Në kuadër të konferencës ku po marrin pjesë studiues të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Austria dhe Gjermania
PRISHTINË – Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës, në bashkëpunim me Institutin “Yunus Emre” dhe Qendrën Kulturore Atatürk në Ankara, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së tij, organizuan konferencën “Veprimtaria shkencore e prof. Dr. Hasan Kaleshit”.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj konference drejtori i institutit “Yunus Emre” në Prishtinë, Mehmet Ülker, u shpreh se nëpërmjet kësaj dite akademikët e ardhur nga vende të ndryshme të botës do të shqyrtojnë temat e veprimtarisë së Hasan Kaleshit, një shkencëtar i rëndësishëm për gjithë rajonin.
“Unë dua të theksoj se ne si instituti ‘Yunus Emre’ dëshirojmë që nëpërmjet aktiviteteve të tilla të njoftojmë, flasim dhe të prezantojmë vlerat tona të përbashkëta kulturore e shoqërore, duke ofruar tema të ndryshme në bashkëpunim”, tha Ülker.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e institutit të tij, për bashkëpunime në fusha dhe tema të ndryshme, jo vetëm në Kosovë dhe në Turqi, por edhe në të gjitha vendet e botës. Ülker fjalimin e tij përfundoi me thënien e profetit Muhammed a.s. “Nëse shkenca gjendet edhe në Kinë, shkoni për ta gjetur atë.”
Në anën tjetër, Isa Memishi, kryetari i këshillit organizativ, gjatë fjalimit të tij, theksoi bashkëpunimin në mes të Fakultetit të Filologjisë, përkatësisht të drejtimit të orientalistikës me institutin kulturor “Yunus Emre”. Duke e vlerësuar veprimtarinë e vlefshme të Kaleshit, Memishi u shpreh se “Kontributi shkencor i Profesorit Kaleshi ka qenë multidisiplinar. Që nga historia, filologjia, filozofia, letërsia e shumë të tjera. Duke marrë parasysh gjithë këto fusha të studimeve të tij, të cilat arrijnë në 500 njësi bibliografike të disiplinave të ndryshme shkencore, ndoshta duhet që një numër i madh studiuesish me njohuri të ndryshme të marrin pjesë në këtë konferencë.”
Ndërkaq vëllai i të ndjerit Hasan Kaleshi, Omer Kaleshi shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj konference dhe në shenjë falënderimi tha se do të dhurojë piktura të Dervishëve tek instituti “Yunus Emre”.
Dekane e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova foli për diapazonin e gjerë të profesorit Hasan Kaleshi, që shtrihej në fushat si histori, gjuhësi, etnografi dhe rreth të arriturave të tij në fushën e filologjisë klasike dhe orientale. Duke folur për përpjekjen e Kaleshit në këtë drejtim, Rugova u shpreh se “Departamenti i orientalistikës i profilit të specializuar shkencor për studime gjuhësore, letrare dhe kulturore të botës turke, arabe, perse dhe jo vetëm, është një nga katedrat më të vjetra të themeluara në Universitetin e Prishtinës.”
Myrvete Badihuku-Pantina, pro-rektore e Universitetit të Prishtinës, duke falënderuar organizatorët e kësaj konference ndërkombëtare, theksoi rolin e Kaleshit në fusha të ndryshme shkencore e kulturore, duke veçuar kontributin e tij në fushën e historiografisë shqiptare. “Me emrin dhe veprimtarinë e Profesorit Kaleshi mburremi të gjithë shqiptarët”, u shpreh ajo.
Hasan Kaleshi është orientalist dhe themelues i degës së orientalistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Ai njihet si orientalisti më i madh shqiptar. Kaleshi është i njohur edhe në vende të shumta si Gjermania, Austria dhe nga vendet e Ballkanit në rajon. Veprat e tij kanë shfaqur në mënyrë të drejtpërdrejtë historinë e periudhës osmane, dhe ai ka qenë një shkencëtar i cili ka bashkuar popullin turk me atë shqiptar me një pikëpamje pozitive.
Në kuadër të konferencës për 40-vjetorin e vdekjes së Hasan Kaleshit ku po marrin pjesë studiues të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Austria dhe Gjermania, gjatë ditës së sotme do të organizohen diskutime me tema të ndryshme, të ndara ne 3 sesione. aa
Komentet