat nxjerrin ashkla xixash prej patkojve
Të kuajve të sertë e të gurtë të krushqeve të ngrimë
Në Jutbinë nisi lojën e kapuçave me kokrrën në grusht
Majëkrahu me Mujë e Halil, hollë po i pisket me ngut qiellit
Duke fishkëlluar në një fletë ahu
Në gjunjë ka ulur drerët e brinjtë e tyre
Si germa përdredhë e vizaton diellin
Në Dardani po bien një tupan lagë me lot bjeshke për princin.
MË ZURI RRUGËN NJË LIS
Ditën e parë të dimrit u rrëzue
Në kryq më zuri rrugën e shtëpisë
Ishte aq i madh sa gjithë ditën
Me zor e hoqa dhe me ndihmën e kojshisë
Gjysmën e dimrit të gjatë
Ma mbajti oxhakun plotë gacë e prush
Prapë kurrë nuk e harrova
Atë ditë të ngratë të lisit huq
Ia harrova hijen e mirë
Këngën e zogjve në degë
Prej një jete ia harrova freskinë
Kurrë nuk ia fala fajin e asaj dite
Eh edhe të asaj dite mërzinë
Më zuri rrugën tek ra ai lis
Pa fajin e tij
Të gjitha të mirat ia harrova
E kurrë atë ditë
Kur edhe lisi rrëzohet
Po njeriu…
E nuk falim.
FLUTUROJNË SHQIPET
Jo valle
Jo kërcim
Është mrekullia shqiptare
Në vallen e Tropojës
Aty është krejt festa
E trojeve tona
Aty është mrekullia e tetë
E botës.
ÇIFTELINË E BËRI MENDJEMADHE
-Dedikim mjeshtrit të çiftelisë Shaban Mulaj
Shumë vite ka
Që çiftelia e mjeshtrit pushon
Shumë vite që pushon dhe zemra e tij
Shumë vite që në mur
Çiftelia e tij me naze na shikon
Telat nuk dridhen pa gishtat e tij
Shaban Mulaj
Është i gjallë në çifteli.
NA FAL ALI PODRIMJA
Në ditën tënde Reçak
Nuk ditëm të heshtim
Harrojmë të kujtojmë
Zhurmojmë
Buçasin dajret
Bëhen dasma
Gotat trokitën
Shurdhojnë ekranet
Me cullak tallavanë
E cullak politikën
Si rastësi e zakonshme
A tragjedi e radhës
Fjala e kësaj dite
Pa fjalë
Na fal Reçak
Qielli loton për ty
Shi edhe ti sot na fal
Na fal edhe ti
O varg me emrin
Ali Podrimja
Heshtja do të na gjuan
Edhe me eshtrat e tua
Edhe me eshtrat e mja.
HISTORIA MATET ME KOHËN E POETVE
Poeti që në të gjallë nuk u pajtue
E mati si askush kohën
Që t`i japin udhë udhës
Poeti që në të gjallë nuk u dorëzue
Nuk e la të ndalet kohën
Që t`i japin jetë jetës
Poeti që në të gjallë
Ishte i sertë e serbes
Nuk e kurseu veten
Që edhe me vdekjen
Emrit t`i jap emër
E historia nuk fal
Kohës se poetit
I dha emër
Koha e Fishtës.
Emrit i dha emër
KOT SHKOJMË TË BERBERI
Në kohën e përtejme
Si në vaktet e dreqit
Gjithçka bëmë me gabime
E nuk i kërkojmë falje as vetit
Disa që shkruan në atë kohë
A bënë dhe vizatime
Thonë çdo natë e ditë
Ja kryevepra ime
Në ekranet me bojna
Shumë fytyra ngërdheshën
S`e kurrë nuk qeshin
Ishte kohë e mirë thonë
Vazhdojnë të fryhen si gjeli
E thyejnë sandekët
Me shirita të mykur gramafoni
Është himn ky varg
Dhe do një bust prej bronzi
Tjetri në këngë
Me marshe e betime
Partia ishte nënë
Ishte zemra ime
Piktori veteran
Me rrudha e kaçurrela
I ruan vullnetarët në rresht
Si tufën më dhi e me derra
Të vjen me vjellë
Prej këtij barbarizmi
Anti vlerën e bëjnë vlerë
Dhe e ruajnë si unazë floriri
Edhe pse është teneqe alumini
Kot shkoni të berberi, o krijues të hiçit
Mos e hiçni asnjë qime
Ashtu, ashtu me leshra përpjetë
Të palarë, më mirë rrini.
UNË KAM DY EMRA
Desha e nuk desha
Unë kam dy emra
Kam pase emrin Sami
33 vjet në diktaturë
Tani e kam Sami
Për 34 vjet në demokraci
Nuk ngjajnë me njëri- tjetrin
Janë si binjakë në hasmëri.
MULLIRI I HAXHI ZEKËS
Duhet të ikin prej Pejës
Mulliri me ujë i Hazhi Zekës
Të shkojnë në parlament
Aty në hyrje tek dera
Ta shohin çdo ditë deputetët
Kur shtetqeverisjen e bëjnë veresi
Shkollë politike e tyre qelb nga era
Të ju tregoj mençurinë se si punon mulliri
Ujët duhet t’ia çosh pa presa
Dhe jo të serbi a të dreqi e i biri
Po hyre në politikë
Është si të bësh mulli
Duhet jo vetëm të marrësh
Por edhe të falësh pasuri
Edhe në politikë si për mullirin
Duhet cokatë mirë e mirë guri
Se mielli del bërllog
Për qen e hamshor, ballguri
Pa zhurmë të mullirit
Nuk bëhet mielli
Heshtja e tij e le magjen thatë
Dhe sofrën me vaj mjerimi
Pa zhurmë e luftë në parlament
Shqipja nuk flet shqip
Kur hesht parlamenti e deputetët puthen
Shteti ngel pa shtet e trojet ngelin shterpë
Çdo ditë vetëm t’kurren.
BUKURIA SHQIPTARE DIELLON
E bukura shqiptare
Mori udhë
E bukura shqiptare
u rreshtua me dinjitet
Në të katër anët e botës
E bukura shqiptare diellon
Nga shkrepja magjike e Fadil Berishës.