Takimi ynë i fundit ishte rastësor, bri ish- hotel “Dajti”
Folëm paqësisht, por ti ishe i lodhur, mik i shtrenjtë. Edhe buzëqeshja jote ishte e kursyer…, disi e ndrojtur. Pak fjalë më the, por të ndjera. Pas atij takimi nuk u pamë më, derisa, më 28 mars 2010, ti heshte përgjithnjë. Në vitet e fundit ti e kuptove se gjëja më e keqe ishte vetmia, ajo nuk ka gojë të flasë, nuk ka ndjenja të thotë se çfarë ndien…Vetmia nuk ka duar ,që të të përqafojë, as laps e kartë, që të të nisë letër… Vetmia është burgu i trishtë i njeriut. Por sot është 75- vjetori yt, Agim, e le ta festojmë bashkë, si atëherë, kur, me aq kurajo , vure në skenë dramën “ Armiku i popullit”, të Henrik Ibsenit. Ti përgatite vetë edhe skenografinë…, dhe guxove të provokoje, duke e ndarë flamurin me dy koka shqiponjash veç e veç, për të nxjerrë në pah se hipokrizia e shtetarit nuk ndalet deri në vepra të tilla, ku gjithçka simbolike dhe identitare për njeriun e thjeshtë, mund të përdhoset me veprimin dhe të fshihet nën hipokrizinë dhe gënjeshtrën…Aso kohe unë botova një shkrim vlerësues. Ti iu gëzove, sepse gjete në të njehsimin kuptimor- filozofik me konceptimin tënd dramatiko- skenik. Pas disa ditësh , një anonim i paguar, të sulmoi. Një shkrim që donte të të dekurajonte për mbrojtjen që po i bëje godinës së “ Teatrit Kombëtar”.
Sa e gjerë është tipologjia e galerisë sate artistike Agim Qirjaqi!
Oficeri gjerman, te filmi “ Dimri i fundit”, cinizmi i ftohtë, një fytyrë gati- gati e ngrirë, por natyra e njeriut që urdhëron prerazi dhe nuk pranon mëdyshje apo huamarrje nga mendja e të tjerëve.
Drejtori i shkollës dhe i jetimores, te filmi “ Lulëkuqet mbi mure”, sërish cinizmi, filozofia e frymës fashiste, mungesa e mëshirës dhe hipokrizia. Te filmi “ Rrugë të bardha”, mësuesi , disi i hutuar, njeriu pa pulsin e jetës, një lloj njeriu në këllëf, si ai heroi i tregimit të Çehovit.
Te filmi “ Dasma e Sakos”, në rolin e avokatit, manifeston aq bukur të gjithë hipokrizinë e atyre njerëzve të klasës së pasur, që mendojnë se janë gjithçka dhe zotërojnë çdo gjë, por në prapaskenë kuptohet se ,të zhveshur nga pushteti, janë kaq të dobët dhe meskinë!
Te “ Tela për violinë”, profesori i violinës, Mustafa Dino, Muçua, një grotesk magjepsës!
Te filmi “ Kolonel Bunker”, në rolin e Nuro Metos, të cilit diktatori i caktoi si detyrë fortifikimin e vendit, një figurë e përsosur , nga maja e suksesit, në burgosje. Drama e zhgënjimit, kur lufta e ftohtë rezultoi një flluskë…Kthimi në liri, ishte mosnjohja e vetes dhe e botës.
Pse po t’i përmend?,- më pyete. Po, dua të festojmë ditëlindjen tënde Agim! Arti yt ishte jeta jote.
Pa të ajo do të ishte boshe, thjesht si një enë e zbrazur…, pa tingull.Njerëzit duhet të kujtohen se cili ishte ai fisnik me atë sjellje skenike të kadifenjtë. Te komedia “ Ylli pa emër”, e Sebastianit, ju shkëlqyet në një lojë , ku naiviteti, përgjërimi dhe rrëfenja provincialiste ,përballë një gruaje të bukur, bashkonte gjithçka: qiejtë, pasionet, studimet, ëndrrat dhe lutjet…Ajo natë e premierës, në vitin e largët 2002, na la pa frymë. Kultura jote ishte e gjerë dhe domethënëse, i paharruari Agim Qirjaqi!
“ Rikardi III”, që Ti e vure në skenë, m’u dha rasti ta shihja para ca vitesh në Copenhagen nga një trupë angleze, në një festival shakespearian, por vënia jote më pati tronditur më shumë…
Tani, mendo që nuk je në botën e përtejme, por për pak çaste je kësaj ane, dhe të gjitha këto fjalë vlerësuese , po t’i them në sy.
Të festosh, nuk do të thotë thjesht të argëtohesh. Të sjellësh në kujtesë gjithë ç’ke realizuar në jetën tënde të shkurtër, 60 vjeçare, kjo do të thotë të festosh për artistin Agim Qirjaqi !
Na mungon shumë, Agim i dashur!
Na mungon si artist, na mungon si njeri…, na ke lënë një boshllëk si mik…
Ndoshta andej festoni sonte…
Sa shumë jeni në Qytetin e Frymës! Mirë bëni që jeni pranë njëri tjetrit në data të shënuara…!
Këtu mbretëron heshtja për ju…, ka të tjera halle shteti!
Ndaj mos m’u ligështo…!
Ne që të duartrokitëm, nuk të harrojmë…!
P.Kabo. 27 janar, 2025.