Crevia një qytet bregdetar dhe turistik në regjionin Émilie-Romagne të Italisë,gjatë këtyre ditëve, ka tubuar 45-Federata Sportive të Punëtorëve të Botës.
Një kontingjent prej 24 sportistëve duke llogaritur këtu edhe stafin udhëheqës të Federatës Sportive të Punëtorëve të Kosovës, pardje në mëngjes ka zbarkuar në “ Hotel de Paris” të këtij qyteti.
Kosovarët me suksese evidente edhe në Olimpiadat e mëhershme nuk fshehin optimizmin e tyre që edhe kësaj radhe do t’i arrijnë objektivat e tyre duke u plasuar në njërin prej dy vendeve të para.
Patjetër duhet potencuar që ekipi i futbollit i Federatës së Sporteve të Punëtorëve të Kosovës, në këto gara tri herë radhas është shpallur Kampion bote. Kurse ai i basketbollit njëherë.
Kur kihet parasysh konkurrenca jashtëzakonisht e fortë në këtë Olimpiadë që rreth vetes tubon afër 200 milionë anëtarë të sporteve amatore sukses për t’u vlerësuar është edhe ai i pingpongistëve dhe shahistëve të Kosovës.
Ata në Olimpiadën botërore të organizuar në Varna të Bullgarisë patën zënë vendin e pestë.
Major,Isak M.Ejupi,zëvendëskryetar i kësaj Federate dhe përzgjedhës i skuadrës së futbollit në kuadër të kësaj shoqate, gjatë një bisede që zhvilluam me te shprehet plot optimizëm duke thënë” se vetëm ndonjë befasi e papritur mund ta ndajë ekipin e Kosovës nga triumfi në këtë Olimpiadë”.
Parashikimet e tij dalin të sakta, ngase para pak çasteve ekipi i tij i shkaktoi disfatë të thellë skuadrës së Italisë, duke e mundur 8 me 1.
Kosova nesërmbrëma në gjysmëfinale luanë kundër Portugalisë. Z.Ejupi atmosferën brenda kësaj Federate e përshkruan si vend ku mbretëron harmonia dhe serioziteti në punë.
Ai disa prej sukseseve të arritura ia atribuon zotit Ismail Sadiku,kryetar i kësaj Federate.
Falë punës së tij plot zell e përkushtim thotë Ejupi, të gjithë jemi ndjerë si anëtarë të një familje që kultivon punën dhe respektin e ndërsjellë.
Në këtë ngjarje të madhe sportive ku të pranishëm janë 5 mijë (pesëmijë)sportistë e që njihet si Olimpiada e Konfederatave Sportive të Punëtorëve të Botës, rezultat të lakmueshëm shpresojmë se do të nxjerrë edhe skuadra e basketbollistëve të Kosovës e drejtuar nga z. Shpend Maxhera, punëtor i dalluar sportiv dhe sipërmarrës i suksesshëm.
ARIF EJUPI