Komuna e Sharrit ( ish-Dragashi) ka mikpritur udhëheqës dhe pilotë të njohur të Federatës Aeronautike të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Në këtë manifestim të përzemërt dhe vëllazëror u vendos që një nga pikat më të larta dhe më ideale të fluturimeve në malet e Sharit, të marrë emrin e pilotit të ndjerë Hizdri Gubetini.
Kjo nismë e filluar kohë më parë nga vëllezërit Arbër dhe Zyber Krasniqi, nuk është bërë publike derisa ka marrë miratimin definitiv nga organet ekzekutive të komunës së Sharrit.
Vëllezërit Krasniqi të paepur dhe fjalëpak prioritet kanë mbajtjen e Aeronautikës shqiptare në hap me përfaqësueset më të njohura të botës.
Në këtë manifestim dedikuar pilotit ikonë nga Podujeva, Hizdri Gubetini, përveç kolegëve, familjareve e miqve të shumtë mori pjesë edhe Z. Bexhet Xheladini, kryetar i komunës së Sharrit.
Prania e tij dhe e një numri të konsideruar mërgimtarësh që kanë ardhur për pushime nga vendet e Perëndimit, në Atdheun e tyre e bënë edhe më madhështor këtë solemnitet.
Z. Xheladini gjatë diskutimit të tij të shkurtër e përmbajtjesor premtoi që vitin e ardhshëm rruga që shpie deri tek pista e fluturimeve aeronautike, e që tani e tutje do ta mbajë emrin e pilotit legjendar të Republikës së Kosovës, Hizdri Gubetini, do të jetë e asfaltuar.
Ky premtim i ka gëzuar dhe motivuar edhe shumë të rinj e të reja të Komunës së Sharrit, që me fluturime mbi lartësitë e qiellit dëshirojnë t’i shijojnë bukurit e këtyre maleve perla të Evropës Juglindore.
Kryepersonazhi i ngjarjes së sotme Hizdri Gubetini, me këtë sport ka filluar të merret në fillim të vitit 2000. Dashuria e pakufishme dhe puna sistematike bën që ai të shënoj sukses pas suksesi.
Gubetini si garues i zhdërvjellët dhe instruktor profesionist i Aeronautikës, ka lënë gjurmë të pashlyera si në garat brenda vendit, ashtu në ato rajonale dhe ndërkombëtare.
Më 24-tetor të vitit 2021,në Festivalin Ndërkombëtar të Turqisë “Oludeniz Air Games 2021”Hizdriu pati zënë vendin e parë, duke lënë pas vetes aeronautë me emër të 55- vendeve të botës.
Hizdriu paragllajdizmin si sport relativisht të rinj në Kosovë dhe Shqipëri, e ndjente edhe si ushqimin më të këndshëm të shpirtit të tij. Herë- herë i kapluar nga frika që mund të mbetet jashtë garave fluturaken e merrte edhe me qira.
Ky fakt mjafton për të kuptuar gjithsecili prej nesh përkushtimin e Hizdriut,ndaj këtij sporti sa atraktiv aq edhe me rreziqe për jetën.
Gubetini kudo që ka marrë pjesë ka fituar çmime dhe medalje të shumta. Ai po ashtu ka arritur të thyej edhe rekordet e më hershme në garat e zhvilluara në Kosovë, Shqipëri, Itali, Slloveni, Turqi, Bullgari, Qipro, Serbi dhe Maqedoni të Veriut .
Një fluturim të jashtëzakonshëm dhe me plot akrobacione që do të kujtohet gjatë në stil dallëndysheje e pati bërë mbi malet e Moknës të komunës së Burimit, duke qëndruar orë të tëra në lartësitë e qiellit të hapur.
Kolegë, shokë e miq të Federatës Aeronautike të Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Hizdriut, në këtë fushë me pietet e mallëngjim, çdo vit organizojnë përvjetorët e kalimit të tij në amshim.
Në kuadër të këtyre përvjetorëve mbahen edhe një varg garash me emrin e tij. Z. Përparim Rama, kryetar i komunës së Prishtinës, vitin e kaluar duke mosharruar shkëlqimin e të ndjerit Hizdri Gubetini, në këtë sport të rrallë, ka pritur në Zyrën e tij, zonjën Nafije Rexhepi- Gubetini dhe dy djemtë e saj, Almirin dhe Ensarin, të cilët kanë mbetur shumë herët pa kryefamiljarin, bashkëshortin dhe prindin, Hizdri Gubetini.
Përkundër ndarjes së parakohshme nga jeta të Hizdriut, dhe dhembjes së papërshkrueshme i biri Almiri ,vetëm 20 vjeç me intensitet dhe pasion të njëjtë sikur dikur Hizriu i është qasur këtij sporti.
Ai pyetjes sonë se si i lindi dëshira dhe ideja për t’u marrë me këtë disiplinë sportive, të pa ndonjë traditë të mëhershme në vendin tonë, pa u hamendur i përgjigjet me fjalët: “mendoj që trashëgojë shumëçka nga gjenet e babit” Po ashtu me fluturime në lartësi më duket sikur jam në kërkim të shpirtit të tij të çiltër dhe bujar” “Ndërkaq, frikën për fluturime nga çdo pozitë e kam larguar me ndihmën e babit. Edhe pse asnjëherë s’ kisha shprehur përpara tij, ambiciet e mia për t’u marrë me Aeronautikë, ai kishte zbuluar që unë zija në vete dëshirën e flaktë që një të ardhme të jem përkrah tij”
Në klubin e Aeronautikës “Shqiponjat e Kastriotit “ ku Almir Gubetini, është anëtar, instruktorë dhe pilotë janë optimist që ai, do të jetë i suksesshëm sikurse babai i tij, i ndjerë Hizdri Gubetini.
Z. Fanol A. Shala, aeronautist i njohur i Republikës së Kosovës dhe fitues i vendit të dytë në Alanya të Turqisë ,në një konkurrencë të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 88 vende të botës thotë:
“Kur janë në pyetje manifestimet mbi jetën dhe veprën e pilotit Hizdri Gubetini, udhëheqësit e dy Federatave tona aeronautike Kosovë- Shqipëri, që veprojnë nën një çati bëjnë të pamundurën vetëm e vetëm që çdo gjë të jetë në përputhje me programin e hartuar”
Shala ishte mik i ngushtë me Hizdriun. Ata përveç bashkëpunimit në këtë sport përputheshin edhe në mendime me njëri-tjetrin. Shala vdekjen e papritur të mikut të tij Hizdri Gubetini e konsideron si humbje të madhe për familjen dhe komunitetin e aeronautëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Edhe z. Alket Islami, kryetar i Aeronautikës së Shqipërisë dhe pilot shembullor e ndjenë ende mungesën e Hizdriut. Ai e çmonte Hizdriun, si sportist dhe njeri me virtyte të larta. Madje me përkëdhelje e thërriste Hizi.
Z.Islami duke treguar empati dhe respekt për kolegun dhe mikun e tij të hershëm Hizdri Gubetini,çdo herë vije nga Shqipëria në Kosovë, në të gjitha manifestimet që kanë të bëjnë me Hizdriun.
Alketi veç kësaj në përpjekje për ta lehtësuar dhembjen e familjes Gubetini, me fjalë të përzgjedhura kujton momente nga aktiviteti dhe bisedat me Hizdriun.
Në tubimin e Sharrit të konsideruar edhe si ftesë për masivizimin e paragllajdizmit në Kosovë e Shqipëri, nga solistë dhe valltarë të kësaj treve u interpretuan këngë e valle që kënaqën të gjithë, veçmas mërgimtarët me mallin e pashuar për vendlindjen e tyre.
Hizdriu, kampion i disahershëm në pargllajdizëm pati vdekur papritmas më 5 dhjetor të vitit 2021, nga një sulm në zemër, derisa po bënte dekorimin e oxhaqeve më gurë të imët në stanet e Dellovcit të Therandës.
ARIF EJUPI