Në 17 maj në media u publikua një lajm mbi arrestimin nga policia suedeze të djalit të ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu.
Në Stokholm ishte vënë në pranga Skënder Shehu, por ngjarja i takonte një muaji më parë, edhe pse lajmi u publikua më 17 maj. Fillimisht, u fol se akuzohej pasi u kap në banesën e tij me një sasi të konsiderueshme marijuane. Pastaj se shtëpia e tij ishte dhënë me qira. Më pas ngjarja u harrua.
Avokati Idajet Beqiri ka patur komunikim të vazhdueshëm me Skënder Shehun gjatë këtyre ditëve.
Ai dërgoi dje në redaksinë e DITA një reagim të detajuar, në të cilin ndër të tjera thuhet:
“Skënder Shehu, sikurse dihet është shtetas i Mbretërisë së Suedisë. Ai ka jetuar dhe jeton për një kohë të gjatë në këtë vend. Për afro 10 vjet djali “problematik” i ish kryeministrit Mehmet Shehu ka bërë një jetë të dyzuar, duke jetuar sa në Suedi, ashtu dhe në Shqipëri.
Afro 5 vjet më parë Skënder Shehu iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal në Malmoe të Suedisë sepse kishte probleme serioze me zemrën. Kohët e fundit sëmundja iu përsërit. Kontrollet mjekësore dhe shërbimi ambulator mjekësor në Tiranë rezultuan të pasuksesshme. Kjo e detyroi Skënder Shehun të shkonte urgjentisht në Suedi. Për 3 ditë me radhë ju nënshtrua analizave mjekësore.
Ditën e tretë, kur mjekët konkluduan se ndaj djalit të ish kryeministrit Shehu duhej bërë një ndërhyrje tjetër kirurgjikale, Policia e Mbretërisë së Suedisë e shoqëroi atë për në zyrat e Drejtorisë së Policisë. Atje i bënë të ditur se në banesën e tij, e cila është një apartament një dhomë e një kuzhinë, në disa vazo, kultivohej marijuanë!
Skënder Shehu u shpjegoi autoriteteve policore se është e vërtetë që ai është pronari i apartamentit ku organet e policisë suedeze kishin gjetur bimë të lëndës narkotike marijuanë, por ai kishte plot 18 muaj që nuk kishte hyrë në atë banesë. Kjo për faktin se ai këtë apartament e kishte dhënë me qera tek dy shtetasve sirianë, përkundrejt një kontrate qiradhënie të përpiluar para noterit publik në Malmoe.
Autoritetet policore brenda dy ditëve bënë verifikimet e sakta te noteri dhe më gjerë, dhe e lanë të lirë Skënder Shehun, duke i kërkuar gjithashtu të falur. Por lajmin e lirimit dhe të pafajësisë së Skënderit, mediat nuk e dhanë.
Nga kontaktet e vazhdueshme telefonike që unë personalisht kam me Skënder Shehun, jam vënë në dijeni se ai është tashmë në pritje të një ndërhyrjeje të dytë kirurgjikale që do t’i bëhet në Spitalin e Malmoes”.
Skënder Shehu është person shumë i njohur në Tiranë.
Ishte fejesa e tij me vajzën me “biografi të papërshtatshme” Silva Turdia, volejbolliste e Dinamos në vitin 1981, ngjarja që u pasua nga një reaksion zhvillimesh që kulmuan me vetëvrasjen e shumëpërfolur të kryeministrit Mehmet Shehu.
Komentet