ime më zgjohej në agim
bashkë me tim atë
atëherë kur mbusheshin
me ujë enët
për gjithë ditën
kusitë, tenxheret, tasat, shishet,
në banjo legenët, bidonët,
lum kush kishte fuçi plastike apo teneqeje
e ndihmonte edhe im atë
i sapokthyer
nga rradhët e dyqanit të bylmetit
ku zakonisht blinte
sa të mundte shishe kosi e qumështi
edhe për komshinjtë…
sapo kishin hyrë vitet ’90
në Tiranë uji vinte me orar
pa zbardhur
por kishte plot burime uji
imagjinar që i gufonin
me gurgullimë shpresat
dhe ime më zgjohej pa gëdhirë
të lante ndërresat
e nipit të saj të parë
lante këmishka, kanotierka,
bluska e tutka bebkash,
fanellatë, pambuk, puplin,
jelekë, triko leshi e kapuçë
zbukuruar në majë
me xhufka lozanjare
dhe u këndonte këngë
nga buzët e saj të bukura
e pastaj rrobkat e bebkës i nderte
në ballkonin përbri Dajtit
e që të mos i rrëmbente era
i kapte me kapsa
rrobkat e vogla të nipit
valviteshin si flamurka festash
sikur flamujt e gjithë globit
t’i kishin dhënë fund gjithe luftrave
dhe lumturohej zonja me emrin Lili
e memzi priste agun tjetër
pa u lodhur kurrë
për t’i larë jo me makinë
por me duart e saj
rrobat e nipit të parë
e pastaj me tim atë
që kthehej nga rradhët e mesnatës
do të mbushnin
enët e zbrazura
me ujin e burimeve të shpresës
që gulçonte nga rubinetat e çesmave
edhe kur uji vinte pikë pikë
e çdo agim
nga ballkoni përbri Dajt
i apartamentit tonë
do të flladisnin
rrobkat prej bebeje të nipit
si kryevepra të njerëzimit
që e bënin të mrekullohej
të bukurën time më
që ishte një mrekulli më vete
e mund të mahniste
çdo Fidia
nga antikiteti përtej miliniumëve
si e mahniti poetin tim atë
që iku nga kjo botë duke thirrur
jo si Gëtja
“mehr Licht”, “mehr Licht”, “mehr Licht”
“më shumë dritë”,
“më shumë dritë”
“më shumë dritë”
por “Lili”, “Lili”, “Lili”
se kështu quhej drita
për tim atë
një zambak i bardhë uji
në errësirën
e etur
për të jetuar
Janar, 2024